zoom

Day ArchiveAksident në autostradën Vlorë-Fier, makina përfundon në kanal

Një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal në autostradën Vlorë-Fier në afërsi të fshati Akërni.

Nga të dhënat e para raportohet se 4 persona kanë mbetur të plagosur.

Policia dhe ambulanca kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Shkaqet e aksidentit janë të paqarta./ Zoom.al

Çfarë pritet të ndodhë dhe kur? Irani vendos të sulmojë Izraelin

Irani ka vendosur të sulmojë Izraelin. Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, teksa Perëndimi ka shtuar përpjekjet intensive diplomatike për të shmangur çdo veprim të mëtejshëm ushtarak që mund të ndezë një luftë të drejtpërdrejtë midis Republikës Islamike dhe shtetit hebre.

Mesazhi i Iranit iu dorëzua Izraelit përmes Ministrit të Jashtëm të Hungarisë Péter Szijjártó, i cili telefonoi drejtpërdrejt Katz-it për të shpjeguar se ai e kishte marrë këtë informacion nga ministri i Jashtëm iranian në detyrë, Ali Bagheri.

“Irani na ka informuar se synon të sulmojë Izraelin”, tha Katz, duke shtuar se “Bota duhet të kërkojë një çmim nga Irani për çdo veprim agresiv që kryen”.

Në një bisedë që Bagheri zhvilloi me homologun e tij Bahrein Abdullatif bin Rashid Alzayani, ai foli për vendosmërinë e Iranit për t’iu përgjigjur vrasjes së liderit politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran javën e kaluar.

Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por gjerësisht mendohet se qëndron pas tij.

“Heshtja ndaj veprimeve të liga në rritje të regjimit sionist do të jetë e dëmshme për stabilitetin rajonal, duke shtuar se indiferenca ndaj lëvizjeve të fundit është e barabartë me dhënien e një stimulimi të regjimit”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara besojnë se një sulm iranian mund të ndodhë në 48 orët e ardhshme, raporton Jerusalem Post./ Zoom.al

Biden mbledh Sigurinë Kombëtare për konfliktet në Lindjen e Mesme 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden do të diskutojë të hënën mbi tensionet në Lindjen e Mesme me ekipin e tij të sigurisë kombëtare, si dhe do të bisedojë me Mbretin e Jordanisë Abdullah II po për situatën në rajon.

Bisedimet mbahen ndërsa udhëheqësit izraelitë paralajmërojnë për pasoja të rënda nëse sulmohen, mes shqetësimeve për veprimet që mund të ndërmarrë Irani ose grupet e mbështetura prej tij në rajon.

 

Dje ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi vizitoi Iranin, ku kërkoi t’i jepet fund përshkallëzimit të tensioneve në mënyrë që rajoni të jetojë në “paqe, siguri dhe stabilitet”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin foli të dielën me homologun e tij izraelit Yoav Gallant, duke përsëritur “mbështetjen e hekurt të SHBA-së për sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për t’u vetëmbrojtur përballë kërcënimeve nga Irani” dhe grupet e mbështetura prej tij si Hezbollahu me bazë në Liban dhe Houthi me bazë në Jemen.

Ata biseduan mbi lëvizjen e forcave të SHBA-së që po ndërmerr Departamenti i Mbrojtjes për të përforcuar mbrojtjen e trupave amerikane, për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit dhe për të parandaluar dhe zbutur zgjerimin e tensioneve në rajon”, tha Pentagoni në një deklaratë.

Objektivi i përgjithshëm është ulja e temperaturës në rajon, frenimi dhe mbrojtja kundër sulmeve dhe shmangia e konfliktit rajonal,” tha të dielën Jonathan Finer, zëvendës këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, në një intervistë për televizionin CBS.

 

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po përgatiten për çdo skenar të mundshëm, shtoi zoti Finer.

 

Zhvillimet pasojnë sulmin ajror izraelit të javës së kaluar në Bejrut që vrau një komandant të Hezbollahut, Fouad Shukur, dhe vrasjen disa orë më pas të udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Hanijeh në Teheran, për të cilën Irani fajësoi Izraelin.

