zoom

Aktualitet

Nepotizmi/ Njëra motër Zëvendëskryeministre dhe tjetra Kryetare e Vettingut

Një rast i paprecedentë nepotizmi dëshmon qartazi kapjen e drejtësisë shqiptare nga qeveria. Kjo që shihni në foto është Pamela Qirko, kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose siç njihet ndryshe komisioni i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndoshta jo të gjithë e dinë, por Pamela Qirko është motra më e madhe e zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në momentin që Pamela Qirku u emërua nga Parlamenti si anëtare e komisionit të vettingut, motra e saj Belinda votoi në konflikt të hapur interesi pro saj në Parlament. Më pas historia vazhdoi me promovimin e Ballukut në postin e Zëvendëskryeministres dhe titullares së emërimit të mjaft drejtorëve të rëndësishëm të administratës edhe jashtë Ministrisë që ajo drejton.

Burime nga maxhoranca socialiste bëjnë me dije për News24 se një nga arsyet kryesore të promovimit të Ballukut si krahu i djathtë i kryeministrit Rama, është pikërisht pozicioni kyç i së motrës Pamela Qirko në krye të komisionit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nëse një gjyqtar apo prokuror nuk vendos në favor të Ballukut apo vartësve të saj, shumë shpejt shkon dhe ngel në vetting, sepse aty përballet me motrën e Belindës, Pamelën, e cila jo vetëm mund të jetë në trupën e vettingut, por si kryetare e KPK kontrollon edhe shortin e gjyqtarëve të tjerë që shqyrtojnë dosjet.

Është rasti më flagrant i kapjes së drejtësisë nga pushteti ekzekutiv, kur motra e zëvendëskryeministres dhe ministres së infrastrukturës dhe energjisë kërcënon cdo gjyqtar apo prokuror që ka çështje penale apo civile të lidhura me fushën e gjerë të qeverisjes që mbulon Belinda Balluku dhe kolegët e saj.

Sipas raportit të fundit të KLSH për vitin 2022, agjencitë qeveritare që varen nga Balluku, si KESH, OST, ARRSH, Posta Shqiptare etj ishin në krye të listës së abuzimeve me tenderat dhe fondet buxhetore, por hetuesit që potencialisht mund të hetojnë ose po hetojnë këto abuzime janë në dorën e Pamela Qirkos, motrës së Belinda Ballukut./BW/