zoom

Day ArchiveFoto/ Britanikja në vrasjen e Nikulajt jashtë gjykatës, shpërtheu në lot kur mësoi për ekstradimin

Britanikja Harriet Bridgeman ishte pjesë e rëndësishme e grupit të survejimit në vrasjen e Ardian Nikulajt prillin e vitit të shkuar. I vetmi imazh i saj deri më sot është ai i fiksuar nga kamerat e sigurisë të hotel Coral nën pronësinë e viktimës.

Kjo foto është shkrepur vetëm pak minuta pasi gjykata e Londrës, vendosi që ajo bashkë me dy britanikë të tjerë dhe shqiptarin Edmond Haxhia, të ekstradohen në Shqipëri, vendim që avokatët e tyre do ta apelojnë.

Menjëherë pas vendimit Bridgeman tejet e tensionuar, ka zbritur shkallët e gjykatës për të ndezur një cigare e bërë një telefonatë. E ndërsa gjykatësi Daniel Sternberg, lexonte vendimin ajo ka shpërthyer në lot e më pas është përqafuar nga të afërmit.

Ajo do të vijojë të jetë e lirë me kusht deri në përfundim të apelimit.
Një natë përpara vrasjes, ajo bashkë me dy britanikë të tjerë, po darkonin në restorantin Coral dhe nxori kartën e kreditit për të paguar.

Por, karta nuk i punonte. Atë moment, Ardiani i thotë kamerierit se s’ka problem dhe se do t’ia paguante ai darkën.

Bridgeman u afrua dhe falenderoi Ardianin, i cili po darkonte me bashkëshorten pak metra më tej.

Po ashtu, ata kërkuan ndihmën e tij në thirrjen e një taksie për të shkuar e vizituar Lezhën, taksi e cila u pagua po prej Ardianit.

“Ai donte që turistët në hotelin tonë të ndjeheshim si mos më mirë”, shprehet një prej familjarëve të viktimës duke theksuar se trajtimin prej tij si miq, ata ia shpërblyen duke kontribuar në çuarjen informacion killerit Ruben Saraiva.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në Shëngjin, Harriet Bridgeman ka tentuar të miqësohet e të futet në muhabet me Ardian Nikulajn.
Ajo është nënë e një fëmije të sëmurë, po ashtu vuan edhe vetë me sëmundje të shëndetit mendor. Sëmundjen e fëmijës dhe të sajën, avokatët i përdorën për të bllokuar ekstradimin. Sikurse për gjendjen e saj sollën në gjykatë edhe dy mjekë si ekspertë të pavarur.

Raportet dhe dëshmitë e tyre në gjykatë, nuk e bindën gjyqtarin Daniel Sternberg, i cili lejoi ekstradimin e saj drejt Shqipërisë.

Çfarë fshihet pas sherrit në Palasë? Kush është Tur Koçeku, lidhja me Shtufin dhe kullat në Tiranë

42-vjeçari Luçiano Koçeku i njohur dhe si “Tur Koçeku”, është protagonisti i sherrit në ambientet e lokalit “Sin” që ndodhet në kompleksin “Green Coast” në Palasë.

Koçeku ka qenë i shoqëruar në ambientet e brendshme të lokalit me disa miq të tij, dhe në momentin e sherrit disa persona i janë sulur 42-vjeçarit për motive banale, sipas policisë shkak ka qenë lagia me shampanjë.

Kohët e fundit ai jetonte në Dubai dhe mbrëmjen e 24 Gushtit, kishte shkuar së bashku me miqtë dhe shoqërinë në ambientet e clabin “Sin Eat Drink Dance” në Palasë, për të ndjekur performancën e këngëtarit grek, Argiros Konstantinos.

Por rrugëtimi i Koçekut me dy emra, i njohur si në fushën e krimit ashtu edhe në të biznesit, ka pasur bashkëpunëtorë të ngushtë të tjerë personazhë që jo pak herë janë lakuar si ndërtimin e kullave në kryeqytet, ashtu edhe për të tjera ‘bëma’.

Bëhet fjalë për vëllezërit Shtufi, Ilir dhe Kujtim, kunetërit e një tjetër biznesmenit të njohur. Dy vëllezërit Shtufi zotërojnë ndër të tjera kompaninë ‘Nova Construction 2012’ që do të ndërtojë kullën “Mali i Tiranës”.

I lindur në Bulqizë, Luçiano (Tur – Artur) Koçeku ka zgjeruar aktivitetet e tij që datojnë nga viti 2014.

