zoom

Day ArchiveNga Showbizz-i tek Doganat, moderatorja shqiptare lë televizionin për administratën

Moderatorja Ester Bylyku, e cila prej 9 vitesh ka moderuar emisionin “Glamour Zone”, ka ndërmarrë një hap të ri në karrierën e saj.

Bylyku nga ambientet e një limuzine ku realizonte intervistat për emisionin e saj do të kalojë në zyrën drejtuese të policisë gjyqësore që do të bëjë procesin e vetingut në Doganat shqiptare.

Tani, të gjithë doganierët do të merren në pyetje prej saj.

E përfshirë prej shumë kohësh në botën e showbizz Esteri tanimë do të duhet të vishet vetëm me kostume zyrtare për të kryer më së miri detyrën e re.

Bamirësia e shëmtuar e politikanit

Nga Gjergj Erebara

Në mënyrë të përsëritur, deputeti socialist Vullnet Sinaj, na vuri në dukje këto ditë se ai e ka zemrën kaq të madhe, sa pagën e tij si deputet e jep për bamirësi. Sinaj gjeti të përdorë argumentin e bamirësisë për të zhvlerësuar faktin që institucione të ndryshme shtetërore kanë bërë blerje te rrjeti i kompanive nën pronësinë e tij, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës, pavarësisht kjo nëse blerjet janë shumë apo pak apo nëse vetë Sinaj ka qenë apo jo në dijeni të këtyre transaksioneve. Por ndërsa çështja e shkeljes së Kushtetutës është një çështje tjetër, pretendimi i Sinajt për bamirësi me rrogën e deputetit është, mendoj, ku e ku më bezdisëse se sa paratë e fituara në shkelje të Kushtetutës.

Sinaj nuk është i pari në fakt që na përplas në fytyrë bamirësinë. Pak më herët, ish-kryeministri Sali Berisha bërtiti me të madhe dhe u ankua i çuditur se si, hetimi i Prokurorisë së Posaçme për dyshimet për korrupsion ndaj tij, ka përfshirë, si të dhëna që tregojnë përfitime të atij vetë, donacione që vajza dhe familja e vajzës së ish-kryeministrit kanë bërë për një fondacion të drejtuar nga bashkëshortja e tij, fondacion që ka për qëllim të ekzistencës së vet ndihmën për fëmijët me aftësi ndryshe.

Unë vetë e mbaj mend themelimin e fondacionit në fjalë si dhe disa ankande të pështira në të cilat, biznesmenë, ca të korruptuar dhe ca jo, ofruan dhe blenë me çmime të kripura piktura të ndryshme, me qëllim që të ardhurat të shkonin në ndihmë të fondacionit. Ishte një shfaqje banale, dukshëm për të shpëlarë korrupsionin me bamirësi nën pushtetin e një kryeministri, i cili, për shkak se ishte kryeministër dhe kishte në dispozicion një buxhet prej disa miliardë eurosh, mundej dhe duhej që, me paratë e taksapaguesve, të ndërtonte çfarëdolloj agjencie të nevojshme për të ndihmuar fëmijët, të rriturit, të moshuarit, njerëzit dhe kafshët, institucione për mbrojtjen e mjedisit apo për zhvillimin e artit apo të shkencës, pa pasur nevojë për të kërkuar donacion nga vajza apo nga dhëndri.

Megjithatë, puna e Berishës është një gjë që nuk ia vlen të merresh gjatë. Ai është tashmë i akuzuar dhe si i pandehur, ka të gjitha të drejtat të mbrojë veten si ta shohë të arsyeshme.

Është në fakt kjo puna e Sinajt ajo që të bezdis më shumë. Deputet biznesmen i një partie që prezantohet si e majtë, i caktuar nga kjo parti që të mbledhë votat në një nga zonat më të varfra të Shqipërisë, Sinaj është në fakt një jopolitikan i cili nuk mbahet mend të ketë folur për ndonjë gjë politike, të ketë mbajtur ndonjë qëndrim për probleme të ndryshme që normalisht shqetësojnë njerëzit e angazhuar politikisht apo të ketë iniciuar ndonjë reformë, ndonjë ndryshim për mirë në shoqërinë në të cilën jetojmë. Faqja e tij në Facebook është ajo e një roboti që rishpërndan postime të ndryshme të kryeministrit dhe të ministrave, ndërsa vetë Sinaj nuk duket sikur ka folur ndonjëherë për ndonjë gjë nga ato që zakonisht politikanët flasin deri sa bëhen bajatë. E vetmja gjë që mbaj mend që ky jopolitikan ka thënë është që e jep rrogën për bamirësi.

