zoom

In Zoom

4 viktima në një javë! Shqipëria përgjaket nga atentatet mafioze

Brenda një harku kohor të gati shtatë ditëve, vendi ynë regjistron zyrtarisht katër të vrarë, teksa një person i pestë po lufton aktualisht me vdekjen në spitalin e Traumës, pas plumbave të marrë në gjoks dhe këmbë.

Një breshëri fishekësh mbrëmjen e sotme, plot 100 të tillë, të derdhur lumë në oborrin e shtëpisë së 46-vjeçarit Ylli Brahimi, i morën jetën Klisman Preçit, i cili mbeti i pajetë rrugës për në spital. Nga ana tjetër, Brahimi ndodhet në gjendje të rëndë.

Një tjetër atentat mafioz do të shkaktonte pak ditë më parë, pasiguri, frikë dhe shqetësim të opinionit publik. Në rrugën Fushë Krujë-Thumanë, breshëria e kallashnikovëve do të shkaktonte tre viktima: Brilant Martinajn, 23 vjeç; Dikler Vatën, 30 vjeç dhe Besmir Hoxhën, 34 vjeç.

Martinaj dhe Hoxha do të përfundonin të shkrumbuar, si pasojë e përfshirjes nga flakët të automjetit, ndërsa Vata do të tentonte të shpëtonte duke dalë jashtë makinës, aty ku gjeti edhe vdekjen.

Një bilanc ky alarmues, jo vetëm prej numrit të viktimave, por dhe natyrës së aktit kriminal. Atentate të mirëmenduara mafioze, që duhet të shkundin autoritetet. /Zoom.al