zoom

Day ArchiveRrëfimi i Laert Vasilit: Jam i dashuruar me një prostitutë!

I ftuar në podcastin e Ilnisa Agollit, aktori Laert Vasili ka bërë një rrëfim të guximshëm.

Në një video promo të shkurtër shkëputur nga kjo intervistë që ende nuk është transmetuar, aktori ka hapur zemrën dhe ka folur për dashurinë, madje është edhe i prekur nga kjo ndjenjë. I pyetur nëse do të dashurohej me një prostitutë, ai u përgjigj:

Jam i dashuruar me një prostitutë…Më pëlqeu shumë. Ishte shumë e bukur…dhe e doja shumë.

Është i dashuruar Laerti?

Laert Vasili: Po!

Ilnisa Agolli: Me prostitutën?

(Laert Vasili pohon me kokë)

Ilnisa Agolli: Ende?

(Laert Vasili pohon sërish)

Zbardhet atentati ndaj Ardian Çapjas/ Suel Çela porositi ekzekutimin e tij

Është zbardhur atentati ndaj Ardian Çapjas, ngjarje e ndodhur në Elbasan, qershorin e vitit 2020.

SPAK tregon se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Suel Çela, por vrasja mbeti në tentativë.

Ndaj Ardian Çapja ka qëlluar snajperisti nga Shkodra, Prekë Kodra, i cili është në mesin e 21 personave ndaj të cilëve SPAK ka lëshuar urdhër arresti.

Në vitin 2023, SPAK dënoi me burgim të përjetshëm të Ardian Çopja (Çapja) për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012 si dhe grup të struktuar kriminal.

Zbërthimi i SKY ECC/ SPAK njoftim zyrtar për 21 masat e sigurisë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës dhe Ekuadorit ka dokumentuar dhe ndjekur penalisht një organizatë të mirëstrukturuar kriminale në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me bazë në qytetin e Elbasanit dhe me shtrirje në vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikës Latine.

Ky hetim i bazuar në komunikimet e koduara SKY/ECC dhe në veprimet të tjera hetimore vijon edhe për dokumentimin e veprimtarisë kriminale për persona të tjerë.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona:

Arrest me burg për 18 individë, duke përfshirë drejtuesit e grupit, një ish-zyrtar i lartë policie dhe një ish-gjyqtar.
Arrest në shtëpi për 1 avokat.
Detyrim paraqitjeje për 2 gazetarë.

Struktura e Organizatës

Kjo organizatë kriminale, në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.

Organizata kriminale që drejtohej nga S.Ç. me qëllim kontrollin e territorit kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga S.Ç.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:

Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, A.Ç., në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit
Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit B.M, mars 2020;
Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit E.K, në vitin 2020.
Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.
Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.
Shtetasi M.L. (alias S.Ç.) është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; M.Ç., A.V., B.SH, K.M., Xh.R.etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

Roli i personave të tjerë

Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (D.GJ.) dhe të sistemit gjyqësor (P.F.) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit S.Ç. dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.

M.L ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët A.H. dhe E.Q, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.

Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës

Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen.

Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp, Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:

a. Në blerjen e lëndës narkotike

b. Në gjendje cash-i në Shqipëri

c. Në biznese në dukje të rregullt

d. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit

Për këtë operacion falenderojmë Europol, Eurojust, autoritetet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese të; Francës, Holandës, Belgjikës dhe autoritetet italiane (Ufficio del’ Esperto per la Sicurezza a Tirana, Squadra Mobile di Milano).

