zoom

Aktualitet

Dhuna ndaj të moshuarës në Pejë, reagime dhe thirrje për drejtësi

Reagime të shumta ka patur pas dhunës së ushtruar ndaj një të moshuare në azilin e pleqve në Pejë. Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, e konsideroi të papranueshëm rastin dhe bëri thirrje për të çuar para drejtësisë të gjithë të implikuarit.

“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje. Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, ka shkruar ministri Sveçla.

Edhe ish-presidenti dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka dënuar dhunën ndaj të moshuarës, që sipas tij është nëna e një dëshmori. Në një postim në Facebook, ai tha se dëshiron ta takojë atë, ndërsa për shkaktarët e dhunës tha se duhet të mendohen në qeli.

“Ju që e goditni, ju që qeshni dhe ju që filmoni. Çfarë keni për të thënë tani? A e shihni që gjithçka në këtë botë kthehet si një bumerang. Keni krijuar lajme negativë në të gjithë vendin. Keni abuzuar me një nënë të moshuar. Madje e një dëshmori. Unë dëshiroj shumë ta takoj këtë grua dhe të dëgjoj çfarë ka për të thënë ajo. Por ju që keni shkaktuar këtë dhunë, shpresoj se do të keni mjaft kohë për të menduar për veprimin tuaj në qelinë tuaj”, shkruan Pacolli.

Edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e ka dënuar përdorimin e dhunës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.

“Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) me shqetësim ka marrë videon e publikuar në mediat sociale, ku shihet një e moshuar duke u keqtrajtuar në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë. Bazuar në pamjet e publikuara, shihet qartë përdorimi i dhunës dhe poshtërimi ndaj një të moshuare në ambientet e një Shtëpie për të Moshuar. Sipas pamjeve të publikuara, veprimet e punonjësve të këtij institucioni përveç veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, kanë elemente edhe të veprës penale të “Torturës”. Përdorimi i Torturës apo çfarëdo forme të keqtrajtimit është i sanksionuar sipas legjislacionit në Kosovë, ashtu siç është e definuar me Konventën Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe me Konventën kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese, të cilat janë të zbatueshme në Kosovë”, thuhet në reagim.

Edhe Rrjeti i Grave të Kosovës e ka përcjellë me shqetësim rastin që ndodhi në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.

“Përmes një videoje të shpërndarë sot në media shihet se disa nga infermieret e punësuara në këtë qendër përkujdesjeje dhunojnë dhe keqtrajtojnë një grua në moshë. Përveç kësaj, infermieret e tjera në asnjë moment nuk ndërhyjnë por mbështesin kolegen e tyre duke xhiruar dhe qeshur. Përmes këtij reagimi Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që t’u hiqet licenca të gjitha infermiereve të përfshira. Gjithashtu, Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të largojë licencën e operimit të qendrës, pasi nga rasti i fundit, në këtë qendër ndodhë keqtrajtimi me persona të moshuar. Rrjeti i Grave të Kosovës fton Policinë e Kosovës që të veprojnë me përgjegjësi të plotë duke arrestuar të gjitha infermieret e pranishme dhe fton të gjitha organet e tjera të drejtësisë që të hetojnë rastin me përgjegjësi të plotë dhe që infermieret të cilat ushtrojnë dhunë të marrin dënimin meritor”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndërkohë Qendra e të Moshuarve në Pejë, ka pezulluar nga detyra katër infermieret e përfshira në rastin e sulmit ndaj të moshuarës.

Nga ana tjetër edhe figurat e njohura shqiptare kanë reaguar në rrjetet e tyre sociale, ndaj veprimit të infermieres.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Olti Curri🧿 (@olticurri)

Postime të lidhura