Aplikacion
Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Gazprombank, bankën e tretë më të madhe të Rusisë, dhe dhjetëra institucione të tjera financiare, teksa presidenti amerikan, Joe Biden, po tenton që të dëmtojë edhe më tej aftësinë e Kremlinit për të financuar luftën e tij në Ukrainë, para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë pas dy muajsh.
Gazprombank, që luan rol të madh në lehtësimin e eksporteve ruse të energjisë, ishte banka e vetme e madhe ruse që kishte mbetur deri më tani pa u goditur nga sanksionet amerikane. Uashingtoni dhe Brukseli kishin shmangur sanksionimin e Gazprombank, pas shqetësimeve se mund të kishte pengesa në eksportet e energjisë.
Përveç Gazprombank, SHBA-ja po ashtu njoftoi se ka sanksionuar mbi 50 banka të tjera ruse që kryejnë operacione ndërkombëtare dhe mbi 40 regjistrues rusë të letrave me vlerë dhe 15 zyrtarë financiarë rusë.
Uashingtoni po ashtu paralajmëroi institucionet financiare kundër bashkimit në versionin e Rusisë të sistemit ndërkombëtar të mesazheve për bankat, që njihet me shkurtesën SWIFT. Rusia po synon të tërheqë bankat ndërkombëtare që t’i bashkohen platformës së saj të mesazheve, në mënyrë që të shmangë sanksionet financiare të vendosura nga SHBA-ja.
“Veprimet e sotme riafirmojnë përkushtimin e SHBA-së për të kufizuar aftësinë e Rusisë që të përdorë sistemin financiar ndërkombëtar për të zhvilluar luftën e saj kundër Ukrainës dhe për të penguar përpjekjet e Rusisë për të kryer pagesa ndërkufitare për mallrat me përdorim të dyfishtë dhe materialeve ushtarake”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, përmes një deklarate më 21 nëntor.
Mbështetësit e Ukrainës për muaj të tërë i kanë bërë thirrje administratës së Bidenit që të ashpërsojë sanksionet ndaj sektorit bankar rus, duke thënë se Kremlini po gjen mënyra për të shmangur sanksionet aktuale dhe po paguan për importe të teknologjisë dhe mallra të tjera me përdorim të dyfishtë.
Përveçse lehtëson pagesat për energjinë, Gazprombank vepron po ashtu si një kanal për blerjen e mallrave ushtarake. Kremlini gjithashtu përdor bankën Gazprombank për të paguar ushtarët rusë dhe për të kompensuar familjet e ushtarëve të vrarë.
“Jam mirënjohës ndaj presidentit Biden dhe administratës së tij për pakon e fortë të sanksioneve financiare dhe bankare të bëra publike sot, që shënjestrojnë ekonominë dhe paratë e luftës të Rusisë”, shkroi në X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Biden do ta përfundojë mandatin më 20 janar, kur në Shtëpinë e Bardhë do të kthehet presidenti i zgjedhur, Donald Trump. Ai ka premtuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke i ulur në tavolinë të bisedimeve Zelenskyn dhe presidentin rus, Vladimir Putin.
Sanksionet financiare amerikane vijnë në një moment kritik për ekonominë e Rusisë, pasi shpenzimet rekord të Putinit për luftën kanë rritur inflacionin dhe normat e interesit. Banka Qendrore e Rusisë muajin e kaluar rriti normat e interesit në 21 për qind, norma më e lartë në dekada, dhe mund të vazhdojë t’i rrisë normat, teksa nuk ka sinjale se lufta është drejt përfundimit.
Çfarë ndodh me Berishën?/ Eduard Halimi zbërthen vendimin e KushtetuesesNga Eduard Halimi
Një vështrim juridik mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Sali Berishën: Proporcionaliteti dhe antikushtetutshmëria në pikëpyetje
Gjykata Kushtetuese, me një vendim të dukshëm të sforcuar, dhe shumicë po ashtu të sforcuar, siç reflektohet në çdo rresht të argumentimit të saj, arriti në këto përfundime:
Për pjesën e parë të kërkesës së SPAK/GJKKO:
Me shumicë votash, Gjykata vendosi që masa e “detyrimit për t’u paraqitur” nuk përbën shkelje kushtetuese dhe nuk kërkon miratimin e Kuvendit.