Masat e sigurimit janë dhënë për personat e mëposhtëm:

M.L alias S.Ç – 36 vjeç, banues në Elbasan
M.Ç – 35 vjeç, banues në Elbasan
XH.R – 33 vjeç, banues në Tiranë
K.M alias K.Ç alias K.Ç – 37, banues në Elbasan
S.H – 30 vjeç, banues në Elbasan
B.H – 34 vjeç, banues në Elbasan
L.Z – 33 vjeç, banues në Elbasan
M.R – 37 vjeç, banues në Tiranë
A.Xh, alias E.C, A.C – 39 vjeç, banues në Tiranë
P. K. – 48 vjeç, banues në Malësinë e Madhe
F.V – 48 vjeç, banues në Elbasan
M.M – 27 vjeç, banues në Elbasan
R.H – 35 vjeç, banues në Elbasan
S.S – 34 vjeç, banues në Tiranë
A.H – 50 vjeç, banues në Tiranë
E.Q – 39 vjeç, banues në Tiranë
P.F – 65 vjeç, banues në Elbasan
D.Gj – 48 vjeç, banues në Tiranë
M.Sh, alias B.Sh – 51 vjeç, banues në Tiranë
H.L alias H.X alias H.S – 40 vjeç, banues në Tiranë
B.B – 39 vjeç, banues në Elbasan
Veprat penale të dyshuara:

“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të A.Ç, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe B.M.
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.
“Grup i strukturuar kriminal”.
“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
“Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.
“Shpërdorim detyre”.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” .

Detajet/ Babai hetues i BKH-së, nëna pjesë e SPAK, ky është personi i dytë në vrasjen e Martinit

Të tjera detaje janë zbardhur nga skandali ku është përfshirë me dashje, Policia e Shtetit, në lidhje me autorin e dytë që ka marrë pjesë në vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e Luis Meçajt.

Pasi u bë e ditur se autori i dytë, i cili është ende i lirë, është djali i një hetuesi të Byrosë Kombëtare të Hetimit, tani është mësuar se edhe nëna e djalit është pjesë e SPAK, si punonjëse e administratës.

Burimet kanë zbuluar skandalin në vrasjen e Martin Canit, ku një prej të miturve është lënë i lirë.

Emri që është fshirë nga Policia e Shtetit është Kledion Bejkaj, shoku i autorit të vrasjes Mario Prelleshaj.

Bejkaj nuk është ndaluar nga policia, pasi policia pretendon se ai nuk ka qenë i përfshirë në krim, ndërkohë që të kundërtën ka treguar i plagosuri Luis Meçaj.

Kledion Bejkaj është djali i Maksim Bejkajt, hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), dhe Nevila Bejkajt, Specialiste e Regjistrave dhe Statistikës pranë Prokurorisë së Posaçme.

Sipas grupit hetimor, është arritur në përfundimin se Mario Prelleshaj ka vepruar i vetëm dhe nuk ka pasur një bashkëpunëtor në ngjarje, por në deklaratën e marrë nga OPGJ, Kledion Bejkaj ka shoqëruar Mario Prelleshajn në sulmin ndaj viktimës.

Bejkaj është denoncuar publikisht edhe nga i ati i Luis Meçajt, i cili ka thënë se i mituri mbante një thikë të vogël dhe ka goditur pas shpine të birin. Ndër të tjera ai ka thënë se 14-vjeçarin, prindërit me influencë në BKH, po mundohen ta nxjerrin jashtë Shqipërisë.

Gara për FSHA-në/ Shpërthen Luiza Gega: Duan të shkatërrojnë atletikën. Llumi kërkon të rikthehet

Si shumë federata të tjera në vend edhe atletika do t’i drejtohet zgjedhjeve, të cilat janë planifikuar të mbahen më datë 4 dhjetor.

Në garën për president fillimisht ishin Taulant Stërmasi, i cili mori drejtimin e FSHA-së rreth dy vite më parë pas tërmetit që tronditi federatën, ku ranë në bllok të gjithë drejtuesit e mëparshëm, të dënuar për manipulim rezultatesh nga Federata Botërore. Gjithashtu në garë është edhe ish-atleti rekordmen Izmir Smajlaj, i cili duket se do të futet i vetëm në zgjedhje.

Gjithçka ka ndodhur, pasi grupi i punës për asamblenë zgjedhore ka skualifikuar kandidaturën e Stërmasit, ndërsa është skualifikuar edhe Luiza Gega si kandidate për këshillin drejtues të federatës.

