Aplikacion
Ëndrrat e yllit spanjoll të futbollit Álvaro Morata për të jetuar një jetë paqësore në periferi të Milanos janë shkatërruar pasi kryebashkiaku i një komune lokale bëri një gabim në rrjetet sociale.
Morata, i cili ishte kapiten i Spanjës në lavdinë e Euro 2024 në fillim të këtij viti, iu bashkua gjigantit italian AC Milan në korrik dhe së fundmi bleu një shtëpi në Corbetta, një qytet në periferi të qytetit verior italian.
Në dukje i emocionuar nga ardhja e 31-vjeçarit, kryebashkiaku i Corbetta-s, Marco Ballarini, mirëpriti Morata-n në një postim në Instagram.
“Jo, nuk është një 1 prill. Kampioni Álvaro Morata është banori ynë i ri i Corbetta-s”, shkroi Ballarini të enjten.
Sidoqoftë, Morata nuk ishte aspak i kënaqur me postimin dhe sulmoi Ballarinin në një Story për “shkelje të privatësisë”, përpara se t’u thoshte ndjekësve të tij se tashmë po kërkonte një shtëpi të re.
“Për fat të mirë, nuk kam asnjë pronë me vlerë. Thesari im i vetëm janë fëmijët e mi, sigurinë e të cilëve ju keni rrezikuar”, ka shkruar Morata për Reuters.
“Mendova se bashkia e Corbetta-s mund të më garantonte një nivel të caktuar privatësie, por në vend të kësaj më duhet të ndërroj shtëpinë menjëherë për shkak të paaftësisë suaj për të përdorur mediat sociale dhe për të mbrojtur qytetarët tuaj.”
Sipas mediave, Ballarini iu përgjigj replikës së Moratas duke shkruar “Ciao” në Instagram, me distinktivin dhe ngjyrat e Interit.
Morata ka luajtur për një mori skuadrash kryesore gjatë karrierës së tij, si Real Madrid, Juventus dhe Chelsea. Ai ka shënuar dy herë në gjashtë paraqitjet e tij për kuqezinjtë deri më tani.
Si të shmangni dhimbjet e stomakut në vjeshtë, tri kura natyraleKur ftohet koha ndër të parët që e ndjen dhe jep sinjalet e tij është organizmi.
Kjo është e vërtetë sidomos për persona të cilët vuajnë nga sëmundjet e stomakut, duke qenë një organ shumë delikat e i ndjeshëm.
Për të shmangur këtë nuk ka gjithnjë nevojë të drejtoheni tek medikamentet qetësuese.
Përtej rasteve kur ato janë të rekomanduara nga mjeku juaj.
Krahas tyre mund ta kuroni trupin tuaj edhe me disa kura natyrale e shumë efikase.
Në këtë artikull, ju tregojmë tri mënyra të thjeshta të cilat do t’ju ndihmojnë të kaloni dhimbjet që shkakton i ftohti.
Nëse ju dhemb stomaku në mënyrë të vazhdueshme, xhinxheri do të kthehet në mikun tuaj më të mirë.
Xhinxheri ndihmon në luftimin e infeksioneve që mund të prekin stomakun tuaj, gjithashtu largon gripin dhe të ftohurën.
Kështu që mundohuni të shtoni pak xhinxher të çdo ushqim që konsumoni.
Ose mund të përgatisni pak çaj të ngrohtë dhe ta konsumoni çdo ditë.
Mjafton të zieni ujin për çaj dhe ti shtoni brenda disa feta xhinxher.
Lëreni ashtu për disa minuta e më pas mund ta konsumoni kur çaji të ketë marrë shijen djegëse të xhinxherit.
Uthulla e mollës është një nga shërueset sekrete të shumë sëmundjeve.
Nuk mund të mungojë kurrësesi në shtëpi gjatë periudhës së vjeshtës apo dimrit.
Kështu që nëse përjetoni dhimbje stomaku, shtoni një lugë çaji uthull molle në një gotë me ujë të ngrohtë.
Këtë pije konsumojeni gjithnjë para vakteve derisa të ndiheni më mirë.
Në rastet kur keni diarre apo të përziera në stomak kura më e mirë është uji i orizit.
Kjo do të ndihmojë në kurimin e dhimbjes në një kohë shumë të shkurtër.
Mjafton të zieni orizin dhe të merrni prej tij lëngun që lëshon.
Konsumojeni menjëherë dhe sipas dëshirës shtoni edhe gjysmë lugë çaji mjaltë apo kanellë.
Krahas këtyre kurave sigurohuni që gjithnjë të merrni medikamentet e duhura dhe të këshilloheni me një mjek specialist./AgroWeb.org
Rëra marsiane mund të përdoret për të ndërtuar në hapësirëRëra e gjetur në sipërfaqen e Marsit dhe Hënës mund të shndërrohet në tulla të forta të cilat mund të përdoren për të ndërtuar vendbanime në hapësirë në të ardhmen, kanë zbuluar shkencëtarët e Dublinit.
