zoom

Aktualitet

Ish-zëdhënësi i Gjiknurit tallet me hartën e pallatit të Shefqet Kastratit

Qytetarëve të Tiranës, ditën e djeshme u tërhoqi vëmendjen kulla më e lartë në Tiranë, e cila kishte ndezur dritat e ballkoneve në forma të çrregullta, ku pretendohej të shfaqej harta e Shqipërisë.

Dardan Malaj, ish-zëdhënësi i Damian Gjiknurit ka vënë në lojë këtë  pseudohartë të pallatit të ndërtuar nga Shefqet Kasatrati. Sipas tij, harta nuk është aspak si ajo e Shqipërisë, pasi duket e tjetërsuar.

Rastet e ndërtesave “të shëmtuara”, në shumë raste janë produkt i mungesës së vizionit të projektuesit dhe në disa raste janë produkt i realizimit të dobët të idesë në praktikë. Kjo e dyta, më së shumti për të ulur kostot, pasi janë mashtruar autoritetet me projekte “madhështore” në letër.

“DownTown One” është kulla më e lartë në trojet shqiptare, me afro 40 kate mbi nivelin e tokës dhe me një lartësi 140 metra.

E dizajnuar nga firma holandeze “MVRDV”, e arkitektit të njohur ndërkombëtar Vini Mass, kjo ndërtesë super e lartë do të përmbajë një përzierje të njësive tregtare dhe rezidenciale, disa prej të cilave do të dalin nga fasada e ndërtesës.

Por përveç lartësisë, ajo që synonte ta bënte të veçantë këtë ndërtesë ishte fasada e saj në anën ballore, ku nëpërmjet kubeve të ndërtimit, synohej të ndërtohej në trupin e saj një hartë e copëzuar e Shqipërisë, në të cilën banorët do jenë në gjendje të identifikojnë banesën e tyre në bazë të gjeografisë së vendit.

Si ide dhe dizajn natyrisht që bëhet fjalë për një projekt të guximshëm. Por nuk duket të jetë në po të njëjtin nivel, realizimi i kësaj ideje.

Kjo më poshtë është foto e projektit se si duhet të ishte kulla.

Projekti i kullës Downtown

Arkitektë të pyetur nga Zoom.al thonë se dështimi nuk ka të bëjë shumë me vështirësinë, por me kostot.

Nëse do të ishte realizuar harta e Shqipërisë, sipas projektit, kostot do të kishin qenë tepër të larta.

Megjithatë, sipas tyre, ndërtuesi do të duhej ta zbatonte projektin me përpikmëri siç e ka marrë lejen.

Në këtë rast, edhe pse projekti mban firmën e një prej studiove më të njohura në botë, për ndërtuesin vlen më shumë volumi i ndërtimit dhe fitimi prej tij sesa zbatimi i projektit që do të shtonte kostot, përveccse është një detyrim ligjor. Dhe peshën e dështimit nuk e kanë vetëm ai dhe investitori, por drejpërdrejtë edhe kryeministri Edi Rama, pasi ideja e hartës së Shqipërisë mbi atë fasadë ka qenë pikërisht ideja e tij. /Zoom.al