zoom

Aktualitet

“21 Janari”, në duart e SPAK – Gjykata e Lartë pranon kërkesën e familjarëve. Debate në sallë

Gjykata e Lartë urdhëroi SPAK këtë të martë të regjistrojë hetimet për çështjen e “21 Janarit”.

Trupa gjykuese pranoi kështu kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, një prej të vrarëve gjatë protestës para Kryeministrisë në vitin 2011.

Seanca gjyqësore u shoqërua nga debate mes gjyqtarit Sokol Binaj dhe prokurorit të posaçëm, Alfred Shehu.

Ky i fundit kërkoi nga trupa gjykuese të mos pranojë kërkesën e familjarëve të Nikës, duke argumentuar se nuk bëhet fjalë për subjekte të posaçme, që janë në tagrin e SPAK për t’u hetuar.

Por gjyqtari Binaj kundërshtoi duke u shprehur se edhe zinxhiri komandues i Gardës është në përgjegjësinë e SPAK.

Debati në sallë:

Shehu: Organet duhet të bëjnë hetim të plotë. Ky procedim po kryhet nga prokuroria.

Binaj: Edhe për drejtuesit, edhe për zinxhirin drejtues kush do ta hetojë, kujt i takon.

Shehu: Po heton Tirana.

Sokol Binaj me zë të lartë: Flitet për zinxhirin drejtues, a keni përgjegjësi?!

Shehu; S’kanë dalë subjekte të posaçme.

Binaj: S’po flas për subjekte të zakonshme, zinxhirin?

Shehu: Në rast se ata gjejnë shpallin moskompetencën dhe e sjellin.

Binaj: KPP parashikon dy mënyra disponimi të prokurorit. Ke detyrimin para një kallzimi t’i përgjgjesh me të gjitha rekuizitat. Nuk ka, rrëzohet. Nuk pranohet, jep argumentat. Kjo hap rrugën që palët të shkojnë ata ku duhet të shkojnë në lidhje me kërkesat e tyre.

Shehu: Në Kodin e Procedurës Penale nuk parashikohet.

Binaj: Jepi përgjigje. Kallëzimi vjen dhe regjistrohet.

Shehu: Ky disponim i Prokurorisë është vlerësuar edhe nga gjykata.

Binaj: Është kjo shkresë.

Shehu: Ky kallëzim nuk është regjistruar. Ai kallëzim është vlerësuar nga një prokurori tjetër.

Binaj: S’ka asnjë pengesë që për një çështje penale të hetojnë disa prokurori, një, dy, tre, katër, pesë. Por mbi bazën e regjistrimit penal dhe jo me shkresa, dërgo shkresa sa andej-këtej. Jo pa patur asnjë mjet procedurial në dorë.

Prokurori i SPAK, Alfred Shehu: I qëndrojmë argumentave tona. Shkresa jonë është një shërbesë administrative, nuk ka ankim ndaj shkresave. Gjithashtu këto vendim i Shkallës së Parë dhe Apelit na japin të drejtë, për këto arsye kërkojmë mos pranimin e rekursit.