Aplikacion
Pakënaqësitë shumë muajshe brenda Partisë Konservatore në pushtet shpërthyen me dorëheqjet e shefit të Thesarit, Rishi Sunak dhe Sekretarit të Shëndetësisë Sajid Javid të martën në mbrëmje. Në një letër të ashpër të dorëheqjes, zoti Sunak tha se “publiku me të drejtë pret që qeveria të drejtohet siç duhet, me kompetencë dhe seriozitet. … Unë besoj se ia vlen të luftohet për këto standarde dhe kjo është arsyeja pse unë po jap dorëheqjen”.
Sekretari Javid tha se partia kishte nevojë për “kontroll dhe një drejtim të ri”, por “është e qartë se kjo situatë nuk do të ndryshojë nën udhëheqjen tuaj”.
Kryeministri Johnson zëvendësoi shpejt dy ministrat, duke ngritur zotin Nadhim Zahawi nga departamenti i arsimit në postin e shefit të Thesarit dhe duke vendosur shefin e kabinetit të tij, Steve Barclay, në postin e sekretarit të Shëndetësisë.
Por, një varg dorëheqjesh të martën vonë nga më shumë ministra nga të dy krahë liberal dhe të djathtë të Partisë Konservatore, dëshmuan se rreziku për kryeministrin Johnson është ende i lartë.
Përgjatë disa muajve të fundit, kryeministri Johnson u dënua për shkelje të rregullave gjatë mbylljes për shkak të pandemisë së COVID-19, i mbijetoi një votëbesimi në partinë e tij ku 41 për qind e ligjvënësve konservator votuan për rrëzimin e tij dhe u përball më ish bashkëpunëtorët që i kërkuan dorëheqjen.
Megjithatë, ai është zotuar të vazhdojë qeverisjen, madje duke lënë të kuptohet se dëshiron të qëndrojë në detyrë deri në vitet 2030.
Pika e fundit që mbushi gotën për zotin Sunak dhe zotin Javid ishte ndryshimi i deklaratave shpjeguese të kryeministrit rreth një skandali të “sjelljes së pavend seksuale”. Skandali shpërtheu javën e kaluar kur ligjvënësi Chris Pincher dha dorëheqjen si zëvendëskryetar i konservatorëve, mes ankesave se ai ‘preku në mënyrë të pahijshme’ dy burra në një klub privat. Kjo nxiti një sërë raportesh në lidhje me akuzat e së kaluarës të ngritura kundër zotit Pincher dhe pikëpyetjet përse kryeministri Johnson e ngriti atë në një detyrë të lartë.
Zyra e kryeministrit Johnson fillimisht tha se ai nuk ishte në dijeni të akuzave të mëparshme kur e ngriti ne detyrë zotin Pincher në muajin shkurt. Të hënën, një zëdhënës tha se kryeministri Johnson dinte për akuzat që “ose ishin zgjidhur ose nuk ishin shndërruar në një ankesë zyrtare”.
Kur një ish-nëpunës i lartë civil në ministrinë e Jashtme tha se kryeministri Johnson ishte informuar për një akuzë kundër zotit Pincher në vitin 2019, zyra e kryeministrit ndryshoi përsëri rrëfimin, duke thënë se kryeministri kishte harruar se zoti Pincher ishte subjekt i një ankese zyrtare./VOA