Nuk e vë në dyshim që rrogën mundet ta japë për bamirësi. Përderisa janë paratë e tij, ka të gjitha të drejtat të bëjë çfarë të dojë me të. Vetëm se kjo nuk është çfarë funksioni i deputetit është. Deputeti, si përfaqësues i popullit, i mandatuar për ta përfaqësuar atë, dhe me rrogën që merr pikërisht nga ky popull, në vend që të merret me këtë punë, pra përfaqësimin, të interesave dhe të shqetësimeve apo opinioneve të popullit që përfaqëson, pretendon se është bamirës pikërisht përkundrejt popullit që përfaqëson. Është njësoj sikur një punëmarrës, në ditën që merr rrogën, të shkojë te punëdhënësi dhe t’i thotë: mbaje këtë rrogën se je hallexhi, të ka zënë ndonjë siklet e të duhen ca para. Ke një familjar të sëmurë e të duhet të shkosh deri në Tiranë për një palë analiza, sepse këtu në fshat nuk ka kujdes shëndetësor. Ose të ka ngordhur lopa, apo breshëri të dëmtoi të mbjellat.

Sepse në vend që të bëjë bamirësi, Sinaj duhet të bëjë përfaqësuesin e popullit, duhet të bërtasë në parlament se pse në Shqipëri ka varfëri, pse, në zonën ku ai i mobilizon votat për partinë, ka njerëz në halle dhe në nevojë, se pse këta njerëz duhet të presin rrogën e tij dhe nuk marrin ndihmë ekonomike apo pse ndihma ekonomike është e pamjaftueshme.

Sepse ka qëlluar që jetojmë në një kohë kur bota i ka mjetet në dispozicion që të mos ketë në asnjë vend dhe asnjë fshat, sado të largët, njerëz në nevojë dhe mjeti kryesor me të cilin bota lufton këto probleme është shteti social, në të cilin, edhe të varfërit, edhe ata që nuk munden, duhet të trajtohen me dinjitet, jo me rrogën e deputetit, e cila, pavarësisht madhësisë së zemrës, nuk mjafton kurrsesi për të zgjidhur problemin e varfërisë, por përmes taksimit dhe rishpërndarjes, siç shkruhet në preambulën e Kushtetutës që Sinaj dukshëm nuk e di se e ka shkelur./reporter.al

Botohet libri i ish-gruas së ndjerë të Diddy, nga dhuna, orgjitë dhe abuzimi, çfarë përmban

Një libër i ri akuzon Sean ‘Diddy’ Combs se ka sulmuar seksualisht të dashurën e tij të ndjerë, ka regjistruar veten duke bërë seks me një adoleshent, dhe festa seksuale me një fitues të Oscarit dhe gruan e tij. Libri me 60 faqe, “Fjalët e Humbura të Kim”, pretendon të jetë një koleksion i ditarëve të Kim Porter, nëna e tre fëmijëve të tij e cila vdiq nga pneumonia në 2018.

Ai përshkruan jetën shumëngjyrëshe të dashurisë së Combs nga vitet 1990 deri në vitin e fundit të Porterit, duke përfshirë mashtrimet e supozuara me muzikantë dhe reperë kryesorë meshkuj dhe femra, dhe orgjitë e shthurura në shtëpinë e tij, në të cilat Porter mori pjesë. Libri u botua më 6 shtator, vetëm disa ditë përpara se reperi dhe themeluesi i Bad Boy Records të akuzohej për shantazh dhe trafik seksual nga prokurorët federalë në Nju Jork.

