Aplikacion
Ushtria izraelite pohon për mediat vendase se 300 mijë ushtarakë janë pozicionuar pranë Rripit të Gazës dhe se janë gati për të ndërhyrë në çdo moment.
“Ajo që po bëjmë në këto zona afër Rripit është se kemi dërguar dhe dislokuar këmbësorinë tonë, ushtarët tanë, trupat tona të artilerisë dhe shumë ushtarë të tjerë rezervë, gjithsej 300,000”, shpjegoi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Jonathan Conricus.
Po ashtu, ushtria izraelite pretendon se në ditën e pestë të luftës ia ka dalë të futet në shtëpinë e komandantit ushtarak të Hamasit Mohammed Deif në Khan Younis.
Sipas mediave të huaja, gjatë bastisjes janë vrarë fëmijët, babai vëllai dhe të afërm të tjerë të komandantit ushtarak të Hamasit.
“Prioriteti kryesor është eliminimi i komandantëve të Hamasit”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari.
Lufta në Gaza nisi të shtunën pasdite, me sulmin e papritur të Hamasit mbi Izraelin, ndërsa më pas nuk vonoi as kundërpërgjigja e ushtrisë izraelite.
Numri i viktimave deri tani nga të dyja palët raportohet të paktën 2.100, ndërsa dhjetëra të tjerë janë marrë peng nga terroristët e Hamasit.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po diskutojnë për krijimin e një korridori të sigurt shpëtimi për civilët e Gazës me Izraelin dhe Egjiptin. Këtë e tha këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, cituar nga Guardian.