Aplikacion
Në intervistën për Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, zoti Basha ndalet edhe në problemet e brendshme të ndarjes në Partisë Demokratike, si dhe në vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, që çështja e 21 janarit të hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Zoti Basha thotë se urdhëri për të qëlluar ndaj protestuesve nuk ka dalë nga ai.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, për çfarë jeni këto dito ditë këtu në Uashington?
Lulzim Basha: Jam këtu si raporter i Këshillit të Evropës në një mision do të thoja historik për të bashkërenduar midis Këshillit të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për konfiskimin e aseteve ruse dhe vendosjen e tyre në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, këto ditë ka patur një përpjekje për dakordësi mes shumicës socialiste dhe shumicës së deputetëve demokratë që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha për të rikthyer normalitetin në jetën parlamentare. Cili është komenti juaj, reagimi juaj për këtë zhvillim të ri?
Lulzim Basha: Për çdo zhvillim në Shqipëri, standarti i ri i një kulture të re politike, që ne si Parti Demokratike aspirojmë ta ndërtojmë në dialog me gjithë shoqërinë është përgjigja ndaj një pyetjeje: A i shërben shqiptarëve dhe si u shërben shqiptarëve? Nisur nga zhvillimet e fundit në Shqipëri, mund të them që paralajmërimet tona prej kohësh kanë treguar që zoti Rama dhe zoti Berisha bashkëpunojnë për interesat e tyre, por kundër intetesave të shqiptarëve.
Zëri i Amerikës: Kundër cilave interesa në këtë rast?
Lulzim Basha: Reformës zgjedhore, në veçanti. Ne kemi një kohë të gjatë që kemi paraqitur në komisionin e reformës zgjedhore propozime, të cilat shkojnë përtej interesave partiake, por janë në interes të qytetarëve. Të tillë janë propozimi për listat e hapura; që qytetarët të zgjedhin vet se cilin do të dërgojnë në parlament dhe jo kryetarët e partive. Kjo është zhbërja ‘de facto dhe de jure’, nëse propozimi do të adoptohej, i ndryshimeve kushtetuese Berisha – Rama të vitit 2008. Po kështu është propozimi ynë për barazinë e votës, sepse sot në Shqipëri, falë këtij sistemi është e qartë se nuk ka barazi vote. Me 8 mijë e 500 vota zgjidhet deputeti në Vlorë, por duhen 13 mijë e 500 vota për të zgjedhur deputetin në Kukës. Të dy këto lidhen me dy propozime të tjera që kanë të bëjnë me vendime të Gjykatës Kushtetuese si vota e diasporës, vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë,
Zëri i Amerikës: Megjithatë, partia juaj ka qenë pjesë e komisionit të reformës zgjedhore prej një kohe të gjatë dhe ka një vit e gjysmë që ky komision nuk ka arritur përparim. A mban përgjegjësi partia juaj për këtë mungesë përparimi? Vetëm kohët e fundit ju keni kërkuar që të ecet me reformën zgjedhore, ndërsa në një vit e gjysmë nuk u bë asgjë.
Lulzim Basha: Përgjegjësia e Partisë Demokratike është nëse ka një rol aktiv apo jo. Kam kënaqësinë të them se përfaqësuesi i Partisë Demokratike, bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, e njëkohësisht sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, zoti Alibeaj, bashkë me ekipin e ekspertëve, ka kontribuar gjatë gjithë këtij një viti e gjysmë në dy blloqe të mëdha. Blloku i parë ka qenë blloku i propozimeve për të luftuar dukuritë e shitblerjes së votës, përdorimit të administratës publike, presionit ndaj votuesve, përdorimit të administratës shtetërore dhe të aseteve shtetërore. Blloku i dytë i propozimeve ka që në nëntor në komisionin e reformës zgjedhore dhe përmban katër propozime: listat e hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, votimi elektronik dhe numërimi elektronik, si dhe vota e diasporës. Sigurisht që duhet vullneti i palës tjetër.
Zëri i Amerikës: Komisionit më 21 mars i mbaron mandati. Çfarë do të ndodhë më tej?
