zoom

Ide & Blog

Banalizimi mediatik dhe politik i skandalit “Rama –McGonigal”

Afera “Rama – McGonigal” do të mbahet mend gjatë si një prej skandaleve më të mëdha që ka përfshirë një zyrtar të lartë të FBI-së dhe kryeministrin e një vendi. Ata kanë pasur takime sekrete, që një dreq e di se për çfarë kanë biseduar, kanë marrë vendime për interesa të njëri – tjetrit, kanë manipuluar politikën amerikane.

Por derisa drejtësia amerikane t’i zbardhë këto afera, media të ndryshme dhe politika në Shqipëri po e ngatërrojnë aq keq këtë marrëdhënie, saqë, në përpjekje për të ngarkuar më shumë njërin apo tjetrin, po e degradojnë këtë mega-skandal në një histori erotike apo gjobëvënie.

Sali Berisha deklaroi dje në parlament se kishte video erotike të McGonigal-it me dikë nga mazhoranca, ministre, siç la të kuptohet.

Sot, një media e panjohur amerikane, që ka më pak klikime se portalet shqiptare, flet për 12 milionë dollarë që McGonigal i paska marrë Shefqet Kastratit, duke e shantazhuar se përndryshe do ta shpallte “non grata”.

Si “videot erotike” të Berishës ashtu edhe “gjobvënia” ndaj bizneseve në Shqipëri nga McGonigal janë devijim nga thelbi, me qëllim, nga mungesa e profesionalizmit apo nga mania për të pasur sa më shumë klikime në Google Analytics për t’i përdorur për marketing.

Thelbi i këtij skandali qëndron në një pikë të vetme, rreth së cilës ngrihen vetëm disa pyetje që kërkojnë përgjigje:

1. A e përdori kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zyrtarin e lartë të kundërzbulimit në FBI për të hetuar lobistin e Partisë Demokratike, Nick Muzin, me qëllim që të manipulonte politikën e Uashingtonit dhe ta ndërsente atë kundër opozitës në Shqipëri?

2. A dolën informacionet nga zyra e Kryeministrit, siç thotë hetimi i FBI, dhe kush ia dha ato Agron Nezës për t’ia kaluar McGonigal-it?

3. A kishte dijeni Edi Rama se këto informacione dolën nga zyra e tij?

4. A i ka kërkuar Edi Rama drejpërdrejt favore zyrtarit të lartë të FBI për çështje që nuk kanë të bëjnë me detyrën si kryeministër?

5. A i ka informuar Edi Rama institucionet shqiptare për takimet e tij sekrete me një zyrtar të lartë të FBI, të cilin e njohu për shkak të detyrës dhe gjatë ushtrimit të detyrës dhe nuk e pati pasur mik përpara se të punonte në FBI apo pasi ai doli në pension?

6. A ka dijeni Edi Rama se miku i tij, Tom Doshi, i kërkoi McGonigal-it që të hetonte “planin për ta eleminuar ate”?

7. A kishte dijeni Edi Rama që pas kërkesës së McGonigal për të bërë kujdes me kompanitë ruse të naftës, në kohën kur ndaj Rusisë nuk kishte sanksione, përfitonte këshilltari i tij Dorian Duçka dhe miku i McGonigal, Agron Neza?

8. Përse Edi Rama refuzon të shkojë në parlament për të dhënë llogari për këtë çështje?

9. A është kryeministri i Shqipërisë vërtet nën hetim në SHBA?

10. Po Ambasada Amerikane në Tiranë, a ka një qëndrim për këtë çështje?

Këto dhe disa pyetje të tjera kërkojnë përgjigje për t’i shkuar në thelb një prej skandaleve më të mëdha të spiunazhit në Shqipëri dhe në historinë e vetë FBI.

Histori me video erotike, gjoba të pretenduara apo me foto me p*nisë që autorë të shkrimeve në portale anonime amerikane u kanë çuar të dashurave, vetëm sa e devijojnë çështjen, duke e çuar debatin drejt një banaliteti për të cilin s’do t’ia vlejë më as ta përmendësh. /Mikel Ora – Zoom.al

Postime të lidhura