zoom

Day ArchivePopullsia e Tiranës u tkurr me 29 mijë banorë dekadën e fundit

Popullsia e qytetit të Tiranës pa përfshirë njësitë administrative ish komunat rezultoi 389,323 banorë në cens 2023 me ulje 7% ose (29,172) banorë më pak se të dhënat e cens 2011, ku u numëruan 418,495 banorë (shiko tabelën e mëposhtme).

Të  dhënat e detajuara të cens 2023 për popullsinë dhe banesat në Bashkinë e Tiranës tregojnë për zhvendosje të mëdha atë popullsisë nga qyteti në ish komuna dhe në fshat. Pakësimi i popullsisë në kufijtë e bashkisë së qytetit ka qenë në zhvillim të kundërt me volumet e larta të ndërtimit brenda qytetit me kulla dhe komplekse pallatesh.

Banorët e kryeqytetit janë zhvendosur drejt skajeve. Psh popullsia e Kasharit, një ish komunë u rrit me 106 për qind ndërmjet dy censeve. Në vitin 2023 në Kashar rezultuan mbi 89 mijë banorë nga 43 mijë që ishin në vitin 2011. Komuna e Kasharit mori zhvillim të shpejtë në ndërtimin e objekteve për banim, por nuk ishte i mirë-studiuar, pasi nuk u shoqërua me infrastrukturën mbështetëse si shkolla dhe qendra shëndetësore.

Më pas rritjen më të madhe të popullsisë e ka ish komuna e Dajtit, popullsia e së cilës arriti në mbi 35 mijë banorë me rritje 74 % nga 2011.

Komuna e Farkës gjithashtu kishte rritje me 60% të popullsisë ndërmjet 2011 dhe 2023, duke shënuar 36 mijë banorë aktualisht. Gjithashtu ish- komuna e Petrelës regjistroi mbi 5,700 banorë me 2023 më një rritje 21% nga 2011-ta.

Në 8 isha komuna të tjera si Peza, Bërzhita, Ndroqi, Baldukshu, Zall Ballstar, Krrabë, Shëngjergj  dhe Zall Herr popullsia ka rënë me ritme dyshifrore ndërmjet dy censeve.

Lëvizjet e popullsisë tregojnë se qyteti i Tiranës po behet gjithnjë e më shumë i pajtueshëm dhe i shtrenjtë sidomos nga familjet e reja.

Në dhjetë vitet e fundit familjet e reja kanë preferuar të blejnë prona në periferi të Tiranës, sakaq territori i qytetit të vjetër është pakësuar nga emigrimi, rënia e lindjeve dhe zhvendosja në periferi.

Të dhënat sugjerojnë se, popullsia me nivel ekonomik mbi mesataren është zhvendosur nga Tirana në komplekset rezidenciale të ngritura në ish komuna, teksa familjet e reja kanë preferuar të nisin jetën në periferitë, ish komunat e Dajtit dhe Kasharit pasi ishin më të përballueshme për blerjen e shtëpive.

Rritjet e çmimeve të banesave në Tiranë edhe në kushtet e rënies së popullsisë, po bëhet shkak për zhvendosje gjithnjë e më shumë të popullsisë së re ne zonat periferikë jashtë qytetit./Monitor

Dënohet me burg presidenti i klubit të futbollit që goditi me grusht arbitrin

Klubi turk i futbollit Ankaragucu ka mbrojtur ish-presidentin e tyre Faruk Koca pasi ai u dënua me burg për sulmin ndaj arbitrit.

Të hënën, një gjykatë në kryeqytetin turk Ankara dënoi 60 vjeçarin me 3.7 vite burg për “plagosje të qëllimshme të një zyrtari publik”.

Faruk Koca u dënua gjithashtu me kusht për kërcënime dhe shkelje të ligjeve në lidhje me dhunën në sport.

Ai goditi me grusht arbitrin Halil Umut Meler në fytyrë pas barazimit 1-1 me Rizespor në dhjetor 2023, duke e lënë zyrtarin me një frakturë në sy.