Lulzim Basha: Nuk na takon ne që të themi se çfarë do të ndodhë më tej. Ajo që na takon ne është që ne do ta vazhdojmë betejën për këto parime, për këto vlera, për këto standarte, të cilat janë pjesë e vizionit tonë me koherencë dhe me kohezion me gjithë ato komponentë të opozitës pro-perëndimore dhe euro-atlantike, për të vendosur në Shqipëri në shinat proceset zgjedhore, që kanë kohë që kanë dalë prej shinave. Mund të themi me gojën plot që Partia Demokratike ka pjesë të përgjegjësisë për këtë, qoftë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, dhe pasojat e këtyre ndryshimeve. Prandaj them me gojën plot që pyetja e vetme që duhet t’i përgjigjet çdo politkan është: A i shërben kjo Shqipërisë? Qartësisht ajo që po ndodh nuk është në interes të qytetarëve shqiptarë, por është në interesat personale të zotit Rama dhe të zotit Berisha.
Zëri i Amerikës: Pas shpalljes non-grata të zotit Berisha ju e përjashtuat atë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por ju nuk arritët të mbanit partinë të bashkuar. Si e shpjegoni faktin që sot shumica e Partisë Demokratike mbështet zotin Berisha?
Lulzim Basha: Unë nuk do të futem në një debat numerik, i cili gjithësesi bazohet mbi perceptimet e një pale, apo një tjetre. Dua të them se të luftosh për të vërtetën, të luftosh për të drejtën vjen me sakrifica dhe me kosto të mëdha. Por të mos luftosh për to është krimi më i madh kur je në shërbim publik, në shërbim të qytetarëve, kur je në politikë, sepse praktikisht dëmton interesat e tyre, varros shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë. Kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri. Politikanët kryesorë në një teatër të sinergjizuar me njëri tjetrin, faktikisht kanë vrarë shpresën në Shqipëri, dhe problemi kryesor i shqiptarëve është që sot ata nuk besojnë tek institucionet demokratike dhe tek proceset zgjedhore. Ndaj misioni ynë kryesor është që të kthejmë besimin tek politika, si një instrument ndryshimi për të mirë, tek politika me fytyrë njerëzore, tek politika që mbron dhe promovon interesat e njerëzve dhe jo të një grushti politikanësh, që kanë 34 vjet, që nga rënia e komunizmit që urdhërojnë shqiptarët dhe vendosin për fatet e tyre.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, shifrat nuk mund të anashkalohen lehtë. Numri i deputetëve, që iu mbështetin ju është më i vogël se numri i deputetëve, që mbështesin zotin Berisha. Siç u pa edhe me zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri, numri i votave për këtë krah të Partisë Demokratike ishte më i madh se pjesa tjetër…
Lulzim Basha: Prandaj nuk dua të futem në debate numrash, sepse në rastin e Partisë Demokratike, ajo nuk kandidoi në 51 bashki…
Zëri i Amerikës: Pyetja është …
Lulzim Basha: … ndërkohë që përsa i takon numrit të deputetëve, ata janë individë, që janë aty, sepse kanë qenë në një listë të mbyllur emërore të renditur nga kryetari i partisë, prandaj mendoj që t’i ikim debatit mbi numrat.
Zëri i Amerikës: Zgjedhjet e përgjithshme po afrojnë. Ato janë vitin e ardhshëm. Cila është oferta juaj për mbështetësit?
Lulzim Basha: E para dhe kryesorja është që të heqim dorë nga kjo telenovelë e shëmtuar që luhet në kurriz të shqiptarëve. Ditë për ditë shikojmë një teatër me akuza e kundërakuza, që pastaj natën shuhen apo kthehen në pazare. Kjo është mënyra e vjetër e të bërit politikë dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve u ka kushtuar shumë. Hapja e një dialogu të drejtpërdrejtë me qytetarët për ne do të thotë në radhë të parë, jo thjesht që të tregojmë me gisht se çfarë po ndodh në kurriz të tyre, sepse këtë shqiptarët e provojnë vet, por çfarë ofrojmë ne dhe a është kjo një ofertë e besueshme, dhe a ka një rrugë të besueshme për ta realizuar këtë? Që nga sistemi i taksave, i cili po rëndon gjithmonë e më shumë mbi sipërmarrjen e ndershme, mbi profesionistët, tek gjendja e fermerit shqiptar, e cila është më e rënda se e çdo fermeri në Ballkan, më e keqe se fermeri në Kosovë apo në Maqedoni të Veriut për shkak të mungesës së subvencioneve, investimeve dhe për shkak të mungesës së aksesit në treg. Gjendja e rinisë, ku lidhet gjithçka me situatën në arsim, në universitete, në tregun e punës. Gjendja e pensionistëve shqiptarë, që është më e dobëta nga gjithë pensionistët e Ballkanit perëndimor. Pra, një ofertë realiste, sepse do të bazohet mbi realitetin dhe mundësitë që ka Shqipëria dhe një ekip të besueshëm, që ta realizojë këtë program, pra të mos mbetet në një program elektoral, por të kthehet në një program qeverisës.