Më datë 13.09.2014 është themeluar shoqëria “LTD Co” shpk që ka si ortakë: Ilir Shtufin në masën 10%, Lucjano Koceku në masën 40% dhe Kujtim Shtufi në masën 50%.

Më datë 13.08.2019 është themeluar shoqëria “KORÇA PHOTOVOLTAIC PARK” sh.p.k. Ortak i vetëm themelues i shoqërisë ka qenë Ilir Shtufi, por përmes kontratës së shitjes të kuotave me nr. 2391 rep., nr. 911 kol., datë 22.05.2021, ky i fundit vendosi të transferojë 40 për qind të kuotave të kapitalit tek Luçiano Koçeku.

I vetëm Koçeku zotëron tre shoqëri të tjera: S G D Energjime subjekt prodhim, tregtim dhe furnizim të energjisë elektrike me administrator Myfit Duriçin; BALLENJA-KOMPANI me të njëjtin subjekt, por me një ndryshim jodhe aq të vogël.

Ballenja Kompani ka marrë dhe një koncension për ndërtimin e Hidrocentralit “Ballenjë” duke shfrytëzuar ujërat e pellgut ujëmbledhës së Ballenjës në Bulqizë me fuqi 1.000 kw dhe energjia mesatare vjetore 4.197.824 kwh/vit.

G.A.V Invest është një tjetër kompaninën emrin e Koçekut që operon në fushën e ndërtimit dhe ka për administrator Ledio Tushën.

Tur Koçeku e ka ndarë jetën mes Tiranës ku ka biznese të tjera dhe në Dubai ku ishte vendosur prej kohësh.

Kohët e fundi, Tur Koçeku pjesën më të madhe të kohës e kalonte në Dubai, ku mendohet se ka shtrirë aktivitetin e tij.

Sipas burimeve, sherri nga ndodhur mes grupit të Tur Koçekut dhe Fatmir B, i cili ka qenë i shpallur në kërkim nga Policia për ngjarjen e 12 shkurtit 2024, ku ai plagosi me thikë te lokal “De Capo” në Komunën e Parisit, shtetasin Mirel Ishka pas një sherri për motive banale.

Sherri që raportohet se ka nisur për shampanjën, mendohet se ka shërbyer si pretekst për konfliktin mes dy grupeve, ku Fatmir B., është pjesë e një tjetër grupi që vepron kryesisht në kryeqytet, me lidhje të shtrira fort në botën e biznesit, ku po në një nga restorantet e kontrolluara nga ky grup, disa muaj më parë ndodhi një konflikt me armë zjarri.

Një trajner serb tek Partizani, reagon reperi shqiptar: Turp

Partizani firmosi me trajnerin serb Aleksandar Veselinovic, veprim ky që solli reagimin e shumë tifozëve. Së fundmi, këngëtari i njohur, Arkimed Lushaj ka bërë një postim në rrjetet sociale ku shpreh pakënaqësinë e tij.

“Dhe për ta mbyll: nuk ka faj flamuri kuq e zi mos flisni në emër të flamurit kuq e zi sepse fajin e kanë ato që e drejtojnë këtë vend… dhe që e sjellin këtë trajner këtu në zemër të Tiranës, mirëpo prandaj na ka fal zoti ndryshe dhe s’jemi njësoj, na ka hy dreqi në gjak dhe po kthehemi kundra vëlla-vëllait e motra-motrës, turp, e për ça? Sepse del dikush e bën deklarata të tilla? Kur doli gazetari me maic të Serbisë isha i pari që reagova dhe do jem gjithmonë kundra këtyre që punojnë për Serbi e Rusi që financohen nga ato? Tugn tung ishmi”, shkruan Stresi, i cili njihet si një tifoz i Tiranës.

Si do të ishte sot Europa pa Shqipërinë?

Nga Lutfi Dervishi

Një kontinent që është në buzë të katastrofës demografike, Shqipëria, që jo rrallë po mban peshë më shumë se ç’i mbajnë gjunjët, peshë që duhet ta mbanin fuqitë e mëdha, po shfaqet si një një superfuqi humanitare.

Ndërsa BE po përballet prej dekadash me plakjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore, Shqipëria ka marrë përsipër detyrën herkuliane për të shpëtuar e vetme unionin.

