zoom

Aktualitet

Kërcënonte 19-vjeçaren se do i publikonte video intime dhe i kërkonte para, pranga 29-vjeçarit

Një 29-vjeçar nga Tirana ka rënë në prangat e policisë pasi kërcënonte një shtetase braziliane se do i publikonte video intime për t’i marrë para.

Denoncimi është bërë nga 19-vjeçarja, e cila ka rrëfyer në polici se një shtetas shqiptar i moshës 29-vjeçare e shantazhonte se do publikonte në rrjetet sociale një video. Pas kësaj policia nisi punën duke bërë të mundur identifikimin e 29-vjeçarit me iniciale E.D dhe arrestimin e tij.

 

Njoftimi

 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Extortion”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6.

Shantazhonte një shtetase, që t’i jepte shuma parash, për mospublikimin e disa videove, vihet në pranga 29-vjeçari.

Sekuestrohen një aparat celular dhe një pasaportë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas kallëzimit të marrë nga një shtetase 19 vjeçe, nga Brazili, se një shtetas e shantazhonte për dhënie pasurie, që të mos i publikonte një video, në rrjetet sociale, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Extortion”.

Falë veprimeve profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, brenda pak orësh, është bërë lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– E. D., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi E. D. i kishte marrë pasaportën 19-vjeçares, të cilën e shantazhonte që t’i jepte shuma të caktuara parash, për mospublikimin e disa videove që ai dispononte.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.