Një situatë që ka sjellë edhe reagim të fortë të atletes më të mirë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Luiza Gega ka shprehur të gjithë shqetësimin e saj për atë që po ndodh në prag të zgjedhjeve në FSHA.

SHQETËSIMI

Kampionia e Europës me rekord, ka dalë me anë të një deklarate, ku shpreh të gjithë indinjatën e saj për situatën e krijuar: “Dua të ndaj diçka si sportiste që lufton të ndërtojë diçka të mirë për veten dhe vendin e saj, diçka që më prek në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga e cila varet e ardhmja e shumë sportistëve që duan të bëjnë diçka të mirë për vendin e tyre. Sporti më ka mësuar shumë gjëra, më ka mësuar të ëndërroj, të punoj fort, të garoj për të dhënë më të mirën, të garoj ndershëm, të respektoj kundërshtarin, të gëzoj fitoren si dhe të pranoj humbjen.

Atë që nuk më mësoi kurrë, ishte se si unë të hesht dhe t’i lë gjërat për të cilat jam përpjekur më shumë, si të hesht kundër padrejtësive, manipulimeve dhe ti le vend pendesës dhe të them që pse të paktën nuk u përpoqa. Prandaj sot dua të përpiqem që atë që dua më shumë mos të ma shkatërrojnë në mënyrën më të ndyrë. Dhe duhet të më besoni që nuk ka asgjë personale, por çdo gjë e kam me fenomenin dhe me këdo që do të vepronte në këtë mënyre”.

ÇFARË PO NDODH

Luiza e drejton gishtin nga ish-drejtuesit e FSHA-së, duke shpjeguar atë që po ndodh në këto prag zgjedhjesh: “Ata që u dënuan nga Federata Botërore për manipulim ende vazhdojnë me insistim të njollosin çdo pikë drejtësie me manipulimin e tyre të ndyrë. Më dhemb kjo pjesë sepse kam investuar gjithë jetën time për të bërë diçka të mirë për vendin tim dhe mënyra se si duan ta shkatërrojnë është e frikshme.

Unë kam luftuar çdo ditë të jetës time për të qenë këtu ku jam dhe do vazhdoj të luftoj edhe për ato fëmijë dhe të rinj që ua shkatërrojnë ëndrrat ende pa i nisur. Federata Shqiptare e Atletikës para dy vitesh u dënua për manipulim për 5 vite nga çdo aktivitet sportiv dhe madje të mos i afroheshin edhe stadiumeve. Dënoi ish-presidentin dhe njëkohësisht trajnerin e Izmir Smajlajt, Gjergj Rulin, sekretarin Nikolin Dionisi dhe sportistin Izmir Smajlaj, duke i dënuar për manipulim rezultati të një aktiviteti që u zhvillua në Tiranë, si shumë e shumë rezultate të tjera që ka manipuluar ndër vite.

Sportisti Izmir Smajlaj e fitoi gjyqin me pretendimin që nuk ishte në dijeni për manipulimet që bëheshin, por për fat të keq, ne të gjithë e dinim, sigurisht edhe Izmiri. Kjo është dhe arsyeja pse të gjitha normat olimpike dhe rekordet, unë i kam arritur në pistat më të mëdha botërore, që të mos isha kurrë pjesë e këtyre lojërave të ndyra që bëheshin në aktivitetet kombëtare në Shqipëri”.

PASTRIMI I LLUMIT

Kampionia kuqezi më tej thekson se punën e madhe që është bërë në këto dy vite për të pastruar atë imazhin e federatës pas dënimit: “Për më tepër Federata Botërore e Atletikës dënoi përveç individëve edhe federatën tonë, ku për një kohë të pa caktuar nuk do t’i njihte asnjë rezultat që bëhej në Shqipëri në qoftë se nuk do të plotësonin të gjitha kriteret e një loje të pastër dhe të ndershme.