Franca paralajmëroi për një situatë “shumë të paqëndrueshme”, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Franca, Kanadaja, Jordania dhe Britania u bënë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Libani. Disa linja ajrore pezulluan ose kufizuan udhëtimet në rajon.

 

Pas vrasjes së Hanijesë javën e kaluar në Teheran, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha në një deklaratë: “Është detyra jonë të hakmerremi“.

 

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare së Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të dielën në një intervistë për kanalin Fox News se “kur udhëheqësi suprem thotë se do të kundërpërgjigjet, duhet ta marrim një gjë të tillë seriozisht. Duhet të jemi gati.”

 

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të dielën se Izraeli është i përgatitur për çdo skenar.

Shteti i Izraelit është në një luftë në shumë fronte kundër boshtit të së keqes, që drejtohet nga Irani. Ne goditëm fort secilin nga krahët e tij. Ne jemi të përgatitur për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Çdo akt agresioni kundër nesh, nga çdo front do të marrë një goditje të fortë”, theksoi ai.

 

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken diskutoi të dielën me ministrat e jashtëm të G7-ës mbi nevojën urgjente për të zbutur tensionet në Lindjen e Mesme. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se zoti Blinken dhe homologët e tij “përsëritën angazhimin ndaj sigurisë së Izraelit dhe kërkuan përmbajtje maksimale nga të gjitha palët për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit”.

Hanijeh, udhëheqësi politik i Hamasit, ishte negociatori kryesor i grupit në përpjekjet për të arritur një marrëveshje për një armëpushim që deri sot kanë qenë të pasuksesshme. Vrasja e tij ngriti pikëpyetje lidhur shanset për një armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve të mbajtura nga Hamasi me të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael./VOA

Tavo sërish ftesë Gjikurisë: Hajde si nënkryetar 

Kreu i ri i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka përsëritur edhe një herë ofertën rivalit të tij në këto zgjedhje, Petro Gjikuria. Në një postim në rrjetin social Tavo i ka bërë edhe një herë thirrje Gjikurisë që të bashkëpunojnë në drejtimin e bashkisë si nënkryetar.

Sa i takon pamundësisë të mijërave qytetarëve që nuk votuan dot për shkak se u kishte skaduar karta e identitetit, Tavo tha se këta të fundit nuk dëgjuan thirrjen e ministrisë së brendshme.

Reagimi i plotë:

I dashur Petro,

Sot Himara kishte një arsye të madhe për t’u gëzuar sepse ishte ajo fituesja e 4 gushtit, sikurse edhe unë e kisha dhe e kam zemrën plot nga mesazhet e pafundta të urimeve nga shumë e shumë banorë të Himarës, e mbështetës brenda e jashtë vendit.

Por, një shkëndijë më shumë e këtij gëzimi ishte edhe telefonata juaj e urimit e para pak orëve. E vlerësova shumë dhe e pranova sinqerisht si një akt qytetarie dhe si sjellje e një njeriu me mendësi të hapur perëndimore, por, pa e mohuar, e prita edhe me shpresën se po më telefonoje për të pranuar ftesën time publike për t’iu bashkuar programit tonë të drejtimit të Bashkisë Himarë në pozicionin e zëvendëskryetarit.

Por, pritshmëria ime e lartë ndaj teje zgjati vetëm pak e tani jam i keqardhur për reagimin tënd, a thua se Himara është një fushë betejash ku përballen ushtri armike dhe jo alternativa politike dhe qytetare, si në të gjithë Shqipërinë demokratike.

Të kujtoj i dashur, se këtë herë në Himarë pati më shumë votues se sa vjet, kur qeveria e kishte shtyrë afatin e skadimit të kartave të identitetit. Dhe rezultati është ky që është, produkt i vullnetit të lirë të qytetarëve, ndërkohë që nuk pati se as nuk kishte si të kishte mijëra zgjedhës të cilëve iu mohua e drejta, pasi koha e votimeve 99.99% ka ikur me diktaturën.