Për pjesën e dytë të kërkesës së SPAK/GJKKO:
Me vota unanime, Gjykata konstatoi se masa e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” është antikushtetuese për shkak të joproporcionalitetit të saj.
* Implikime për politikën aktive
Vendimi në lidhje me “shumicën” e votave për pjesën e parë të çështjes pasqyron jo vetëm përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese, por edhe origjinën e emërimeve të anëtarëve të saj. Kjo lidhje është një faktor i rëndësishëm në pritshmëritë për vendime me ngarkesë të lartë politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për një figurë kyçe të opozitës shqiptare.
Nga ana tjetër, pjesa e dytë e vendimit përmban një mesazh të qartë juridik:
Gjykata Kushtetuese, me unanimitet, e konsideron masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” të Berishës tërësisht jopropocionale dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
* Çfarë tregon ky vendim?
Në funksion të analizës, disa pika duhet të theksohen:
Kundërshtimi i Sali Berishës ndaj masave të SPAK/GJKKO:
Berisha kundërshtoi vendimin e SPAK dhe më pas të GJKKO-së, duke argumentuar se ishte antikushtetues. Por si rezultat, SPAK zëvendësoi masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” me një masë më të rëndë: “arrest shtëpie”.
Gjykata Kushtetuese, me vota unanime, konstatoi se masa fillestare ishte antikushtetuese, duke dëshmuar se kundërshtimi i Berishës kishte baza të justifikuara kushtetuese!
Një analizë juridike më e gjerë:
Gjykata Kushtetuese vendosi se masa e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” për një deputet dhe kryetar partie nuk i përmbush standardet e proporcionalitetit dhe është në kundërshtim me Kushtetutën kur ka një masë si detyrimi për paraqitje e cila është propocionale sipas shumicës së sforcuar!
Për rrjedhojë, edhe masa e arrestit shtëpiak, e cila përfshin një kufizim më të rëndë të lirisë, mund të konsiderohet e papajtueshme me Kushtetutën.
* Përfundime dhe implikime më të gjera
Pavarësisht qëndrimit të ekipit ligjor të Sali Berishës dhe vendimit për të vijuar këtë çështje në Gjykatën e Strasburgut, nga këndvështrimi juridik është e qartë se masa e arrestit shtëpiak është në kundërshtim të hapur me standardet kushtetuese.
Ky vendim ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të masave kufizuese nga institucionet e drejtësisë në Shqipëri, SPAK/GJKKO duke nënvizuar nevojën për një qasje më të kujdesshme dhe të bazuar në proporcionalitet Kushtetues! Për një deputet dhe një figurë kyçe politike, liria e lëvizjes është e ndryshme nga ajo për një qytetar të thjeshtë kur bëhet fjalë për “lëvizjen e lirë” e konfirmuar nga qëndrimet e KiE në 2012!
Në një demokraci funksionale, vendime të tilla duhet të jenë shembull për forcimin e shtetit të së drejtës, jo për dobësimin e tij kur bëhet fjalë për figura kyçe politike të opozitës si Sali Berisha!
Kërkoi para për ushqim/ Babai tregon bisedën e fundit me MartininBabai i Martin Canit ka rrëfyer në lot bisedën e fundit me të birin.
Ai ka treguar se përpara se të nisej për në shkollë, Martini i kishte kërkuar para për të blerë ushqim.
“Sikur na e lehtëson pak dhimbjen gjithë ky popull. Më tha Babush po iki për shkollë! Një ditë para se të shkonte në shkollë më tha do më japësh një 2 mijë lekësh, do marr një tost s’do marr gjëra të shtrenjta. Shpeshherë ai i thoshte se donte të bëhej futbollist kur të rritej, rrëfen babai mes lotësh, i cili shton se gjithmonë e kishte mbështetur në ëndrrën e tij që u la në mes.”- është shprehur babai për Top Chanel.