Ka qene një periudhë shumë e vështirë për mua, sepse u bë lajm në të gjitha mediat sportive botërore, ku shumë sportistë, trajnerë qoftë dhe kundërshtare të miat, jo pak herë e shfrytëzonin duke thënë se ‘si ka mundësi që ndodhin këto gjera në vendin tuaj’. Nuk kam dashur kurrë të flas për këtë gjë sepse nuk do doja kurrsesi të dukej si një sulm ndaj Izmirit edhe pse në fakt këto skandale kurrë nuk duhen lejuar të kalojnë në heshtje. Sportistët derdhin gjak e djersë duke u përpjekur të arrijnë rezultate të larta dhe mënyra se si injorohet kjo është për të ardhur keq”.

KANDIDIMI DHE ERA NDRYSHIMIT

Gega flet më pas për zgjedhjet e jashtëzakonshme të dy viteve më parë, ndërsa me ardhjen në drejtim të Stërmasit nisi edhe një epokë e re për atletikën shqiptare: “Duke qenë se federata mbeti në atë gjendje, iu luta trajnerit tim ta merrte përsipër, sepse e dija që vetëm ai mund ta nxirrte nga llumi ku FSHA ishte futur, me pasionin dhe që ka dhe njeriun më të drejtë që njoh. U zhvillua një asamble e jashtëzakonshme, ku edhe pse iu bënë shumë presione klubeve që të mos e votonin, përsëri ai arriti që të fitojë.

Aty filloi edhe sfida e madhe, sepse duhej të nxirrte federatën nga dënimi. Kjo gjë kërkonte jashtëzakonisht shumë punë, dhe për këtë u përfshinë trajnerë, sportistë, gjyqtarë për të ndihmuar në proces. U trajnuan disa persona për fotofinishin, matësin e erës, u mor gjyqtar ndërkombëtarë që njihej nga Federata Botërore për t’u bërë trajnim gjyqtareve tanë si dhe të monitoronte çdo aktivitet kombëtar.

Çdo aktivitet dhe rezultat i garave pasqyrohej në ‘website’ zyrtar të federatës gjë që federata më parë nuk e kishte pasur kurrë. Gjithsesi gjatë këtyre më pak se dy viteve u morën vesh shume gjerë se çfarë kishte ndodhur në gjithë këto vite me federatën”.

GJYKATA

Çështja e mos-njohjes nga gjykata është ulur këmbëkryq në shumë federata sportive në vend, teksa Luiza ndalet më konkretisht tek atletika, duke ia faturuar drejtuesve të mëparshëm të FSHA-së: “Edhe pse Taulant Stërmasi fitoi me shumicë votash gjykata nuk e njohu si president, sepse që në vitin 2010 presidenti i mëparshëm nuk kishte dërguar asnjë asamble në gjykatë dhe për këtë arsye nuk njihej asnjë veprim.

Që zgjedhjet të jenë të vlefshme duhet të rikthemi në vitin 2010 dhe të votojnë ato anëtare që kanë marrë pjesë në atë asamble. Pra, për më shumë se 14 vite federata ka qenë totalisht e paligjshme vetëm që presidenti të kishte mandat të përjetshëm, sepse statuti i njeh vetëm 2 mandate dhe me dy mandate ai nuk mund ta mbante dot përjetë federatën”.

SKUALIFIKIMI

Gega rikthehet te skualifikimi i Taulant Stërmasit nga gara për president si dhe nga skualifikimi i saj si kandidate për KD-në e federatës: “Por gjërat e ndyra nuk marrin fund me kaq, pasi duhet të bëhen zgjedhjet e reja dhe të shpallen kandidaturat për president, ku në garë ishin Izmir Smajlaj dhe Taulant Stërmasi. Deri në këtu nuk ka asgjë të keqe, sepse çdo kush ka të drejtë të kandidojë edhe pse unë kam rezervat e mia, pasi të marrësh përsipër një federatë duhet të dish diçka më tepër se sa thjesht të vraposh apo të kërcesh.

