zoom

Sport

A do rinovojë me Tiranën? Ja si përgjigjet Shehi, ndërsa zbulon se si do të luajnë kundër Vllaznisë

Tirana pret Vllazninë të shtunën në orën 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”, për llogari të javës së 34-të të Abissnet Superiore.

Trajneri Orges Shehi, analizoi klasiken dhe zbuloi strategjinë që do të ndjekin, ndërsa u ndal edhe tek negociatat për rinovimin e kontratës.

MOTIVIMI – “Ndeshje të tilla kur vjen pas një triumfi në derbi dhe atë që kemi dëshiruar gjithmonë që të ishim kampionët e Shqipërisë, ka pak vështirësi për motivim. Kundërshtari që do të kemi përballë të imponon respekt. Është një klasike dhe do të ketë vlerësimin tonë nesër”.

LOJTARËT – “Të gjithë lojtarët që kanë qenë pjesë e skuadrës kanë marrë minuta, disa më pak dhe disa më shumë. Ne kurrsesi nuk mund ta prishim strukturën. Nesër do të kemi ndonjë lojtar që ka pasur pak minuta në fushë dhe kjo bën mirë sepse ato lojtarë kanë uri për të luajtur dhe për të pasur atë grintën sepse dhe minutat nuk kanë qenë të plota”.

FORMACIONI – “Është e sigurt që Hoxhallari do ta nisë ndeshjen nga pankina dhe në vendin e tij do të aktivizohet Zhivanaj”.

OBJEKTIVAT – “Ne kemi dalë kampionë, dhe si i tillë duhet të sillemi, kjo vlen edhe për ndeshjet e mbetura. Duhet të futemi në fushë për të bërë më të mirën tonë. Kemi disa objektiva për të arritur, kemi dy lojtarë siç janë Xhixha dhe Seferi që janë në krye të listës së golashënuesve, por duam që edhe faza difensive të jetë gjithmonë e para këto janë ato që duam që raporti mbrojtje-sulm të jetë me shifrat aktuale. Objektivi është që skuadra të mos pësojë gol më asnjë ndeshje dhe pastaj objektivi tjetër është që nga portieri deri te faza e sulmit të jemi të jemi më të impenjuar për të qenë sa më të qartë në atë që duan të bëjmë”.

E ARDHMJA – “Dëshira është e të dyja palëve që ne të vazhdojmë bashkë. Kemi nisur një rrugëtim të gjithë bashkë, duke qenë pjesa kryesore e ndërtimit të skuadrës. Një gjë është e sigurt që në mes nuk janë paratë, por është projekti dhe që të jemi gjithmonë kompetitiv dhe duke perfeksionuar profesionalizmin”. /zoom.al/