Libri ka rrëfime shqetësuese të pretenduara se Diddy e godiste Porterin pasi humbiste durimin, madje edhe i bëri kërcënime me vdekje. Në libër, Porter rrëfen zbulimin dhe bërjen e kopjeve të kasetave që Diddy i kishte bërë duke bërë seks me ‘djem të rinj’ që ai menaxhonte, duke përfshirë një kasetë të supozuar që përfshin një 18-vjeçar popstar i cili vazhdoi të ishte një emër i njohur.

Botuesi i librit me bazë në Los Anxhelos, producenti Chris Todd, pretendon se Porter ndau një pjesë të shkrimit të saj me miqtë e ngushtë, të cilin e mori dhe e redaktoi në një libër me pseudonimin Jamal T Millwood. Libri është shënuar si i shtypur në Las Vegas më 7 shtator 2024.

“Kjo është një situatë e rrezikshme dhe nuk doja të pretendoja pronësinë e fjalëve të Kim. Por tani jam i gatshëm të paraqitem për shkak të arrestimit të fundit të Sean Combs. Tani qeveria federale më në fund ka vepruar, ndihem më i sigurt për të dalë përpara.” tha Todd.

“Ai organizoi festa që ishin thjesht orgji dhe të gjithë donin të merrnin pjesë,” pohoi kujtimet e Porter. “Ne jo vetëm që kishim treshe, por ndërruam edhe partnerë. Jeta jonë seksuale ishte e çmendur, por unë arrita të bëja gjëra me Seanin që nuk do të kisha mundur t’i bëja kurrë me një burrë heteroseksual.”

Porter dyshohet se ka shkruar se ajo dhe Diddy kishin një ‘marrëdhënie të hapur’ dhe se ajo flinte rregullisht me reperin legjendar të ndjerë Tupac Shakur.

Libri përshkruante një tjetër incident të supozuar në banesën e Porterit.

“Ai më përplasi ashpër në tokë. Më pas ai nxori një [pistoletë] 0,22 dhe e uli në tavolinën fundore”, pohoi libri. “Ai u gjunjëzua në njërin gju dhe u kthye drejt në fytyrën time për të thënë, “Ti je e imja. Nuk ke zgjidhje për këtë tani. Unë nuk mund të jetoj pa ty”.

“Ai është një përbindësh i tmerrshëm.” thotë Porter. “Disa nga kasetat kishin gjëra që nuk do t’i prisja kurrë, festat e homoseksualëve janë një gjë, por djemtë e rinj, si [dy yje të hip hop-it të menaxhuar më parë nga Diddy] dhe [ylli i atëhershëm 18-vjeçar i popit]?! Nuk do ta kisha ditur kurrë’.

Botuesi i librit pretendoi se miqtë e Porter dhe Diddy që i dhanë shënimet, kishin gjithashtu kopje të kasetave të supozuara të manjatit të muzikës.

Një shqiptar mes spiunëve të Mossad

Një gjykatë në Turqi ka dhënë sot një total prej rreth 250 vjet burg për 37 të shpallur fajtorë si spiunë të Mossad-it izraelit, sipas dokumenteve të publikuara nga rrjeti arab The National.

Dënimet vijnë teksa Turqia thotë se po shton fushatën kundër spiunëve të Izraelit në vend dhe redukton lidhjet me vendin, prej opozicionit të luftës brutale që po zhvillohet në Gaza.

Ahmet Koray Ozgurun e Alperen Erkut u dënuan kësaj jave me tetë vjet burg secili për “zotërim ionformacioni të ndaluar me qëllim spiunazhi”, sipas listës së akuzave në gjykatën kriminale në Stamboll.

Ata kanë të dretën e apelit dhe koha e kaluar prapa hekurave do të llogaritet në dënim, shtojnë autoritetet.

35 të dënuarve të tjerë iu dhanë nga pesë e gjashtë vjet burg secilit për të njëjtat akuza, thuhet në dokument.

Zyrtarët turkë nuk jepnin informacione për tipin e informacioneve që ata kishin marrë në zotërim, por dënimet thonin se bazoheshin në “rëndësinë e objektit të krimit” si dhe “masën e qëllimshmërisë së të akuzuarve ”.

Avokati i të dënuarve tha se nuk kishte prova konkrete kundër tyre, shkruante rrjeti turk ‘Haberturk’. Bashkë me ta rreth 20 të akuzuar të tjerë ishin shpallur të pafajshëm për të njëjtat akuza.