Gjermania, vendi që është quajtur motorri ekonomik i Europës po përballet me deficit të fuqisë punëtore dhe me tepricë të pensionistësh. Por ndërhyrja e Shqipërisë duke dërguar bujarisht më të mirët dhe më të ndriturit e saj për të menaxhuar linjat e prodhimit, spitalet dhe shtëpitë e pleqve të Evropës Perëndimore, po ringjall shpresën e humbur.

Ky akt vetëflijues nuk mund të nënvlerësohet; duke zbrazur spitalet, shkollat, fshatrat dhe qytetet e saj, Shqipëria po bën të mundur që të moshuarit në Frankfurt të marrin dozën e tyre të përditshme të kujdesit. Në fund të fundit, çfarë vlere kanë disa fshatra e qytete të braktisura në Shqipëri përballë nevojës që ka aleatja strategjike dhe mikja e madhe Gjermania, për ndërtues, shoferë, infermirë, mjekët etj etj?

Dhe të mos harrojmë Italinë, vendin e picës, pastave, serisë A dhe, kohët e fundit, të krizave të papunësisë dhe migrimit. Shqipëria, që ka lindur borxhlie ndaj fuqive të mëdha, dhe veçanërisht Italisë, ka vendosur t’i heqë gjitonit në hall dhimbjet e kokës së emigracionit.

Në vend që Italia, e braktisur, nga vendet e tjera të Unionit, të përballet e vetme me azilkërkuesit Shqipëria i ka vënë gjoksin punës duke hapur bujarisht dyert e Shëngjinit qytetit bregdetaro-turistik, duke e shndërruar atë në një kamp emigrantësh me pesë yje.

Është një zgjidhje e vetëofruar ku të gjithë dalin të fituar—Italia e ruan reputacionin e saj si parajsë turistike e paprekur, BE mëson si zgjidhet problemi i emigrantëve dhe Shqipëria fiton hijen ekzotike të multikulturalizmit, për të cilin ka aq shumë nevojë.

Por kontributet e Tiranës nuk përfundojnë këtu. Ndërsa bota bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur dhe globalizimi është në zenitin e tij, Shqipëria ka kthyer vështrimin e saj drejt Lindjes.

Dikur udhëheqësi i fundit komunist thoshte se ne nuk jemi as Lindje as Perëndimi, sot jemi urë, madje ë shumë se urë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Konferenca vjetore e ambasadorëve që po zhvillohet këto ditë në Tiranë, e ka kapur demin për brirësh. E informuar shumë mirë që Indonezia, Tailanda dhe Filipinet po përballen me papunësinë e lartë mes të rinjve, diplomacia shqiptare ka ndërhyrë për të ofruar tregun e saj të punës si një varkë shpëtimi.

Është një koncept revolucionar: shkëmbejmë kokë për kokë të rinjtë e ikur të Shqipërisë me energjinë e pashfrytëzuar të Azisë Juglindore. Tek e fundit kush ka nevojë për talente vendase kur gjithçka (si shumëçka në vendin e shqiponjave) mund të importohet? Ndërsa të rinjtë shqiptarë ikin në Mbretërinë e Bashkuar për të shërbyer kafe dhe për të pastruar dhoma hoteli, të rinjtë e Xhakartës dhe Manilës vijnë në Tiranë për të bërë të njëjtën gjë.

Quid pro quo. Kokë për kokë!

Eshtë për të ardhur keq që altruizmi i Shqipërisë, keqlexohet dhe keqkuptohet. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) sapo publikoi një raport tronditës: Shqipëria dhe Moldavia janë vendet më të prirura për emigrim në Evropë.

Me 40% të fuqisë punëtore të Shqipërisë që tani punon në vende të tjera, shumëkush mund të mendojë se vendi është në prag të kolapsit. Por ky pesimizëm nuk e kap thelbin. Rasti klasik i gjësë që ti sheh, por ajo nuk është ashtu si ti e sheh. Shqipëria nuk po vuan; ajo po vetësakrifikohet për të mirën e kontinentit dhe globit.

Le të imagjinojmë, për një moment, një botë pa bujarinë e Shqipërisë. Pubet e Mbretërisë së Bashkuar do të ishin bosh, të moshuarit në Gjermani do të mbeteshin pa kujdes dhe kantieret e ndërtimit të Milanos do të qëndronin të shkreta.

Të rinjtë e Azisë Juglindore do të mbeteshin në vendet e tyre, duke ëndërruar për një jetë më të mirë që vetëm Shqipëria mund ta ofronte. Kampet e emigrantëve të Shëngjinit do të qëndronin të shkretuar. Ja pra si do të ishte BE dhe Bota nëse një komb si Shqipëria do të tërhiqej nga përgjegjësitë globale.

