Aplikacion
Opozita shqiptare ka thirrur një protestë më 13 shtator në vendin ku është ndërtuar inceneratori i Tiranës. Data dhe ora 18:00 janë konfirmuar nga kreu i Partisë së Lirisë dhe duket se mbështeten edhe nga selia blu, nën drejtimin e Sali Berishës.
Lidhur me protestën e së martës, ka folur edhe deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma.
Ajo u pyet gjatë një intervistë në “ABC” nëse do të jetë prezente apo jo dhe u përgjigj duke thënë se të gjithë duhet të marrin pjesë në protesta, pavarësisht se kush është organizatori i tyre.
“Mendoj se ka ardhur një moment se nuk e di nëse mund ta quajmë tragjike, apo qesharake, por viti i 9 i qeverisjes së Ramës, kush do që i thërret, ne duhet të protestojmë. Mesa të mundem do të jem prezent. Kjo nuk do të thotë se po them diçka në mbrojtje të dikujt. Sot ne duhet të jemi pjesë e protestave sepse nuk ka mënyrë tjetër për të përballuar dëmin e kësaj keqqeverisje. Unë nuk them që pushtetin ta marrim me dhunë. Por rezistenca popullore krijon thyerjen, valën”, tha Duma.