zoom

Day ArchiveHistorike/ Nderohet me Çmimin Nobel për Paqen grupi japonez kundër armëve bërthamore

Organizata japoneze e të mbijetuarve të bombardimeve atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, Nihon Hidankyo u nderua të premten me Çmimin Nobel për Paqen për veprimtarinë e saj kundër armëve bërthamore.

Komiteti Norvegjez i Nobelit tha se çmimi i takon kësaj organizate “për përpjekjet e saj për një botë pa armë bërthamore dhe për demonstrimin përmes dëshmive të të mbijetuarve se armët bërthamore nuk duhet të përdoren më kurrë”.

Jorgen Watne Frydnes, kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit, tha se komiteti “dëshiron të nderojë të gjithë të mbijetuarit, të cilët, pavarësisht vuajtjeve fizike dhe kujtimeve të dhimbshme, kanë zgjedhur të përdorin përvojën e tyre të kushtueshme për të kultivuar shpresën dhe angazhimin për paqe”.

Përpjekjet për zhdukjen e armëve bërthamore janë nderuar edhe në të kaluarën nga komiteti i Nobelit. Fushata Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore fitoi Çmimin e Paqes në vitin 2017 dhe në vitin 1995 Joseph Rotblat dhe Konferencat Pugwash mbi Shkencën dhe Çështjet Botërore, fituan për “përpjekjet e tyre për të pakësuar rolin e armëve bërthamore në politikën ndërkombëtare dhe, në një afat më të gjatë, për t’i eliminuar armë të tilla”.

Çmimi i këtij viti u nda nën hijen e konflikteve shkatërrimtare në botë, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Sudan.

Vitin e kaluar çmimi iu nda veprimtares së burgosur iraniane Narges Mohammadi, për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe demokracisë dhe kundër dënimit me vdekje. Komiteti i Nobelit tha se çmimi ishte gjithashtu një mirënjohje për “qindra mijëra njerëz” që demonstruan kundër “politikave të regjimit teokratik të Iranit për “diskriminimin dhe shtypjen e grave”.

Në një vit konfliktesh, pati disa spekulime përpara shpalljes se Komiteti Norvegjez i Nobelit mund të vendoste të mos jepte fare çmim këtë vit.

Çmimi Nobel shoqërohet me një vlerë monetare prej 1 milion dollarësh.

Ndryshe nga çmimet e tjera Nobel që përzgjidhen dhe shpallen në Stokholm, themeluesi Alfred Nobel vendosi që çmimi për paqen të vendoset dhe të jepet në Oslo nga Komiteti Norvegjez i Nobelit prej pesë anëtarësh.

Ndarja e çmimeve Nobel përfundon të hënën me shpalljen e fituesit të çmimit në fushën e ekonomisë. Voa/

Jupiteri në retrogradë deri në shkurt 2025! Cilat shenja do të ndikohen

Nga 9 tetori deri më 4 shkurt 2025, planeti Jupiter do të lëvizë në mënyrë retrograde në shenjën e Binjakëve, duke sjellë një ndikim të thellë në psikologjinë dhe marrëdhëniet ndërpersonale.

Ky tranzit ofron një mundësi për reflektim, duke na inkurajuar të shqyrtojmë veprimet tona të gjashtë muajve të fundit dhe të kuptojmë nëse jemi në rrugën e duhur për të arritur dëshirat tona.

Binjakët
Tani është koha për të rishikuar marrëdhëniet dhe qëllimet tuaja personale dhe profesionale. Jupiteri në shenjën tuaj nxit takime të reja dhe bashkëpunime, duke u harmonizuar me Saturnin në Peshq, që ndihmon në stabilizimin e dëshirave tuaja.

Virgjëresha
Ky tranzit do të ndikojë në psikikën dhe marrëdhëniet tuaja. Është një periudhë sfidash dhe ndryshimesh, ku vendosja e kufijve është thelbësore. Marsi në Gaforre do t’ju ndihmojë në komunikim.

Shigjetari
Rirregullimet dhe konfuzionet do të karakterizojnë këtë periudhë. Ju do të duhet të bëni një introspeksion të thellë për të rishikuar vlerat tuaja dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me miqtë që ju respektojnë.

Kjo periudhë retrograde e Jupiterit është një mundësi e artë për të reflektuar dhe për të orientuar veten drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të gëzueshme.