Udhëheqësi i Shqipërisë, natyrisht, e di mirë çfarë do të thotë përgjegjësi globale. Ai e kupton se për të shpëtuar Evropën, për të shpëtuar botën, duhet të bëjmë sakrifica. Dhe kështu, me vendosmëri, ne vijojmë të zbrazin spitalet, shkollat, shtëpitë, fshatrat, qytetet duke dërguar qindra mijëra shqiptarë për të luftuar krizën ekonomike dhe rënien demografike të BE-së.

Ne në anën tjetër ftojmë të papunët e Azisë, duke u ofruar atyre mundësi që më parë as në ëndërr nuk i shihnin.

Në këtë mision fisnik, Shqipëria është bërë shtylla kryesore e stabilitetit global, në një kohë që bota dhe veçanërisht fuqitë e mëdha e kanë humbur fillin duke u marrë me luftën në Ukrainë dhe Gaza.

Kështu që, herën tjetër kur të lexoni artikuj si ai bazuar mbi informacionet e IOM, për emigracionin e lartë të Shqipërisë apo statistika të INSTAT për tkurrjen e popullisë mos bëni gabim të përmendi ose mendoni fjalën krizë. Nuk është krizë është kontribut. Dhe pak rëndësi ka nëse na e njeh bota këtë kontribut.

E rëndësishme është që dje sakrifikonim për revolucionin proletar boteror, sot për fitoret e kapitalizmit rajonal, kontinental e global!

Dinamo pezullon trajnerin Dritan Mehmeti

Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, klubi i Dinamos, ka bërë me dije se Dritan Mehmeti është pezulluar nga posti i trajnerit, teksa i është dhënë drejtimi i skuadrës U-21.

Gjithashtu sqarohet se deri në momentin e zyrtarizimit të trajnerit të ri, 18 herë kampionët do të stërviten nga Erjon Xhafa, i cili momentalisht mban postin e drejtorit të akademisë blu.

Njoftimi zyrtar i klubit

FC Dinamo City njofton pezullimin e Dritan Mehmetit nga posti i trajnerit të ekipit të parë.

Klubi dinamovit bën me dije se teknikut Mehmeti i është dhënë drejtimi i skuadrës U-21.

Deri në momentin e zyrtarizimit të trajnerit të ri, 18 herë kampionët do të stërviten nga Erjon Xhafa, i cili momentalisht mban postin e drejtorit të akademisë blu.

Zuckerberg: Biden na bëri presion të censurojmë postimet rreth Covid-19 më rrjetet sociale

Mark Zuckerberg, Shefi Ekzekutiv i kompanisë Meta që përfshin edhe platformën Facebook, i tha një komisioni të Kongresit amerikan se zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Joe Biden ushtruan trysni ndaj kompanisë që të censuronte disa informacione lidhur me COVID-19 gjatë pandemisë dhe se kompania mori atëherë vendime që nuk do t’i merrte sot.

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi një letër të zotit Zuckerberg të hënën, ku ai shkruante se mes materialeve të censuruara ishin copëza humori dhe satire dhe se zyrtarët e administratës “shprehën pakënaqësi të madhe me ekipet tona kur ne nuk ramë dakord”.

“Unë besoj se trysnia e qeverisë ishte e gabuar dhe jam penduar që nuk ishim më të hapur,” tha zoti Zuckerberg.

I pyetur për një reagim ndaj komenteve, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se “e përballur me një pandemi vdekjeprurëse, kjo administratë inkurajoi veprime të përgjegjshme për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë publike”.

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe konsistent: ne besojmë se kompanitë e teknologjisë dhe aktorët e tjerë privatë duhet të marrin parasysh efektet që kanë veprimet e tyre tek publiku amerikan, kur marrin vendime të pavarura në lidhje me informacionin që publikojnë”, shtoi zëdhënësi.

Zoti Zuckerberg foli gjithashtu për një nismë prej 400 milionë dollarësh ndërmarrë përmes fondacionit të tij bamirës përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, e cila sipas tij synonte të garantonte që komunitetet në zonat urbane, të periferive dhe ato rurale të kishin burimet e duhura që njerëzit të mund të votonin të sigurt gjatë një pandemie globale.

