zoom

Aktualitet

Drejtonte makinën nën efektin e lëndëve narkotike, policia arreston 25-vjeçarin në Tiranë

Vetëm ditën e djeshmë një ngjarje gati tragjike tronditi Tiranën, ku një 39-vjecar përplasi një familje nën efektin e lëndëve narkotike. Por rastet e shoferëve të cilët i japin makinës nën efektin e tyre ka qenë i shumtë ditët e fundit.

Kështu vetëm një ditë pas aksidentit të frikshëm, policia e Tiranës ka vendosur në pranga një 25-vjeçar, që sipas kontrollit ka rezultuar nën efektin e lëndëvë narkotike.

Njoftimi i policisë:

Policia Rrugore e Tiranës vë në pranga një tjetër shtetas që drejtonte automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.

Shkon në 12 numri i drejtuesve të mjeteve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan.

Nisur nga sjelljet agresive të drejtuesve të mjeteve, Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar testet e drogës për drejtuesit e mjeteve që shfaqin sjellje agresive në rrugë dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë.

Si rezultat i kontrolleve intensive, gjatë mbrëmjes së djeshme, në Kombinat, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. D., 25 vjeç, i cili pas testimit me aparatin drogë-testues rezultoi se drejtonte automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve intensive janë testuar dhe 5 drejtues të tjerë mjetesh, të cilët kanë shfaqur sjellje agresive, por pas testimit me aparatin drogë-testues nuk kanë rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, t’u japin përparësi këmbësorëve, të mos përdorin aparatin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të mos kryejnë gara shpejtësie apo të drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit, sepse Policia Rrugore e Tiranës është e vendosur për të ndëshkuar cilindo drejtues automjeti që do të konstatohet në shkelje, nga shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat tashmë kanë mjete logjistike bashkëkohore në dispozicion.