Meler ra në fushë dhe më pas u godit me shkelma nga tre persona të tjerë. Ankaragucu ripohoi mbështetjen e tyre për Koca, duke përmendur kontributet e tij pozitive në futbollin turk gjatë qëndrimit të tij tre-vjeçar si president dhe e quajti atë një “legjendë”.

Klubi argumentoi se dënimi është joproporcional pasi Koca dha dorëheqjen nga posti i tij dhe kërkoi falje publike pas sulmit.

Zbuloi sekretet e Pentagonit, dënohet ish-anëtari i Gardës Kombëtare Ajrore në SHBA

Anëtari i Gardës Kombëtare të Ajrore në SHBA, Jack Teixeira u dënua me 15 vjet burg për zbulimin në internet të dokumenteve të ushtrisë amerikane shumë të klasifikuara, duke përfshirë disa që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës. Ai kërkoi falje në gjykatë për veprimet e tij.

22 vjeçari u dënua nga gjykatësja e qarkut të SHBA, Indira Talwani në Boston pasi u deklarua fajtor në mars për kryerjen e asaj që prokurorët federalë kanë quajtur një nga shkeljet më të rëndësishme të ligjit anti-spiunazh të kryer ndonjëherë në SHBA

“Më vjen keq për të gjithë dëmin që kam shkaktuar”, tha Teixeira, i veshur me një uniformë burgu portokalli, gjatë seancës së tij të dënimit.

Gjykatësja deklaroi se Teixeira zbuloi informacione të fshehta pasi mori një trajnim të gjerë mbi nevojën për të mbrojtur informacionin e klasifikuar nga zbulimi dhe paralajmërimet në lidhje me dënimet me të cilat mund të përballet.

“Pavarësisht kësaj, ju postuat në internet, në Discord, qindra dokumente gjatë një periudhe prej një viti”, tha Talwani për Teixeira. “Fakti që të tjerët nuk bënë më shumë për t’ju ndaluar është me të vërtetë për të ardhur keq.”

 

Kërkesa e Beqajt që “ndezi” Komisionin! VOA: Mbledhja u ndërpre disa herë! Debati zgjat 5 orë, por…

Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u thirr sot të dëshmojë para komisionit hetimor parlamentar mbi sterilizimin dhe check up-in lidhur me koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, miratuar nëntë vjet më parë. Zoti Beqaj kërkoi që deklaratën e tij ta ilustronte me mjete audio-vizuale, por kjo kërkesë futi në debate pro dhe kundër anëtarët e komisionit për mbi pesë orë. Komisioni ndërpreu dhe rinisi mbledhjen disa herë gjatë ditës, ndërsa deputetët vazhduan debatin me të njëjtat qëndrime, pa arritur një mirëkuptim mbi kërkesën e zotit Beqaj. Ish ministri Beqaj akuzohet nga SPAK-u për shpërdorim detyre gjatë procedurave të miratimit të koncesionit.

I shoqëruar nga avokati, ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u përcoll prej policisë nga mjediset e burgut me lejen e SPAK-ur për të dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar mbi koncesionet e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale dhe check up-et. Por edhe pse mbërriti në mjediset e Kuvendit rreth orës 10 dhe është i pari në listën e sotme të dëshmitarëve, zoti Beqaj nuk e nisi dëshminë dhe deklaratën e tij as pas 5 orësh.

Pas një debati të ndezur pro dhe kundër mbi zgjatjen e mandatit të punës së komisionit dhe për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama dhe sipërmarrësen Vilma Nushi, ish ministrit Beqaj iu dha fjala për shpjegimet e tij. Ai tha se ishte përgatitur për një deklaratë para se të nisnin pyetjet e deputetëve, por dëshironte që ta ilustronte atë me pamje, foto e video si dhe tregues të tjerë përmes mjeteve audio vizuale.