“Pavarësisht analizave që kam parë që tregojnë të kundërtën, unë e di se disa njerëz besojnë se kjo nismë favorizoi njërën parti mbi partinë tjetër. Synimi im është të jem neutral dhe të mos ndikoj në asnjë lloj mënyre, madje të shmang edhe perceptimin se po luaj ndonjë rol, kështu që nuk kam në plan të jap një kontribut të ngjashëm në këtë cikël zgjedhor”, tha zoti Zuckerberg.

Letra vjen vetëm më shumë se dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit në SHBA.

BAN: Transporti i mbetjeve nga Durrësi, maja e një skandali më të madh. I dyshimtë roli i Doganës

Çështja e eksportit të një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, është kthyer në një histori dyshimesh të shumta, me shumë të panjohura.

Një hetim i dyfishtë është duke u kryer nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel, mbi 100 kontejnerë të bllokuar së fundmi në Singapor, me origjinë nga porti i Durrësit. Organizata jo qeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ i tha Zërit të Amerikës, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike.

Kolegu Artan Haraqija sjell kronikën në vijim.

Nga Porti i Durrësit, çdo tre apo katër muaj është eksportuar një material që dyshohet se është pluhur helmues i njohur si ‘EAF’, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike. Ky është pretendimi i Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), me seli në Seattle. Përfaqësuesi i tij, Jim Puckett i tha Zërit të Amerikës se të dhënat që BAN-i disponon janë marrë nga një sinjalizues nga Porti i Durrësit, i cili ka ofruar dëshmi për këtë.

“Para një muaji, ne krijuam një portal, ku individë nga e gjithë bota mund të raportojnë për mbetjet helmuese. Personi i parë që na sinjalizoi ishte një individ që vëzhgoi transportin e mbetjeve helmuese në portin e Durrësit. Ai kishte njohuri se ku shkonte pluhuri helmues dhe dokumentet që tregonin rrugëtimin e ngarkesave”.

Pas marrjes së të dhënave BAN-i thotë se ka kryer hulumtimin e veta dhe arrin në përfundimin se dërgesa të kësaj natyre bëhen rregullisht nga porti i Durrësit.

“Ne ishim në gjendje të konfirmojmë se kontejnerët që raportoi sinjalizuesi, numrat e tyre identifikues, i vërtetuam përmes aplikacionit ‘Google Earth’, po ashtu përmes imazheve satelitore të Google Earth, lokalizuam vendndodhjen e tyre të saktë duke e krahasuar me dritat dhe rrugët e portit. Kemi tre burime të dhënash të marra në tre kohë të ndryshme. Ne dyshojmë se kjo ndodh çdo tre apo katër muaj.”

Hiri i eksportuar nga porti i Durrësit i takon firmës ‘Sokolaj’ e cila e ka blerë atë nga fabrika e kompanisë Kurum në Elbasan që prodhon çelik dhe hekur. E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, firma Sokolaj deri në përgatitje e këtij materiali nuk ka kthyer përgjigje.

Firma turke Kurum, në një deklaratë të bërë më 21 gusht, ndonëse nuk jep sqarim të saktë nëse është ajo shitësja e kësaj lënde, thotë se

“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”.

Zoti Puckett thotë se eksportimi i shpeshtë i këtij materiali nga Durrësi, ngre dyshime që ai n uk vjen vetëm nga fabrika e Kurimit, pasi kjo fabrikë nuk është aq e madhe sa të prodhojë sasi kaq të mëdha të pluhurit EAF.

“Ky material mund ta ketë origjinën nga vende të tjera të Evropës. Kudo ku ka fabrika për shkrirjen e çelikut, krijohet ky lloj hiri. Kompanitë duan ta heqin atë qafe, sepse kostoja është më e lartë për ta menaxhuar siç duhet. Po ashtu edhe zinku që nxirret prej tij nuk është aq i vlefshëm”, thotë zoti Puckett.

Sipas të dhënave që sinjalizuesi i dha Rrjetit të Aksionit të Bazelit, rasti i fundit ishte në muajin korrik, kur material i dyshimtë fillimisht u ngarkua në kontejnerë në Portin e Durrësit. Pasi largohet nga porti i Durrësit, kontejnerët udhëtojnë drejt portit të Triestes, në Itali. Aty kontejnerët ngarkohen në dy anije të tjera transportuese, që i përkasin firmës daneze ‘Maersk’. Prej portit italian, përmes Detit Mesdhe dhe bregdetit të Afrikës malli u nis fillimisht për në Singapor, prej nga do të vazhdonte rrugën për në destinacionin e tij përfundimtar, Tajlandën. Ndërsa malli lundronte në mes të ujërave të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Jugut, një nga dy anijet që e transportonin atë u zhduk nga radarët. BAN-i thotë se kjo ndodhi pikërisht në kohën kur ata ngritën shqetësimin se një ngarkesë me pluhur helmues po transportohej nga Shqipëria për në Azi.