Ngjarja që ka tronditur opinionin publik, ndodhi pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, dy ditë më parë.
Martini humbi jetën për shkak të plagëve që mori në zemër nga një tjetër i mitur 14-vjeçar.
Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të enjten se Moska ka testuar një raketë të re me rreze të mesme veprimi në një sulm ndaj Ukrainës ndërsa paralajmëroi se Moska mund ta përdorë raketën edhe kundër vendeve që lejuan Kievin të godasë Rusinë me raketat e furnizuara prej tyre.
Putin tha se sulmi me këtë rraketë erdhi si përgjigje ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus këtë javë ku u përdorën raketa amerikane dhe britanike me rreze të gjatë veprimi.
“Rusia do të njoftojë paraprakisht nëse kryen sulme të tjera me raketa të tilla kundër Ukrainës, që të mundësohet evakuimi e civilëve.”- tha Putin.
Putin tha gjithashtu se sistemet e mbrojtjes ajrore të Shteteve të Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të kapin raketat ruse.
“Ne besojmë se kemi të drejtë të përdorim armët tona kundër objekteve ushtarake të vendeve që lejojnë përdorimin e armëve të tyre kundër objekteve tona. Dhe në rast përshkallëzimi të veprimeve agresive, ne do të përgjigjemi me vendosmëri me të njëjtën monedhë”.- u shpreh Presidenti rus në një fjalim drejtuar kombit.
Deklaratat e Putin erdhën disa orë pasi Ukraina njoftoi se Rusia kishte goditur me një raketë balistike ndërkontinentale gjatë natës qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro.
Zëdhënësja e e Pentagonit Sabrina Singh tha se mund të konfirmonte se Rusia kishte lëshuar një raketë eksperimentale balistike me rreze të mesme veprimi. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara ishin njoiftuar parapkrakisht nga kanalet e komunikimit të Qendrës së Reduktimit të Rrezikut Bërthamor.
Zhvillimet vijnë një një javë tensionesh të rrituran me Ukrainën që ka marrë miratimine SHBA dhe Britanisë së madhe për përdorimine raketave me rreze të gjatë veprimi brenda rusisë dhe kësaj të fundit që ka nxjerrë në fushëbetejë mijëra trupa nga korea e veriut.
Flet për herë të parë babai i autorit të dyshuar: Hallin e kam përgjysmë me familjen e MartinitBabai i 14-vjeçarit të dyshuar për vrasjene Martin Canit ka reaguar për herë të parë.
Në një komunikim me Top Chanel ai ka thënë se është i tronditur pas ngjarjes dhe se ndan dhimbjen me familjen e Martinit.
Ai ka shprehur gjithashtu indinjatën dhe pakënaqësinë për mënyrën se si mediat kanë trajtuar ngjarjen.
“Nuk kam folur me familjen e Martinit, jam duke tentuar. Nuk keni pse ndërhyni, kam aq burrni dhe karakter dhe shpirt sa për të folur me familjen e tij. Nuk i kam bërë keq kurrë. Nuk jam një familje ordinerësh, por një familje e lartë, punojmë bashkë me nusen, kemi një djalë për mall dhe atë u munduam ta rrisim siç duhet ta rrisim, por normalisht çdo gjë …. nuk di çfarë të them tjetër…. familjen time nuk mund ta prishë kush. Familja ime ka vepra. Pjesën e dhimbjes e ndaj me zotërinë, sikur me pas vdek djali im”- është shprehur ai.
Më tej ai ka treguar edhe për gjendjen shëndetësore të të birit.
“Fjalët e miletit unë nuk i ndaloj dot se nuk më intereson fare, mua më intereson dhimbja e familjes dhe… Djali im është në spital. Është kalama, është i tronditur dhe është në gjendje shoku, dhe unë dhe nusja jemi në gjendje shoku…”- ka thënë babai i autorit të dyshuar.
