Aplikacion
Kjo masë merret me synimin për të rifilluar ekzekutimin e të dënuarve me vdekje në një shtet që dikur ishte ndër më aktivët me këtë praktikë. Për herë të fundit në Karolinën e Jugut u krye ekzekutim 10 vjet më parë. Në bazë të projektligjit, i dënuari me vdekje mund të zgjedhë skuadrën e pushkatimit ose karrigen elektrike nëse ka mungesa të solucionit për injeksion vdekjeprurës.
Tani projekt-ligji i kalon guvernatorit republikan për firmë.
Sipas zyrtarëve të sistemit të korrektimeve të paktën tre nga të dënuarit me vdekje në Karolinën e Veriut kanë përmbyllur pa sukses të gjithë procesin e apelimeve dhe mund të ndeshen së shpejti me ekzekutim.
Masa ligjore pritet të pasohet nga sfida në gjykatë.
Karolina e Jugut filloi ekzekutimet me karrigen elektrike në 1912, duke e kaluar këtë akt në duart e autoriteteve shtetërore nga komunat individuale që deri atëherë kryenin ekzekutimet. Tre shtete të tjera: Misisipi, Oklahoma dhe Juta përdorin skuadra pushkatimi.
Për momentin Karolina e Jugut nuk mund të kryejë ekzekutime pasi solucioni që përdoret për injeksionet vdekjeprurëse ka skaduar dhe ky shtet nuk ka arritur të sigurojë sasi shtesë.
Kundërshtarët e kësaj mase sollën si shembull 14 vjeçarin George Stinney, personi më i ri në moshë i ekzekutuar ndonjëherë në SHBA. Në 1944 ai u dërgua në karrigen elektrike ku rripat lidhëse nuk arrinin të mbërthenin trupin e tij të vogël prej fëmije. Ai u ekzekutua pas një gjykimi një ditor për vrasjen e dy vajzave të bardha. Një gjykatës në vitin 2014 e shpalli të pavlefshëm gjykimin e tij. /Voa