Gjithsesi, kjo pak rëndësi ka. Mbrëmë grupi i punës se ish-federatës së dënuar, sigurisht me në krye ish-presidentin, por thjesht këtij nuk i lejohet që t’i figurojë emri në letër, dërgon ‘email’ që Taulant Stërmasi përjashtohet nga kandidimi sepse e kane propozuar vetëm klubet dhe se kanë vendosur që të njihen vetëm shoqatat, pasi ligji i vitit 2020 pranon vetëm klubet që janë kthyer në shoqata, edhe pse në këtë rast ne kemi shkuar në vitin 2010 për faj të këtyre ish-drejtuesve. Ky grupi në fjalë i punës ka pranuar disa shoqata që nuk kanë qenë kurrë anëtare dhe që s’kanë marrë pjesë kurrë në asnjë aktivitet qe ka zhvilluar federata.

Katër shoqata janë shtuar për vota vetëm 2 muajt e fundit. Për më tepër, gjykata e përcakton se kë anëtar njeh në këto zgjedhje dhe citon të gjitha klubet. Por kjo gjë behet si e si të merret fitorja në tavolinë. Për më tepër jam përjashtuar edhe unë qe isha propozuar nga ish-shkolla ime ‘Mjeshtëria Sportive’, për të qenë anëtare kryesie në federatë, duke qenë se kam kontribuuar kaq shumë”.

KUSH PUNON LUFTOHET

Në fund Luiza Gega shpreh të gjithë zhgënjimin e saj për një vend ku luftohen njerëzit e ndershëm që punojnë: “Ne të gjithë kishim dijeni për shumë gjëra që do të ndodhnin, presionet qe iu bëhen klubeve edhe nga Ombrella më e lartë e sportit, sepse për fat të keq Shqipëria jonë është shumë e vogël dhe çdo gjë dihet si ndodh, kur ndodh dhe nga kush ndodh…

Por përsëri ti mendon që do binden dhe do pajtohen me faktin që njerëzit që lodhen, mundohen me drejtësi dhe japin rezultate do vijë dita që do të pranohen. Por jo, këtu vazhdojnë me pafytyrësinë më të madhe të mundohen në të gjitha format që të mos lënë asnjë njeri që e do këtë vend të punojë dhe të bëjë diçka të mirë. Kurrë në jetën time nuk kam kërkuar asgjë që nuk e meritoj dhe nuk më takon, kurrë asgjë. Ju betohem që kurrë nuk kam cenuar asnjë me atë që bëj, sepse nuk më shijon, nuk ndihem e lumtur dhe nuk do ta bëj kurrë.

E dua këtë vend dhe kam luftuar shumë që sado pak të kem kontribut për mirë me atë që bëj, duke qenë e drejtë dhe para se të jem sportiste e mirë, të jem një njeri i mirë. Por nuk mund të lejoj që edhe në sport të ndodhin këto gjera, pasi sporti nuk duhet të lyhet me llum. Falënderoj të gjithë ato klube që nuk vendosën të dërgojnë t’i përfaqësojnë një shoqatë e ndërtuar siç bënë disa të tjera vetëm që të jenë pjesë e kësaj gjëje të ndryrë, por vendosen të përfaqësojnë veten dhe detyrën që kanë marrë përsipër. E ngre zërin këtë shqetësim sepse nuk dua të na shkatërrohet çdo përpjekje dhe çdo ëndërr për ta bërë këtë vend më të mirë”, mbyllet kështu deklarata e Luiza Gegës. Panorama/

WhatsApp po prezanton një tjetër risi për përdoruesit

WhatsApp do të marrë një tjetër veçori të dobishme në javët e ardhshme, aftësinë për të transkriptuar mesazhet zanore.

Aplikacioni i mesazheve sapo ka njoftuar se përdoruesit së shpejti do të jenë në gjendje të transkriptojnë tekstet e marra nga miqtë dhe familjarët, nëse janë në një vend që nuk mund t’i dëgjojnë mesazhet me zë.