Të pikëlluar pas ngjarjes/ Prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrjePrindërit e 14-vjeçarit Martin Cani që u vra me thikë pranë shkollës Fan Noli kanë folur për mediat.
Të pikëlluar, nëna dhe babai i të miturit janë shprehur se nuk duan hakmarrje.
“Ishte shumë fëmijë i dashur, ku ta gjej djalin unë? Martini thoshte do bëhem futbollist i madh”, tha mes lotësh nëna e tij për Top Chanel.
Të pyetur në familja e autorit të dyshuar u ka kërkuar falje, ata shprehen: Deri tani nuk kemi asnjë informacion.
“Ne nuk jemi njerëz që duam hakmarrje, duam paqe duam të punojmë, ne duam të largohemi nga këtu, të shkojmë në SHBA te vëllai im. Mos i ndodhtë askujt. Dua ti jap mesazh njerëzve, askush nuk do ta bëjë djalin kriminel, këtë e besoj”, u shpreh i ati.
Pse po largohen përdoruesit nga X i Musk dhe cilës platformë po i bashkohen?Qindra mijëra përdorues të pakënaqur thuhet se janë larguar nga X i Elon Musk, pas rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-së, me rreth 115,000 llogari të çaktivizuara vetëm në shtetet amerikane një ditë pas votimit.
Personat e famshëm dhe markat e njohura që braktisin platformën përmendin shqetësime në rritje për përhapjen e pakontrolluar të dezinformatave, teorive të konspiracionit dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe atë që ata e konsiderojnë të jetë roli i Musk në administratën e Trumpit.
“X është një platformë toksike mediatike dhe pronari i saj, Elon Musk, ka qenë në gjendje të përdorë ndikimin e saj për të formësuar diskursin politik”, tha The Guardian në një deklaratë ku njoftonte largimin nga platforma.
Por, përcaktimi i numrit të saktë të përdoruesve që largohen nga X është sfidues, pasi platforma nuk lëshon rregullisht të dhënat globale të përdoruesve.
Matt Gaetz tërhiqet nga emërimi për postin e prokurorit të përgjithshëmIsh-ligjvënësi Matt Gaetz tërhoqi të enjten emrin e tij nga emërimi për postin e prokurorit të përgjithshëm nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump, duke thënë se procesi i konfirmimit të tij është shndërruar në një shpërqëndrim.
Me një mesazh në rrjetin X, zoti Gaetz njoftoi se pati takime të shkëlqyera një ditë më parë me senatorët dhe shprehu vlerësimin për mendimet e tyre dhe mbështetjen.
Zoti Gaetz shton se është bërë megjithatë e qartë se konfirmimi ishte shndërruar në mënyrë të padrejtë në një shpërqëndrim për punën jetike të ekipit të tranzicionit për administratën e ardhshme Trump-Vance. Zoti Gaetz mendon se kjo është arsyeja që po e tërheq emrin e tij nga shqyrtimi për postin e prokurorit të përgjithshëm, që në Shtetet e Bashkuara ka funksionet e ministrit të drejtësisë.
Tërheqja e papritur është një hap prapa për përpjekjet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të emëruar persona besnikë në postet e administratës së tij të ardhshme, por edhe një pranim i realitetit të rezervave mes vetë përfaqësuesve e Partisë së tij Republikane ndaj emërimit të tij. Duke u tërhequr, zoti Gaetz shmang atë që pritej të ishte një betejë e ashpër për konfirmimin, që do të kishte vënë në provë se deri ku mund të arrinin senatorët republikanë për të konfirmuar emërimet për anëtarët e kabinetit të ri Trump.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump shkruajti në një postim në mediat sociale se: “Vlerësoj shumë përpjekjet e Matt Gaetz-it për të siguruar mbështetjen për t’u bërë Prokuror i Përgjithshëm. Ai po ia dilte mbanë shumë mirë, por njëkohësisht, nuk dëshiroi të bëhet një shpërqëndrim për Administratën, për të cilën ai ka shumë respekt. Matt ka një të ardhme të mrekullueshme, dhe pres me padurim të shoh gjërat e shkëlqyera që ai do të bëjë!”.