Konferenca e dytë ndërqeveritare/ Zbardhen kapitujt për të cilët çelen negociatat

Në faqen zyrtare të Këshillit të Europës është publikuar axhenda e konferencës së dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, që do të mbahet në Luksemburg më 15 tetor.

Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për Grupin 1: Bazat, duke përfshirë fushat e mëposhtme dhe kapitujt e negociatave:

Funksionimi i institucioneve demokratike

Reforma e administratës publike

Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore

Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria

Kriteret ekonomike

Kapitulli 5 – Prokurimi publik

Kapitulli 18 – Statistikat

Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE u dorëzua më 24 prill 2009. Në tetor 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimit të rregullores së procedurës parlamentare.

Pragë/ Shqipëria “ha” të dytin

Çekia ka realizuar edhe golin e dytë përballë Shqipërisë.

Ka qenë sërish Chory i cili ka shënuar për çekët në minutën e 62-të të ndeshjes.

Shqipëria luan ndeshjen e tretë të Ligës së Kombeve në Pragë, aty ku do të përballet me Republikën Çeke, e vlefshme për Grupin B1, në “Epet Arena”.

Kuqezinjtë vijnë në këtë sfidë me tre pikë, pas një fitoreje 1-2 me Ukrainën pikërisht në këtë stadium dhe një disfate me Gjeorgjinë në Tiranë me rezultatin 0-1.

I dërguari special i SHBA, kritika qeverisë së Kosovës

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.

Kasanof, zëvendës i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, i bëri komentet për një grup gazetarësh në Prishtinë, në fund të vizitës së tij dyditore, gjatë së cilës takoi udhëheqësit më të lartë të shtetit, ata të opozitës, të Listës Serbe dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof. “Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave [nga Serbia në Kosovë] dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, shtoi zyrtari i lartë amerikan. Kasanof theksoi, po ashtu, se Shtetet e Bashkuara “mbeten mbështetëse të fuqishme të popullit të Kosovës dhe të vendit demokratik, sovran dhe multietnik”.

“Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane, sidomos në kohën kur shohim aq ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i duhur për Kosovën. Kjo është diçka që ne duam ta avancojmë dhe duam të punojmë me Kosovën”, tha Kasanof.
Sipas tij, SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të tij.

Kjo, siç tha ai, përfshin edhe dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të vendit. Kasanof tha, gjithashtu, se është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të angazhohet edhe me pjesëtarët e komuniteteve pakicë. I pyetur nëse zgjedhjet presidenciale në SHBA, që do të mbahen më 5 nëntor, mund të ndikojnë në çfarëdo mënyre në qasjen e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi ose në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kasanof tha:

Vranë kushëririn që i kishte abuzuar në fëmijëri, zbardhen dëshmitë e vëllezërve në gjykatë

Dy vëllezërit shqiptar që vranë kushëririn me pretendimin se i kishte abuzuar kur ishin të mitur kanë dëshmuar në gjykatë në Greqi.

Shqiptarët 17 dhe 19 vjeç deklaruan se e kanë vrarë kushëririn pasi në momentin që e kanë pyetur pse kishte abuzuar me ta, u kishte thënë ta ruanin si një kujtim të bukur apo si përvojë interesante seksuale.

“E pyetëm (viktimën) pse na e bëri këtë të keqe dhe ai u përgjigj duke na folur me ironi dhe me tone kërcënuese. Ai na tha ta harrojmë, ‘çfarë doni dhe çfarë mendoni se do të arrini duke më pyetur gjatë gjithë kohës për atë që ka ndodhur’, ndërsa në fund na është drejtuar duke na thënë se duhet ta ruajmë si një kujtim i bukur dhe se ishte një eksperiencë seksuale interesante me të.

Më pas, me sjelljen e tij, viktima na provokoi duke iu referuar abuzimit seksual që kishim pësuar prej tij në të kaluarën dhe filluam të rijetojmë në mendje atë që na kishte ndodhur dhe më pas ndjemë zemërim, inat dhe indinjatë të pakontrolluar”.

Më pas njëri nga dy vëllezërit i tha hetuesit: “Prandaj, për shkak të sjelljes së viktimës, në atë moment u hutova, nxora thikën dhe arrita ta godas me thikë në trup. Gjatë përleshjes sime me të ndjerin, ai u përball me mua, ku vëllai im duke parë se unë isha i dobët ndaj tij, deri në atë pikë sa më në fund u kërcënua jeta ime, i ndjeri duke qenë më i madh, nxori thikën dhe vëllanë tim dhe e goditi me thikë”.

