zoom

Aktualitet

Sot protestë kundër rritjes së çmimeve, por kush janë kontrolluesit e heshtur të turmës?!

Rritja e çmimeve, produkteve të shportës dhe naftës duket se e ka bërë të papërballueshme jetën për qyetetarët shqiptarë, të cilët kanë lajmëruar protesta sot përballë Kryeministrisë.

Qytetarët priten të mblidhen në sheshin “Skënderbej” në orën 18:00 dhe më pas do të drejtohen për te “Kryeministria”.

Protesta është thirrur nga shoqëria civile, e cila kërkon reagim qytetar për sjellë e qeverisë, e cila sipas tyre jo vetëm që nuk ka marrë masat e nevojshme, por është shkaktare e rritjeve të çmimeve në treg.

Në rrjetet sociale është shpërndarë në masë të madhe fotoja që fton qytetarët në protestë me sloganin: “S’mban më ujë pilafi”.

Në raportimet e fundit të mediave televizive dëgjohet zëri i qytetarëve, të rinj e të vjetër të cilët shprehen se do t’I bashkohen protestët së sotme, pasi jetesa është bërë e papërballueshme. Vlen vetëm të përmendet se në Shqipëri çmimi i naftës arriti shifra që nuk ishin parë ndonjëherë në vend, rreth 269 lekë për litër ose ndryshe, mbi 2 euro. Çmimi i naftës në Shqipëri, kështu u bë më i larti në rajon, edhe për shkak të disa taksave shtesë që qeveria shqiptare ka vendosur ndaj importimit të derivateve të saj.

Kështu protesta e organizuar së fundmi e cila pritet të marr jetë sot, është një nismë e qytetarëve të thjeshtë që kërkojnë të drejtën e tyre, për të jetuar në mënyrë dinjitoze duke i kërkuar qeverisë të bëj punën e saj si rregullator.

Mirëpo sa efekt do të ketë protesta e sotme?! Prej shumë kohësh tashmë, protestat qyetatare në Shqipëri organizohen nga shoqëria civile. Por prania e disa individëve dhe oragnizatave politike e kanë politizuar atë.

Në krye të protestave të fundit kanë qenë Adriatik Llapaj juristi-aktivist, Ervin Goci pedagog apo Arlind Qori pedagog dhe kryetar i Organizatë Politike (Kliko këtu).

Ajo që bie në sy në tubimet e drejtuara prej tyre është fakti se protestat janë të vakta, pa organizimin e duhur, njësoj si marshimet e dikurshme të 1 Majit, çka ngre dyshime se prania e tyre është më shumë për ta mbajtur në kontroll protestën, sesa për ta udhëhequr atë.

Nuk dihet nëse ata do të jenë protagonistë edhe në protestën e sotme. E rëndësishme është që të mos jenë në mes të turmës si kontrollues të heshtur të saj, por t’i japin drejtimin dhe zërin e duhur, jashtë axhendave personale e politike. /Zoom.al