Muajin e kaluar Turqia tha se kishte arrestuar një financier të Mossad në vend, kosovarin Liridon Rexhepi, a që kishte hyrë në vend më 25 gusht dhe u ndalua disa ditë më vonë nga anti-terrorizmi i Stambollit, pas sinjalizimit të inteligjencës turke MIT.

Burimet thanë asokohe Rexhepi akuzohej për “spiunazh kundër shtetit”, me transferta parash për agjentët e Mossad në Turqi, që operonin me dronë ose kryenin “operacione psikologjike kundër interesave palestineze dhe te Sirisë.

Burimet thonë se Rexhepi ka pranuar akuzat e transferimti të parave, shkruan rrjeti i EBA, The National.

Telashe për presidentin e Juventus, i sekuestrohen 75 mln euro

“Mashtrimi tatimor dhe mashtrimi ndaj shtetit”. Me këtë hipotezë krimi, Policia Financiare u sekuestroi pasuri financiare, pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme për rreth 75 milionë euro vëllezërve Xhon, Lapo dhe Ginevra.

Kjo dispozitë nga GIP e Prokurorisë së Torinos është një kapitull i ri në telenovelën që lidhet me trashëgiminë e avokatit Xhani Anjeli.

Mes figurave përfshihet edhe presidenti aktual i Juventusit , Xhanluka, Ferrero si llogaritar historik i familjes Anjeli/Elkan, si dhe noteri i Marella Agnelli, Urs Robert Von Grunigen. Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria ka dalë me një deklaratë zyrtare.

Skandal në Greqi, 10-vjeçarja shqiptare përjashtohet nga shkolla

Në epiqendër të mediave greke orët e fundit ka qenë një ngjarje serioze ndaj një nxënëse 10 vjeçe me origjinë shqiptare që ka ngjallur reagime në opinionin publik të vendit.

Sipas masave të reja të Ministrisë së Arsimit për shkrirjen e klasave në shkolla me maksimun 25 nxënës, Drejtoria e Arsimit lokal ka vendosur të përjashtojë nga shkolla 10-vjeçaren në fshatin Simantra të Halkidhikisë për të mos krijuar një klasë të dytë paralele me klasën e 5-të të shkollës fillore.

Tashmë nxënësja në fjalë duhet të ndjekë mësimet në një shkollë në fshatin fqinj, konkretisht në Portaria, që ndodhet 8 km larg dhe familja nuk mund ta dërgojë atje.

Babai i vogëlushes, Altin Tocila, dëshmon se një ditë pas ceremonisë së nisjes së vitit shkollor , drejtoresha i ka njoftuar vendimin e përjashtimit të Drejtorisë së Arsimit, pasi klasa e 5-të ka 26 fëmijë dhe nuk mund të ketë edhe një nxënës tjetër.

Pasi prindërit e vajzës kanë kundërshtuar drejtoresha ka lajmëruar policinë për të nxjerrë fëmijën nga ambientet e shkollës. Dhjetëvjeçarja madje u tremb dhe ka filluar të qajë ndaj babai e ka marrë me vete në punën e tij gjatë gjithë ditës.

Familja në fjalë ka edhe një fëmijë tjetër më të madh që shkon në gjimnazin e Mudhaniasë, 9 km larg dhe nuk mund të përballojë transportin e dy fëmijëve dhe as ta lërë një 10 vjeçare të shkojë në shkollën e fshatit fqinj vetëm me autobusin e linjës.

Familja Tocila u detyrua të shpërngulej nga Imathia në Halkidiki, në kërkim të të ardhurave më të qëndrueshme dhe kushteve më të mira të jetesës. Pasi janë vendosur në Simantra të Halkidikisë ,kryefamiljari ka gjetur punë në një fabrikë të përpunimit të ullirit kurse gruaja e tij është e papunë.

