zoom

Day ArchiveHarris mban fjalimin e humbjes: Do të vazhdoj betejat

Kandidtja e demokratëve për presidente Kamala Harris pranoi humbjen e zgjedhjeve përballë Donald Trump.

Në një deklaratë për media Harris tha se pavrësisht rezultatit ajo nuk do të ndalojë përpjekjet e saj për amerikanët ndërsa falenderoi bashkëpunëtorët.

“Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është ai që donim. Por drita e premtimit të Amerikës do të shkëlqejë gjithmonë e më shumë. Jam shumë krenare për garën që vrapuam dhe mënyrën se si e zhvilluam atë. Një princip thelbësor i demokracisë amerikane është se kur ne humbasim zgjedhjet, e pranojmë rezultatin.”- tha Harris.

Pavarësisht humbjes, Harris tha do të vijojë betejat për demokracinë.

“Nuk do të heqim dorë kurrë nga lufta për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për drejtësi të barabartë dhe për idenë e shenjtë që secili prej tyre ne, pavarësisht se kush jemi apo nga e fillojmë, kemi disa të drejta dhe liri themelore. Kjo duhet të respektohet dhe të mbahet.”- u shpreh Harris.

Bashkëshorti i Harris u shfaq më pas në krah të saj dhe çifti përshëndeti me dorë turmën përpara se të dilte jashtë skenës nën tingujt e Beyoncé, një element kryesor i fushatës së saj të pasuksesshme për presidente.

Krisje në bashkëqeverisjen e Gjermanisë/ Scholz shkarkon ministrin e financave

Kriza e koalicionit te qendrës së majtë në Gjermani ka arritur një pikë kritike.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka vendosur të shkarkojë Ministrin e Financave, Christian Lindner.

Kjo lëvizje e kancelarit sinjalizon ndarje të thella mes partive të koalicionit qeverisës në Gjermani, të përbërë nga SPD-ja, Të Gjelbrit dhe FDP-ja. Vendimi u konfirmua në mbrëmje (06.11) nga zëdhënësi i qeverisë në Berlin.

Kancelari Olaf Scholz dha një konferencë shtypi lidhur me këtë vendim duke shpjeguar situatën e krizës qeveritare lidhur me buxhetin dhe ekonominë dhe mosmarrëveshjet brenda koalicionit. Më 15 janar kancelari do të paraqesë kërkesën për votëbesim në Bundestag.

Christian Lindner, i cili ka kërkuar prej kohësh reforma të thella në ekonomi dhe në politikat fiskale të Gjermanisë, propozon zgjedhje të reja për Bundestagun, duke sugjeruar që koalicioni aktual nuk mund të sigurojë stabilitetin e nevojshëm për vendin. Ai gjithashtu ka kërkuar që të gjitha partitë të dakordohen për një proces të qetë zgjedhor në fillim të vitit 2025. DË/

Pas fitores/ Prokurori i posaçëm pritet të mbyllë ndjekjet penale ndaj Donald Trump

Prokurori i posaçëm Jack Smith së bashku me udhëheqjen e lartë në Departamentin e Drejtësisë po shqyrton mundësistë se si mund t’i japë fund ndjekjeve penale ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Kjo pritet të ndodhë përpara se Trump të marrë zyrtarisht detyrën.

Vendimi bazohet në politikën e Departamentit të Drejtësisë që një president në detyrë nuk mund të përballet me ndjekje penale gjatë kohës që është në detyrë, thanë burimet.

Smith u emërua në pozicionin e tij nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland në nëntor 2022 për të hetuar përpjekjet e Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, si dhe për çështjen e dokumentave të klasifikuara që ai mori nga koha e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Donald Trump është aktualisht i përfshirë në dy procese gjyqësore që po zhvillohen ndaj tij.

Trump kishte thënë disa herë se planifikon të shkarkojë Smith, dhe t’i japë fund çështjeve federale kundër tij.

Detaje nga shpërthimi në Tiranë/ Ku u vendos eksplozivi dhe kujt i përket banesa (PAMJET)

Detaje të reja kanë dalë nga shpërthimi i fortë që u dëgjua mbrëmjen e kësaj të mërkure në Tiranë.

Burime bëjnë me dije se shpërthimi u shkaktua si pasojë e lëndës plasëse eksploziv e cila ishte vendosur në pjesën e jashtme të oborrit të një banese private, në zonën e “Don Boskos”.

Të njëjtat burime bëjnë me dije e banesa është në pronësi të një shtetasi i cili prej disa muajsh ndodhet jashtë vendit.

Policia njoftoi ngjarjen pak momente pas shpërthimit por ende informacione të detajuara.

Fatmirësisht, si pasojë e shpërthimit nuk pati persona të lënduar por vetëm dëme materiale, përfshirë nën një baneë ngjitur.

Biden telefonon Trump, e uron për fitoren

Presidenti Joe Biden ka telefonuar Presidentin e sapozgjedhur, Donald Trump për ta uruar për fitoren e tij në zgjedhje dhe për ta ftuar në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar tranzicionin.

Shtëpia e Bardhë tha se stafi do të koordinojë një datë “në të ardhmen e afërt”.

Biden planifikon t’i drejtohet kombit për rezultatet e zgjedhjeve.

Biden foli gjithashtu me zëvendëspresidenten, Kamala Harris për ta uruar atë për fushatën e saj.

Abuzonte prej vitesh me të miturën/ Autori, mik i babait të saj, shpallet në kërkim

Një rast i rëndë abuzimi ka ndodhur në Sheqeras të Maliqit, ku një 44 vjeçar prej 4 vitesh abuzonte me një 12 vjeçare, e cila sot është në moshën 16 vjeç.

