zoom

Aktualitet

U shkarkua nga Vettingu, Strasburgu i jep të drejtë Sevdarit: Shteti t’i japë 24 mijë euro

Ish-prokurorja Antoneta Sevdari e shkarkuar nga vettingu ka fituar procesin me shtetin në Gjykatën e Stasburgut.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se në rastin e shkarkimit të Sevdarit ka shkelje proceduriale dhe se shkarkimi nuk ka qenë proporcional.

Sevdari u shkarkua në vitin 2019 nga trupa e Vettingut ku ishte pjesë edhe Luan Daci, pasi thuhej se kishte probleme dhe paqartësi me pasurinë e bashkëshortit të saj. Komisioni Publik ankimoi vendimin për pasurinë e bashkëshortit, ndërsa Sevdari e justifikoi me punën e tij jashtë vendi, më konkretisht në Arabinë Saudite.

Strasburgu ka vendosur që shteti shqiptar ti paguajë dëmshpërblim në vlerën e 13 mijë eurove Sevdarit për dëm material, 6mijë euro për dëmin pasuror dhe 5 mijë euro për kostot dhe shpenzimet, para që duhet të paguhen brenda 3 muajve. Shuma totale që shteti shqiptar duhet ti kthejë ish-prokurores është 24 mijë euro.

Sevdari e ka filluar karrierën si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës në vitin 2002 dhe në vitin 2013 ajo është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka qenë pjesë e task-forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Prokurorja Antoneta Sevdari kishte një pasuri të deklaruar prej 4.4 milionë lekë në vitin 2003 – kur deklaroi për herë të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në fund të vitit 2017 pasuria familjare e Znj. Sevdari kapi një vlerë prej 20.2 milionë lekë, duke regjistruar një rritje të pasurisë bruto me 4.6 herë. Rritja e mesatare e pasurisë së çiftit Sevdari ka qenë 1.1 milionë lekë në vit.