Studiuesit në Trinity College Dublin zbuluan një mënyrë për të lidhur regolitin – shkëmbinjtë sipërfaqësor, rërën dhe pluhurin – së bashku duke përdorur temperatura të ulëta dhe energji minimale.
Blloqet, të ndërtuara me nanotuba karboni, kanë një densitet relativisht të ulët, por shfaqin forcë që i afrohet asaj të granitit dhe mund të krijojnë struktura shtesë tokësore.
Profesor Jonathan Coleman, i cili drejton projektin kërkimor, tha se zbulimi mund të ndihmojë në kufizimin e sasisë së materialeve të ndërtimit që do të duhej të transportoheshin jashtë Tokës për të ndërtuar një bazë në Hënë.
Kur të ndërtohen strukturat në hapësirë, ata do të duhet të përdorin materiale të kufizuara nga toka, pasi ato janë të rënda për t’u transportuar.
Krijimi i blloqeve me regolit dhe nanotuba karboni do të minimizojë në masë të madhe nevojën për të transportuar materiale ndërtimi në hapësirë.
Meqenëse blloqet e ndërtimit përçojnë energjinë elektrike, ato mund të përdoren gjithashtu si një sensor i brendshëm për të monitoruar shëndetin strukturor të ndërtesave jashtëtokësore.
Këto struktura do të ndërtohen për të mbajtur ajrin brenda, kështu që aftësia për të zbuluar dhe monitoruar shenjat e hershme paralajmëruese se blloqet po dështojnë është thelbësore.
Fundi pa lavdi për koncesionet në hetim, buxheti ka dhënë deri tani 335 milionë euroPartneritetet Publike-Private (PPP), në formën e koncesioneve, ishin një nga modelet e biznesit që tërhoqën shumë sipërmarrje, për shkak të biznesit të sigurt dhe normës së lartë të fitimit.
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë po vërtetohet se në pjesën më të madhe, ato janë skema abuzuese, ndërsa buxheti i shtetit thjesht ka humbur paratë që mbledh nga taksapaguesit. Për fat të mirë, pjesa më e madhe e tyre po shkojnë drejt fundit.
Dy koncesione, për të cilat taksapaguesit deri në fund të vitit 2023 kanë paguar 130 milionë euro gjatë dekadës së fundit, pasi u shtynë me të paktën edhe një vit, tashmë janë drejt mbylljes përfundimtare.
Kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave përfundon në datën 31 dhjetor 2024, pasi ishte zgjatur edhe me dy vjet në janar 2023.
Në total, për 11 vjet që ky koncesion ka funksionuar (2012-2023), kompania ka pasur rreth 90 milionë euro të ardhura. Në vitin 2023, operatori raportoi të ardhura prej 809 milionë lekësh, me rënie prej 25%. Edhe fitimet ranë ndjeshëm, nga 202 milionë lekë, në 35 milionë lekë.
Nga autoritetet përkatëse nuk ka një raport kosto-përfitime se sa ka ndikuar në luftimin e evazionit ky koncesion. Nga janari 2025, ky shërbim do të ofrohet nga shteti me tarifa më të ulëta, sipas deklarimeve nga Financat. Prodhimi dhe shpërndarja e pullave do të kryhet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.
Një tjetër koncesion që ka përfunduar është ai i markimit të karburanteve që po zbatohej nga “GFI Albania”. Kontrata 10-vjeçare përfundonte më 1 gusht 2023, ndërsa qeveria vendosi ta shtyjë edhe me një vit.
Vendimi nuk i dha arsyet e shtyrjes, por thotë vetëm që kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit. Argumenti që ka dhënë koncesionari për shtyrje lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut.
Edhe për këtë koncesion, ka munguar një analizë kosto-përfitime se çfarë i solli tregut të hidrokarbureve ky koncesion në 11 vite dhe sa e luftoi ai kontrabandën.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, e cila ishte kundër shtyrjes, tha se ky koncesion nuk ka bërë asgjë për të luftuar kontrabandën, pasi shënjohet nafta që del në treg dhe ajo që nuk paguan akcizë. Në 11 vjet, kompania ka arkëtuar rreth 37 milionë euro nga ky koncesion. Në vitin 2023 “GFI Albania” deklaroi të ardhura prej 472 milionë lekësh, me rritje prej gati 10%.
Më 31 korrik 2023 përfundoi dhe kontrata me “Aleat”, që kishte me koncesion prodhimin e dokumenteve të qytetarëve shqiptarë. Pas përfundimit të periudhës së koncesionit, Shoqëria i ka kaluar Autoritetit zotërimin e vendndodhjeve të koncesionit dhe mjediset e koncesionit dhe të gjitha asetet e projektuara dhe të përdorura gjatë periudhës së koncesionit.
“S2 Albania”, e cila zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, ka raportuar të ardhura prej 1.5 miliardë lekësh, me rënie prej 6.3% me bazë vjetore. Koncesioni është miratuar në vitin 2011.