Firma daneze Maersk e konfirmoi për Zërin e Amerikës se sinjali nga një prej anijeve të saj me të vërtetë u ndal, por thotë se kjo nuk u bë për arsyen që ngre si dyshim BAN-i.

“Një organizatë jo qeveritare ka spekuluar se pse gjurmuesi i anijes tonë Campton ishte fikur. Ndërsa situata e sigurisë në ujërat rreth rajonit të Lindjes së Mesme është e ndjeshme, nuk është e pazakontë që disa pronarë anijesh të çaktivizojnë gjurmuesin e tyre”.

Kjo lë të kuptojë se mund të jetë bërë për të shmangur një sulm nga grupi militant jemenas, Houthi që prej nisjes së luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit ka kryer një mori sulmesh mbi anijet transportuese që kanë lundruar afër Jemenit.

Maersk gjithashtu i tha Zërit të Amerikës se ata vendosën ta transportonin mallin pasi dokumentacioni shoqërues thoshte se ishte i pa rrezikshëm.

“Nëse do të ishte deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme, Maersk do të kishte refuzuar ta transportonte. Për shkak të spekulimeve në lidhje me përmbajtjen e tij, Maersk ka bashkëpunuar me autoritetet e Singaporit… Anija jonë Campton ka shkarkuar kontejnerët në Singapor dhe tani ato po riatdhesohen për në Shqipëri nga një kompani tjetër”.

Një tjetër argument që përmend “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” për dyshimet e transportimit të këtij materiali nga porti i Durrësit është dërgesa e parafundit që shkoi nga Durrësi për në Kinë. Nga muaji prill, sipas drejtorit ekzekutiv Jim Puckett, kjo dërgesë është bllokuar në një port kinez, afër Hong Kongut.

“Kjo dërgesë u nis nga i njëjtë port. Sipas sinjalizuesit tonë, kinezët e kanë refuzuar atë. Janë 115 kontejnerë nga Shqipëria që ende janë të bllokuar në Kinë. Kinezët e kanë analizuar materialin dhe kanë gjetur nivele të larta të metaleve, përfshirë mbi 8% plumb”, thotë zoti Puckett.

Dy ministri të qeverisë shqiptare në fundjavë thanë në një deklaratë të përbashkët se “Shqipëria nuk mundet të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese …”

Nëse konfirmohet se fjala është për hirin që del nga oxhaku i fabrikave metalurgjike, atëherë pasojat, sipas BAN-it janë të rënda, për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin, por mund të ketë edhe pasoja politike.

Pluhuri EAF përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.

Në fotografitë e sinjalizuesit të BAN-it për rastin e muajit korrik, sipas zotit Puckett, shihen grumbuj të hirit që ishin lënë në mjedis të hapur në portin e Durrësit. Fotografi të ngjashme shihen edhe në aplikacionin ‘Google Earth’. Një e tillë, e bërë më 11 tetor të vitit të kaluar, tregon grumbuj të hirit brenda hapësirës së portit të Durrësit.

“Fjala është për një mbetje të rrezikshme nëse nuk trajtohet si duhet. Ju nuk do të donit ta mbani këtë afër fëmijëve apo personave me sëmundje kronike”, tha zoti Puckett.

Prokuroria e Durrësit njoftoi të mërkurën se ka nisur hetimet, në bashkëpunim me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF).

Kjo zyrë nuk pranoi të komentojë.

“Ne nuk jemi në gjendje të japim detaje në lidhje me rastet që OLAF mund të trajtojë pasi duhen mbrojtur të dhënat e çdo hetimi të mundshëm dhe të proceseve të mundshme gjyqësore që do të pasojnë…”, tha për Zërin e Amerikës zyra për informim e OLAF-it.

Dogana shqiptare megjithatë e konfirmoi për Zërin e Amerikës se ishte OLAF-i ai i cili e njoftoi Strukturën Antitrafik të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për rastin. Kjo zyrë gjithashtu nuk pranoi të komentojë, pasi rasti tani është nën hetim. As kompania gjermane ‘EMS Shipping’ që menaxhon një pjesë të portit të Durrësit, pikërisht pjesën ku bëhet ngarkimi i këtij materiali në kontejnerë, nuk pranoi të bëjë komente.