Vlen të përmendet se transkriptet do të gjenerohen drejtpërdrejt në pajisjen tuaj, që do të thotë se askush tjetër, madje as WhatsApp, nuk do të jetë në gjendje të dëgjojë ose lexojë mesazhet që merrni, shkruajnë mediat e huaja.

Një tjetër gjë e rëndësishme që vlen të përmendet është se nuk duhet të mbështeteni 100% në këtë veçori, pasi WhatsApp thotë se është e mundur që transkriptet e mesazheve zanore të jenë të pasakta, në varësi të gjuhëve.

Sipas aplikacionit popullor të mesazheve, veçoria do të shpërndahet globalisht gjatë javëve të ardhshme.

Frikë në BE e NATO se Rumania mund të rrëshqasë në kampin pro-Moskës

Fitorja e ultranacionalistit Călin Georgescu po ngjall frikë se Rumania mund të rrëshqasë në kampin në rritje pro-Moskës.

BRUKSEL – Gjeorgjia. Moldavia. Tani Rumania?
Këmbanat e alarmit po bien në Bruksel pasi një kandidat i ekstremit të djathtë, pro-rus doli nga askundi për të fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë të dielën.
Fitorja tronditëse e ultranacionalistit Călin Georgescu po shkakton frikën se Moska mund të jetë duke u përpjekur të tërheqë Rumaninë anëtare të NATO-s dhe BE-së – një peshë e madhe e Evropës Qendrore dhe Lindore prej 19 milionë banorësh – në kampin e saj pas zgjedhjeve të kontestuara në Moldavi dhe Gjeorgji.

Reformistja Elena Lasconi, e cila do të përballet me të në balotazhin e 8 dhjetorit, po paralajmëron drejtpërdrejt se rumunët tani duhet të mblidhen së bashku për të ndaluar që Rumania të bjerë përsëri nën pushtimin e Rusisë, e cila e pushtoi atë pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo i kërkoi një turme në Bukuresht që të mos lejojë që zhgënjimi me pushtetin aktual “të bëhet një dobësi e shfrytëzuar nga Rusia”.

Raundi i parë i së dielës ishte një tronditje, sepse Rumania është parë si një anëtare e besueshme e BE-së dhe aleate e NATO-s – në kontrast të fortë me vendet më të vogla si Hungaria, Sllovakia dhe Bullgaria që kanë probleme të mëdha mbi sundimin e ligjit dhe prirjet pro-ruse. Nëse Bukureshti do të kthehej gjithashtu drejt një rruge më anti-BE, pro-ruse, kjo do të minonte seriozisht aftësinë e BE-së për të funksionuar, duke e bërë të vështirë ndërtimin e konsensusit midis vendeve anëtare.

Georgescu, i cili nuk i përket një partie politike dhe ka rreth 3.8 milionë pëlqime në TikTok, në shumë mënyra i përshtatet modelit të populistit radikal të djathtë të vitit 2024: Ai flet qartë, i shmanget ortodoksisë perëndimore, është i urryer nga mediat kryesore dhe është një skeptik ndaj BE-së dhe NATO-s.

“Rezultati i këtij kandidati të heshtur, por ekstremist, pro-rus është pjesë e luftës hibride të Rusisë kundër demokracisë evropiane,” tha Siegfried Muresan, një ligjvënës konservator rumun në Parlamentin Evropian.

Në të vërtetë, rezultati i befasishëm në Rumani përkon me përpjekjet më të gjera të Rusisë për të futur vendet brenda Bashkimit Evropian ose në fqinjësinë e saj në kampin pro-Moskës.
Vëzhguesit e zgjedhjeve kanë paralajmëruar për përpjekjet për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Moldavi dhe Gjeorgji . Ndërkohë, liderët e Hungarisë dhe Sllovakisë, të dy në BE, tashmë përkrahin pikëpamjet pro-ruse dhe atyre së shpejti mund t’u bashkohet edhe Çekia, nëse ish-kryeministri Andrej Babiš fiton zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

