zoom

Politikë

Shthurja e ulët e Ramës në Kuvend!

Seanca e sotme plenare nisi me debate për Portin e Durrësit që u miratua me 62 vota pro dhe 19 kundër. Opozita kundërshtoi që të futej me procedurë të përshpejtuar projektligji për portin e Durrësit. Në fjalën e tij, Enkelejd Alibeaj u shpreh se kushton 2 miliardë e 100 milionë euro dhe kërkoi të mos miratohej me shpejtësi në parlament pa u bërë transparencë për nenent.

Vetëm se opozita i ka kërkuar llogari për portin e Durrësit, kaq ka mjaftuar që kryeministri Edi Rama gjatë kësaj seance në Kuvend të shpërthejë në sulme, me gjithë arsenalin e tij fyes dhe denigrues ndaj deputetëve të Partisë Demokratike.

Rama, edhe pse kryeministër i një vendi aspirant për në BE, nuk kurseu një gjuhë të çthurur nga foltorja e Kuvendit, e padallueshme nga një zhargon i rëndomtë rruge.

Transparencën Rama sot në Kuvend e zëvendësoi më së miri me një vërsulje dhe sulme të njëpasnjëshme, ndërsa deputetet e opozitës vijonin të kërkonin llogari.

Pjesë nga debatet:

“Ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë. Ju nuk keni as fe, pa Atdhe, jeni pa din e pa iman, ja këta jeni ju. Akuzoni për aferë një prej investitorëve më të mëdhenj! Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Jeni ca bedelë, që s’keni as sy për të parë e vesh për të dëgjuar”, tha Rama duke i thënë deputetit demokrat Dashnor Sula ‘Gjel deli i Peqinit’, teksa ky i fundit i thoshte ‘turp të kesh’.
Rama: Pusho gjel deti, pusho me atë fjalor se nuk je në festën e gjelave të detit të Peqinit. Pusho bedel. Si nuk ju vjen turp. Ngrini ulni dynjanë hajdutë
Sula: S’ke turp.
Rama: O gjel deti pusho. Nuk je në vendimin tënd këtu, je gabim je aksident komplet. Ah, mjerë Shqipëri për ty edhe ata si ti.

Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer komentet për financimin rus në PD, të cilin e ka përmendur para opozitës që i cilëson si “bedelë” dhe “të shitur”. Gjatë diskutimeve për invdestimin 2 miliardë euro për Portin e Durrësit, Rama tha se opozita është mësuar të marrë para cash nga armiqtë e të zbardhë dhëmbët.

Rama: Për ta bërë Shqipërinë më demokratike, më të drejtë, më transparente, më të denjë, apo do thoni që nuk keni marrë para ruse? Deri dje mund ta thonit sepse mund të hidhnit tezën që hodhët se ishte komplot i Sorosit me Edvinin. Është raport i CIA-s që e shkruan të zezë mbi të bardhë se PD është financuar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj dhe s’keni gojë të dilni e të flisni se cdo bëhet me vendin tonë. Jeni kaq të pafe, kaq pa din e iman, kaq të pafytyrë sa 2 miliard investim që i bën ai që vjen, ju thoni kujt do ia jepni. S’keni faj se jeni mësuar të merrni para cash nga armiqtë e të zbardhni dhëmbët se janë e qeshura e madhe e marrëzisë.

Nikolla-Bardhit: Kujt ia drejton dorën? Hajt qëndro aty tani.

Rama: Buxheti 2023 diskutohet në kushtet e një krize. Kjo është arsyeja pse i thoni shqiptarëve ekzaktësisht, ca nga budallëku ca se jeni bedel se nuk e kuptoni pse jeni këtu. Më e keqja është se ju tërheqin nga hunde disa të tjerë se e dinë mirë çfarë bëjnë. Thonë atë që thotë Putin, ç’lidhje ka inflacioni me mua, ç’lidhje ka kriza e energjisë. Çfarë lufte, s’ka luftë. Ju jeni bedel, s’keni idenë çfarë thoni. Ju morët para ruse, ngritët vathën, çadrën, blegërinit për rrëzimin e qeverisë se ju jeni të shitur. Disa prej jush janë të shitur dhe kanë marrë paratë, disa të tjerë janë të shitur se janë gjela deti. Një turp i madh për këtë vend e parlament jeni të gjithë ju. Ju do dilni siç hytë, kastravec, siç thotë poema e famshme që është këngë. Siç hyri dhe doli, kastravec. Kështu do dilni nga kjo histori.

A u largua opozita nga parlamenti? A u la Rama vetëm, në monologun e tij diarretik? Jo dhe sa keq!/ Zoom.al