Koncesionet e formës PPP u rritën me 12.5% në vitin 2022
Shoqëri të reja koncesionare kanë hyrë në listën e më të mëdhave që nga viti 2018, duke reflektuar valën e re të projekteve të Partneritetit Publik-Privat, ku po angazhohet qeveria shqiptare, ndërsa të tjera vijojnë të ngjiten te më të mëdhatë.
Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2023 rezultojnë 10 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore. Pagesat faktike për vitin 2022, në total rezultuan në rreth 12.6 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivelme një vit më parë.
“GJOKA 87″, e krijuar në prill 2018, në pronësi të “Gjoka Konstruksion”, po ndërton me koncesion Rrugën e Arbrit. Kompania raportoi 2.9 miliardë lekë të ardhura (+7.6%), ndonëse punimet kryhen nga shoqëria mëmë “Gjoka Konstruksion”.
Në funksion të përmbushjes së veprimtarisë së saj sipas statutit dhe objektit të aktivitetit për të cilën është krijuar, shoqëria “Gjoka 87” sh.p.k. ka nënkontraktuar për realizimin e punimeve shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a., i miratuar nga Autoriteti Kontraktor. Sipas raportit të aktivitetit, “për vitin 2023, të ardhurat e realizuara për punimet e kryera në Rrugën e Arbrit janë 2,862,609,676 lekë.
Në total janë realizuar 87% e punimeve të parashikuara për ndërtimin e kësaj rruge. Për vitin 2023 kemi një shtim të shpenzimeve për interesa krahasuar me vitin 2022, si rezultat i rritjes së normës së interesit të huasë bankare.
Burimet e financimit për këtë projekt bazohen në gjendjen financiare të shoqërisë ‘Gjoka Konstruksion’, si dhe në financimet nga bankat e nivelit të dytë”. Kompania merr më pas pagesa vjetore nga buxheti, bazuar në kontratën koncesionare dhe parashikimet buxhetore për pagesat e koncesioneve.
“Albanian Highway Concession” ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot-Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj nisi vetëm në shtator të vitit 2018. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila). Kompania raportoi të ardhura 2.1 miliardë lekë në vitin 2023, me rënie prei 2.2% me bazë vjetore.
“SaniService” fitoi në vitin 2015 koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar. Kompania deklaroi në bilanc rritje me 4%, në 1.48 miliardë lekë, duke mos hyrë në renditjen e “Monitor 200”.
Për këtë koncesion kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas kallëzimeve se ky projekt është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare. Në gusht 2023, SPAK lëshoi 8 fletë arresti për persona të lidhur me këtë koncesion.
Koncesionari tjetër në shëndetësi, “3P Life Logistic”, raportoi të ardhura prej 731 milionë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.
Kompania tjetër “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni, raportoi në vitin 2023 rreth 852 milionë lekë të ardhura, me rritje 5.5% me bazë vjetore. Kompania merr financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që ajo ofron prej disa vitesh në disa qytete të vendit.
Sipas kontratës me qeverinë, “DiaVita” do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan.
“Laboratory Network” ofron me koncesion shërbimin laboratorik. Të ardhurat e kompanisë, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ishin 1.72 miliardë lekë në vitin 2023, me zgjerim vjetor 11.6%.
Ky është dhe koncesioni që po merr pagesat më të mëdha në fushën e shëndetësisë.
Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro, dhe afati i saj përfundon në vitin 2028.
Inceneratorët
Inceneratorët janë koncesionet më të debatuara, për shkak të abuzimeve të mëdha që po gjen hetimi i SPAK, i cili i ka bllokuar që të tria kontratat.
Koncesioni i trajtimit të mbetjeve në Elbasan (“Albtek Energy”), me kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh, me kapacitet përpunues rreth 120-140 tonë/ditë, sipas deklarimeve zyrtare në kontratë, u pezullua në mar nga SPAK.
Kompania i kishte marrë të gjitha financimet nga buxheti para se të bllokohej. Në vitin 2022 dhe 2023, financimi ishte zero. Në total, gjatë periudhës 2017-2021, kompania ka marrë 2.4 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.
Inceneratori i trajtimit të mbetjeve në Fier (“Integrated Technology Waste Treatment Fier”), me kosto totale prej 3.97 miliardë lekësh dhe kapacitet përpunues rreth 180- 200 tonë/ditë, u pezullua nga SPAK po në mars 2022.
Për vitin 2022, Ministria e Financave ka paguar për këtë koncesion 376 milionë lekë, ose 45% më pak se viti i mëparshëm. Në 2023 nuk kishte pagesa për këtë koncesion. Në total, për periudhën 2017-2022 janë paguar gjithsej nga buxheti 4 miliardë lekë.
Projekti i tretë është Trajtimi i mbetjeve në Tiranë (“Integrated Energy B.V sh.p.k.”), me kosto totale 40 miliardë lekë dhe kapa përpunues rreth 550-800 tonë/ditë.
