zoom

Aktualitet

21 përdhunime të denoncuara për 9 muaj në Shqipëri, por vetëm 16 abuzues vuajnë dënimin

Sipas raportit të fundit të Këshillit Europian, Shqipëria ka 4.595 të burgosur, nga ku vetëm 16 janë dënuar për përdhunim. Do të ishte një tregues pozitiv nëse do të pasqyronte rastet, por nuk pasqyron asgjë më shumë përveç se mangësitë në sistemin e drejtësisë.

Në vitin 2021, sipas raportit të Prokurorisë, niveli i krimeve seksuale është rritur në 5.6 të abuzuar për 100 mijë banorë nga 4.8 që ishte një vit më parë. Me një përllogaritje të thjeshtë, janë më shumë se 150 persona, ndonëse raporti nuk jep një shifër fikse.

Në një analizë të Zoom.al, sipas rasteve të denoncuara dhe të shfaqura në media, vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2021 janë bërë publikë 21 raste përdhunimi me të mitur dhe 13 me të rritur.

Duke pasur parasysh se koha mesatare e dënimit në Shqipëri, sipas KE-së është 15 vite, një pjesë e 16 të burgosurëve që janë në qeli mund të kenë disa vite aty tashmë, pra nuk janë dënuar dy vitet e fundit. Edhe nëse do të ndodhte kjo, përsëri është një shifër e vogël nga rastet e denoncuara dhe padyshim nga rastet reale.

Një tjetër ngërç në sistemin e drejtësisë në vendin tonë është edhe ai i zgjatjes së procesve, ku më shumë se gjysmës së personave në qeli  nuk iu është dhënë  ende një vendim përfundimtar.

Rastet e përdhunimeve që tronditën Shqipërinë

Përdhunimi i 15-vjeçares nga roja i shkollës në Babrru dhe tre të rinj të tjerë. Abuzimi që ndodhte prej 2 vitesh, shoqërohej me shantazhe të videove intime të vajzës nga përdhunuesit që i posedonin ato. Rasti i ndodhur në vitin 2020, u shoqërua me protesta dhe debate të forta.

Në të njëtin vit, një i ri denoncoi tre burra për përdhunimin e të dashurës së tij 17 vjeçare, njëri i cili ishte babai i saj.  Ngjarja e ndodhur në qytetin e Sarandës, zbuloi se adoleshentja ishte shfrytëzuar seksualisht nga prindërit e saj dhe shoku i tyre.

Në maj të 2021-shit, në Mirditë u zbulua përdhunimi i një tjetër të miture, po ashtu 15 vjeç. Babai i saj deklaroi se të përfshirë ishin tetë abuzues, njëri prej të cilëve 17 vjeç.

Të shumta kanë qenë edhe rastet e abuzimit brenda familjes, xhaxhai, vëllai dhe babai që kanë tronditur shoqërinë shqiptare.

Raste të tilla herë pas here kanë vënë në lëvizje qytetarët dhe autoritetet, me protesta dhe sensibilizime, për t’u harruar pak ditë më vonë.

Qershorin e 2020-s, ndodhi një ndër protestat më të mëdha në kryeqytet mbi rastet e krimeve seksuale, drejtuar nga fjalia “Nuk luhet përdhunimesh”./Zoom.al