Aplikacion
Ai është Pashk Rrapi ose Anton Gjini. Ai ka në zotërim kompaninë e ndërtimit, Alesio. Autoritetet spanjolle e akuzojnë për përfshirjen në trafikun e 50 kilogramëve heroinë.
Pasi u arrestua në Mal të Zi, u dërgua në Spanjë. Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjini është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës dhe për këtë rezulton të jetë i dënuar me 8 vite e 9 muaj burg.
Por 6 ditë më pare, më 22 qershor 2022, ai është transferuar në Shqipëri. Gazetari Artan Hoxha thotë se ai u soll për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit.
“Ky personazh është ndaluar nga policia e Malit të Zi në Han të Hotit në hyrje të këtij shteti dhe ka rezultuar, se bëhet fjalë për Anton Gjini i kapur në Spanjë në vitin 2006, dhe akuzohet për trafikimin e 50 kg heroinë” thotë gazetari, që sqaron se biznesmeni vepronte në portin e Alikante në Spanjë, siç njihet ndryshe edhe si porti i mafies për shkak të sasive të mëdha të drogës që zbarkojnë aty nga Amerika Latine.
Pash Rrapi ishte arrestuar edhe më parë në Spanjë dhe ishte lënë i lirë dhe ishte deportuar në Shqipëri. Në vitin 2014 ai nisi edhe aktivitetin në sektorin e ndërtimit.
“Janë një seri akuzash ndaj Pashk Rrapit, vepronte në portin e Alikantes, porti numër një i zbarkimit në Spanjë. Quhet porti i mafies. U kap dhe qëndroi në paraburgim, doli me kusht dhe më pas erdhi në Shqipëri. Ka marrë një identitet tjetër dhe në 2014 krijoi kompaninë që është shumë e madhe në Tiranë, thotë Hoxha.
Kur u ndalua në Mal të Zi, në prill të vitit të kaluar, sapo kishte marrë një tender publik në Shqipëri.
“Pashk Rrapi apo Anton Gjini u ndalua në prill 2021 në Malin e Zi, ndërsa në shkurt kishte marrë një tender publik. Është pjesëmarrës aktiv për infrastrukturën në Shqipëri. Kur u kap në Malin e Zi ai u ekstradua në Spanjë. Nga Spanja ka bërë transferim dhe jo ekstradim. Pra kjo mund të jetë ajo që justifikohet policia për mos njoftim.”
Tani, pjesën e mbetur të dënimit, pronari i Alesios do ta kryejë në burgun e Reçit.
“Ai ka ardhur në Shqipëri me linjën e Barcelonës, direkt nga Spanja me datë 22 qershor. Nuk është dhënë asnjë njoftim dhe e kanë nisur në burgun e Sigurisë së lartë në Reç. Interpol Madridi e ka sjellë Interpol Tirana këtu. Është transferuar për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit nga Spanja” tha gazetari Artan Hoxha.
Transferimi i tij në Shqipëri është mbajtur i fshehtë dhe autoritetet nuk e kanë raportuar atë. Pashk Rrapi, sipas gazetarit, ka aksione edhe në kompani të tjera të sektorit të ndërtimit. Kompania e tij Alesio është ndërtuese e kullave më të mëdha në Tiranë, përfshirë ndërtesën më të lartë “Downtown” që është ngritur në ish -lulishten dhe këndin e lojërave të njohur me emrin “7 Xhuxhat”.
Kompania “Alesio-2014” rezulton të ketë fituar 10 tendera. I fundit është ai i datës 24 shkurt 2021, për blerje asfalti për rrugë urbane dhe rurale, nga ndërmarrja e rrugëve në Durrës.
Disa nga tenderat e marra prej kompanisë në fjalë:
Në janar të këtij viti, Partia Demokratike kallëzoi në SPAK kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, pasi kishte shpallur fitues në tenderat e rindërtimit në lagjen 5 Maj në Tiranë, me vlerë më shumë se 10 milionë euro, kompaninë në pronësi të shtetasit Anton Gjinaj alias Pashk Rrapi, i cili në atë kohë ndodhej në burg.
“Sipas ligjit për prokurimet publike autoriteti kontraktor ka detyrimin për të skualifikuar një operator ekonomik, kur anëtari i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak i kompanisë është i dënuar për organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe i veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve.Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në cilësinë e tij si titullar i autoritetit kontraktor, duke shpërdoruar detyrën dhe duke shkelur ligjin e prokurimeve publike, ka injoruar këtë detyrim, duke konsumuar veprat penale të sipërcituara”- thuhet në kallëzimin e PD. /Zoom.al
Rreth 10.000 ushtarë koreano-veriorë me identitete të rreme dhe uniforma ruse gati kundër Ukrainës