Të mërkurën në mbrëmje Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve nuk arriti të bjerë dakord nëse duhet ta publikonte ose jo raportin e tij hetimor për ish-ligjvënësin Gaetz, i akuzuar për abuzim seksual dhe përdorim droge, përpara se të emërohej nga Presidenti i zgjedhur Trump për postin e prokurorit të përgjithshëm.Njoftimi i zotit Gaetz u bë gjithashtu dy ditë pasi një avokat i dy grave tha se klientet e tij i kishin thënë hetuesve të Komisionit të Etikës se zoti Gaetz i pati paguar për marrëdhënie seksuale në disa raste, duke filluar që nga viti 2017, kur zoti Gaetz ishte ligjvënës i Floridas.
Një nga gratë dëshmoi se e pa zotin Gaetz duke bërë marrëdhënie seksuale me një 17-vjeçare në një festë në Florida në vitin 2017, sipas avokatit Joel Leppard. Zoti Leppard ka thënë se klientja e tij dëshmoi se ajo nuk mendonte se Matt Gaetz-i e dinte se vajza ishte e mitur, se e ndërpreu marrëdhënien e tyre kur e mori vesh dhe nuk e rifilloi atë derisa ajo mbushi 18 vjeç. Mosha e ligjshme në Florida për marrëdhënie seksuale konsensuale është 18 vjeç.
Zoti Gaetz ka mohuar me forcë të ketë bërë shkelje dhe tha vitin e kaluar se hetimi i Departamentit të Drejtësisë mbi akuzat për trafikim seksual, ku përfshiheshin vajza të mitura, kishte përfunduar pa asnjë akuzë federale të ngritur ndaj tij.
E ardhmja politike e zotit Gaetz është e pasigurt, për momentin.
Ai dha dorëheqjen papritur nga vendi i tij në kongres, pasi u përzgjodh për t’u emëruar prokuror i përgjithshëm. Kjo lëvizje u pa si një mënyrë për të mbyllur hetimin e Komisionit të Etikës për akuzat për sjellje të pahijshme seksuale.
Republikanët në këtë komision refuzuan këtë javë të publikonin gjetjet e tij, megjithë kundërshtimet nga demokratët dhe një votim të ndarë. Por komisioni pranoi ta mbyllë takimin dhe kishte planifikuar të mblidhej sërish më 5 dhjetor për ta diskutuar këtë çështje.
Zoti Gaetz fitoi rizgjedhjen në nëntor për në Kongresin e ri, i cili mblidhet më 3 janar 2025. Por është e paqartë nëse ai do ta marrë detyrën e re. VOA/
Dimri dhe ekzema, si ndikon sezoni i ftohtë tek lëkuraEkzema, e njohur gjithashtu si dermatiti, është një gjendje e zakonshme inflamatore e lëkurës.
Ajo shpesh shoqërohet me shenja në lëkurë, skuqje apo kruarje të cilat kthehen në një problem të vërtetë për personin që i përjeton ato. Ekzema duket ndryshe për çdo person, por mund të përjetoni njolla të lëkurës së thatë me luspa, gunga të vogla të ngritura dhe kruajtje të rëndë.
Kjo mund të ndodhë në disa pjesë të vogla ose mund të përhapet gjerësisht në të gjithë trupin. Një gjendje që lidhet ngushtë edhe me kushtet atmosferike pasi lëkura është nga pjesët e para të trupit që preket nga temperaturat. Tanimë që jemi në kulmin e ekstremeve të temperaturave me siguri që këto shqetësime të lëkurës i ndjeni shpesh nëse vuani nga ekzema.
Si e ndikon i ftohti ekzemën?