Edhe për këtë projekt, pas një procesi të gjatë hetimesh, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë vendosi në gusht 2023 masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi kompaninë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” që zotëron koncesionin e Tiranës, dhe të gjitha pasuritë e tjera në emër të kompanisë.
Akuzat janë për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim.
“Integrated Technology Services”, që po
zbaton projektet e inceneratorëve të Tiranës, ishte edhe në vitin 2023 në listën e 200 më të mëdhave. Kompania nuk ka dorëzuar bilanc, por sipas të dhënave të Tatimeve, ka deklaruar të ardhura prej 1.8 miliardë lekësh, me rënie rreth 30% me bazë vjetore. Në total, vetëm nga buxheti i shtetit, në periudhën 2018-2023, koncesionari ka marrë 6.5 miliardë lekë.
Fillimi i hetimit për të tre inceneratorët, atë të Elbasanit që punoi vetëm një vit dhe Fierit që ka përfunduar, (por nuk është vënë asnjëherë në punë), dhe të Tiranës (ndërtimi i të cilit nuk ka filluar), vuri më tepër në dukje për shoqërinë se me inceneratorët, jo vetëm që nuk është përmirësuar situata mjedisore e plehrave në vend, por edhe kostot e buxhetit janë të larta.
Nga hetimi, SPAK ka gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesioneve e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënie të pagesave për punime që nuk janë kryer.
Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre e deri te faturimet fiktive për të rritur shpenzimet e për të ulur barrën tatimore.
Për koncesionet në hetim, buxheti ka dhënë deri tani 335 milionë euro
Pas vitit 2015, qeveria nisi me vrull praktikën e dhënies së koncesioneve për shumë shërbime e projekte, që ajo synonte të realizonte.
Pavarësisht kundërshtimeve, që në fillim, nga institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat kërkonin që të bëhej një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve, institucionet shtetërore nuk ndalën.
Në vitin 2015 u dhanë koncesioni i sterilizimit dhe i check-up. Në vitin 2016 u dha me koncesion dhe dializa, ndërsa në 2019-n, ai i laboratorëve, të gjitha në fushën e shëndetësisë.
Në vitin 2015 nisi dhe praktika e dhënies së koncesioneve të inceneratorëve, me Elbasanin, që në vitin 2017 u zgjerua me Fierin dhe në vitin 2019, me Tiranën.
Në vitin 2017 u dha me koncesion mirëmbajtja e rrugës Milot – Morinë dhe në vitin 2018 u dha me koncesion Rruga e Arbrit.
U rishikua dhe koncesioni i skanimit, i cili ishte miratuar në vitin 2013 nga qeveria në ikje e atëhershme dhe për të hequr barrën nga bizneset, qeveria mori përsipër të paguajë një pjesë të kostos nëpërmjet buxhetit.
Të gjitha koncesionet e sipërpërmendura përfitonin pagesa direkte nga buxheti i shtetit. Shtimi i këtyre pagesave detyroi qeverinë, pas presionit të FMN-së që të vendoste një rregull fiskal, sipas të cilit shuma totale e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.
Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Kufiri deri tani nuk është tejkaluar asnjëherë, por realiteti po tregon se në pjesën më të madhe, këto pagesa kanë qenë joeficiente në kosto, përderisa një pjesë e madhe e koncesioneve është tashmë nën hetim zyrtar nga SPAK, struktura e posaçme antikorrupsion.
Të dhënat e Ministrisë së Financave, në buxhetet faktike 2017-2023, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se në shtatë vjet, buxheti i shtetit ka paguar në total 71 miliardë lekë (rreth 700 milionë euro) për 12 koncesione:
Rruga e Arbrit; skanimi; sterilizimi; laboratorë; Inceneratori i Tiranës; check-up; dializa; mirëmbajtja Milot-Morinë; infrastruktura arsimore; Inceneratori i Fierit; Orikum-Dukat; Inceneratori i Elbasanit.
Shuma më e lartë është dhënë për Rrugën e Arbrit (15.7 miliardë lekë), sterilizimin (11.1 miliardë lekë), skanimin (10.8 miliardë lekë), Inceneratorin e Tiranës (6.5 miliardë lekë) shiko tabelën e plotë: Pagesat faktike nga buxheti i shtetit për koncesionet 2017-2023.
Nga këto 12 koncesione, për gjashtë prej tyre tre inceneratorët, check-up dhe sterilizimi e laboratorët – është hapur hetim zyrtar ose kanë filluar procedurat nga SPAK me akuza për korrupsion, shpërdorim detyre e deri te pastrim parash.
Shuma totale e dhënë nga buxheti për këto pesë koncesione për periudhën 2017-2023 është 33.5 miliardë lekë (rreth 335 milionë euro), që përbën 47% të pagesave total janë bërë nga buxheti për të gjitha koncesionet!!
Edhe vetë Financat kanë shprehur shqetësimin se kontratat koncesionare nuk po kontrollohen dhe as monitorohen në respekt të detyrimeve ligjore dhe marrëveshjeve ndërmjet shtetit dhe privatit, që janë instrumente të detyrueshme.