“Në moshën 3-4 vjeç më është afruar me video-lojëra dhe më ka thënë fillimisht do të bëjmë diçka mes nesh dhe pastaj më linte të luaja me ato, që në atë kohë prindërit tanë nuk kishin mundësi financiare të na siguronin”.Nga ana e tij, vëllai i tij 19-vjeçar ka pohuar: “Ngjarja që më ka traumatizuar më shumë ka qenë momenti kur ai ka qenë dëshmitar okular i ngacmimeve seksuale të marra nga vëllai im, ndërsa unë jam detyruar të shikoj në rast se do të vinte dikush”, u tha 17-vjeçari hetuesve.

Të dy vëllezërit u lan në burg nga gjykata.

Shqipëria “ha” golin e parë në Çeki

Në mintat e para të sfidës, Shqipëria pësoi golin e parë.

Në aksionin e parë çekët mundën të gjenin pa shumë vështirësi rrjetën.

Sulmuesi çek është futur në qendër të mbrotjtjes tonë duke goditur fort me të majtën në cep të portës dhe ka realizuar, duke mos i dhënë asnjë shans portierti kuqezi Tomas Strakosha.

Plas sherri në Dibër/ Punonjësit e bashkisë rrihen në mes të qytetit

Tre persona janë përfshirë në një konflikt mbrëmjen e kësaj të premte në bulevardin e Peshkopisë.

Siç bën me dije policia, dy nga personat, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur janë punonjës të bashkisë Dibër.

Konflikti ka nisur për motive të dobëta që nuk dihet nëse kanë lidhje me detyrën. Të tre personat e përfshijë janë shoqëruar nga uniformat blu.

Dibër/Informacion paraprak
Rreth orës 16.00, në bulevardin e qytetit të Peshkopisë, shtetasi B.M., për motive të dobëta është konfliktuar fizikisht me shtetasit B.K., dhe E.M.(punonjës të bashkisë Dibër).
Të tre personat e lartpërmendur janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Dibër dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.

Ngatërrohen fanellat e kombëtares? Çfarë ndodhi me veshjet e Asllanit dhe Hoxhës

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në Pragë me fanellat e saj të bardha kundër Çekisë vendase, e cila luan me kompletin e kuq si pritëse këtë sfidë.

Por në videon e publikuar nga FSHF në rrjetet sociale, shihen ndryshime te fanellat.

Për një arsye apo një tjetër, ka një ngatërresë mes fanellave të Kristjan Asllanit dhe Arbër Hoxhës sa u përket numrave që mbajnë në këtë ndeshje. Video shfaq Asllanin me numrin 8 në këtë sfidë, ndërsa Hoxha do të jetë ai që mban numrin 21. Diçka e pazakontë, pasi Asllani ka mbajtur historikisht numrin 21 të Kombëtarja dhe për më tepër, për këtë arsye mban të njëjtin numër nga ky vit edhe te Interi.

Një ngatërresë me sa duket në momentin e stampimit të fanellave, duke pasur parasysh se në ndeshjet e mëparshme të Kombëtares në shtator, ishte Hoxha me numrin 8 dhe Asllani me atë 21.

Ndërkohë, duket i pazakontë edhe mbiemri i vendosur në fanellën e Indrit Tucit, pasi mbi numrin 11 që do të mbajë sulmuesi i afruar së fundmi te kuqezinjtë, është shkruar Tuçi.Panorama/

Përballja Shqipëri-Çeki/ Publikohen formacionet

Çeki-Shqipëri do të ndeshen mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në stadiumin “EPET Arena” të Pragës.

Dy trajnerët kanë publikuar edhe formacionet me të cilat do të zbresin në fushë.

Për kuqezinjtë në portë sërish vendoset Strakosha, ndërsa në krahët e mbrojtjes janë Hysaj e Mitaj, me qendrën që mbulohet nga Kumbulla e Ismajli, kjo për shkak edhe të mungesës së Berat Gjimshitit.

Para mbrojtjes vendosen Qazim Laçi e Ylber Ramadani, ndërsa Asani, Asllani e Bajrami vendosen pas “bomberit” të vetëm, Mirlind Daku.

Në krahun tjetër, tekniku Ivan Hasek i ka besuar “yjeve” të tij, ku në mesfushë është pozicionuar “shkatërruesi” Thomas Soucek ndërsa në sulm janë Cerny e Sulc.