“Duke qenë se rasti është nën hetim nga autoritetet me të cilat po bashkëpunojmë plotësisht, nuk mund të komentojmë detajet e rastit derisa të përmbyllet”.

Rrjeti i Aksionit të Bazelit thotë se ishin ata që e njoftuan OLAF-in për rastin.

“Ne i jemi shumë mirënjohës OLAF-it dhe prokurorisë në Shqipëri që po merren me këtë rast, pasi unë kam përshtypjen që kjo është maja e një skandali shumë më të madh”, thotë Drejtori Ekzekutiv i BAN-it, Jim Puckett.

Pasojat politike, nëse konfirmohet pretendimi i organizatës amerikane, mund të jetë shkelja e Konventës së Bazelit, Traktatit të Kombeve të Bashkuara, që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Vendet nënshkruese të konventës, një prej të cilave është edhe Shqipëria, nuk lejohen të dërgojnë mbetje helmuese tek një vend tjetër, nëse nuk marrin paraprakisht miratimin nga vendi mikpritës.

Qeveria shqiptare i hodhi poshtë gjatë fundjavës akuzat se ajo nuk ka vepruar në lidhje me rastet e dyshuara.

Në deklaratën e përbashkët të dy ministrive të qeverisë shqiptare thuhet se Shqipëria është klasifikuar si një vend i sigurt, pasi është verifikuar dhe certifikuar në disa inspektime ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit.

“Unë do të këshilloja që Shqipëria të marrë përgjegjësinë për atë që po ndodh në portin e Durrësit. Dikush duhet të analizojë ato grumbuj që gjenden në port dhe mallin që po kthehet nga Singapori. Por unë e them me 95% siguri se fjala është për hirin EAF, të cilin të gjithë në industrinë metalurgjike e njohin si mbetje helmuese”, thotë për Zërin e Amerikës, Jim Puckett, Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Aksionit të Baselit.

Zoti Puckett thotë se e kupton që Doganat mund të jenë mashtruar nga eksportuesit, të cilët mund ta kenë deklaruar atë si material të parrezikshëm, por:

“Është shumë e dyshimtë se si mund ndodhë kjo gjë para syve të tyre. Unë jam i sigurt se kjo është një histori më e madhe që përfshin shumë eksporte që nuk janë vërejtur më parë dhe që ndoshta e kanë burimin diku në Evropë, apo edhe në vende të tjera. Unë nuk besoj që kjo histori ka marrë fund”.

Odiseja e këtyre mbetjeve është vetëm në hapat e parë, ndërsa pritet përfundimi i analizave laboratorike se çfarë përmban në të vërtetë malli në kontenierët që po udhëtojnë për t’u rikthyer në Shqipëri.

Në këtë artikull kontribuan edhe korrespondentët Armand Mero, Ilirian Agolli dhe Raimond Kola./VOA

Rrëfehet gruaja e Ardian Nikulajt: Si britanikët më vranë bashkëshortin

Pas më shumë se një vit nga vrasja e bashkëshortit, Ardianit, Vera Nikulaj ka thyer heshtjen.

Për herë të parë, ajo ka folur për gazetarin Tom Kelly, editor i investigimeve në Daily Mail, i cili ka udhëtuar drejt Shëngjinit.
Në shkrimin e Daily Mail, thuhet se familja e Ardianit pranoi të flasë vetëm pak ditë para vendimit të ekstradimit të kësaj të marte në gjykatën e Londrës.

Bashkëshortja e Ardianit me detaje ka treguar se si familja e saj mikpritën në hotelin e sapo inauguruar si miq grupin e vëzhgimit të britanikëve, të cilët ndihmuan vrasësin.
Vera e ulur shumë afër tavolinës me mbishkrimin “rezervuar” atje ku iu vra bashkëshorti, nuk i mban dot lotët dhe tregon frikën nga vrasës të mundshëm shqiptarë, por kurrë nuk e mendonte se britanikët do të përfshiheshin në sulmin e vrasjes.

Daily Mail shkruan se ajo fillimisht pa Harriet Bridgeman, e cila është nëna e një djali, në restorantin e hotelit.