/Monitor
Presidenti Joe Biden ka besim se zgjedhjet në SHBA do të jenë “të lira dhe të drejta”, por nuk është i sigurt se do të jenë “paqësore”.
“Gjërat që ka thënë Trump dhe gjërat që tha herën e fundit kur nuk i pëlqeu rezultati i zgjedhjeve ishin shumë të rrezikshme”, tha ai në konferencën për mediat, duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2020 kur Biden mundi Donald Trump.
“Jam i shqetësuar për atë që ata do të bëjnë,” shton presidenti.
Biden nuk është paraqitur kurrë në dhomën e konferencës në Shtëpinë e Bardhë gjatë kohës së tij si president, në kontrast me paraardhësin e tij Trump, i cili fliste shpesh me shtypin në dhomë.
Ndërsa foli shkurtimisht me gazetarët, Biden vlerësoi zëvendëspresidenten e tij Kamala Harris, kandidatja demokrate për presidente, dhe punën e saj në ditët e fundit në përgjigjen ndaj uraganit Helene dhe krizës në Lindjen e Mesme.
“Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me të,” tha Biden.
Anija pa flamur në Adriatik, dyshohet se transporton eksploziv drejt IzraelitAnija e mallrave Kathrin, për të cilën organizata ndërkombëtare joqeveritare Amnesty International (AI) beson se, ndër të tjera, po transporton eksploziv në Izrael, duhet të mbërrijë në portin e Koprit në Slloveni.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Zyra e kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, por pa dhënë informacion për datën e saktë.
Ky informacion, ndonëse i pasaktësuar, është ndër të dhënat e rralla zyrtare për anijen MV Kathrin, e cila që prej datës 21 korrik lundron nga Vietnami drejt Portit të Koprit në Adriatik, i cili, siç tha zyra e Golobit, do të shërbejë si pikë transiti drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE), për ngarkesën që transporton anija.
“Porti i Koprit është pika hyrëse në BE. Kjo do të thotë se ngarkesa vazhdon rrugën drejt destinacioneve në BE”, thuhet nga Zyra e kryeministrit të Sllovenisë.
Nga korriku deri më 3 tetor, lundrimi i anijes Kathrin, e cila tash e tri ditë po qëndron në një vend në detin Adriatik, pranë brigjeve të Kroacisë dhe Malit të Zi, shkaktoi reagime të zyrtarëve të Namibisë, Portugalisë, organizatave dhe aktivistëve ndërkombëtarë, për shkak të ngarkesës që po transporton dhe destinacionit të mundshëm përfundimtar – Izrael.
Amnesty International dhe Kombet e Bashkuara u bënë thirrje vendeve të mos lejojnë hyrjen e anijes në portet e tyre “duke pasur parasysh rrezikun e qartë se një ngarkesë e tillë do të kontribuonte për kryerjen e krimeve të mundshme të luftës në Gazë”.
Këto agjenci nuk shpjeguan pse ngarkesa nuk u dërgua drejtpërdrejt në Izrael ose pse u zgjodhën portet në Adriatik për shkarkim.
Në itinerarin e anijes Kathrin, e cila lundronte nën flamurin portugez, ishin Namibia, Portugalia, Malta, ndërkaq në ueb faqen MarinTraffic për monitorimin e trafikut detar – destinacion ishte edhe Porti i Tivarit në Malin e Zi.
Më 1 tetor, Porti i Tivarit i tha REL-it se nuk ka marrë njoftim për hyrjen e anijes.
Të premten, më 4 tetor, anija qëndronte në Adriatik rreth 75 milje detare ose rreth 140 km nga Porti i Tivarit dhe se dy ditët e fundit lëvizte në një rreth prej disa kilometrash, pa të dhëna të qarta se në çfarë drejtimi do të shkonte.
Në fund të gushtit, Namibia ndaloi ankorimin për Kathrin
Informacionet e para për anijen Kathrin u shfaqën në media në muajin gusht, kur Qeveria e Namibisë ndaloi ankorimin e anijes në portin Walvis Bay (Gjiri Walvis).
Më 27 gusht, media shtetërore New Era publikoi një artikull se si Namibia “bllokoi një anije që transportonte armë të destinuara për Izraelin” të ankorohej në një port të këtij vendi.
Ministrja e Drejtësisë, Yvonne Dausab, u kërkoi autoriteteve të mos lejojnë Kathrin të hyjë në ujërat e Namibisë.
Sipas ministres Dausab, “vendimi është në përputhje me qëndrimin e Namibisë për konfliktin e vazhdueshëm izraelito-palestinez, duke reflektuar mbështetjen e vendit për popullin palestinez dhe thirrjen e tij për t’i dhënë fund dhunës”.
Duke cituar një hetim policor, ministrja tha se anija “me të vërtetë transportonte materiale shpërthyese të destinuara për Izraelin, dhe për këtë arsye i është ndaluar hyrja në ujërat e Namibisë”, transmetoi BBC.
Çfarë transporton Kathrin?
