zoom

Day ArchiveBorxhi ndaj sigurimeve 240 mln euro, KLSH: Do mjaftonte për indeksimin e pensioneve për shumë vite

Borxhi (detyrimet) në formën e sigurimeve të papaguara të punonjëseve nga bizneset apo dhe vetë institucionet shtetërore arriti në 24,3 miliardë lekë në fund të vitit 2023, sipas të dhënave nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).

KLSH referon se kjo shumë e përafërt me 240 milionë euro do të ishte e mjaftueshme për të përballuar indeksimin e pensioneve për shumë vite.

Mospagimi i detyrimeve të sigurimeve të punonjësve nuk është një shkelje që bëhet vetëm nga bizneset private.

Të paktën 668 ente publike buxhetore dhe jo buxhetore kanë detyrime të papaguara në vlerën e 794 milionë lekëve rreth 8 milionë euro, të cilat duhet të ishin arkëtuar nga Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve për llogari të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), vëren Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në një kontroll të ushtruar në ISSH.

Nga detyrimet e përgjithshme 18,4 miliardë lekë ndiqen nga Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve dhe një shumë prej 5,8 miliardë lekësh janë detyrime nën përgjegjësinë e ISSH-se si arkëtime të vonuara nga bujqit dhe pensione të përfituara në mënyrë të padrejtë ndër vite.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se rreth 103 mijë subjekte debitorë, me vlerë rreth 15.8 miliard detyrime të prapambetura dhe më gjithë kamata dhe gjoba arrin në 18,4 miliardë lekë.

Një subjekt identifikohet si debitor nga mospagimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore në momentin kur pagesa e kryer është më e vogël në vlerë se vlera e përcaktuar në Deklaratën e Listë pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe të ardhurave nga TAP, ku afati ligjor i pagesës së tyre është data 20 e muajit pasardhës.

Nga analiza e të dhënave të debitorëve rezulton se trendi i mos-pagesës së detyrimeve për kontribute është në rritje si në numër dhe në vlerë.

Peshën më të madhe të detyrimeve e zënë subjektet juridike, biznes i madh me 58% dhe subjektet biznes i vogël zënë 38% të vlerës totale të detyrimit ( detyrim+gjobë+interesa).

Detyrimet e papaguara nga subjektet nën përgjegjësi të DPT-së, janë progresive dhe dërgohen nga DPT çdo 3 muaj, sipas akt marrëveshjes midis dy institucioneve, për të cilat ISSH nuk ka tagër në mbledhjen e tyre.

KLSH vë në dukje se detyrimet e papaguara nga subjektet debitorë në lidhje më shumat e papaguara të kontributeve, përfaqësojnë një numër të konsiderueshëm personash, të punësuar në këto subjekte, të cilët nuk mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore (pensione, leje barrë-lindje, raporte mjekësore etj).

Të dhënat tregojnë se gati gjysma e  borxhit është i arkëtueshëm, pasi zotërohet nga ndërmarrjet që kanë status aktiv.

Subjektet aktive debitorë rezultojnë në numër 44,980 ose zënë rreth 41% të numrit gjithsej të subjekteve debitorë dhe në vlerë 8,5 miliardë lekë ose 47% të të gjithë shumës të detyrimit prej 18,4 miliardë lekësh.

Peshën specifike më të lartë kundrejt totalit të detyrimeve të subjekteve aktive e kanë Subjektet juridike prej 53%, e më pas biznesi i vogël me 41% dhe subjektet publike mesatarisht me 6%./Monitor

Çfarë ndodh në organizëm kur hani nga stresi dhe si ta kuptoni

Stresi shkakton një kaos të vërtetë në organizëm dhe ndikon në funksionin e të gjitha organeve.

Në shumë raste, stresi nxit ushqyerjen e tepruar e pa fre, pavarësisht mungesës së urisë.

Kjo nënkupton se në situata stresuese, janë emocionet ato që diktojnë kohën kur njeriu duhet të ushqejë dhe sasinë e ushqimeve të konsumuara.

Çfarë ndodh në organizëm kur jeni të stresuar

Në situata stresuese, në organizëm çlirohet hormoni kortizol i cili shton oreksin dhe dëshirën për të ngrënë.