“Po pres që ju të merrni një vendim mbi kërkesën time. Ligji thotë se vendimet merren me votim, por nuk thotë se kryetarja ka kompetencë të rrëzojë kërkesat me vendimin e saj personal”, tha mes të tjerash zoti Beqaj.

Kërkesa e zotit Beqaj rindezi një tjetër debat pro dhe kundër afro tre orë të tjera nëse aij do t’i mundësohej apo jo një parashtrim i deklaratës së tij me ndihmën e pajisjeve elektronike.

Deputetët socialistë u shprehën se zoti Beqaj mund ta bënte deklaratën shumë më të qartë dhe më të kuptueshme përmes elektronikës dhe se po i shkeleshin të drejtat, ndërsa opozitarët këmbëngulën se një deklaratë vetjake zoti Beqaj mund ta mbante edhe pa ndihmën e elektronikës, e cila nuk u ishte ofruar as dëshmitarëve të tjerë nëpër komisione hetimore dhe se pjesa kryesore e seancës dëgjimore ishin përgjigjet e tij mbi pyetjet e shumta të deputetëve.

Kryetarja Albana Vokshi tha se propaganda e parapërgatitur nga zoti Beqaj ishte e panevojshme dhe se ishin përgatitur nga komisionerët një numër i jashtëzakonshëm pyetjesh ndaj tij lidhur me koncensionet në shëndetësi

“Zoti Beqaj! A do ta lexoni deklaratën tuaj? Se paraqitja juaj propagandistike me foto a video, apo krahasime me shumë vite më parë janë jashtë objektit të hetimit. Nuk po lejojnë kolegët tuaj socialistë, që të flisni. Mos dëgjoni ata, por nisni të lexoni deklaratën tuaj, se ne kemi një mijë pyetje mbi koncesionet”, tha zonja Vokshi.

Deputetët socialistë këmbëngulën që kërkesa e zotit Beqaj për një deklaratë me ndihmën e teknologjisë digjitale të hidhej në votim, por kryetarja e komisionit nuk pranoi, sepse sipas saj, nuk e lejonte procedura e diktuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese.

Edhe zoti Beqaj përsëriti se priste që komisioni të merrte një vendim mbi kërkesën e tij, ndërsa socialistët theksuan se refuzimi për pajisje elektronike ishte një përpjekje për të penguar dëshminë e ish ministrit socialist.

Mbledhja e komisionit hetimor u ndërpre herë pas here për shkak te tensioneve mes deputetëve të opozitës dhe të shumicës, të cilët vazhdimisht ia ndërpritnin fjalën njëri tjetrin dhe fajësonin njëri tjetrin se po e pengonin zoti Beqaj që të dëshmonte. Dëshmia e tij ende nuk kishte nisur edhe gjashtë orë pas hapjes së mbledhjes së komisionit.

“Gjykata Kushtetuese thotë që e drejta për të marrë vendime është e pamohueshme, sepse nuk ka sens që një organ kolegjial të funksionojë pa vendim-marrje”, tha nënkryetari socialist i komisionit Plarent Ndreca.

Koncensioni i sterilizimeve kirurgjikale është hetuar gjatë nga SPAK-u, i cili e ka përcjellë çështjen për gjykim që prej muajit mars në Gjykatën e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, akuzohet nga SPAK-u për shpërdorim detyre gjatë procedurave të miratimit të koncesionit dhjetëvjeçar për sterilizimin e pajisjeve dhe mjediseve kirurgjikale në spitalet publike nga viti 2015 për afro 100 milionë euro.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dyshon se llogaritjet mbi kostot e sterilizimit janë të fryra, dhe se ministri ishte në dijeni të kësaj por nuk ndërhyri as për t’i anulluar ato dhe as për të shmangur konfliktin e interesit mes zëvendësit të tij dhe sipërmarrësit përfitues të koncesionit.

Ish zv.ministri Klodian Rrjepaj akuzohet për falsifkim dokumentash në përshtatje me nevojat e përfituesve të paracaktuar, ndërsa sipërmarrësi Ilir Rrapaj akuzohet për mashtrim.