Anija Kathrin, e ndërtuar në vitin 2010 në kantierin e anijeve Dongfang në Yueqing, Kinë, është një anije mallrash që mund të transportojë ngarkesë deri në 7.138 ton.
Sipas informacioneve nga policia namibiane, aktualisht është i ngarkuar me 60 kontejnerë trinitrotoluen (TNT) dhe tetë kontejnerë me eksploziv heksogen, një prej të cilëve është i destinuar për Izraelin.
REL-i nuk arriti të konfirmojë në mënyrë të pavarur informacionin se kujt i drejtohet ngarkesa e anijes Kathrin dhe as si planifikohet shpërndarja e saj e mëtejshme.
Trinitrotolueni dhe heksogeni janë eksplozivët më të përdorur ushtarakë.
Duke u bazuar në këto informacione, Kombet e Bashkuara kërkuan embargo të armëve. Në fund të gushtit, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për territoret palestineze, Francesca Albanese, u bëri thirrje vendeve që të refuzojnë hyrjen e anijes në portet e tyre, duke pretenduar se këta eksplozivë janë “përbërës kyç në bombat ajrore dhe raketat që Izraeli përdor kundër Gazës së rrethuar”.
A e hoqi ndërkohë anija flamurin e Portugalisë me të cilin lundronte?
Anija Kathrin lundroi nën flamurin e Portugalisë dhe është e regjistruar në Madeira, ndërkaq ajo është në pronësi të kompanisë gjermane Lubeca Marine Germany Gmbh & Co Kg.
Në një bisedë të shkurtër telefonike, kjo kompani i tha REL-it se nuk do që të komentojë asgjë lidhur me anijen Kathrin.
Pasi autoritetet e Portugalisë, sipas agjencisë së lajmeve Lusa, nisën një hetim për rastin e transportimit të lëndëve plasëse, anija Kathrin kërkoi heqjen e flamurit të vendit, që është një vendim i pakthyeshëm, raportojnë mediat shtetërore portugeze, duke cituar një burim zyrtar qeveritar.
“Të premten, më 27 shtator, pronari i anijes kërkoi zyrtarisht dhe në mënyrë të pakthyeshme anulimin e regjistrimit në Madeira, duke kërkuar kështu heqjen e flamurit portugez”, tha po ai burim.
Media shtetërore, RTP, raportoi se nisma e kompanisë që zotëron anijen erdhi pas një “kërkese për sqarim” nga Qeveria portugeze.
Në tekst thuhet se anija po transporton lëndë shpërthyese të destinuara për prodhuesit e armëve në Izrael, Poloni dhe Sllovaki.
Mediat portugeze raportuan se një anije pa flamur nuk mund të hyjë në asnjë port, çka mund të sqarojë faktin se pse Kathrin prej ditësh qëndron në vend, me lëvizje minimale në detin Adriatik.
Më herët ishte paralajmëruar se në Portin e Tivarit do të hyjë të enjten, më 3 tetor, nga ku do të vazhdojë për në Kopër të Sllovenisë, i vetmi port slloven ndërkombëtar i mallrave, i cili ka rëndësi kyç për lidhjen e Evropës Qendrore dhe Lindore me Mesdheun.
Informatat jozyrtare nga Administrata Detare e Sllovenisë
Nga Administrata për Çështje Detare e Sllovenisë i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë pasur njoftim zyrtar para ardhjes së anijes Kathrin.
“Kemi informacione jozyrtare të marra nga agjenti në anije, për planin e mbërritjes në Portin e Koprit”, thanë nga ky institucion, pa saktësuar detaje të tjera.
Të dhënat jozyrtare për heqjen e flamurit portugez nga Kathrin, Administrata për Çështje Detare i ndau me organizatën Amnesty International në Slloveni, duke thënë se ende nuk ka përfunduar kalimi nga regjistri portugez i anijeve në regjistrin e një vendi tjetër.
Është thënë se anija do të mund të lundrojë në Portin e Tivarit vetëm pasi të ketë një flamur të ri, ku synon të shkarkojë një pjesë të ngarkesës, thuhet në informacionin që Amnesty International në Lubjanë ndau me REL-in.
“Pas lundrimit nga Porti i Tivarit, ai ka destinacion Portin e Koprit, ku do të shkarkojë pjesën tjetër të ngarkesës që destinacion ka Poloninë, Çekinë dhe Sllovakinë”, thuhet në emailin që Administrata për Çështje Detare i ka dërguar Amnesty International.
Ndërkohë, disa media kanë shkruar se në vend se drejt Tivarit, anija do të lundrojë drejt portit kroat të Ploçës.
Nga ky port i thanë Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk kanë konfirmim nëse anija do të ankorohet në Ploçe.
Gjermania, Franca dhe vende të tjera të BE-së kërkojnë përshpejtim të dëbimit të emigrantëve
Shtatëmbëdhjetë vende evropiane i bënë thirrje Komisionit Evropian të premten të shtrëngojë rregullat e BE-së për rikthimin e emigrantëve të parregullt në vendet e tyre të origjinës. Kjo mësohet nga një dokument i nënshkruar një javë përpara takimit të nivelit të lartë, ku pritet që emigracioni të jetë ndër çështjet që do të shqyrtohen.
