zoom

Slider

Florent Hasani: Te Tirana erdha për titullin kampion, Seferi? Kam ardhur të tregoj vlerat e mia

Tirana mori tre pikët në Ballsh kundër Bylisit falë sulmuesit Florent Hasani, që shënoi një gol vërtet të bukur. Anësori i bardhebluve tregoi klasin e tij, teksa me një goditje perfekte me të majtën e ndal topin në rrjetë.

Në një lidhje paralele me emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, Hasani tregon se gola të tillë janë të preferuarit e tij dhe se kishte besim të plotë se do të shënonte.

25-vjeçari nuk e pëlqen krahasimin me Seferin, ndërsa në fund vlerëson nivelin e kampionatit shqiptar, të cilin nuk e sheh larg atij izraelit dhe hungarez, ku edhe ka luajtur në karrierën e tij.

GOLI – “Më e rëndësishme ishte që morëm tre pikët, por edhe golin e shijova shumë. E pëlqej ta pres atë pasin nga jashtë. Kisha shumë vetëbesim se do ta shënoja. Pothuajse 100% njësoj kam edhe një gol në Hungari”.

POZICIONI NË FUSHË – “Është pozicioni im. Çdo lojtar i ri kur ndërron ambient kërkon kohën e vetë për t’u përshtatur. Tani ndihem shumë mirë. Ekipi më ka ndihmuar të përshtatem më shpejt. Te ekipi ku kam qenë në Hungari luaja në një skemë totalisht ndryshe, këtu te Tirana luaj me një skemë të tjetër.

SEFERI – “Të gjithë thonë që kam ardhur si zëvendësuesi i Seferit, por nuk e mendoj kështu. Unë kam ardhur të bëj punën time. Njerëzit në media i bëjnë krahasimet. Mund të bëj më mirë se Seferi. Të gjithë mund të bëjnë më mirë. Kam ardhur me objektivin për t’u shpallur kampion me Tiranën”.

FTESË NGA KOSOVA – “Po pata formën e mirë, besoj se ftesa do të vijë. Nuk kam pasur kontakte me trajnerin e ri. Kam luajtur edhe në Hungari, edhe në Izrael. Kampionati shqiptar është mjaft afër me ato kampionate. Normale, ato kanë fusha më të mira, por nga intensiteti janë shumë afër”, tha Florent Hasani. /zoom.al/