Gjatë dëshmisë së tij dje para komisionit hetimor ky i fundit tha se nuk kishte njohje me ish ministrin Beqaj as me ish zëvendës ministrin Rrjepaj dhe se u njohën vetëm gjatë bashkëpunimit të këtij koncesioni, ku ai ishte ortak me 40 përqind të aksioneve të kompanisë fituese./VOA

Zbuloni arsyet pse ju dhembin flokët, si të qetësoni irritimet e skalpit

Nëse ndonjëherë keni përjetuar dhimbje të flokëve, kjo ndjesi e çuditshme nuk është e pazakontë.

Shpesh ajo shkaktohet nga problemet me skalpin tuaj dhe arsyet mund të jenë neurologjike ose si pasojë e inflamacionet në lëkurë.

Në këtë artikull AgroWeb.org ju njeh me shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së kokës për t’ju ndihmuar të arrini të kuptoni rrënjën e problemit.

Gjithashtu do të ndajmë me ju edhe disa mënyra për të parandaluar dhe për të qetësuar skalpin e ndjeshëm.

Zbokthi

Rritja e tepruar zbokthit nxit inflamacionin, i cili përkthehet në skuqje, kruajtje dhe në disa raste më të rënda edhe dhembje.

Për këtë provoni të përdorni një shampo kundër zbokthit që përmban parathion zinku, i cili ndihmon në reduktimin e zbokthit dhe mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit.

Fërkojeni atë në lëkurën e kokës me majat e gishtave dhe lëreni të qëndrojë disa minuta përpara se ta shpëlani.

Ju gjithashtu duhet të përdorni shampo bazuar në llojin e flokëve tuaj.

Nëse keni një skalp të yndyrshëm, larja e shpeshtë mund të ndihmojë në parandalimin e zbokthit.

Por kini kujdes sepse edhe larja e tepërt mund të thajë lëkurën e ndjeshme të kokës dhe të shkaktojë zbokth.

E kundërta këshillohet për njerëzit me flokë të thatë dhe skalp të ndjeshëm.

Grumbullimi i yndyrës

Ju natyrisht keni një përqendrim të lartë të gjëndrave të yndyrës në lëkurën e kokës dhe nëse nuk i lani flokët rregullisht, ky vaj mund të grumbullohet.

Vaji i tepërt jo vetëm që do t’ju yndyrosë flokët, por gjithashtu mund të shkaktojë kruajtje. Si pasojë e gërvishtjeve nga kruarjet, ju mund të ndjeni dhimbje të lëkurës së kokës kur lëvizni flokët.

Folikuliti

Folikuliti është një gjendje ku bakteret pushtojnë folikulat e flokëve, duke shkaktuar puçrra me qelb.

Në disa raste, folikuliti mund të jetë i rëndë duke shkaktuar inflamacion, kruajtje, djegie dhe dhimbje.

Në këtë rast këshillohet të vizitoni një mjek dermatolog për një trajtim më të specializuar.

Ekzema

Edhe pse ekzema në përgjithësi shfaqet në duar, qafë, bërryla, kyçe, gjunjë, këmbë apo rreth syve, ajo mund të mbijë edhe në lëkurën e kokës dhe të shkaktojë dhimbje.

Për të lehtësuar dhimbjen së pari përpiquni të hidratoni lëkurën e kokës.

Bëni dushe të shkurtra (10- 15min) me ujë të ngrohtë dhe jo me të nxehtë.

Kjo mund të zvogëlojë mundësinë e tharjes së mëtejshme të lëkurës së kokës tuaj.

Gjithashtu rekomandohet përdorimi i shampove të buta që nuk e zhveshin kokën nga vajrat natyralë.

Stilimi i flokëve

Flokët tuaj mund të lëndohen si pasojë e stilimeve që tërheqin flokët.

Kjo mund të ushtrojë presion mbi vetë gjëndrat e flokëve, duke çuar në inflamacion.