Letra drejtuar organit ekzekutiv të bllokut është firmosur nga 14 nga 27 vendet anëtare, ndër to Gjermania, Franca dhe Italia, si dhe tre vende të tjera nga zona e lëvizjes së lirë Shengen– Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni.
Ky zhvillim vjen pas mbajtjes së disa proceseve zgjedhore në mbarë BE-në, ku dominoi çështja e emigracionit, si dhe kërkesave në rritje nga disa pjesë të kontinentit për një sistem më të fortë kontrolli.
“Mesazhi kryesor për Komisionin për të cilin biem të gjithë dakort është se na duhet një sistem më i fortë riatdhesimi, me kritere më të qarta dhe më pak interpretime nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë”, tha një diplomat i një prej vendeve firmëtare.
Vendet nënshkruese thonë se rregullat e tanishme lënë hapësira të tepruara për interpretime, të cilat u janë lënë gjithnjë e më shumë në dorë gjykatësve dhe jo qeverive të zgjedhura me votë, shtoi diplomati, i cili kërkoi mos t’i bëhej publik emri për shkak të ndjeshmërisë së temës.
Komisioni Evropian nuk pati koment të menjëhershëm, por emigracioni pritet të luajë një rol kyç në zgjedhjet parlamentare të Gjermanisë vitin e ardhshëm dhe kjo çështje pritet të dominojë axhendën e Komisionit të ri që pritet ta fillojë detyrën në dhjetor.
Emigracioni pritet të jetë gjithashtu pjesë e axhendës së udhëheqësve të BE-së që do të takohen për bisedime në 17-18 tetor, ndërsa muajin e kaluar Gjermania riktheu në fuqi kontrollet e përkohshme në kufi. Kryeministri francez Michel Barnier tha se Parisi do të shqyrtojë një masë të ngjashme.
Koalicioni qeveritar i Gjermanisë ka ashpërsuar qëndrimin për emigracionin pas një rritjeje të fluksit të emigrantëve dhe të mbështetjes për të djathtën e skajshme në opozitë dhe konservatorët.
MASAT E KONTROLLIT
Javën e kaluar, votuesit në Austri i dhanë fitoren për herë të parë Partisë së Lirisë, e cila ka qëndrime anti-emigracion, euro-skeptike dhe për marrëdhënie më të mira me Rusinë.
Pas dekadave të tëra diskutimesh, Bashkimi Evropian ra dakort për disa rregulla të reja vitin e kaluar, për ndarjen e kostove dhe përgjegjësive për kujdesin ndaj emigrantëve. Letra, me përmbajtjen e së cilës u njoh agjencia e lajmeve Reuters, thotë se duhen forcuar politikat për riatdhesimin.
“Personat që nuk kanë të drejtën e qëndrimit, duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në letër.
Letra i bën thirrje Komisionit Evropian të propozojë një ligj të ri ku do të thuhej qartë se qeveritë kanë të drejtën të arrestojnë emigrantët e paligjshëm që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare – një opsion që është diskutuar që nga viti 2018, por që nuk është miratuar ndonjëherë.
Letra gjithashtu bën thirrje për harmonizimin dixhital të çështjeve të regjistruara për emigrantët, në mënyrë që të gjitha vendet të kenë të njëjtin program kompjuterik. Kjo do të ndihmonte për identifikimin dhe trajtimin e rasteve të të njëjtëve emigrantë që paraqiten në vende të ndryshme të BE-së.
Letra i bën thirrje Komisionit të propozojë që emigrantët të kenë detyrimin të bashkëpunojnë me autoritetet.
“Ndodh rëndom tani që procedurat e riatdhesimit ndërpriten, pasi personat nuk bashkëpunojnë për t’u identifikuar, apo zhduken krejtësisht nga radari, ose bëjnë apelime të vazhdueshme”, tha diplomati evropian./VOA
Pozitiv në testin e dopingut, ulet pezullimi për Paul Pogba në 18 muaj! Rikthehet tek Juventus?Pezullimi me 4 vite i Paul Pogba pasi rezultoi pozitiv në testin e dopingut është reduktuar në 18 muaj pas një apeli të suksesshëm në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Pogba, i cili doli pozitiv për dehidroepiandrosteron (DHEA) në ndeshjen e parë të sezonit 2023/24, është i lirë të fillojë të luajë sërish për Juventusin nga marsi i vitit të ardhshëm.
Gjykata Kombëtare Anti-Doping (TNA) e Italisë pranoi kërkesën e Prokurorisë Anti-Doping për të dhënë një pezullim katërvjeçar marsin e kaluar, që është kohëzgjatja standarde e ndalimit sipas Kodit Botëror Anti-Doping (WADA).
Kjo nënkuptonte se Pogba nuk do të kthehej në futboll deri në mars të vitit 2027.
