Aplikacion
Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti me javë të tëra ishin angazhuar për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje përmes të cilës Hamasi do të lironte rreth 40 pengje në këmbim të një armëpushimi gjashtë javësh, lirimit të disa të burgosurve palestinezë dhe futjes së ndihmave për t’iu përgjigjur katastrofës humanitare në Rripin e Gazës.
Dy zyrtarë të Egjiptit njoftuan se raundi i fundit i diskutimeve ka përfunduar. Ata thanë se Hamasi ka prezantuar një propozim që ndërmjetësit do ta diskutojnë me Izraelin ditëve të ardhshme.
Hamasi ka kundërshtuar lirimin e rreth 100 pengjeve që po mban, dhe kthimin e kufomave të rreth 30 të tjerëve, nëse Izraeli nuk e ndërpret ofensivën, nuk tërhiqet nga Gaza dhe nuk liron një numër të madh të burgosurish palestinezë, përfshirë militantë të lartë që po vuajnë dënim të përjetshëm.
Zyrtarët amerikanë deklaruan se nuk kanë besim se Hamasi është i interesuar për arritjen e një marrëveshje duke pasur parasysh se grupi militant ka kontestuar kërkesat që Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët besojnë se janë legjitime, përfshirë dhënien e listave me emrat e pengjeve që do të lirohen.
“Hamasi duhet të vendosë nëse është i gatshëm të angazhohet,” deklaroi të martën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.
“E kemi një mundësi për armëpushim të menjëhershëm për t’i kthyer pengjet në shtëpi, që mund të rrisë shumëfish sasinë e ndihmës humanitare për palestinezët në nevojë dhe mund të krijojë kushtet për një zgjidhje të qëndrueshme,” tha zoti Blinken.
Zëdhënësi i Hamasit, Jihad Taha tha se negociatat po vazhdojnë por “topi është në fushën e Izraelit.” Ai tha se Izraeli deri tani ka refuzuar kërkesat e Hamasit për të lejuar kthimin e njerëzve që janë larguar nga pjesa veriore e Gazës dhe që të ofrojë garanci për një armëpushim afatgjatë dhe tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu publikisht ka kundërshtuar kërkesat e Hamasit dhe vazhdimisht është zotuar se do ta vazhdojë luftën deri në shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e të gjitha pengjeve. Izraeli nuk ka dërguar delegacion në bisedimet e fundit për armëpushim.
Ai po ashtu ka kritikuar vizitën e anëtarit të lartë të kabinetit izraelit të luftës Benny Gantz në Uashington për takime me udhëheqësit amerikanë, shenjë e përçarjeve në rritje ndërmjet udhëheqësve të Izraelit.
Ndërmjetësit kishin shpresuar të realizonin një marrëveshje para Ramazanit, që shpeshherë përcillet me tensione rreth vendeve të shenjta në Jeruzalem. Ramazani pritet të fillojë më 10 mars.
Ndërkohë një sulm ajror izraelit në qytetin Khan Younis në Rripin e Gazës të martën la të paktën 17 të vrarë, sipas zyrtarëve palestinezë.
Ekipi i kërkim shpëtimit në Gazë publikoi pamje të pjesëtarëve të tij ndërsa po nxirrnin nga gërmadhat e një shtëpie të vdekurit dhe të plagosurit. Gjatë natës, spitali evropian aty pranë njoftoi se ishin sjellë 17 trupa.
Sipas një njoftimi, ushtria izraelite njoftoi se po kryente sulme ndaj infrastrukturës së militantëve në Khan Younis ndërkohë që po bënte përpjekje për të evakuuar civilët nga kjo zonë./ Zëri i Amerikës