zoom

Bota

Rusia bombardoi Odesa-n: Sulme mbi ndërtesa dhe objekte ushtarake, 5 të vrarë dhe 18 të plagosur

Zyrtarët ukrainas raportojnë se të paktën pesë persona janë vrarë, mes të cilëve një foshnje dhe 18 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketa këtë pasdite.

Raketat goditën një objekt ushtarak dhe dy ndërtesa banimi në qytet.

Zyrtarët thanë se forcat ruse qëlluan të paktën gjashtë raketa lundrimi, por shumica u rrëzuan nga forcat ukrainase.

Sipas CNN, sulmi i supozuar vjen pasi zyrtarë të lartë ushtarakë rusë zbuluan se qëllimi i pushtimit të Ukrainës është të marrë “kontrollin e plotë” mbi Ukrainën jugore , si dhe rajonin lindor të Donbasit.

Gjeneral Major Rustam Minnekaev, komandanti në detyrë i Qarkut Ushtarak Qendror të Rusisë, tha se kontrolli mbi jugun e Ukrainës do t’u jepte forcave ruse akses në Transnistria – një shtet separatist në Moldavi, ku një kontigjent i forcave ruse është vendosur që nga fillimi i viteve 1990 – sipas TASS, një agjenci shtetërore ruse e lajmeve.