Aplikacion
Rrëzimi i rezolutës së Sali Berishës në parlament për të dënuar genocidin serb në Srebrenicë, ku serbët masakruan 8 mijë boshnjakë myslimanë, e ka futur Edi Ramën në një krizë të re në marrëdhëniet rajonale.
Dikush e quajti kurth të Berishës, ndërsa Rama ka 3 ditë me radhë që po përpiqet t’u mbushë mendjen shqiptarëve dhe ballkanasve që kanë përgjakur ndër vite nga serbët, se ai s’ka rrëzuar rezolutën, por vetëm faktin se ajo ka ardhur nga Berisha.
Por a kishte të bënte vota kundër vetëm me faktorin Berisha?
Sado racionale mund të jenë arsyetimet, sjellja politike e Edi Ramës në 9 vjet qeverisje, përsa i përket marrëdhëniet me fqinjët, është diktuar nga humori i Beogradit.
Dakordësia e tij me Aleksandër Vucic ka ardhur gjithnjë para të gjithave. Po të sjellim në vëmendje “Minishengenin” apo më vonë “Open Balkan”, do të kujtojmë se ai kishte rënë më parë dakord me Serbinë sesa me Kosovën.
Po të kujtojmë se ai iu vërsul edhe mikut të tij Hashim Thaçi pse refuzoi pjesëmarrjen në takimin e “Minishengenit” në Durrës, do të kuptojmë se nuk ka asnjë rast të ngjashëm të ndonjë sjellje të tillë agresive ndaj Vucic edhe kur presidenti serb ka sulmuar hapur Kosovën apo ka kërcënuar stabilitetin e saj.
“Kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës“,– deklaronte Thaçi kur Rama kishte vendosur të takohej me Vucic dhe kur as ky qëndrim nuk ia ndryshoi mendjen.
“Kosova e ka hyrë në rrugë qorre. Po i bie vetes dhe po humb respekt, mbështetje reputacion”, -deklaronte Edi Rama pas refuzimeve të njëpasnjëshme të lidërve të Kosovës për t’iu bashkuar iniciativës dhe pa e konsideruar Kosovën, pasi planet i kishte mbyllur fillimisht me Serbinë.
Në të gjithë historinë e tij si kryeministër ai ka pasur konflikte të hapura me të gjithë kryeministrat dhe presidentët e Kosovës.
“Raportet e tij institucionale kanë qenë të tensionuara me ish-kryeministrat Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Albin Kurti, por dhe Presidenten aktuale, Vjosa Osmani. Përplasjet nisën pas shpalljes së Ramës të tezës “zero konflikte me fqinjët” dhe afrimit të madh me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç”, -raportonin mediat në Shqipëri vetëm një vit më parë.
Çdokush i kujton darkat me verë e me këngë serbe që Rama shtronte në Beograd me Vucic e Dacic apo admirimin për Sinisa Mihajlovic, një mbështetës i fortë i masakrave serbe në Kosovë.
“I dashur mister, jam Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ish-lojtar i kombëtares shqiptare të basketbollit dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit. E mora numrin tënd të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, Alexander Vuçiç. Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad…Ju kërkoj ndjesë që nuk arrita t’ju shpreh më mirë ndjenjën e vlerësimit të lartë dhe simpatisë kundrejt jush, por nëse do duhej një dëshmitar, atëherë miku ynë i përbashkët mund t’ju sigurojë se, tashmë prej vitesh nuk ndodh asnjëherë që të mos flasim për ju si një figurë speciale në botën e futbollit”, – shkruante ai SMS-në për Mihajlovic.
Koordinimi e simpatia janë të dukshme. Bashkë me to po tani kanë nisur të pluskojnë në sipërfaqe edhe problemet që po i krijon Ramës dhe Shqipërisë në rajon kjo marrëdhënie e tij e afët me serbët. Ajo duket se qëndron edhe pas instiktit për të rrëzuar një rezolutë që erdhi papritur kundër Serbisë e nuk i la kohë për ta diskutuar me mikun e tij me të cilin gajaset zakonisht për çështje që u takojnë shqiptarëve e të tjerëve në rajon, siç ka treguar vetë Vucic se bëjnë kur flasin për Albin Kurtin. /Zoom.al
Deputetët e opozitës u marrin kartat e votimit socialistëve, Spiropali shtyn seancën