Gjoba prej 5,000 € e vendosur ndaj Pogba është lënë mënjanë dhe CAS do të shpallë zyrtarisht uljen e pezullimit të hënën.
Një ndalim katër-vjeçar anti-doping mund të reduktohet në rastet kur një atlet mund të provojë se nuk ishte i qëllimshëm, ishte rezultat i kontaminimit, ose nëse ata mund të ofrojnë “ndihmë të konsiderueshme” për të ndihmuar hetuesit.
Mark Zuckerberg i zë vendin Jeff Bezos si personi i dytë më i pasur në botë! Fronin e mban Elon Musk
Bashkëthemeluesi dhe CEO i Meta Mark Zuckerberg tani është personi i dytë më i pasur në botë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.
Me një vlerë neto prej 206 miliardë dollarësh, e nxitur nga një rritje e fundit në aksionet e kompanisë mëmë Facebook, Zuckerberg kaloi themeluesin e Amazon (AMZN +1,71%), Jeff Bezos duke i zënë vendin e dytë në listë.
Shumica e pasurisë së Zuckerberg vjen nga afërsisht 13% e aksioneve të tij në Meta, sipas Bloomberg. Zuckerberg shtoi 3.43 miliardë dollarë në pasurinë e tij ditën e kaluar dhe e ka rritur pasurinë e tij me 78.1 miliardë dollarë këtë vit deri më tani.
Ndërkohë, aksionet e Metës janë rritur me 69% nga viti në ditë, duke u tregtuar me 585,83 dollarë secila që nga mëngjesi i së premtes. Kompania ka një vlerësim tregu prej 1.48 trilion dollarë.
Pasuria neto e Bezos ishte 205 miliardë dollarë që nga e premtja. Pasuria e pronarit të Blue Origin ra 1.5% të premten, duke hequr 2.62 miliardë dollarë nga pasuria e tij neto.
Zuckerberg, Bezos dhe Elon Musk janë aktualisht tre personat e vetëm në botë që kanë një pasuri neto prej më shumë se 200 miliardë dollarë.
Bernard Arnault, CEO i LVMH (MC +2,27%) i cili mban vendin e katërt në indeksin e Bloomberg, vlerësohet në 193 miliardë dollarë.
Musk është personi më i pasur në botë, sipas Bloomberg dhe Forbes. Sipas Bloomberg, Tesla (TSLA +3,37% ) dhe CEO i SpaceX ka një vlerë neto prej 256 miliardë dollarë (Forbes e vendos atë në 263 miliardë dollarë).
Musk është bashkëthemeluesi i shtatë kompanive dhe ka aksione të konsiderueshme në një numër prej tyre, duke përfshirë prodhuesin e automjeteve elektrike Tesla dhe kompaninë e hapësirës ajrore SpaceX.
Taylor Swift është shumë e varfër për të qenë në listën e të pasurve të ForbesTaylor Swift doli nga lista e miliarderëve të Forbes në vitin 2024, pavarësisht një viti shumë të suksesshëm në turneun e saj Eras.
Lista e Forbes zbulon 400 njerëzit më të pasur në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe për t’u kualifikuar, një person duhet të ketë grumbulluar të paktën 3.3 miliardë dollarë dhe vlerë neto, që është një numër që Swift i bie në mënyrë drastike.
Ylli 34-vjeçar i pop-it ka një vlerë neto prej rreth 1.1 miliardë dollarë sipas Forbes në prill 2024 që do të thotë se ajo duhet ta trefishojë atë për t’u kualifikuar, ndërsa ajo thjesht nuk është askund afër fundit të listës që përfshin Mark Zuckerberg dhe Elon Musk.
I renditur i 399-ti është Frank VanderSloot, i cili e bëri pasurinë e tij përmes produkteve ushqimore dhe mirëqenies.
Kush është në krye të listës?
Njeriu më i pasur në botë vazhdon të jetë Musk, i cili kryeson listën me një pasuri prej 244 miliardë dollarësh, pavarësisht se humbi shtatë miliardë në vlerë përmes menaxhimit të tij të dështuar të X.com, më parë (dhe për shumë njerëz ende) i quajtur Twitter.
Ai mundi Bezos me gati 50 miliardë dollarë pasi manjati i Amazon humbi një sasi të konsiderueshme pasurie si pjesë e divorcit nga gruaja e tij.
Zuckerberg, themeluesi i Facebook, është i treti përpara Larry Ellison (Oracle) dhe Warren Buffett (Berkshire Hathaway) në pesëshen e parë.
Cili shtet ka më shumë miliarderë?
Kalifornia krenohet me numrin më të madh të miliarderëve me 82 prej tyre në shtetin e artë, ndërsa Zuckerberg kryeson listën, krahasuar me 57 për Nju Jorkun dhe Florida, të cilët renditen të dytat në listë.
Teksasi, shtëpia e Musk, ka 43 miliarderë, ndërsa gjithsej 11 shtete, përfshirë Alaskën, nuk quhen shtëpi nga një miliarder.