“Nëse ndiqni atë që bëjnë rusët në këtë rajon, ju e dini se Rumania është shumë e rëndësishme për ta,” tha Milan Nič, një analist në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. “Plani i tyre është të shkëputin Rumaninë nga Deti i Zi … është libri i zakonshëm i lojërave ruse.”
Deri më tani, Rumania, e cila kufizohet me Ukrainën në skajin lindor të bllokut, ka luajtur një rol mbështetës në qëndrimin e Perëndimit për Kievin. Konflikti ka ngritur, për shembull, rëndësinë strategjike të bazës ajrore Mihail Kogălniceanu në Detin e Zi.
Por gjithçka mund të përmbyset nëse Georgescu fiton.

Shqetësimet rreth ndërhyrjes së mundshme ende të paprovuar në Rumani janë nxitur nga fakti se Georgescu arriti në fitore me 22.9 përqind të votave pavarësisht asnjë mbështetje partiake dhe edhe pse sondazheve u mungonte plotësisht popullariteti i tij.
“Ai është produkt i vakumit [në politikën rumune] dhe i parave të mundshme ruse,” shtoi Niç. “Nëse mund të shpenzoni kaq shumë para në TikTok papritur, kjo ngre pikëpyetje.”
Kandidati ultranacionalist mundi kandidatin liberal reformist Lasconi, i cili doli në vendin e dytë me 19.2 për qind të votave.

“Thirrje zgjimi”
Muresan, një figurë e profilit të lartë në Partinë Popullore Evropiane konservatore, tërhoqi një lidhje midis Rumanisë dhe Moldavisë, ku presidentja pro-BE Maia Sandu ka paralajmëruar vazhdimisht për përpjekjet e mëdha ruse për të ndikuar në zgjedhjet në vendin e saj drejt kandidatëve pro-Moskës.
“Tre javë më parë, Moldavia hodhi poshtë një ndikim të tillë dhe zgjodhi një president pro-evropian. Tani rumunët duhet të bëjnë të njëjtën gjë,” shtoi Muresan, i cili i përket Partisë Kombëtare Liberale të Rumanisë (PNL). Kandidati i partisë së tij doli në vendin e pestë me 8.8 përqind mbështetje.
Tani, frika në Bruksel është se Georgescu mund të mbizotërojë në raundin e balotazhit më 8 dhjetor, duke shtuar Rumaninë në një listë në rritje të vendeve, udhëheqësit e të cilëve janë kritikë ndaj BE-së dhe NATO-s dhe miqësore ndaj Presidentit rus Vladimir Putin.

Si kryeministri hungarez Viktor Orbán ashtu edhe ai sllovak Robert Fico kanë kritikuar përpjekjet perëndimore për të ndihmuar Ukrainën kundër luftës së agresionit të Rusisë. Georgescu ka kritikuar faktin se SHBA ka një mburojë kundër raketave me bazë në Rumani dhe e përshkroi Putinin si një “njeri që e donte vendin e tij”.
“Është një thirrje zgjimi – një nga shumë,” shtoi Nič.

Thanasis Bakolas, Sekretari i Përgjithshëm i PPE, paralajmëroi se performanca e Georgescu ishte dëshmi e rritjes së “ekstremizmit” në të gjithë BE-në. “Kjo luftë kundër populizmit, kundër ekstremizmit – nuk ka fund,” tha ai. “Lufta duhet të vazhdojë.”

EPP, grupi më i madh politik i BE-së, kishte përgjegjësinë të “vepronte si garantues jo vetëm kundër ekstremeve, por edhe në mbështetje të një koalicioni të madh dhe të qëndrueshëm të qendrës”.

Jo të gjithë janë tepër të shqetësuar se Georgescu do të bëhet udhëheqësi i ardhshëm i Rumanisë. Traian Băsescu, president i Rumanisë nga viti 2004 deri në 2014, tha se nuk besonte se Georgescu do të mbizotëronte në raundin e dytë dhe se rumunët në përgjithësi ishin ende “shumë pozitiv” ndaj BE-së dhe NATO-s.