Jo vetëm që mund të shkaktojë dhimbje koke, por gjithashtu mund të çojë në dëmtim të përhershëm të folikulave dhe humbje flokëve./AgroWeb.org

Baza detare e Limionit, Meçollari: Kontratat do zhbëhen! SPAK, 3 herë në zyrën e presidentit Begaj

Ish-drejtuesi i lartë i Forcave Detare të Shqipërisë, Artur Meçollari, ka deklaruar se dy kontratat për bazën detare të Limionit në Sarandë do zhbëhen.

Ai u shpreh se të gjitha pronat e Forcës Detare po hetohen nga SPAK dhe se personat e përfshirë do të dalin para gjykatës.

Artur Meçollari: Janë dy kontrata, një me Ministrinë e Financës për 265 mijë metër katrorë, kjo është kontratë qiraje, është dhe një kontratë koncesionare që është me Ministrinë e Infrastrukturës, është 100% e sigurtë që kontratat do zhbëhen.

Kushdo që ka dyshim mund të lexojë vendimin e Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë është shprehur qartë, janë evidentuar të gjitha shkeljet ligjore. Po marrim kontratën e Marina Limionit, ka dyshime të arsyeshme që është shkelur neni 6 për koncesionet. Shtabi i Përgjithshëm nuk ka bërë studim dhe kontrata e qirasë është lidhur sipas VKM-së 54 kur bëhet fjalë për një pronë që është kompetencë e Presidentit.

Në SPAK janë dy dosje hetimore, dosja me numrin 109 dhe dosja me numrin 108. Janë të përfshira të gjitha pronat e Forcës Detare përveç Sazanit, duke përfshirë bazën e Shëngjinit, bazën e  Kepit të Palit, bazën e Pashalimanit, bazën e Portopalermos, bazën e Sarandës dhe prona e zaptuar nga Porti MBM në Porto Romano prej 5.2 hektarësh.

Në dosjen 108 është baza e Sarandës dhe prona 5.2 hektarësh në Porto Romano. Janë përfshirë 4 çështje në këtë që është 2 kontrata, dorëzimi i bazës dhe prona në Porto Romano.

Në dosjen  109 është e përfshira baza e Shëngjinit, ndërtimi si dhe një procedurë e zhvilluar në vitin 2016 për nxjerrjen nga territori i përhapjes të territorit të 133 hektarëve nga 200 hektarë në bazën e Shëngjinit, Kepit të Palit dhe Portopalermos.

Përveç Sazanit nuk ka asnjë pronë të forcës detare që nuk është në hetim në SPAK.”

Meçollari tha se SPAK dhe BKH ka shkuar 3 herë në zyrën e Presidentit të Republikës teksa shtoi se e përfshirë është dhe ministrja Balluku,

Artur Meçollari: I pari fare është Presidenti i Republikës. Presidentin të Republikës, SPAK dhe BKH i kanë vajtur 3 herë në zyrë. Herën e dytë thoshte nuk mbaj mend se çfarë kam thënë. Pastaj është ish-ministrja e Brendshme Olta Xhaçka, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bardhyl Kollçaku, ministrja Ballaku që në shkelje të ligjit ka miratuar kontratën për Marina Limion në bazën e Limionit duke mos verifikuar sëpari statusin e pronës dhe dhe e dyta është bërë miratimi kur kompania Marina Limion ende nuk ishte regjistruar në QKB.

Ka ushtarakë që kanë vepruar në bazë të urdhrave të ministrave dhe gjeneralëve, ka gjeneralë, admiralë,  kolonelë. Janë 20 celularë të sekuestruar. Janë zyrtarë të nivelit të lartë në Ministrisë e Mbrojtjes.

“Goli i jetës sime”- Myrto Uzuni do të bëhet baba, zbulon gjininë e foshnjës në stadium

Futbollisti i Kombëtares, Myrto Uzuni dhe partnerja e tij, Uarda Hyseni do të bëhen prindër.