Njerëzit që janë të stresuar kanë tendencën të hanë më shumë ushqime të pasura me yndyrna dhe sheqer.

Kur kortizoli kombinohet me insulinën, atëherë njeriu nuk di të frenojë përpara ushqimeve.

Ekspertët finlandezë, thonë se gratë dhe vajzat janë më të prirura ta teprojnë me ushqimin kur janë të stresuara.

Kësisoj kjo gjini është më e rrezikuar nga obeziteti.

Sipas ekspertëve, njerëzit që e teprojnë me ushqimin kur janë të stresuar rrezikojnë të bëhen obezë në një periudhë më të shkurtër kohore se njerëzit që e teprojnë me ushqimin por që nuk janë të stresuar.

Kjo do të thotë se stresi ndikon direkt tek mënyra se si trupi depoziton yndyrnat dhe niveli i shëndoshjes.

Cilat janë shenjat që tregojnë se stresi ju shtyn drejt ushqimit

Ekspertët thonë se njeriu mund të jetë i vëmendshëm ndaj mënyrës së të ngrënit dhe të dallojë nëse stresi është faktor nxitës.

Disa prej shenjave që tregojnë se zgjedhjet tuaja ushqimore përcaktohen nga stresi janë:

Ushqyerja robotike,

Ndjesia e fajit dhe turpit pas të ngrënit,

Ushqyerja e izoluar dhe në vende të çuditshme,

Ushqyerja e nxituar pas një argumenti,

Nepsi për të ëmbla dhe ushqime të yndyrshme.

Kjo tendencë mund të luftohet duke u përpjekur për të gjetur burimin e stresit dhe përballur me të.

Aktiviteti fizik përbën strategjinë më të mirë për të qëndruar larg ushqimeve të panevojshme.

Ecja, meditimi, joga, vrapi kanë fuqinë të pastrojnë organizmin nga emocionet e këqija, thonë ekspertët.

Njerëzit që vuajnë nga stresi duhet të kërkojnë ndihmë e të këshillohen edhe me një terapist, i cili mund t’ju ndihmojë që të kuptoni se zgjidhja ndaj stresit nuk qëndron tek frigoriferi./AgroWeb.org

Lukashenko: Zoti na ruajt që të mos shohim një Presidente grua, është punë burrash

Shumë njerëz gjatë epokave kanë pyetur veten se çfarë duhet për të qenë president. Alexander Lukashenko, president i Bjellorusisë për tre dekada, ka përgjigjen e tij: Duhet të jetë një burrë.

Zoti na ruajt një grua të zgjidhet në Bjellorusi“, tha Lukashenko, i cili është përshkruar si 

Madje ai pohoi se puna e presidentit në Bjellorusi është shumë më e vështirë sesa në Shtetet e Bashkuara. “Është puna më e vështirë, një grua nuk duhet të rëndohet kështu”, tha ai.

Lukashenko deklaroi se Bjellorusia mund të përfundojë me një stil të politikës si ai i SHBA. “Për momentin është ndryshe. Ky nuk është stil femëror ”, argumentoi ai, duke shtuar se beson se “një grua duhet të jetë grua”.

Ne nuk duhet të kalojmë përgjegjësitë tona te gratë. I admiroj femrat, nuk ua pakësoj aspak rolin. Por ata duhet të jenë aty që ne të mbështetemi, një shpatull i fortë”, argumentoi ai.

Lukashenko kandidon edhe për një mandat në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 26 janar 2025.

Shqipëria me numrin më të ulët të studentëve të huaj në Europë

Studimet e larta janë një mënyrë e mirë për të gjeneruar të ardhura nga jashtë dhe shumë shtete ofrojnë mundësi për të tërhequr studentë nga vendet e tjera.

Sipas të dhënave të Eurostat që i takojnë vitit 2022 rezulton se Shqipëria kishte numrin më të ulët të studentëve të huaj në Europë me vetëm 1872 të tillë.

Vendi ynë ka renditje shumë më të dobët se edhe vendet e tjera të Rajonit. Në Maqedoninë e Veriut u numëruan mbi 4700 studentë të huaj, ndërsa në Serbi mbi 11,200 të tillë.

Ndër vendet europiane, Franca, Gjermania dhe Turqia kryesojnë Europën për numrin e lartë të studentëve të huaj. Në vitin 2022 mbi 263 mijë studentë kishin zgjedhur universitetet franceze për studime, të ndjekur nga Gjermania me 252 mijë studentë të huaj dhe Turqia me 244 mijë të tillë.

Polonia, Spanja, Italia ishin ndër vendet e tjera me numrin me të lartë e studentëve të huaj me nga rreth 90 mijë secila.

Nga vendet e Gadishullit Ballkanit bie në sy Rumania me rreth 38 mijë studentë të huaj.

Të rinjtë kur vendosin të studiojnë në një vend të huaj, nisën nga cilësia arsimore dhe nga kostot ( të tilla si tarifat e studimeve-kostot e jetesës si qiratë dhe ushqimi).

Vende të tilla si Gjermania dhe Franca ofrojnë arsim të lartë cilësor dhe tarifa të ulëta, ndërsa vendet e lindjes zakonisht zgjidhen për kostot e ulëta të jetesës.

Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të Europës ofron kosto të ulëta jetese po nuk ka ofertë arsimore të cilësisë së lartë. Universitet shqiptare renditen të fundit në listat e akreditimit dhe vendi duket se nuk po bën hapa para për të rritur cilësinë edhe për vendasit.

Ekspertët e arsimit sugjerojnë se Shqipëria duhet të mendojë fillimisht të përmirësojë ofertën e arsimit të lartë për të frenuar ikjen e të rinjve shqiptarë për të studiuar jashtë vendit.

Të dhëna nga OECD-së tregojnë se një stok prej rreth 18 mijë studentësh shqiptare ndjekin studimet në universitet jashtë vendit.

Megjithatë universitetet private në kushtet kur numri i të rinjve po bie me shpejtësi po përpiqen të ndërtojnë oferta dhe programe mësimore për të huajt./Monitor

Jeta personale e Mike Tyson: tre martesa, tetë fëmijë dhe një sekret i errët

Mike Tyson do të kthehet në ring për t’u përballur me YouTuber-in e kthyer në boksier Jake Paul.

Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në Netflix dhe do të konsiderohet si profesionale, e cila do të llogaritet në rekordet e të dy boksierëve.

‘Iron Mike’ do të rijetojë të kaluarën e tij si një nga peshat e rënda më të rëndësishme të të gjitha kohërave.

Përtej polemikave të tij në ring, me skenën e kafshimit në veshin e Holyfield ende në fokus pothuajse 30 vjet më vonë, Tyson ka një listë të gjatë polemikash në jetën e tij private: nga tre martesat e tij të dështuara, fëmijët dhe tradhtitë, si dhe disa arrestime.

Në adoleshencë, boksieri amerikan është arrestuar disa herë për vepra të ndryshme, kryesisht për dhunë dhe vjedhje. Drama e tij familjare, duke shkuar nga një shtëpi kujdestare në tjetrën, e çoi në një palestër, ku filloi historia e tij si sportist dhe deri sa arriti në profesionalizëm.

Tre martesat e Mike Tyson

Në vitin 1988, ai takoi gruan e tij të parë, Robin Givens, por shpejt u divorcuan mes thashethemeve se jeta e tyre së bashku ishte e zhytur në dhunë, abuzim dhe mashtrim. Në fakt, Givens shkoi aq larg sa e përshkroi martesën e saj me Mike Tyson si “torturë”.

Në vitin 1990 u tha se djali i Natalie Fears, D’Amato Tyson, ishte djali i boksierit, por shpejt u vërtetua se nuk ishte kështu.

Vajza e tij e parë është Mikey Lorna Tyson dhe martesa e tij e dytë nuk do të vinte deri në vitin 1997, pasi u lirua nga burgu pasi kreu dënimin për përdhunim dhe u lirua herët për sjellje të mirë.

Gëzimi nuk zgjati shumë, pasi Mike Tyson dhe Monica Turner u divorcuan në vitin 2003, megjithëse prej disa kohësh jetonin të ndarë, me disa akuza nga Turner për tradhti nga ana e Tyson.

Së bashku, megjithatë, ata patën dy fëmijë: Rayna dhe Amir. Ai kishte edhe dy fëmijë të tjerë, Miguel dhe Exodus, me një striptiste.

Martesa e tij e tretë dhe e fundit do të vinte në qershor 2009, me të dashurën e tij Lakiha Spicer në Las Vegas. Nga ky bashkim lindën Milani dhe Maroku.

Ranieri përfundon pensionimin për t’u bërë trajner i Romës

Claudio Ranieri është emëruar trajner i Romës deri në fund të sezonit, gjashtë muaj pas shpalljes së pensionimit të tij.

Ranieri ka marrë gjithashtu një rol këshillues për pronarët e klubit italian dhe do të ndihmojë në kërkimin e një trajneri të përhershëm.

“Në fund të sezonit, 73-vjeçari do të “kalojë në një rol të lartë ekzekutiv”, tha klubi.

Ranieri, i cili ka drejtuar dy herë klubin e qytetit të tij përpara se të përfshinte një stazh të përkohshëm në 2019, u tërhoq në maj pasi udhëhoqi Cagliarin drejt mbijetesës.

Emërimi i tij vjen pas shkarkimit të Ivan Juric të dielën. Kroati Juric zgjati vetëm 12 ndeshje pasi zëvendësoi Daniele de Rossi katër ndeshje në këtë sezon. Ish-mesfushori i Italisë De Rossi ishte trajner për tetë muaj pas largimit të Jose Mourinhos në janar.

Ranieri ka drejtuar 18 klube gjatë karrierës së tij 37-vjeçare si trajner, si dhe ekipin kombëtar të Greqisë.

Arritja kurorëzuese e karrierës së tij ishte titulli i Premier League që fitoi me Leicester City në sezonin 2015-16.

Roma ishte e lidhur me ish-trajnerin e Manchester Cityt, Roberto Mancini, i cili së fundmi u largua nga posti i tij si trajner i Arabisë Saudite.

Pavarësisht se ka shpenzuar më shumë se 80 milionë funte gjatë afatit kalimtar të verës, Roma është e 12-ta në Serie A me 13 pikë pas 12 ndeshjeve dhe është e 20-ta në tabelën e Europa League me pesë pikë pas katër ndeshjeve.

Ndeshja e radhës e Romës në Serinë A është në Napoli më 24 nëntor.

BE gjobit kompaninë Meta me 840.24 milionë dollarë

Komisioni Evropian tha të enjten se ka gjobitur kompaninë Meta me 840.24 milionë dollarë për shkak të praktikave të përfitimeve abuzive në favor të shërbimit të shitjeve dhe blerjeve online Facebook Marketplace.

“Komisioni Evropian ka gjobitur Metën për shkeljen e rregullave antitrust të BE-së duke lidhur shërbimin me reklama për shitje Facebook Marketplace me rrjetin social personal Facebook dhe duke vendosur kushte të padrejta tregtare ndaj ofruesve të tjerë të shërbimeve të reklamave në internet”, tha Komisioni Evropian.

Meta tha se do të apelojë vendimin, por ndërkohë do të respektojë dhe do të punojë me shpejtësi dhe në mënyrë konstruktive për të gjetur një zgjidhje për t’iu përgjigjur shqetësimeve.

Lëvizja e Komisionit Evropian vjen dy vjet pasi ai akuzoi gjigantin e teknologjisë amerikane se i dha shërbimit Facebook Marketplace një avantazh të padrejtë duke i lidhur të dy platformat së bashku.

Bashkimi Evropian hapi procedurat zyrtare ndaj veprimeve të platformës Facebook që mund të binin ndesh me konkurrencën në qershor 2021 dhe në dhjetor 2022 shtroi shqetësimin se Meta e lidh rrjetin e saj social dominues Facebook me shërbimet e tij të reklamave në internet.

Facebook e hapi shërbimin Marketplace në vitin 2016 dhe e përhapi atë në disa vende evropiane një vit më vonë. Vendimi i BE-së argumenton se Meta ua imponon platformën Facebook Marketplace përdoruesve të Facebook-ut duke krijuar një “lidhje” të paligjshme, por Meta tha se ky argument injoron faktin se përdoruesit e Facebook-ut mund të zgjedhin nëse angazhohen ose jo në Marketplace dhe shumë prej tyre zgjedhin të mos ta bëjnë një gjë të tillë.

Meta tha se Komisioni pretendon se Marketplace ka potencialin të pengojë rritjen e tregjeve të mëdha ekzistuese online në BE, por shtoi se nuk ka dhënë prova se shërbimet konkurruese kanë pasur pasoja.

Kompanitë rrezikojnë gjoba deri në 10% të qarkullimit të tyre global për shkeljet e rregullave antitrust të BE-së./VOA

Misteri i vrasjes së biznesmenit, gazetarja: Dyshohet se Eduart Reçi u qëllua nga një dhomë hoteli

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje nga vrasja e mistershme e biznesmenit Eduart Reçi, krim i ndodhur mbrëmjen e së mërkurës pranë Fakultetit Ekonomik.

Ajo ka treguar se ka dyshime se biznesmeni i ndërtimit u qëllua nga një dhomë hoteli me fushëpamje nga vendi ku po qëndronte viktima, pranë pallatit të vet, ku edhe banonte.

“Ka dyshime se u qëllua nga dhoma e një hoteli që kishte fushëpamje mbi këtë sheshqëndrim”, tregoi gazetarja.

Klodiana Lala u shpreh se viktima po fliste në telefon me një person që do t’i çonte mjetin për ta rregulluar.

Ndërsa sipas saj, mendohet se distanca nga është qëlluar të jetë 25-30 metra, por ende s’ka asnjë gjurmë të autorëve.

“Është ngjarje e çuditshme. Kamerat nuk kapnin asnjë moment, Eduard Reçi, 52 vjeçar u plagos dhe sot ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës. U qëllua me plumb në kokë. Mekanizmi është i çuditshëm. Ai ka qenë në sheshpushimin e pallatit ku banonte, po fliste në telefon me një person që do t’i çonte mjetin për ta rregulluar. Ka dyshime se u qëllua nga dhoma e një hoteli që kishte fushëpamje mbi këtë sheshqëndrim.

Mendohet të jetë 25-30 metra distanca. Është bërë kontroll i hotelit dhe pallateve të larta aty në zonë. Nuk janë gjetur gjurmë të autorëve. Eduard Reçi, kohët e fundit nuk kishte patur problematikë. Ka punuar dikur në SHISH, është tërhequr nga ajo punë. Bëhet fjale për 25 vite më parë.  Ishte futur më pas në tokën ku ka ndërtuar pallatin me kompaninë e tij, kishte legalizuar. Bashkëshortja punon në një nga përfaqësitë diplomatike, është pedagoge e gjuhëve të huaja. Kanë dy fëmijë. Familja ka pretenduar se nuk ka konflikt dhe nuk është ruajtur në asnjë rast.

Disa kohë më parë ka bërë kallëzim penal për rast vetëgjyqësie, për një person që pranë pallatit të tij ka një pronë. Kjo çështje është pushuar më parë.

Për motivin, prokuroria dhe policia kam përshtypjen se janë shumë larg. Gjatë të gjithë javës, përpara lokalit, janë hedhur fishekzjarrë dhe kapsolla. Në momentin që është qëlluar, qytetarët kanë menduar se po vijonte i njëjti ritual si ditët e tjera. Për këtë arsye nuk është menduar si vrasje në momentin e parë. Kur e kanë parë në tokë e kanë kuptuar. Kamerat shfaqin momentin kur ai bie pa ndjenja, por nuk shfaqin autorin e dyshuar askund. Janë marrë kamerat dhe po shihen me kujdes hyrjet dhe daljet për të parë se kush mund të ketë qenë.

Ndërkohë hetuesit do të kthehen edhe në vitet 97′-98′, nëse ka patur problematika në qytetin e lindjes.