Sipas informacioneve, autori është shpallur në kërkim. Ka qenë e mitura që ka denoncuar në prani të prindërve abuzimin që bënte autori, i cili ishte mik i babait të saj dhe kishin hyrje dalje familjare.

Prej 4 vitesh ai abuzonte dhe i bënte presion të miturës për të mos treguar asgjë. Marrëdhëniet e një pas njëshme kanë ndodhur në një magazinë në pronësi të autorit, ku dyshohet të ketë dhe kamera sigurie prej ku do merren filmime nga serveri.

Policia ka shpallur në kërkim autorin e identifikuar si Edison Sheme.

Njoftimi i policisë:
Maliq
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, shpallën në kërkim shtetasin:

E. Sh., 43 vjeç, banues në fshatin Barç, Korçë, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”(dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur 16 vjeçare)

Veprimet procedurale me të miturën, janë kryer në prezencën e psikologut, prindit dhe përfaqësuesit ligjor.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për kapjen e autorit të dyshuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

SHBA zgjeron sanksionet ndaj entiteteve në Republikën Serbe

Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj një individi dhe një kompanie në Bosnjë dhe Hercegovinë për përkrahjen që i dhanë një rrjeti të korruptuar patronazhi të lidhur me Presidentin serb Milorad Dodik dhe djalin e tij në përpjekjet e tyre për të shmangur sanksionet amerikane.

Sipas një deklarate të Departamentit të Thesarit, individi i sanksionuar është Vladimir Perisiç, drejtor i kompanisë Prointer, ndërsa kompania u identifikua si Elpring, pjesë të një rrjeti me lidhje të drejtpërdrejta me Igor Dodikun, djalin e Presidentit pro-rus të Republikës Serbe Dodik, që të dy individë të shpallur non-grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

“Presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik, bashkëpunëtorët e tij dhe ndihmësit e tyre po vazhdojnë të shfrytëzojnë pozitën e tyre të privilegjuar për të zbehur besimin e publikun ndaj marrëveshjeve paqësore rajonale dhe institucioneve që i sollën stabilitet dhe siguri Bosnjë-Hercegovinës”, tha zëvendës-sekretari në detyrë i Departamentit të Thesarit për terrorizëm dhe të dhëna financiare, Bradley T. Smith. “Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara të ekspozojnë përpjekjet e zotit Dodik dhe familjes së tij për t’i mirëmbajtur rrjetet e tyre korruptuese të patronazhit.”

Sipas Departamentit të Thesarit, i dyshuari Perisiç krijoi një skemë ryshfeti që veproi nën urdhrat e Igor Dodikut. Ndërkohë, kompania Elpring u themelua për të zëvendësuar një kompani tjetër e cila u përball me sanksionet amerikane, për t’iu shmangur atyre. Pronari i kësaj kompanie së bashku me Igor Dodikun kishin kontroll mbi të.

Dodik, i cili prej kohësh kërkon shkëputjen e entitetit serb nga Bosnja, konsiderohet si aktor destabilizues në rajon.

Vendimi i së mërkurës zgjeron sanksionet e vendosura në qershor ndaj individëve dhe një rrjeti kompanish të lidhura me zotin Dodik.Voa/

E fundit/ Shpërthim i fortë në “Don Bosko”, alarmohen banorët

Një shpërthim i fortë është dëgjuar në kryeqytet mbrëmjen e kësaj të mërkure.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Don Bosko” në oborrin e një banese private.

Policia ka dhënë informacione paraprake.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 06.11.2024, rreth orës 19:50, në rrugën “Robert Naci”, në oborrin e një banese në ndërtim në pronësi të shtetasit A. B. është dëgjuar një shpërthim, i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike. Si pasojë janë thyer xhamat e katit të 3-të të një banese tjetër private.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Kamala Harris thyen heshtjen, telefon Donald Trump

Kamala Harris ka telefonuar Donald Trump për ta uruar për fitoren e zgjedhjeve presidenciale.

Lajmin e bëri të ditur një ndihmës i saj i fushatës.

Thirrja telefonike i jep fund zyrtarisht garës së ashpër mes zëvendëspresidentes dhe ish-presidentit.

Ndihmësi i fushatës tha se Harris theksoi rëndësinë e një transferimi paqësor të pushtetit dhe të qenit president për të gjithë amerikanët.

Harris pritet të mbajë fjalimin e saj të parë pas zgjedhjeve këtë mbrëmje në Howard.

Denoncimi: Rama loboi kundër Trump në takimin me diasporën në Nju Jork

Edi Rama loboi kundër presidentit Donald Trump në radhët e shqiptarëve të Amerikës.

Këtë, sipas Sali Berishës, kryetar i PD, Rama e bëri gjatë vizitës së tij në Nju Jork ku u takua me diasporën shqiptare atje më 26 tetor 2024.

“Edi Rama organizonte takime gjoja me diasporën për të lobuar për kundërshtarin politik (të Soros) etj, etj.”

Denoncimi i Berishës mbetet për t’u provuar, por Rama e ka shfaqur hapur anësinë e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA ku ai e quajti presidentin Trump si  “turp të qytetërimit”.

Në atë kohë Rama, si kryeministër i Shqipërisë, tha në një intervistë në CNN se Trump ishte rrezik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për marrëdhëniet SHBA – Shqipëri.

Sot Rama e uroi Trump për fitoren dhe tha se mezi priste të punonte me presidentin e 47-të të SHBA.

Në media janë hedhur dyshime se ai po përdor pasuritë e vendit për të pasur mbështetje nga presidenti Trump.

Bëhet fjalë për projektin për t’i dhënë dhëndërrit të Trump, Jared Kushner -it Sazanin e Zvërnecin për të ndërtuar resorte luksoze. Nën këto dyshime, demokratët në Kongresin Amerikan kanë nisur hetimet mbi këto projekte. /Zoom.al