zoom

Politikë

Meta dekreton lirimin nga detyra të Bajram Begajt, kandidatit për president

PresidentiIlir Meta ka firmosur dekretin e lirimit nga detyra të gjeneralmajor Bajram Begajt, duke i hapur rrugë zgjedhjes së tij si kryetar i shtetit.
Meta e dekretoi lirimin nga detyra dhe nga shërbimi aktiv i forcave të armatosura nga Stambolli, ku ndodhet për një vizitë.

Me firmën e hedhur presidenti Meta u dha fund shqetësimeve të socialistëve se ai nuk do ta dekretonte lirimin e Begajt, duke çuar në djegien e kandidaturës së tij, ndonëse socialistët paralajmëruan se e kishin gjetur një zgjidhje për të shmangur ngërcin.

Emri Bajram Begajt u depozitua në mesditë në Kuvend me votat e 37 deputetëve socialistë.

Parlamenti do të mblidhet në seancë në orën 18:00 për ta votuar atë. Seanca nuk do të ketë debat.

Për zgjedhjen e Begajt president nevojiten 71 vota. Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha do të votojë kundër, ndërsa mbështetësit e Enkelejd Alibejat do ta bojkotojnë seancën. /Zoom.al

VIDEO: