zoom

Day ArchiveZbardhet skandali/ Anijet me mbetje toksike, lënda u nis nga kompania “Kurum” në Elbasan

Mbetjet e rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës mbi të cilat po hetojnë autoritet shqiptare së bashku me institucionin e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF i përkasin kompanisë Kurum.

Ministria e Mjedisit konfirmon se: “Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS.”

Kompania ndërkombëtare që ushtron aktivitetin në ish-metalurgjikun e Elbasanit është KURUM. Prokuroria shqiptare në bashkëpunim me institucionin e Bashkimit Evropian OLAF po hetojnë një ngarkesë që dyshohet të jetë 816 ton mbetje të rrezikshme pluhur nga filtrat e furrave të çelikut.

Ministria e Mjedisit sqaron se mbetjet e kompanisë KURUM u ngarkuan në Durrës në kontejnerët në pronësi të linjës ndërkombëtare MSC, dyshohet të jenë transportuar drejt Portit të Triestes.

Në këtë Port të BE, njësitë kontejnerike nuk kanë qenë objekte kontrollesh dhe janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre duke u transportuar në anije të operuar nga një tjetër operator i mirënjohur ndërkombëtar Maersk, me destinacion Azinë Juglindore.

Ka qenë qendra e specializuar “Basel Action Network” që ka denoncuar se ngarkesa me 100 kontejnerë me mbetje industrialo-elektronike të ngarkuara në Durrës.

“Në përgjigje të interesimit tuaj në lidhje me dyshimet mbi transportin e parregullt të një sasie mallrash me përmbajtje mbetjesh të dala nga procesi teknologjik, sqarojmë se për këtë rast Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës.

Sa më sipër, ju informojmë se institucionet ligjzbatuese shqiptare janë angazhuar që në sinjalizimin e parë të këtyre dyshimeve dhe kanë kryer veprime hetimore të përbashkëta me Zyrën kundër mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF) si dhe kanë referuar rastin pranë organeve të prokurorisë.

Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS.

Në vijim, këto njësi kontejnerike, në pronësi të linjës ndërkombëtare MSC, dyshohet se janë transportuar drejt Portit të Triestes përmes anijeve kontejnerike ndërkombëtare. Në këtë port të Bashkimit Evropian njësitë kontejnerike nuk kanë qënë objekte kontrollesh dhe janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre duke u transportuar në anije të operuar nga një tjetër operator i mirënjohur ndërkombëtar (Maersk), me destinacion Azinë Juglindore.

Vlen të theksojmë se konventat ndërkombëtare, dhe legjislacioni vendas i përputhur me to, parashikojnë një serë detyrimesh për prodhuesit dhe transportuesit e mbetjeve të tilla. Zbatimi i këtyre detyrimeve është gjithashtu objekt i hetimeve në proces.

Autoritetet mjedisore, portuale dhe doganore shqiptare operojnë prej vitesh me protokolle shumë të rrepta për sa i përket autorizimeve të përpunimt dhe transportit të mallrave të rrezikshme, në përputhje me konventat ndërkombëtare përkatëse.

Për më tepër kjo gatishmëri e institucioneve tona kombëtare është verifikuar dhe çertifikuar edhe nga inspektime të vijueshme ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit, duke e renditur Shqipërinë si një vend të sigurt.

Institucionet shqiptare mbeten në kontakt dhe bashkëveprim me partnerët evropianë për kryerjen e hetimeve të plota dhe transparente të të gjitha rrethanave dhe të të gjithë hallkave logjistike që kanë kryer këtë transport të dyshuar nga Europa në Azinë Juglindore,”- njofton Ministria e Mjedisit.

Anija me mbetjet toksike të Kurum u nis nga Durrësi në 4 korrik dhe pas alarmit nga qendra Basel, ajo fiku sinjalin GPS në 31 korrik teksa po i afrohej Cape Town në Afrikën e Jugut.

Më pas kompania ndërkombëtare Maersk tha sinjali i vendndodhjes u ndez. Zyrtarët tajlandezë cituar nga mediat deklaruan se nuk do t’i pranojnë anijet në territorin e tyre. Sipas Konventës së Bazelit, Traktati i Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, kontejnerët do të riatdhesohen në Shqipëri./ Report TV

E rëndë në Prishtinë/ Gruaja vret vëllanë e burrit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në lagjen Vranjevc të Prishtinës, ku një grua ka qëlluar për vdekje një burrë mbrëmjen e së martës.