Dyshja zbuluan gjininë e foshnjës në një baby gender të realizuar në stadiumin “Air Albania”.

Në momentin që Myrto Uzuni shklemoi topin drejt portës, shpërthyen fishekzjarret ngjyrë blu, duke zbuluar se do të bëhen prindër të një djali.

Dyshja u përqafuan në fushën e blertë në momentin që zbuluan gjininë e bebit.

“Goli i jetës sime! Mami dhe babi mezi të presin”, shkroi Myrto Uzuni krahas pamjeve.

Deputetët e Volt do të inspektojnë 2 qendrat në Shqipëri: Dënojmë marrëveshjen mes Melont dhe Ramës

Deputetët evropianë të Volt Europa do të inspektojnë qendrat e reja të paraburgimit të emigrantëve të ndërtuara nga qeveria italiane në Shqipëri.

Më 22 nëntor, eurodeputetët e Volt-it 1 Damian Boeslager, Anna Strolenberg, Reinier Van Lanschot dhe Kai Tegethoff do të hyjnë në qendrën e riatdhesimit në Gjadër, të inauguruar së fundmi nga Qeveria Meloni.

Politika e migracionit është një çështje evropiane, jo kombëtare, siç vepron qeveria e Melonit, kjo është arsyeja pse eurodeputetët e Volt Europa do të inspektojnë qendrat e paraburgimit, thuhet në njoftim.

Në emër të Volt Europa, veçanërisht në emër të kapitujve të saj në Itali dhe Shqipëri, “ne dënojmë të dy qendrat në Gjadër dhe Shëngjin sepse: Ato janë në konflikt të hapur me të drejtën evropiane, siç thuhet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë që e cilësoi të paligjshëm përkufizimin e “vendeve të sigurta”, përmes të cilave do të ktheheshin migrantët, kundër të drejtave të njeriut; Qeveria italiane nxori një ligj të ri për të anashkaluar direktivën europiane duke caktuar akordimin e fondeve, 10 milionë euro, drejtpërdrejt për kompanitë e ndërtimit pa asnjë verifikim nëpërmjet tenderit publik; Transparenca e skemave të financimit që nuk janë të disponueshme publikisht.

Buxheti është parashikuar për 1 miliard euro për 5 vjet, pas së cilës përfundon marrëveshja Itali-Shqipëri, burimi supozohet të jenë fondet italiane dhe jo evropiane.

Së fundi, Volt beson se burimet publike mund të ishin shpenzuar për të investuar në integrimin e migrantëve dhe për zhvillimin e shërbimeve publike më të mira për popullatën. “Ndërkohë që qeveria ndërton qendrat në Shqipëri, Italia shpenzon vetëm 65% të fondeve të Amif për përfshirjen e emigrantëve, duke treguar se përpjekjet për përfshirje janë jashtëzakonisht të kufizuara”, shprehet Volt.

Nëpërmjet kësaj vizite, Volt në Itali dhe Shqipëri dënon këtë marrëveshje mes kryeministrave Meloni dhe Rama, si pjesë e kundërshtimit më të gjerë që Volt Europa po kryen për politikat e migracionit në Evropë, që janë kundër të drejtave të njeriut dhe një zhvillimi kulturor dhe ekonomik social gjithëpërfshirës.

Të destinuar për të jenë bashkë? Belen dhe Stefano De Martino të ndarë, por ende të padivorcuar

Belen Rodriguez dhe Stefano De Martino janë ndarë prej disa kohësh, por ende nuk janë divorcuar.

Ndryshe nga shumë personazhe të famshëm që duan të mbyllin shpejt procedurat e divorcit, si Chiara Ferragni dhe Fedez apo Ilary Blasi dhe Francesco Totti, Belen e Stefano nuk po nxitojnë të thonë lamtumirë përfundimisht dhe letrat mbeten në sirtar.

Ka nga ata që ende shpresojnë për një rikthim, por ndoshta për momentin showgirl-i dhe drejtuesi preferojnë ta menaxhojnë rutinën me Santiagon në këtë mënyrë.