Por, paralajmëroi ai, votuesit rumunë ishin “shumë të zemëruar” që korrupsioni ishte kthyer në vendin e tyre dhe se sistemi i drejtësisë ishte përsëri “nën kontrollin politik”.
Kjo mund të çojë në humbjen e partive në pushtet të vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare këtë të dielë, tha ai.

“Ajo që dy partitë [në koalicionin qeverisës] kanë bërë në dy vitet e fundit është një fatkeqësi,” tha ai, duke iu referuar Partisë Social Demokrate dhe Partisë Kombëtare Liberale. “Unë dyshoj se ata do të humbasin pushtetin.”

Pas fitores së tij të dielën, Georgescu fitoi mbështetjen e politikanit të djathtë George Simion. Nëse ai do të merrte të gjitha votat e Simion në raundin e dytë, Georgescu do të kishte 36.82 përqind – pak më poshtë se rezultatet e kombinuara të reformistit liberal Lasconi dhe kryeministrit të qendrës së majtë Marcel Ciolacu, të cilët fituan respektivisht 19.2 dhe 19.15 përqind.

Shumë do të varen nga fakti nëse disa mbështetës të rrymës tradicionale do të kalojnë te fituesi i kësaj jave. /Politico – Përgatit në shqip Zoom.al

E fundit/ Spitali privat nuk i jep epikrizën autorit të dyshuar për vrasjen e Martinit

Mjeku i spitalit privat nuk ka plotësuar epikrizën e autorit të dyshuar të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, krim i ndodhur mesditën e 18 Nëntorit pranë derës së shkollës “Fan Noli”.

Për këtë arsye Komisioni i Burgjeve ka vendosur që të vejë në dijeni policinë e Tiranës për mosbindje nga ana e mjekut të spitalit privat ku po mjekohet i mituri.

Mediat raportojnë se mjeku ka zvarritur qëllimisht procesin prej ditës së djeshme, e po ashtu edhe sot kur grupi i përbërë nga pesë persona dhe që janë komision i ngritur me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, kanë shkuar në spitalin privat.

Ndaj të miturit është vendosur masa arrest me burg, ndërsa mjeku ka detyrimin t’u japë përfaqësuesve të burgjeve epikrizën e të miturit.

Rama çon Blendi Klosin në Dibër në vend të Blendi Gonxhes

Socialistët e qarkut të Dibrës do të kenë një tjetër drejtues për zgjedhjet e majit 2025. Pas largimit të Blendi Gonxhes, si pasojë e përplasjeve me grupin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kryeministri Rama ka menduar të çojë një tjetër eksponent të PS-së.

Zoom.al mëson se bëhet fjalë për sekretarin e Përgjithshëm, Blendi Klosi.

Në zgjedhjet e kaluara vendore Klosi ka qenë drejtues politik i qarkut të Vlorës. Ai ka drejtuar më parë fushatat në Berat e Durrës.

Ndërsa Goxhe, pas largimit nga Dibra, është angazhuar me menaxhimin e strukturave të PS-së ne zonën e Kombinatit, në Tiranë./Zoom.al

Masakra e Dobraçit/ Arrestohet grabitësi i makinës që u përdor në atentat

Detaje të reja kanë dalë nga masakra me 4 viktima në Dobraç.

Mësohet se dy javë më parë policia ka arrestuar personin që kishte vjedhur makinën tip Range Rover që u përdor nga autorët e krimit dhe u dogj pas vrasjes.

Mjeti rezultoi të ishte vjedhur në Durrës, dhe ishte denoncuar nga pronarët më 17 Prill të këtij viti.

Autori i vjedhjes së makinës është arrestuar në Shkodër dhe është marrë disa herë në pyetje për të treguar nëse ka djeni për rrethanat e vrasjes në Dobraç, por nuk ka pranuar të japë deklarime.

Deshmia e tij, konsiderohet kyçe për policinë e Shkodrës dhe prokurorët e SPAK që po hetojnë çështjen