Duke denoncuar këtë ngjarje shoqata e Mësuesve të Arsimit Fillor të rajonit shpalli ndalesë pune dhe protestë dje në mesditë para Drejtorisë Arsimore në Polygyros të Halkidhikisë.
Nga ana e tyre organet vendore të arsimit,pas publikimit të ngjarjes dhe reagimeve, kanë deklaruar se po përpiqen të gjejnë një zgjidhje duke bërë një përjashtim për numrin e nxënësve në rastin në fjalë.

Detaje nga tragjedia në Itali/ Babai vrau të birin pasi tentoi të shpëtonte mamanë

Kanë dalë detaje të rënda nga ngjarja tragjike në zpnën e Vago di Lavagno në Verona, ku burri vrau gruan dhe plagosi djalin.

Mediat italiane raportojnë se 15-vjeçari kishte hyrë për të mbrojtur nënën nga plumbat dhe mbeti i plagosur rëndë, çka u desh ardhja e helikopterit për të transportiuar me urgjencë në një spital më të specializuar.

Ndëkrohë që 58-vjeçarja nuk mundi tu mbijetojë plumbave. Ishin fqinjët që njoftuan menjëherë policinë pas të shtënave me armë, të cilët sapo arritën rrethuan zonën.

Oficerët kanë vënë në pranga autorin e ngjarjes, ndërsa po punojnë për zbardhjen e shkakut që çoi në këtë tragjedi.

Sofia Loren feston ditëlindjen, sa vjeç mbush diva e kinemasë botërore

Sofia Loren feston sot 90-vjetorin.

Diva e madhe, ikona e vërtetë e kinemasë italiane, lindi më 20 shtator 1934 në Romë, por u rrit në kushte shumë të vështira në Pozzuoli, province e Napolit.

Një jetë e jashtëzakonshme, e karakterizuar nga dashuria e saj e madhe për producentin Carlo Ponti, i cili më pas u bë bashkëshorti i saj.

Cinecittà, RAI dhe Hollywood i bëjnë homazhe asaj, duke i kushtuar “Sophia Loren: Diva e Napolit”, e cila hapet me ”La Ciociara” të Vittorio De Sica, i cili i dha asaj ”Palmën e Artë” në Kanë dhe ”Oskar” në 1962.

Më pas ”La vita davanti a sé’ filmi i djalit të saj të dytë Edoardo, i cili në vitin 2020 shënoi rikthimin e yllit në ekranin e madh dhe bazohet në romanin prekës të Romain Gary.

Aktorja fitoi ”David di Donatello” me një këngë nga kolona zanore e realizuar nga Laura Pausini e cila më pas fitoi Golden Globe dhe u nominua për Oscar, ndërsa filmi hyri në top 10 në Netflix në 37 vende.

Në faturë ka edhe filma që shfaqen rrallë në Shtetet e Bashkuara, si ”Varfëria dhe Fisnikëria” ”Dasma Italiane” dhe ”Një ditë e veçantë”, filma që shënuan bashkëpunimet me Vittorio De Sica dhe Marcello Mastroianni.

Shifrat/ Zbehet shkëlqimi i sektorit turistik. Shqiptarët “sabotuan” hotelet

Në muajin korrik 2024, në Shqipëri erdhën 526.293 vizitorë, me rritje 36% nga një vit më parë.

Numri më i madh i vizitorëve ishte i atyre jo-rezidentëve, mbi 362 mijë me rritje 53%, ndërsa për vendasit rritja raportohet minimale, 9%, rreth 164 mijë në total.

Ndonëse në shifra nominale, gjatë këtij korriku ka pasur më shumë vizitorë, ritmi i rritjes është më i ulët se ai i korrikut të shkuar, kur rritja raportohej 39%.

INSTAT tregon se për të huajt, rajoni qendror dhe jugor ishte më i vizituari, ndërsa për shqiptarët, jugu dhe veriu.

Nga ana tjetër, numri i netë qëndrimeve është rritur shumë më ngadalë se një vit më parë, vetëm 16%, në total pak mbi 1.2 mln netë qëndrime. Korrikun e 2023-shit, ky tregues ishte mbi 48%.
Numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 6.2% (korrik 2023 ishte 61%).
Numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 21.3 % (korrik 2023 ishte 42.3%).

Sipas grafikëve të INSTAT, ecuria e netë qëndrimeve të korrikut 2024 është më e ulëta e raportuar në 12 muajt e fundit.