Ka disa variante të ekzemës është ai i dermatitit alergjik dhe dermatitis irritues i shkaktuar nga kontakti me diçka që e acaron lëkurën. Gjatë dimrit ndodh shpesh që të kaloni ng ai ngrohti në të ftohtë dhe anasjalltas. Këto temperatura për lëkurën ndihen si ekstreme dhe reagimi i saj është i menjëhershëm. Kështu lëkura fillon të shfaqe ose përkeqësojë gjendjen e saj. Sikur të mos mjaftonte kjo, disa njerëz përjetojnë simptoma të përkeqësuara të ekszemës nga pluhuri rreth tyre.
Në dimër ambientet e mbyllura e të paajrosura mirë mund të kthehen në një problem. Një faktor tjetër ndikues është mungesa e vitaminës D gjatë dimrit, të cilën disa studime e kanë lidhur me përkeqësim të ekzemës. Gripi, infeksionet apo inflamacionet e ndryshme gjithashtu lidhen me dermatitin pasi sheqetësojnë sistemin imunitar në përgjithësi.
Çfarë duhet të bëni?
Edhe pse ndodhemi në dimër dhe i ftohti mund ta përkeqësojë gjendjen e lëkurës tuaj fare lehtë, duhet të bëni kujdes edhe nga ngrohja e tepërt. Evitoni tharjen e lëkurës dhe të ajrit nga ngrohësit e ambientit. Sigurohuni që shtëpia juaj të mos jetë e mbinxehur dhe blini paisje që mbajnë lagështinë në parametrat e duhura. Kur bëni dush, kini parasysh që uji duhet të jetë i vakët dhe jo i nxehtë dhe evitoni veshjet shumë të rënda.
Kjo pasi trupi drejsitet dhe mund të përjetoni irritime e përkeqësim të gjendjes.
Shoqata Kombëtare e Ekzemës në SHBA, këshillon të vishni disa shtresa me rroba duke bërë kujdes që këto materiale të jenë pambuk ose mëndafsh./ AgroWeb
Gjykata Kushtetuese shfuqizon masën që i ndalon Berishës daljen jashtë venditGjykata Kushtetuese vendosi këtë të enjte të rrëzojë SPAK për masat e sigurisë të vendosura ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Pas ankimimit të bërë nga Berisha, trupa gjykuese pranoi pjesërisht kërkesën e tij sot, duke shfuqizuar masën që i ndalon ish-kryeministrit daljen jashtë vendit.
Megjithatë, Sali Berisha nuk mund të dalë jashtë Shqipërisë sepse ndodhet në arrest shtëpie.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata shqyrtoi në fillim kriteret e legjitimimit dhe arriti në përfundimin se kërkuesi i plotësonte ato me përjashtim të pretendimit për cenimin e gjykatës se paanshme bazuar në argumentin se gjyqtarja e shkallës së parë ishte shkarkuar më parë prej kërkuesit në funksionin e tij si President i Republikës dhe njëherazi edhe kryetar i KLD-së në atë kohë. Në lidhje me këtë pretendim, gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike në dipozicion, konkretisht nuk i kishte paraqitur ato formalisht gjatë gjykimit të zakonshëm sipas rregullave proceduriale për këtë qëllim. Kërkesa për përjashtim për këtë gjyqtare ishte kërkuar për një shkak të ndryshëm nga ai i mësipërm.
Sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë shpjegimet e kërkuesit dhe prapësimet e palëve, Gjykata me shumicë votash, vlerësoi ta shqyrtonte çështjen në drejtim të të drejtave kushtetuese për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe lirisë së lëvizjes sipas nenit 38 të Kushtetutës.
Në përgjigje të pretendimit të kërkuesit se, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës, prokuroria duhej të kishte marrë autorizim nga Kuvendi përpara se të kërkonte nga gjykatat caktimin e masave të sigurimit personal “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, Gjykata bëri një analizë qëllimore dhe semantike të dispozitës kushtetuese në fjalë. Në kuadër të kësaj analize, Gjykata iu referua edhe materialeve të procesit legjislativ të cilat i paraprinë amendamentit kushtetues të vitit 2012 kur u miratua neni 73/2 me këtë përmbajtje që ka sot, si edhe precedentit në rastin Tahiri dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut.
