Aplikacion
“Eye of Tirana – Syri i Tiranës”, i projektuar nga një studio daneze, me një sipërfaqe prej 55 mijë metra katrorë, do të duhet të ishte me 26 kate. Ndërkohë sipas Salinajit sot po t’i numërosh katet e kësaj kulle shkojnë afërsisht 40 kate. Salianji akuzon qeverinë se ka bekuar ndërtimin pa leje të kësaj kulle, ndërsa shprehet se ndërtuesi duhet të ishte në bankën e të akuzuarve por lidhi sipas tij vepron me dy standarde.
‘I jam drejtuar qeverisë për informacion se sa është numri i subjekteve të paligjshme që kanë shkelur lejen e ndërtimit. Numri i rasteve të ndërtimeve të paligjshme, a janë marrë administrative apo a janë kallëzuar penalisht zyrtarë?
Sot pas më shumë se 2 javësh qeveria ende nuk e ka një përgjigje sepse është tërësisht e kapur dhe e pafuqishme dhe ligji nuk është i barabartë për të gjithë.
Qindra qytetarë janë arrestuar për ndërtime në shtëpitë e tyre. Qeveria ndjek penalisht çdo qytetar të pamundur në këtë vend, nga ana tjetër këtu shikojeni pak përballë institucioneve më të rëndësishme, ku kalojnë ministra, drejtuesit e policisë së Shtetit, kjo është leja e miratuar nga Rama KKT 26 kate. Ky ndërtim shikoni sa ka shkuar. A ka mundësi që ky ndërtim në mes të Tiranës, një grataçelë të bëhet pa bekimin e qeverisë. Sot po e pyes zyrtarisht a e ka çuar dhe referuar në prokurori IKMT dhe policia e Shtetit? Do të jem bashkë me ju në ndërtesa të tjera në Tiranë, në përbindësha betoni që kanë marrë dhe shtetin në kontroll duke ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Sot ndërtime si ky duhet të kishin miliona euro gjobë. Nga ana tjetër ndërtuesi apo pronari i këtij duhet të ishte para përgjegjësisë penale. Qeveria e ka mbyllur gojën sepse nuk ka asnjë përgjigje. Do vazhdojmë të denoncojmë në vende të tjera se ku qeveria favorizon duke vendosur dyfytyrësinë dhe jo barazinë para ligjit”.- tha Salianji.
Salianji ndër të tjera theksoi se në krahasim me qyetetarët e thjeshtë disa persona të tjerë ndërtojnë në mes të Tiranës prona të cilat marrin bekimin e qeverisë.
Qytetarët e pamundur e të pambrojtur përfundojnë në burg nëse bëjnë një avlli. A ka mundësi që kjo gradaçelë të bëhet pa bekimin e qeverisë. Sot po iu pyes edhe pse s’me kanë kthyer përgjigje a e kanë çuar në prokurori këtë ndërtim? Këta ndërtojnë në mënyrë të paligjshme ku të duan dhe sa të duan. Qeveria e ka mbyllur gojën si në shumë raste të tjera se s’ka ça thotë.- u shpreh ai.
“ARLIS CONSTRUCION – NDËRTIM”
Projekti po ndërtohet nga “Arlis Construction”, një kompani e përfolur shpeshherë në media. Në vitin 2019 ajo u akuzua se prishi një lulishte për të ndërtuar një pallat shumëkatësh, në zonën e 21 Dhjetorit. Projekti i pagëzuar si “Square 21” ngjalli protesta të banorëve të zonës.
“Kompania “Arlis-Ndërtim,” që zotërohet nga Armand Lilo, një ndërtues i afërt me qeverinë, planifikoi në zonën e ish-Uzinës një kompleks pallatesh që shtrihet në rreth 15,500 metra katror. Projekti zinte jo vetëm lulishten që ishte bërë pas vitit 2015, por edhe godinat e ish-Uzinës dhe Policisë Bashkiake. Pas 21 shkurtit 2017, me leje të Erion Veliajt, kompania nisi ndërtimin e një pjese të kompleksit. Anën perëndimore, anën që zuri lulishten. Në lejen e bërë publike, Arlis-Ndërtim detyrohej të paguante 1,5 milionë euro (207,478,160 lekë) taksë infrastrukture”, shkruanin mediat në atë kohë.
Kompania “Arlis Construction -Ndërtim” dyshohet se ka shkelur rregullat e ndërtimit edhe në një projekt tjetër, pranë Farmacisë 10, në Tiranë.
LIDHJET E PRONARIT TË “ARLIS CONSTRUCION” ME QEVERINË
Pronari i “Arlis Construction”, Armand Lilo, është kushëriri i bashkëshortes së ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Leja e ndërtimit për kompleksin ‘Square 21” është firmosur nga dhëndri i Xhafajt, Ditjon Baboçi, i cili në atë kohë mbante postin e Drejtorit të Urbanistikës.
Armand Lilo rezulton i përfshirë edhe me ish-Ministrin tjetër të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ndodhet në burg. Në makinën e Lilos, një fuoristradë tip Range Rover, me targa AA 718 OS, të cilin e kishte në përdorim Orest Sota, policia gjeti dy patenta skafi të Saimir Tahirit dhe 863 mijë euro. Sota u ndalua në Elbasan në kohën kur Saimir Tahiri po përballej me akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe lidhjet me grupin Habilaj.
Aktualisht përflitet se ai është një lidhje e fortë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt. Jo pak media e komentuan deklaratën e kryeministrit Rama si një sulm nga kryebashkiakut Veliaj, pasi i kujtoi se është ai ende kryeministër dhe se është ai që i merr kostot për çdo shkelje të ligjit.
“Përkundrazi, gjembat më hyjnë mua të parit”, tha Rama teksa i kërkoi policisë të mos lejojë më asnjë ndërtim pa leje, veçanërisht ato në qendër të Tiranës, duke mos u lënë mundësi as t’i legalizojnë përmes praktikave korruptive.
“Boll më ndërto me teorinë e faktit të kryer, korrupto policin korrupto dhe inspektorët dhe në fund futi një legalizim fitimeve marramendëse në rrugë të paligjshme. S’do ketë më kurrë legalizime për kate apo metra katrore pa leje për qëllim fitimi, kurrë, ta harrojnë!” – ishte paralajmërimi i Ramës.
Për sa i përket të ardhurave nga kompania e tij, sipas të dhënave të Open Data, Lilo pati rreth 76 mijë euro fitime në vitin 2012, ndërsa në vitin 2015 fitimet e iu shumëfishuan në 2 milionë euro. Në vitin 2020 raportoi 1.7 miliardë lekë të ardhura.
Në Në vitin 2013, Armand Lilo u përfshi në një konflikt pronësie në zonën e Yzberishtit. Sipas medias, bashkë me Ervis Nakjen, ai rrahu pronarin e truallit ku po ndërtonte një pallat dhe i plagosi atij të birin. /Zoom.al