Ajo që u mendua si ngjarje e thjeshtë, nga mënyra si është kryer, hetuesit besojnë se ka patur një përgatitje. Dyshohet për qitës profesionist, që ka bërë gjuajtje në distancë”, tha gazetarja Klodiana Lala në emisionin Te Paekspozuarit.

Selena Gomez: S’do të doja të hyja në industrinë e argëtimit aq e vogël! Ishte periudhë e vështirë

Selena Gomez pranoi se do të donte të mos kishte hyrë në botën e argëtimit në një moshë as të vogël.

Ylli 32-vjeçar filloi aktrimin në moshën 10-vjeçare, duke u shfaqur në 13 episode të serialit për fëmijë Barney.

Në moshën 15-vjeçare, ajo tashmë kishte një rol kryesor në serinë e njohur të Disney Channel, Wizards of Waverly Place, e ndjekur nga filmat Another Hirushella Story, Ramona dhe Beezus dhe Monte Carlo.

Duke reflektuar për karrierën e saj të hershme për revistën Elle Women in Hollywood 2024, Gomez tha: “Nuk jam penduar dhe kam një familje të shkëlqyer dhe prindërit e mi vendosin disa rregulla, të cilat i vlerësoj. Megjithatë, nuk mendoj se do ta kisha filluar karrierën aq e vogël, nëse do të mendoja tani nga këndvështrimi im.

Kishte shumë gjëra që ndjeva se më penguan. Presioni nga shumë njerëz nuk më ndihmoi të zhvilloja një ndjenjë të vetvetes në të njëzetat e mia. Ishte një periudhë shumë e vështirë.

Unë jetoj me të çdo ditë. Mundohem të qëndroj pozitive dhe të fokusohem në gjëra si ky film që më bëjnë vërtet të lumtur. Por unë do të thoja që prisni dhe jetoni pak jetën tuaj në fillim”.

Duke zbuluar punën më të vështirë të karrierës së saj deri më tani, Selena tha per Elle: “Përvoja më e vështirë, sepse isha vetëm 18 ose 19 vjeç, ishte Spring Breakers. Ishte gjëja e parë që bëra menjëherë pas serialit Disney dhe ishte një ndryshim”.

Selena Gomez është ndër të famshmit e nderuar në listën e Elle’s Women of Hollywood 2024, së bashku me emra si Danielle Deadweiler, Cynthia Erivo, Carla Sophia Gascon, Mikey Madison, Demi Moore, Julianne Moore, Cersa Ronan, Zoe Saldana dhe Tilda Swinton.

Ledri fajëson Sarën për ndarjen: Nëse do ishte më private, sot do ishim ende bashkë

Reperi Ledri Vula duket se ka fajësuar partneren e tij Sara Hoxha, me të cilën ka edhe një vajzë, Poin, për fundin e marrëdhënies së tyre.

Artisti është shprehur se nëse Sara Hoxha do të kishte qenë më private, mund të ishin ende bashkë sot.

Ai tregoi se ndarja në fillim ishte e vështirë për vajzën e tyre, por shtoi se kur ia shpjeguan Poi e pranoi.

sara hoxha ledri vula3

“Kur vjen Poi në Prishtinë, s’ka vend për asnjë tjetër, as për vajzë, ndonjë shoqe të Poit po. Nuk e vras mendjen për komentet, kam qejf të lexoj të mirat.

Ndoshta po të kishte qenë Sara më private, sot mund të kishim qenë edhe bashkë nuk i dihet… Nuk i duhet kurrë domethënë,

Në fillimin ishte shumë e vështirë për Poin. Kur ia kemi shpjeguar Poit ndarjen, ka qenë pranuese. Ka thënë: ‘Java ime me mamin, java ime me babin’. Për ndarjen më vjen keq vetëm Poin, për gjë tjetër jo. Tani po rritet me më shumë dashuri”, u shpreh ai në “Mirëmbrëma yje”.

“Do të krijosh familje tjetër? “Nuk e di, unë vdes për Poin. Do të kisha qejf që Poi të kishte dy motra, edhe djalë. Por për momentin jam mirë me Poin, por nuk i dihet jetës. Gjithmonë ka vend për dashuri, jam i dashur dhe djalë familjar”, u shpreh Ledri Vula.