Autorja e krimit është Nazmije Millaku. Mësohet se kjo e fundit ka ekzekutuar kunatin, vëllanë e bashkëshortit. Bëhet me dije se hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë e shtetit janë duke punuar për të  zbuluar motivet e vrajes.

“Sot rreth orës 19:20 kemi pranuar informatën për një vrasje, që ka ndodhë në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë. Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person e dyshuara: -N.M. femër . Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast,”- njofton policia./ Zoom.al

Tronditet Finiqi/ Ish-polici i burgjeve gjendet i vetëvarur në portën e manastirit të fshatit

Një ish-efektiv i Policisë së Burgjeve në Sarandë është gjetur i vetëvarur në portën e Manastirit të fshatit Kostar, në Bashkinë Finiq. Ka qenë një qytetar që po shkonte për të ndezur qiri ai që ka gjetur trupin e pajetë.

Sipas banorit ora ishte rreth 19:00 e mbrëmjes së sotme, kur gjeti trupin e pajetë të 34-vjeçarit, i varur në derën e brendshme në oborrin e Manastirit.

Menjëherë është njoftuar policia dhe në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të Postës së Policisë Livadhja.

Viktima është identifikuar si Roland Serjani, 34 vjeç banues në Delvinë, prind i 3 fëmijëve. Viktima është ish-efektiv i Policisë së Burgjeve në Paraburgimin e Sarandës.

Pas mbylljes së paraburgimit ishte punësuar si shofer në një subjekt privat në Delvinë. Policia e Sarandës ka nisur hetimet për shkaqet e ngjarjes së rëndë./ Zoom.al

Vrasjet në Velipojë/ Artan Hoxha i trembet hakmarrjes: Zjarri është ndezur

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmë e djeshme në Velipojë, ku dy persona, shtetasit Ardis Ishmi dhe Ersid Hoxha u vranë me armë zjarri.

Gazetari Artan Hoxha tha sot se i trembej hakmarrjes që mund të pasojë kjo ngjarje.

Kjo pasi sipas Hoxhës, rrjeti fisnor në ato zona është i madh dhe është e vështirë që të kontrollohen veprimet e tyre, prandaj ai bëri thirrje që të qetësohen sa më shumë gjërat, që të mos kalohet në veprime të tjera ekstreme.

“Janë humbur jetë njerëzisht 22 vjeç, 33 vjeç. Janë mosha të reja. Ajo që unë kam më shumë frikën aty është të mos i hidhet më shumë benzinë zjarrit dhe të qetësohen sa më shumë që të jetë e mundur, sepse rrjeti fisnor aty… kalon në një zinxhir që zgjerohet.

Dhe nëse hyjmë në atë zinxhirin e frikshëm të hakmarrjes i cili nuk godet më vetëm personat përgjegjës, por edhe personat afër tyre.

Ti mund të ruash një familje, por nuk mund të ruash dot një fis të tërë. Nuk mund të çosh në ngujim një fis të tërë.

Megjithatë thashë që jemi në hapat e para të hetimit dhe zbardhjes së kësaj ngjarjeje. E para për të kuptuar qartësisht se me çfarë kishin të bënin dhe si përfunduam në këtë situatë dhe së dyti kush janë personat përgjegjës që lejuan që kjo situatë të vinte në këtë pikë që është dhe me pasoja kaq të rënda,”- tha Hoxha në Euronews Albania./ Zoom.al

Detaje të reja/ Çfarë i tha polici 45-vjeçarit pasi e plagosi

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me plagosjen e inxhinierit të ERE, Lorenc Kosta në Tiranë një ditë më parë.

Në momentin që autori Erjon Goxhara e ka qëlluar me 6 plumba, në pjesët e këmbëve dhe ato intime më pas ka nxjerrë celularin ku e ka filmuar.

“Të mësosh që mos të futesh më në familjet e të tjerëve dhe as ti hash djersën e tjetrit”. -këto janë fjalët që Goxhara i ka thënë Kostës, për të cilin kishte dyshime se kishte lidhje intime me bashkëshorten e tij.