Zëri i Amerikës: Ju kritikuat udhëheqësit politikë, që janë aty për një kohë të gjatë, por edhe ju vet jeni në politikën shqiptare për shumë vite. Që nga përjashtimi i zotit Berisha nga grupi parlamentar i PD-së, ju keni kërkuar ndjesë për gabimet tuaja, por nuk keni përmendur konkretisht se për çfarë. A mund të ndani me elektoratin tuaj dhe me ne disa nga ato gjëra, që sot do t’i bënit ndryshe?
Lulzim Basha: Në gjithë rastet që kam patur, së fundi edhe në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, e kemi shteruar se çfarë është bërë gabim. Kurrë nuk duhet të kemi hezitim për të kërkuar ndjesë për atë që është bërë gabim, por e rëndësishme për shqiptarët është se çfarë ofrojmë ne sot. Pse ata duhet të drejtojnë sytë nga Partia Demokratike? Dhe unë ju them se ka dy arsye: E para sepse ajo është e vetmja forcë politike, që ka hartuar një program të qenësishëm, jo parrulla elektorale, jo diçka për t’iu përgjigjur shijes apo kërkesave të momentit, por një program, i cili bazohet në një njohje të thellë të realitetit, të problemeve, që Shqipëria ka, si dhe të mundësive për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve. Ky program është produkt i një ekipi ekspertësh, jo politikanësh, me asistencë nga ekspertë perëndimorë, evropianë dhe të SHBA-ve. Arsyeja e dytë, të cilës po i afrohemi me shpejtësi; nuk jemi ende aty, është ekipi i Partisë Demokratike, i cili do të përbëhet nga njerëz me reputacion, të kenë besim në komunitet, jo njerëz që e shohin politikën si një profesion për veten e tyre, por si një shërbim ndaj njerëzve. Jam i bindur se me përfundimin e porcesit të riorganizimit të Partisë Demokratike, shumë shpejt në një dialog, në një debat, jo në kulisa, do t’u japim shqiptarëve një ekip prej 140 kandidatesh dhe kandidatësh, të cilët do të jenë një pasqyrë e më të mirës, ku shqiptarët të kenë vërtet besim se do të përfaqësohen dhe mbrohen interesat e tyre dhe jo interesa klaneshm, tarafesh apo personash të caktuar.
Zëri i Amerikës: Të ndalemi tek një zhvillim tjetër i po këtyre ditëve në Shqipëri. Gjykata e Lartë urdhëroi Prokurorinë e Posaçme, që të regjistrojë një proces penal për ngjarjet e 21 janarit dhe na kallëzim është edhe emri juaj. Në atë kohë ju keni ministër i brendshëm. A i druheni hetimeve për këtë rast?
Lulzim Basha: Aspak. Unë kam kërkuar prej fillimit një hetim të plotë dhe transparent. Sigurisht nuk komentoj asnjë vendim gjykate. Kanë kaluar 13 vite dhe është qartë besoj edhe për familjet e viktimave, që rasti është përdorur për politikë, për përfitime të ngushta politike. Mund të shohim madje edhe njerëz që janë akuzuar natën e 21 janarit, por që pastaj u graduan nga Partia Socialiste si kryetarë degësh apo kryetarë bashkish të Partisë Socialiste. Është një lojë e pistë edhe me gjakun e këtyre katër viktimave të pafajshme.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, viktimat u vranë nga plumbat e ardhur nga ndërtesa e kryeministrisë, në kohën që ju ishit ministër i brendshëm.
Lulzim Basha: Dhe për këtë kam kërkuar prej ditës së parë një hetim të plotë dhe transparent, sepse unë personalisht nuk kam asgjë për të fshehur, apo për t’iu trembur dhe besoj se në këtë rast, si në çdo rast tjetër, drejtësia duhet të veprojë e papenguar nga politika dhe nga deklaratat politike dhe e pashfrytëzuar nga politika.
Zëri i Amerikës: Ju e përjashtoni çdo mundësi që një urdhër apo udhëzim të ketë dalë nga ju atë ditë?
Lulzim Basha: Pa diskutim./ Zëri i Amerikës