Gjykata interpretoi shprehjen “heqje e lirisë në çfarëdolloj forme” bazuar edhe në frymën e amendamentit kushtetues të vitit 2012, i cili synonte reduktim sa më të madh të imunitetit procedural të deputetëve, neni 73/2 duhet të interpretohet ngushtësisht si një avantazh i përkohshëm procedural që e gëzojnë deputetët në funksion të mirëfunksionimit të Kuvendit në tërësinë e tij dhe jo si privilegj i deputetëve si individë. Me këtë frymë, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se mbrojtja e përkohshme procedurale që neni 73/2 iu garanton deputetëve i referohet vetëm lirisë personale dhe jo lirisë së lëvizjes.
Gjykata e shqyrtoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në këndvështrim të të drejtës për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës. Duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë), gjykata njëzëri arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.
Gjykata e shqyrtoi masen e sigurimit “ndalim i daljes jashtë vendit” në kuadër të lirisë së levizjes të garantuar nga neni 38 të Kushtetutës, e cila është e ndryshme nga liria personale e garantuar nga neni 27 i Kushtetutës dhe për pasojë kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj Gjykata me shumicë votash vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga Prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm.
Gjykata shqyrtoi pretendimin e kërkuesit në lidhje me paanësinë e gjykatave të posaçme për shkak të parashikimeve të ligjit 95/2016 përkatësisht nenet 48-51, të cilat parashikojnë kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake të gjyqtarëve, familjarëve të tyre nga hetuesit e BKH, e cila sipas kërkuesit varet nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Gjykata me shumicë votash vendosi që pretendimi i kërkuesit është i pabazuar për arsyet e mëposhtëme:
a) autorizimi për regjimin e kontrollit periodik është i parashikuar në Kushtetutë dhe si i tillë nuk mund të bëhet objekt i kontrollit kushtetues;
b) Ligji përmban garanci të mjaftueshme për të siguruar pavarësinë e gjyqtarëve në mënyrën se si realizohet kontrolli pasi rezultatet e kontrollit eventual të kryer nga BKH janë objekt vlerësimi nga gjykata ne rastet e procedimit penal dhe nga KLGJ në rastet disiplinore;
c) Ligji përmban një tërësi garancish të cilat sigurojnë pavarësin e tyre në ushtrim të funksionit për shkak të statusit të posaçëm të këtyre gjyqtarëve çka përfshin emërimin, pagën, karrieren, trajtimin e posaçëm dhe mënyrën e shkarkimit.
Gjykata shqyrtoi edhe pretendimet e kërkuesit për procesin e rregullt në drejtim të mbrojtjes efektive, dhe me shumicë votash vlerësoi se ai është i pabazuar pasi siç kanë arsyetuar gjykatat e zakonshme kërkuesit i është dhënë mundësia e mbrojtjes në përputhje me garancitë proceduriale të parashikuara nga ligji.
Më tej, Gjykata shqyrtoi secilën masë sigurimi në këndvështrim të parimit të proporcionalitetit të lidhur me standardin e arsyetimit. Gjykata me shumicë votash, vlerësoi duke iu referuar arsyetimit të gjykatave të zakonshme se masa e dhënë ndaj kërkuesit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” është propocionale në drejtim të domosdoshmërisë, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.
Ne lidhje me masen tjeter, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës duke shfuqizuar vendimet gjyqesore objekt te shqyrtimit kushtetues, vetem për pjesën qe kane caktuar masën “ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj kerkuesit Sali Berisha per shkak të cenimit të parimit të proporcionalitetit, në aspektin e domosdoshmërisë se kesaj mase, ne kushtet kur qellimet e saj permbushen nga masa tjeter e dhene ndaj kerkuesit “detyrim per t’u paraqitur ne policine gjyqesore”.