 

Referuar këtyre fjalëve, grupi hetimor ka dyshime që Goxhara të ketë abuzuar dhe të jetë përfshirë në afera korruptive përmes shfrytëzimit të detyrës si efektiv policie.

 

Edhe bashkëshortja e tij gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se bashkëshorti e akuzonte për tradhti dhe për shpërdorim të shumave të mëdha parash të cilat nuk i kishin depozituar në bankë, por i mbanin në banesë.

Përplasja në Velipojë/ Del video, si nisi konflikti mes vëllezërve Frroku dhe viktimave

Një ditë pas ngjarjes me dy të vrarë në Velipojë, mediat kanë publikuar pamjet nga konflikti fillestar rreth dy javë më parë mes vëllezërve Frroku dhe dy kunetërve që mbetën të vdekur.

Siç shihet edhe nga pamjet, si fillim palët bisedojnë qetësisht më pas situata agravon në konfrontim fizik. Pjesë e konfliktit shihet se kanë qenë edhe persona të tjerë, mes tyre edhe një grua.

Shtetasi Ersild Ishmi thuhet se kishte ardhur për të diskutuar me pronarët për shkak të lidhjeve miqësore që kishte me kamarierin dhe kuzhinierin. Për këtë ngjarje, si rezultat, Ishmi ishte arrestuar dhe më vonë ishte liruar me masën arrest shtëpie nga gjykata.

Ka qenë xhaxhai i dy autorëve, Zef Frroku, ai i cili ka treguar zanafillën e konfliktit mes palëve.

Deklarata e xhaxhait të autorëve:

Vëllezërit Frroku vranë dy persona në Velipojë, flet xhaxhi i tyre: Çfarë ndodhi 2 javë më parë

 

Rrezik për aksidente/ Shiu përmbyt urën e rrugës miliona euroshe të Arbrit

Reshje e shiut që përfshirë Qarkun Dibër pasditen e kësaj të marte kanë shkaktuar probleme në rrugën e Arbrit.

Ura 158 metra e lartë që ndodhet përgjatë këtij aksi, është përmbytur nga uji që vinte nga tunelet 2 dhe 3 të fshatit Shkallë të Xibrit.

Për shkak të sasisë së madhe të ujit dhe bllokimit të shkarkuesve mbi urë është krijuar një pellg i madh duke vënë në rrezik drejtuesit e mjeteve që vinin nga Tirana në drejtim të Qarkut Dibër.

Probleme në këtë aks rrugor pati edhe më rënien e gurëve kryesisht në bajpasin e Murrizit por edhe në zonën e Xibrit.

Pavarësisht miliona eurove që janë hedhur në këtë aks rrugor, problemet kanë qenë të vazhdueshme.

Tenderi për paisjet e votimit/ SPAK nis hetim ndaj KQZ-së

SPAK ka mbërritur edhe në dyert e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar dokumentacione nga KQZ për tenderin e pajisjeve elektronike.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për nevoja të hetimeve që po zhvillohen kërkon nga ana juaj dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës të prokurimit me nr.”REF-83073-12-23-2020″ me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor” dhe të praktikës së procedurës të prokurimit me nr. “REF-89113-03-04-2021”, me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave” – thuhet në kërkesën që mban datën 16 të këtij muaji.

Çfarë po bën policia? 6 vrasje në më pak se 24 orë

Shqipëria është tronditur sot nga ngjarjet makabre që janë shënuar në të gjithë vendin.

Bilanci me 6 viktima dhe disa të plagosur në më pak se 24 orë, tregojnë për fuqinë më të dobët se kurrë, të Policisë së Shtetit dhe ngrejnë pikëpyetje të shumta për mosparandalimin e tyre.

Saga nisi pasditen e së hënës me plagosjen rëndë të një 45-vjeçari në kryeqytet nga dora e një punonjësi të Policisë për motive, të cilat autoritetet i kanë quajtur “të dobëta”. Vetëm pak momente pas ngjarjes, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj foli për media dhe doli në mbështetje të autorit duke deklaruar se ai nuk donte ta vriste por vetëm ta plagoste 45-vjeçarin. Megjithatë, rreth 24 orë pas ngjarjes në një nga lagjet më të populluara të Tiranës, autori mbetet ende në arrati.

