zoom

Aktualitet

U vra me pistoletë në brez, nga kush ruhej Aleksandër Sadikaj?

Një atentat me eksploziv do të trondiste paraditen e djeshme zonën e Saukut. Rreth orës 13:35 në erë do të hidhej makina me të cilën po udhëtonte 27-vjeçari nga Berati, Aleksandër Sadikaj.

Mjeti mori flakë si pasojë e lëndës shpërthyese të vendosur në pjesën e përparme të tij dhe të komanduar së largu përmes një telekomande.

Zoom.al mëson se në vendngjarje, saktësisht jashtë makinës është gjetur një armë zjarri pistoletë, me një krehër pistolete te dëmtuar.

Nga hetimet paraprake dyshohet se i ndjeri e ka patur pistoletën në brez dhe në momentin që pas shpërthimit ka dalë jashtë makinës, ajo i ka rënë.

Por nga kush ruhej Sadikaj, që e detyronte të qarkullonte me armë pas vetes?

Aktualisht, policia është përqendruar në dy pista kryesore; në atë të prishjes së pazareve të drogës dhe në të shkuarën e tij kriminale.

Historiku i akuzave të Sadikajt:

٠Më 09.04.2011 është arrestuar në Berat, pasi, së bashku me një person tjetër kanë tentuar të vjedhin në subjektin AlbTelecom-Berat;

٠Më 30.04.2011 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;

٠Më 31.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Më 23.08.2018, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër;

٠Më 29.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;

٠Më 09.07.2019 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë shtetasin A. D., duke i shkaktuar dëmtime serioze në trup. Më datë 30.07.2019, për këtë ngjarje, Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.

Prej moshës 20-vjeçare, ai u mor me biznese të paligjshme dhe jetonte midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Sadikaj lindi në Berat dhe u rrit me prindër të divorcuar. Ai njihej si “Aleksi i Memaliajt”, aty ku kishte dhe një fermë turistike./Zoom.al

Postime të lidhura