zoom

Aktualitet

Konfiskohen katet pa leje të “Syrit të Tiranës”

Janë konfiskuar katet pa leje të ndërtesës “Syri i Tiranës- Eye of Tirana”, të biznesmenit Armand Lilos.

Zoom.al e ka denoncuar vazhdimisht paligjshmërinë në fjalë, e cila u soll në vëmendje edhe dy ditë më parë nga deputeti demokrat Ervin Salianji.

“Eye of Tirana – Syri i Tiranës”, i projektuar nga një studio daneze, me një sipërfaqe prej 55 mijë metra katrorë, do të duhet të ishte me 26 kate, por në fakt po t’i numërosh sot, ato kapin përafërsisht shifrën 40.

“ARLIS CONSTRUCION – NDËRTIM”

Projekti po ndërtohet nga “Arlis Construction”, një kompani e përfolur shpeshherë në media. Në vitin 2019 ajo u akuzua se prishi një lulishte për të ndërtuar një pallat shumëkatësh, në zonën e 21 Dhjetorit. Projekti i pagëzuar si “Square 21” ngjalli protesta të banorëve të zonës.

“Kompania “Arlis-Ndërtim,” që zotërohet nga Armand Lilo, një ndërtues i afërt me qeverinë, planifikoi në zonën e ish-Uzinës një kompleks pallatesh që shtrihet në rreth 15,500 metra katror. Projekti zinte jo vetëm lulishten që ishte bërë pas vitit 2015, por edhe godinat e ish-Uzinës dhe Policisë Bashkiake. Pas 21 shkurtit 2017, me leje të Erion Veliajt, kompania nisi ndërtimin e një pjese të kompleksit. Anën perëndimore, anën që zuri lulishten. Në lejen e bërë publike, Arlis-Ndërtim detyrohej të paguante 1,5 milionë euro (207,478,160 lekë) taksë infrastrukture”, shkruanin mediat në atë kohë.

Square 21

Kompania “Arlis Construction -Ndërtim” dyshohet se ka shkelur rregullat e ndërtimit edhe në një projekt tjetër, pranë Farmacisë 10, në Tiranë.

LIDHJET E PRONARIT TË “ARLIS CONSTRUCION” ME QEVERINË

Pronari i “Arlis Construction”, Armand Lilo, është kushëriri i bashkëshortes së ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Leja e ndërtimit për kompleksin ‘Square 21” është firmosur nga dhëndri i Xhafajt, Ditjon Baboçi, i cili në atë kohë mbante postin e Drejtorit të Urbanistikës.

Armand Lilo rezulton i përfshirë edhe me ish-Ministrin tjetër të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ndodhet në burg. Në makinën e Lilos, një fuoristradë tip Range Rover, me targa AA 718 OS, të cilin e kishte në përdorim Orest Sota, policia gjeti dy patenta skafi të Saimir Tahirit dhe 863 mijë euro. Sota u ndalua në Elbasan në kohën kur Saimir Tahiri po përballej me akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe lidhjet me grupin Habilaj.

Armand Lilo, pronar i “Arlis Construction”

Aktualisht përflitet se ai është një lidhje e fortë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt. Jo pak media e komentuan deklaratën e kryeministrit Rama si një sulm nga kryebashkiakut Veliaj, pasi i kujtoi se është ai ende kryeministër dhe se është ai që i merr kostot për çdo shkelje të ligjit.

“Përkundrazi, gjembat më hyjnë mua të parit”, tha Rama teksa i kërkoi policisë të mos lejojë më asnjë ndërtim pa leje, veçanërisht ato në qendër të Tiranës, duke mos u lënë mundësi as t’i legalizojnë përmes praktikave korruptive.

“Boll më ndërto me teorinë e faktit të kryer, korrupto policin korrupto dhe inspektorët dhe në fund futi një legalizim fitimeve marramendëse në rrugë të paligjshme. S’do ketë më kurrë legalizime për kate apo metra katrore pa leje për qëllim fitimi, kurrë, ta harrojnë!” – ishte paralajmërimi i Ramës.

Për sa i përket të ardhurave nga kompania e tij, sipas të dhënave të Open Data, Lilo pati rreth 76 mijë euro fitime në vitin 2012, ndërsa në vitin 2015 fitimet e iu shumëfishuan në 2 milionë euro. Në vitin 2020 raportoi 1.7 miliardë lekë të ardhura.

Në Në vitin 2013, Armand Lilo u përfshi në një konflikt pronësie në zonën e Yzberishtit. Sipas medias, bashkë me Ervis Nakjen, ai rrahu pronarin e truallit ku po ndërtonte një pallat dhe i plagosi atij të birin.