Po, e vërtetë! Pati disa dhjetra qytetarë, votues të tutë dhe të mitë, që nuk mundën të votonin për shkak të dokumentave të skaduar të idenditetit, për të cilët kush e dëgjoi thirrjen e ministrisë së brendshme dhe e rinovoi mundi edhe të votonte normalisht.

Prandaj i dashur Petro, unë të përsëris ftesën time që të mos largohesh andej nga erdhe, po të qëndrosh bashkë me mua në krahun tim, në pozicionin e nënkryetarit të bashkisë.

Do të isha shumë i nderuar nëse do ta pranoje propozimin tim, ndërsa në rast të kundërt të uroj megjithë zemër rrugë të mbarë për Amerikë dhe suksese atje. Por në të gjitha rastet le të mbetemi në kontakt dhe për Himarën mos u shqetëso, sepse është në duart të sigurta dhe ka mbështetjen e padiskutueshme të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.

Sinqerisht

Vangjel Tavo

“Oj plehër” – Si është marrëdhënia e Sarës me nënën e Bardhit? (VIDEO)

Sara Gjordeni dhe Bardhi ishin këtë fundjavë në dasmën e motrës së këngëtarit.

Motra e artistit nga Kumanova kurorëzoi dashurinë në një ceremoni tradicionale me miq e familjarë.

Gjatë dasmës, Sara ndau foto e video nga festa, ndërsa në to nuk mungoi nëna e Bardhit.

Sara duket e lumtur duke kërcyer me vjehrrën, ndërsa më pas ka postuar edhe foto që tregojnë se ajo ka bërë dhurata për çiftin dhe për fëmijën që presin.

Por një foto ku duken Sara e Bardhi të ulur në sediljet e para të makinës dhe nëna e këngëtarit mbrapa ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve, që ofendojnë moderatoren për këtë.

“Oj plehër, pse nana e vjetër përmas e surrati yt përpara”, shkruan një ndjekës.

Por Sara i përgjigjet se në fakt, nëna e Bardhit ishte ulur pas së bashku me babanë e këngëtarit.

Marrëdhënia mes tyre duket shumë e afërt dhe e dashur, duke lënë pas kështu tensionet që u përfolën në fillim të lidhjes së Sarës me Bardhin, gjatë kohës që ata ishin në Big Brother.

Asokohe, Bardhi u detyrua të ndërpriste rrugëtimin e tij në shtëpi sepse u njoftua se nëna e tij ishte shtruar në spital. Por më pas kjo u komentua si gënjeshtër nga familja e Bardhit me qëllim që ai të mos vazhdonte romancën me Sarën.

Shpallet në kërkim Noizy. Ja për çfarë akuzohet

Duket se sherri i fundit në Kosovë, i ka hapur probleme me drejtësinë këngëtarit të njohur Noizy.

Ka qënë Prokuroria e Kosovës që ka shpallur në kërkim këngëtarin Rigles Rajku, i njohur me emrin e artit si Noizy.

Këngëtari do të hetohet për veprat penale përfshirje në dhunë si dhe i dyshuar për shkaktim të lëndimit trupor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve, që kushdo që ka informacion se ku ndodhet këngëtari, të bashkëpunojë me autoritetet.

Njoftimi i policisë:

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tyre, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët. Personat e kërkuar janë: Rigels (Bashkim) RAJKU i lindur me 27.09.1986 nё Durrёs-Shqipёri dhe Bahtjar (Shasivar) BAJRAKTARI i lindur me 22.05.1992 nё Samadrexhё-Prizren. Tё pandehurit kërkohen për veprën penale: ‘ Lёndim i rёndё trupor’. Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë) ; 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë; E-mail adresa: [email protected]

Maskat që mund të përgatisni në shtëpi për të depiluar fytyrën

Shpeshherë, depilimi në fytyrë shkakton irritime dhe skuqje të lëkurës.

