zoom

Aktualitet

3 ton djathë kontrabandë, arrestohet 48-vjeçari dhe doganieri në Korçë

Një 48-vjeçar është vënë në pranga nga policia, teksa transportonte një sasi të konsiderueshme produkti ushqimor të kontrabanduar. Në pranga ka rënë edhe një doganier në pikën kufitare të  Kapshticës, pasi dyshohet se lejoi kalimin e sasisë së produktit, në mënyrë të paligjshme.

Në pranga kanë rënë Astrit Murataj dhe Marjo Taraj (doganier në Kapshticë).

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në inteligjencën informative, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, kanë goditur një tjetër rast. Si rezultat i tij, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-A. M., 48 vjeç dhe M. T., 32 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, pranë fshatit Dishnicë, Korçë, kanë ndaluar automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasit A. M., në të cilin gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 179 kuti me një sasi të konsiderueshme produkti ushqimor të kontrabanduar (nënprodukt qumështi).

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi M. T., me detyrë doganier i Pikës Doganore Kapshticë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasin A. M., për të kaluar sasinë e produktit ushqimor në mënyrë të kundërligjshme, pa kryer detyrimet doganore.

Materialet i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.