Aplikacion
Rreth 800 policë dhe zyrtarë të administratës fiskale nga të dy vendet morën pjesë në një operacion të madh të kryer kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe larjes së parave. “Janë sekuestruar gjithsej qindra mijëra euro, si dhe armë, kokainë, dy makina luksoze dhe bizhuteri,” tha Europoli. Duke shtuar se “vlerësimi i parave në dorë të sekuestruara është duke vazhduar, ndërkohë që janë bllokuar disa numra llogarish bankare.” Agjencia europiane e forcave të rendit ka shpërndarë në twitter një video me xhirimet e bëra gjatë operacionit.
Pse është përfshirë policia gjermane?
Në Gjermani u kontrolluan bizneset në 46 pika të ndryshme në landet e Baden Vyrtembergut, Bavarisë, Renanisë Veriore-Vestfalisë dhe Hesenit. Nga tre fletëarrestet e lëshuara, policia gjermane ishte në gjendje të kryente me sukses vetëm një arrestim, raportoi AFP.
Të dyshuarit mendohet të kenë trafikuar qindra kilogram kokainë nga Holanda në Itali.
Po ashtu dyshohet, se ky grup ka qenë i përfshirë në një evazion të madh fiskal në Gjermani, duke furnizuar me produkte restorantet italiane që ndodhen në gjithë Gjermaninë, duke mos paguar taksa, dhe duke e dërguar mbrapsht në Itali fitimin e nxjerrë ilegalisht, i thanë hetuesit AFP.
Policia italiane feston operacionin anti-mafia
Operacioni i kryer në Itali, i quajtur “Platinum-Dia,” ishte “sulm i fortë” i hetuesve italianë kundër rrjetit “Ndrangheta” njoftoi agjencia italiane e lajmeve, ANSA. Hetuesit gjermanë i thanë AFP, se në Itali operacioni ka qenë i fokusuar në veri të vendit, në rajonet e Piemont-it, në rrethinat e Torinos, si dhe në rajonin jugor të Kalabrisë, ku ka qendrën ‘Ndrangheta. Po ashtu kontrolle ka pasur në Spanjë dhe Rumani.
“Operacioni i kryer në Torino me pjesë të tij në Gjermani, Spanjë dhe Rumani tregon depërtimin e “Ndranghetas, por edhe forcën e shtetit,” i tha agjencisë ANSA, presidenti i Komisionit anti-mafia, Nicola Morra.
Organizata kriminale ‘Ndrangheta’ konsiderohet të jetë shumë e fuqishme në Itali, ku ka depërtuar pothuajse në të gjithë sektorët e jetës publike në Kalabri. Në muajin janar, policia italiane shkatërroi një skemë të madhe mashtrimesh që drejtohej nga kjo organizatë dhe arrestoi 13 vetë, përfshirë zyrtarë të qeverisë dhe politikanë.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, intensifikim partneriteti! Fokusi i takimit të krerëve të shteteve