zoom

Aktualitet

“Përvëlohet” Shqipëria, temperaturat arrijnë 40 gradë

Territori Shqiptar mbetet në ndikimin e të nxehtit Afrikan duke sjellë dominim të kthjellimeve dhe temperaturave të larta ku maksimumet priten në qarqet Shkodër dhe Berat. Sipas Meteoalb, herë pas here do të ketë kalime të lehta vranësirash në zonat malore kryesisht gjatë orëve të pasdites.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 18°C deri në 40°C.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 28 km/h nga drejtimi veriperëndimor, duke sjellë në brigjet detare dallgëzim të ulët.

Kosova

Territori i Kosovës do të përfshihet nga valët e të nxehtit duke bërë që të ketë temperatura shumë të larta dhe mbizotërim të motit të kthjellët në pjesën më të madhe të ditës. Parashikohet që të ketë intervale të shkurtra me vranësira gjatë pasdites në Qendër dhe në Veri të vendit.

Maqedonia e Veriut

Republika MV mbetet në ndikimin e kthjellimeve për gjatë gjithë 24-orëshit në pjesën më të madhe të vendit. Pritet që vranësira të lehta e kalimtare të ketë në zonat Jugore gjatë orëve të pasdites. Edhe MV gradualisht po përfshihet nga temperaturat e larta.

Rajoni dhe Europa

Pothuajse i gjithë kontinenti i Europës do të mbetet në ndikimin e të nxehtit Afrikan duke bërë që moti i kthjellët dhe i nxehtë të jetë prezent në shumë rajone të Europës. Temperatura ekstremisht të larta priten në Francë, ishujt Britanikë dhe gadishullin Iberik. Po ashtu; rajoni i Mesdheut do të përjetojë temperatura mbi 40 gradë C. Ndërsa rrebeshe shiu dhe mini-stuhi ere do të ketë pjesërisht në ishujt britanikë dhe Europën Qëndrore.