“Të ndarë po, por jo të divorcuar. Të dy nuk e filluan më jetën e tyre. Belen dhe Stefano e dinë, janë të destinuar të jenë bashkë, madje edhe miqtë e tyre e thonë këtë. Megjithatë, ka ende pengesa për të kapërcyer”, shkruan “Settimanale Nuovo”.

Duket se ata janë gjithmonë pranë njëri-tjetrit, por nuk kanë gjetur ekuilibrin e duhur për të funksionuar një lidhje dashurie. Ndarja i lejon ata të menaxhojnë dinamikën e familjes më mirë sesa një dekret divorci. Megjithatë, zgjedhja e kujdesshme e bërë për të mirën e Santiagos mund të jetë një justifikim për të mos u mbyllur kurrë përgjithmonë.

Historia e Belen Rodriguez dhe Stefano De Martino ka mbushur faqet e gazetave prej vitesh: nga fejesa në martesë, nga ndarja te pajtimi. Ata patën ulje-ngritje, u ndanë dhe u rikthyen përsëri. U fejuan me të tjerë, por letrat e ndarjes mbetën gjithmonë në sirtar.

Edhe kur u duk se Belen ishte afër martesës me Elio Lorenzonin, i cili i kishte propozuar në Maldive, ata nuk arritën të zyrtarizojnë divorcin. Në vend të një procesi të shkurtër, për Rodriguez dhe De Martino udhëtimi i lamtumirës duket i pafund!

Nuk është e qartë nëse thellë brenda ka një dëshirë për t’u ribashkuar një ditë apo nëse thjesht nuk ka nevojë dhe urgjencë për të dekretuar një situatë de facto. Ata jetojnë jetët e tyre të ndara, por normale në emër të dashurisë për djalin e tyre.

Edhe me Antonino Spinalbese, babai i vajzës së saj të dytë, Luna Marì, Belen Rodriguez ka një marrëdhënie të paqësore. Pas një periudhe përplasjesh për menaxhimin e vogëlushes, dy ish-et kanë gjetur ekuilibrin dhe tani kalojnë orët në park me vogëlushen në miqësi dhe respekt.

Marrëdhënia ka ndryshuar, ata të dy jetojnë të ndarë, por afeksioni që i bashkon me Luna Marì mbetet i pandryshuar.

Gjykatësi shtyn vendimin për gjyqin e Trump me yllin p*rno Stormy Daniels

Gjykatësi i Nju Jorkut, Juan Merchan ka shtyrë për në datën 19 nëntor vendimin mbi dënimin në gjyqin e presidentit të sapozgjedhur Donald Trump i cili akuzohet se pagoi për të heshtur yllin porno  Stormy Daniels.

Ky vendim u mor për t’u dhënë kohë avokatëve të presidentit të zgjedhur për të bërë argumente të reja rreth asaj se si fitorja e tij në zgjedhje do të ndikojë në çështje. Merchan mund të vendosë për të rrëzuar dënimin bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial.

Ishin avokatët e Trump që kërkuan shtyrjen, duke argumentuar se ka “arsye të forta” për të kërkuar anulimin e çështjes. Fillimisht, ekipi ligjor i presidentit të rizgjedhur u përqendrua në zvarritjen e procedurave për këtë çështje, duke bindur gjykatën të shtyjë vendimin për në 26 nëntor. Avokatët në fakt po përpiqen ta anulojnë atë tërësisht.

Trump u dënua nga një juri në maj për 34 akuza, përfshirë falsifikimin e kontabilitetit të kompanisë për të mbuluar një pagesë të paligjshme të vitit 2016 për yllin porno Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj për marrëdhënien e tyre përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës.

Prandaj, gjyqtari ngriu çështjen deri më 19 nëntor, për t’u ofruar prokurorëve mundësinë për të vlerësuar nëse imuniteti presidencial, i dhënë nga Gjykata e Lartë, është i zbatueshëm për presidentin e ri .