Shtetasit nga Kosova kryesojnë numrin mëbtë lartë të netë qëndrimeve në Shqipëri me 14.3% të totalit, ndjekur nga polaket me 9.2% dhe italianët e 6.9%.

Pse dashurohen “të verbërit”?

Nga Ferdinand Dervishi

Asaj gati ju morr fryma e për pak i ra zalia, kur e pa veten në prehërin e vëmendjes së Liderit. Ajo reflektonte një gjuhë trupi si të atij besimtarit të përjetshëm që një ditë e gjen veten në prehërin e vëmendjes së Zotit.

Liderit nuk i shpëtoi detaji. Pak kohë më pas shqiptarët e panë të njëjtën femër në postin e Ministers së Shëndetësisë. Dhe kur këtu plasi qelbi, e panë në një tjetër post të rëndësishëm ministror.

Tjetra e krahasoi publikisht Liderin me heroin tonë kombëtar – Skënderbeun. Pa ja bërë syri tërr për përtalljet e shqiptarëve, ajo bëri përpara me ballin lart. Lideri e kapi. Fillimisht e bëri ministreshë, tashmë edhe Kryetare Kuvendi.

Pas disa gafave të njëpasnjëshme, Lideri ju hakërrua njërit prej të vetëve – një burri që tashmë ka lënë mjekërr si Rilindas: të mbyllesh brenda në shtëpi dhe të mos shoh më të dalësh!

Pas tre muajësh, Lideri konstatoi, zëmërmbushur, “burgimin” shembullor, urdhëroi “lirimin” nga arresti shtëpiak dhe njëkohësisht emërimin e burrit me mjekërr rilindase në një post të rëndësishëm ministror.

Shqiptarët e kanë vënë re. Prej kohësh Lideri ka nisur të përzgjedhë e afrojë pranë vetës njerëz pa asnjë ngjyrë dhe pa asnjë shije. Njerëz bosh.

E nisi me ca shërbëtorë meshkuj me pamje sikur gjithë jetën ishin qethur me gërshërë bagëtish, duke rikthyer dhe hedhur vetes atë thënien e vjetër përcëlluese: “Shefa komisariati që vijnë era përç”.

Po e vijon me ca femra që sa duket ua kupton mendjen-bizele me një të kthyer të syve, si ajo që sapo emëroi Zëvëndësministre të Turizmit.

I djegur nga qulli, ai sa duket ja ka mohuar vetes të qasë ndonjë personalitet njerëzor, politik apo teknik. Dikur u dogj nga një Ben Blush i vetëm që harroi brenda vathës, më tej edhe nga një Ditmir Bushat, i cili, pa leje, tentoi të bënte shërbëtorin e kombit të vet.

Sot askush nuk e ka më shansin.

I lodhur edhe nga shqiptarët zevzekë që i zukatin në vesh dhe tentojnë ta thumbojnë në trup me qëllim që ta devijojnë në zhytjen, tashmë të pakontroll, në pusin e pafund të korrupsionit, Lideri po afron rreth vetes përherë e më shumë njerëz të verbër.

Duket gjithçka ka lidhje me jetëgjatësinë e pushtetit dhe rehatinë në majë të tij. Sa më injorantë bashkëpunëtorët, aq më të përpunueshëm dhe më të përdorshëm.

Këtë bëri edhe Enver Hoxha në fund të jetës politike e biologjike. Afroi rreth vetës një grusht askushësh të llojit Pali Miska apo Lenka Çuko.

Por, nëse në këtë periudhë Enveri donte të siguronte pushtetin personal përmes përdorimit të injorantëve, qasja e Liderit ka lidhje me sigurimin e pushtetit përmes injorantëve të përdorur.

Vetëm kjo lloj kategorie jep garanci se shërben e bindur dhe për një kohë të gjatë. Shërben duke sakrifikuar edhe veten, duke provuar edhe burgun dhe shkatërruar të ardhmen.

Kjo është edhe arsyeja përse diktatorët zgjedhin pranë vetes të verbërit. I zgjedhin, sepse të verbërit janë të përjetshëm. Atyre nuk u kthehet kurrë shikimi.