zoom

Aktualitet

Familja Avdia hap dyert e mortit, i jepet lamtumira vogëlushes që u vra në Himarë

Familja Avdia po pushonte ditën e djeshme në plazhin e Potamit në Himarë. Një skaf i fuqishëm që drejtohej nga ish-shefi i Komisariatit të kësaj bashkie, Arjan Tase përplasi vajzën 7-vjeçare të familjes duke i marrë jetën në vend.

Ata kanë hapur dyer e mortit për t’i dhënë lamtumirën e fundit vogëlushes së tyre. Në banesën e familjes në Tiranë ka pllakosur zia, ndërsa rreth orës 15:00 pritet që vogëlushja të prehet në banesën e fundit.

Familjarët, që prej kohësh jetojnë në Angli zgjodhën plazhin e Potamit në Himarë për të kaluar ditët e nxehta të Gushtit, por fatkeqësia i goditi duke lënë një traumë të madhe edhe në opinionin publik.

Tragjedia në Himarë ndodhi një ditë më parë (2 gusht). 7-vjeçarja po lahej në breg, ku skafi me dy motorë e goditi rëndë duke i marrë jetën në vend.

Në dëshminë e tij, Tase tha se skafi nuk ishte i tij, por ia kishte marrë kushëririt për përdorim, duke shtuar se mjeti pati defekt, e për pasojë mori gaz menjëherë dhe bëri një rrotullim në vend, duke goditur vajzën 7-vjeçare për vdekje.

Ish-oficeri i policisë nuk kishte patentë skafi. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithëse u rikthye sërish në radhët e policisë. Për ngjarjen e rëndë u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë nga detyra./ Zoom.al

Postime të lidhura