zoom

Politikë

Kritikat e mësueses për qeverinë bien në veshin e Ramës, kryeministri: Viktimë politike

TIRANË – Një mësuese është treguar e pakënaqur me atë që po ndodh aktualisht në arsim dhe kritikonte qeverinë. Pakënaqësinë ajo e ka shprehur edhe online, ndërsa “protesta” e saj ka rënë edhe në vesh të kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur këtë paradite në Kongresin Kombëtar të Arsimit, duke u ndalur tek kjo mësuese, tha se kishte zbuluar se ishte me bindje të djathta.

Rama tha se u njoh me kritikat e saj, u interesua dhe përmes rrjeteve të saj sociale, zbuloi se ajo ishte mbështetëse e Partisë Demokratike, ndërsa shtoi se pavarësisht bindjeve politike, ajo ka fituar një kontratë punësimi të përhershme, pasi ka fituar në portalin “mësues për Shqipërinë”.

“Në kohën e lirë ajo mund të vijojë të shkojë në mbledhjet e Shqipërisë në rrezik, por nëse Shqipëria do të ishte në rrezik, ajo nuk do kishte dot një kontratë të përhershme”, tha Rama me ironi.

“Përpara pak ditësh më bëri përshtypje një kronikë, e cila ishte përhapur në gjithë rrjetet sociale e një mësueseje, që ishte një nënë me dy fëmijë dhe me kontratë të përkohshme, e cila ankohej për situatën ku gjendej e shtyrë dhe nga pasiguria që të jep kontrata e përkohshme, e një fluks i tërë komentatorësh e mbështesnin si viktimë të politikës.

U interesova dhe arsyeja pse e konsideronin viktimë të politikës, ishte se kjo mësuese ishte shumë aktive në takimet që organizon grupi Shqipëria në Rrezik.

Por në të njëjtën kohë mora vesh sot, duke ardhur, sepse e kam ndjekur këtë gjë me Evisin dhe prandaj po e ndaj këtu me ju, që përtej faktit që ajo mësuese shprehte gjithë shqetësimin, sekëlldinë, pasigurinë e saj e mbase dhe inatin e saj ndaj qeverisë, ndryshe nga të tjerë, i kishte bërë detyrat e veta duke konkuruar në portalin ‘mësues për Shqipërinë’ dhe ja kur sot rezultatet e portalit janë shpallur ajo është fituese, është fituese për të marrë një vend pune të përhershëm.

Portali Mësues për Shqipërinë as nuk ka në kriteret e veta përkatësinë politikë, as nuk mund të ndryshohet, jo thjesht se ne nuk duam të ndërhyjmë dhe s’kemi ndërhyrë asnjëherë por se çdo ndryshim që mund të bësh te portali lë gjurmë, dhe portali të jep atë që të takon, për atë që kërkon.

Kërkon një vend pune të përhershëm si mësues, e merr pavarësisht për kë voton, sa shprehesh apo nuk shprehesh për qeverinë apo opozitën. Këto nuk kanë asnjë rëndësi.

Për ata që e mbajnë mend çfarë kohe ishte kur kjo gjë as nuk imagjinohej, është diçka me rëndësi të madhe për dinjitetin, respekton për meritën dhe lirinë e garancinë e konkurencës.

Dua t’i uroj suksese mësueses në fjalë si mësuese me kontratë të përhershme. Në kohën e lirë ajo mund të vijojë të shkojë në mbledhjet e Shqipërisë në rrezik, por nëse Shqipëria do të ishte në rrezik, ajo nuk do kishte dot një kontratë të përhershme”, tha Rama.