Aplikacion
Mici është shfaqur i qetë në kafazin e qelqtë të gjykatës, ndërkohë që citon emrat e prindërve të tij, dhe pranon se ka qenë i dënuar më parë për akuzën e dhunës në familje.
Ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes për shkak të marrdhënieve familjare, duke rrezikuar nga minimumi 20 vite burg, e deri në burgim të përjetshëm. Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatës të së shtunës, në lagjen “Skënderbe”, lagje e ndodhur në periferi të Elbasanit, zonë në të cilën çifti kishin marrë një ambient me qira.
Referuar dosjes hetimore, për krimin salla operative e policisë Elbasan, është lajmëruar nga pronarët e banesës rreth orës 00:50. “Pas mbërritjes në vendngjarje shërbimet policore kanë konstatuar të shtrirë në kuzhinë, pa shenja jete shtetasen Jetlira Elezi”, thuhet në aktet e prokurorisë.
Ndërkohë, referuar të dhënave hetimore lidhja e dashurisë mes autorit dhe viktimës ka nisur rreth 8 vite më parë, kohë në te cilën, si Mici ashtu edhe Elezi kanë qenë të martuar. Pikërisht kjo lidhje jashtëmartesore çoi çiftin drejt divorceve respektive, me qëllim nisjen e një bashkëjetese sëbashkë, e cila ka nisur pak më shumë se dy vite më parë.
Në deklarimet e tij pas arrestimit 37-vjeçari ka treguar me detaje konfliktin me Jetmirën. Sipas tij debatet kanë nisur më 26 korrik. Ndërsa shton se në orët e para të mëngjesit të së premtes, nëpërmjet postierit u vu në dijeni se bashkëjetuesja kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, ndërsa një oficer e kishte njoftuar për datën e gjyqit, gjatë seancës të secilës, viktima do pajisej me urdhër mbrojtjeje.
“Me Jetlirën, më 26 korrik jemi konfliktuar për motive xhelozie. Të nesërmen ajo u paraqit në komisariat duke u ankuar për mua. Që prej kësaj dite kemi jeuar të ndarë. Unë në kat të dytë dhe ajo në katin e parë të banesës që kishim marrë me qira.
Më datë 29 me anë të postes u njoftova se ajo kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje ndaj meje, ndërsa një efektiv, më vuri në dijeni edhe për datën e gjyqit. Pas këtij momenti kam dalë të pi kafe, ku gjatë ditës konsumova edhe pije alkoolike, e jam kthyer vonë në banesë. Ndenja në dhomë e më pas, mora një thikë e zbrita poshtë në dhomën ku qëndronte Jetmira, sapo e kam parë e kam qëlluar, nuk e mbaj mend sesa”, thuhet në dëshminë e autorit.
Referuar dosjes dyshohet se nëna e dy fëmijëve është zvarritur nga dhoma e gjumit drejt kuzhinës ku u gjet e vdekur, pasi në të dyja këto ambiente janë konstatuar njolla gjaku.
Autori, 37-vjeçari Ramiz Mici, i cili përpara se të kapej nga policia fillimisht, ishte fshehur në ullishten e Elbasanit, përveçse me drejtësinë do përballet edhe me braktisjen e familjarëve të tij.
Gjatë kërkimeve për kapjen e tij, policia ka ushtruar kontrolle edhe në fshatin Mollas, prej edhe nga është autori.