“Efektivi Erjon Goxhara është shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”- thuhet në njoftimin e policisë. Si është e mundur që ngjarja nuk u parandalua edhe pse e kishte zanafillën disa muaj më parë, dhe si është e mundur që efektivi i policisë kishte në posedim një armë zjarri pa leje?

Menjëherë pas kësaj, dy vdekje, u raportuan nga kryeqyteti. Policia tha fillimisht se një shtetas amerikan i kishte dhënë fund jetës në banesën e tij dhe u deshën disa orë të tjera për të zbuluar se në të njëjtin ambjent, ndodhej një tjetër trup i pajetë. Shtetasi amerikan përpara se të vetëmbytej, kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe dy qentë.
Një tjetër vrasje e dyfishtë tronditi Velipojën mbrëmjen e së hënës. 6 plumba i morën jetën dy kunetërve, Ersild Ishmit 33 vjeç dhe Arsid Hoxhës 22 vjeç, ndërsa i plagosur mbeti kamarieri, Zyber Zagradi.

Deri më tani policia ka mundur të arrestojë vetëm kamarierin e plagosur në vendin e ngjarjes, dhe një tjetër person, por jo dy autorët vëllezërit Eduart dhe Gëzim Frroku. Ashtu si ngjarjen e Tiranës, edhe në këtë rast, konflikti mes grupeve kishte nisur disa kohë më parë dhe policia dështoi të parandalonte vrasjen tragjike.

Por 24-orëshi nuk mund të mbyllej me kaq.

Dy persona të tjerë, në Mirditë dhe Memaliaj u gjetën të vrarë mëngjesin e kësaj të marten ë rrethana që Policia ende nuk ka mundur t’i zbardhë plotësisht. 68-vjeçari Frederik Radi, u vra me armë zjarri duke fjetur gjumë nga dritarja e banesës së tij në fshatin Lajthizë në Mirditë. Një 72 vjeçar që u masakrua për vdekje dhe u hodh në një përrua në fshatin Zhapokik në jug të vendit, është viktima e rradhës , një ngjarje gjithashtu pa autor.

Me shpresën që kjo do të jetë e fundit, të paktën për orët në vijim, nga Policia pritet zbardhja e plotë e të gjitha ngjajrve dhe arrestimi i autorëve përgjegjës.

Tragjedia në Velipojë/ E dashura e 19-vjeçarit italian që humbi jetën flet për ngjarjen

E dashura e 19 vjeçarit Italian, Nicola Loro që humbi jetën pas përplasjes së Jet Skive në Velipojë ka folur mbi ngjarjen.

Për mediat italiane ajo ka treguar se të rinjtë nuk ishin të dehur siç u deklarua por se ngjarja ishte aksident.

“Ishte thjesht një aksident tragjik. Autoritetet shqiptare kanë dhënë leje që ne të marrim trupin e të dashurit tim dhe po përgatitemi të kthehemi në Itali, por dua të theksoj fort se ishte thjesht një aksident tragjik, një përplasje e papritur; ne nuk kishim pirë alkool dhe as drogë. Unë, i dashuri im dhe vëllai im ishim shumë të lidhur. Ata të dy ishin si vëllezër”, thotë e përlotur vajza e cila ishte dëshmitare e tragjedisë.

“Vëllai im u hodh në ujë për të ndihmuar Nicolën, ai e nxori nga uji dhe u dërgua menjëherë në spital ku fatkeqësisht vdiq”- ka treguar vajza më tej.

Nicola Loro 19 vjeç, me origjinë nga Italia humbi jetën në spitalin e Shkodrës, pas përplasjes së dy Jet Ski-ve në plazhin e Velipojës. Loro kishte ardhur për pushime me të dashurën e tij dhe vëllain e saj. Ky i fundit u arrestua nga policia e Shkodrës për “vrasje nga pakujdesia”.

Sipas policisë përplasja është shkaktuar nga “manovrat e rrezikshme dhe të pasakta” të kryera “një milje nga perimetri i sigurisë”.