“Ajo tentonte të kishte kontakt me sy me Ardianin. I fola asaj dhe i thashë se unë flas anglisht dhe si mund ta ndihmoja. Na kërkoi t’i gjenim një makinë me qira dhe Ardiani i ndihmojë për këtë”, është shprehur Vera.
Një ditë më pas, familja Nikulaj ishte duke darkuar në restorantin e tyre dhe pak më tutje ishte Bridgeman me një burrë tjetër britanik.
“Ajo donte të paguante me një kredit kartë por nuk i punoi. Ardiani u tha nuk ka gjë nuk kishte pse shqetësoheshin dhe ai pagoi për ata. Ata na u afrua dhe falenderuan Ardianin për pagesën e ushqimit“, ka treguar Vera.

Për Daily Mail, ka folur edhe djali Ardianit, Luisi, tani 14 vjeç, duke treguar se si ai pa Harry Simpson afër bilardos me pamje nga restoranti ku babai i tij do të vritej më vonë.

Luis Nikulaj ka thënë:

“Ditën tjetër unë po ushqehesha dhe ai ishte në të njëjtën tavolinë. Po haja fasule dhe Simpsom më tha: ‘Më lër ta provoj këtë ushqim tradicional shqiptar. Ai mori lugën time dhe nisi të ushqehet me fasule nga pjata ime. I tregove nënës time se ai ishte një person disi i çuditshëm. Po babi më tha mos u shqetëso bir ai është thjesht një turist dhe s’ke pse shqetësohesh prej tij’”.
Në ditën e tretë, pasi mbaroi picën dhe birrën e tij në restorant, Simpson mori tabakanë e tij dhe u përpoq ta mbante pas një perde në restorantin e hotelit ku punonin stafi dhe familja.
Ardiani i tha: Mos u shqetëso, lëre në tavolinë, je me pushime.

“Por Simpson ishte shumë kurioz të dinte se çfarë kishte pas perdes”.

Vrasësi i dyshuar Ruben Saraiva, një britanik i lindur në Portugali, u pa gjithashtu duke përgjuar në një shkallë afër skenës së të shtënave një ditë para vrasjes.
Fëmijët vendas raportuan se kishin parë një ‘burrë të çuditshëm gjatë gjithë kohës’ dhe njëri ishte në gjendje të jepte një vizatim të detajuar pas vrasjes, thanë të afërmit.

Xhemi Shehu dhe Jualian Dedaj do të jenë moderatorët e rinj të “Fiks Fare”

Moderimi i emisionin investigativ “Fiks Fare” këtë sezon i është besuar dy figurave shumë të dashura të publikut shqiptar, Julian Deda dhe Xhemi Shehu.

Julian Deda, finalist i Big Brother VIP 3 rikthehet pas disa vitesh në ekranin që e bëri të famshëm përmes “Portokalli”.

Krah Julian Dedës do të jetë Xhemi Shehu, e cila rikthehet pas shumë vitesh në emisionin ku nisi karrierën e saj disa vjeçare në televizion.

Moderatorja ka qenë një ndër velinat e para të ‘Fiks Fare’. Pas një pushimi disa vjeçar në televizion, ajo u rikthye sërish në Portokalli në rolin e moderatores, ndërsa këtë sezon do ta shohim në një pozicion krejt tjetër nga sa jemi mësuar.

Rusia paralajmëron Luftë Botërore/ Lavrov kërcënon perëndimin: Po luani me armë bërthamore

Moska ka kërcënuar perëndimin me Luftë të tretë Botërore nëse SHBA apo shtetet e tjera aleatë do të lejojnë Ukrainën të godisë territorin rus me armët e tyre.

Ka qenë ministri i jashtëm i Kremlinit, Sergey Lavrov ai që ka deklaruar se mbështetësit e Kievit po sillen si fëmijë dhe po luajnë me armë bërthamore.

“Tani po konfirmojmë edhe një herë se të luash me zjarrin, si fëmijët e vegjël që luajnë me shkrepëse, është një gjë shumë e rrezikshme për xhaxhallarët, të cilëve u janë besuar armët bërthamore”, u ka thënë Lavrov gazetarëve në Moskë.

“Amerikanët i lidhin pa mëdyshje bisedat për Luftën e Tretë Botërore si diçka që, Zoti na ruajt, nëse ndodh, do të prekë ekskluzivisht Evropën. Por nuk është kështu”- duke kërcënuar së përdorimi i armëve bëthamore nuk do të kursente SHBA-të.

Ukraina nisi më 6 gusht sulmet në rajonin perëndimor të Rusisë, në Kursk, duke shënuar sulmin më të madh të huaj ndaj kundërshtarëve që nga Lufta e Dytë Botërore. Presidenti Vladimir Putin ka thënë se do të ketë një përgjigje të denjë nga Rusia ndaj sulmit.