Për ta shmangur këtë, mund të depiloheni duke përdorur disa maska që mund t’i bëni në shtëpi pa shumë produkte.

Maska me të bardhën e vezës: Në një pjatë ndani të bardhën nga e verdha e vezës. Me anë të një furçeje, shpërndani të bardhën e vezës në fytyrë. Menjëherë pas kësaj, vendosni mbi të bardhën e vezës në fytyrë një pecetë të hollë. Mund ta vendosni në të gjithë fytyrën ose në pjesët ku keni qime te padëshiruara.

Lyejeni pecetën sërish me të bardhën e vezës, duke përdorur një furçë ose gishtat tuaj. Sipër shtresës së dytë të bardhës të vezës vendosni sërish një pecetë tjetër të hollë. E lëmë të bardhën e vezës të ftohet. Më pas filloni të hiqni ngadalë pecetat e thara. Bashkë me to do të ikin dhe qimet.

Maska me sheqer dhe mjaltë: 1 lugë gjelle sheqer kaf ose të bardhë. 1 lugë gjelle mjaltë. 1 lugë gjelle ujë, 1 tas që duron nxehtësinë e mikrovalës, 1 spatul (ose shkop akulloreje), disa copa në formë shiritash.

Vendosini të gjithë përbërësit në një enë që duron nxehtësinë. Vendosini enën në mikrovalë ose në një ngrohëse të çfarëdoshme. Përzini përbërësit për rreth 30-35 sekonda, deri sa përzierja të fillojë të flluskojë dhe të kthehet në ngjyrë kafe. Largojeni enën nga nxehtësia dhe lëreni përzierjen të ftohet pak, sa mos ju djegë lëkurën. Pra të jetë e ngrohtë por jo e nxehtë

Merrni pak nga dylli i ngrohtë me anë të një spatula dhe vendoseni atë në zonën ku keni qimet e padëshiruara. Merrni një copë në formë shiriti dhe vendoseni mbi zonën e lyer me dyllë. Me anë të gishtave ushtroni pak presion mbi copën, duke e sheshuar atë me lëvizje sipas drejtimit të rritjes së qimeve. Më pas tërhiqeni copën me ngadalë në drejtimin e kundërt të rritjes së qimeve. Përsëriteni të njëjtin proces deri sa qimet e padëshiruara të jenë larguar nga fytyra juaj.

Maska me shafran indie: Shafrani i Indisë mund të përdoret i vetëm ose i kombinuar me përbërës të tjerë për heqjen e qimeve të fytyrës. Ai ka veti antibakteriale dhe parandalon infeksionet e lëkurës.

Merrni 2 lugë çaji shafran Indie dhe përziejeni atë me ujë për të bërë një pastë të hollë. Shpërndajeni përzierjen në fytyrë dhe lëreni për 10-15 minuta. Pasi maska të jetë tharë, fshijeni atë me një copë pak të lagur duke e lëvizur copën në drejtimin e rritjes së qimeve.

Përdoreni këtë maskë rregullisht për disa javë deri sa qimet e fytyrës tuaj të jenë larguar plotësisht, njëherë e përgjithmonë.

Videoja AI e kryeministrit Edi Rama që po çmend rrjetin

Po bën xhiron në internet një video e kryeministrit Edi Rama, teksa argëtohet me një mjet motorik ujor në Dhërmi.

Video është shpërndarë me shpejtësi jo vetëm pse tregon pasionet e fshehura rinore të kreut të qeverisë, por edhe për disa detaje të tjera (shih videon në fund të lajmit të Zoom.al).

Shumë nga përdoruesit e TikTok-ut pyesin se sa kushton ora ngjyrë floriri që mban në dorë kryeministri Rama. Dikush komenton se bëhet fjalë për një Rolex me vlerë mes 10 mijë dhe 20 mijë euro. Disa të tjerë thonë se është edhe më e shtrenjtë, por Zoom.al nuk ka mundur t’i konfirmojë këto versione.

Një tjetër detaj është pajisja motorike ujore me të cilën argëtohet “Rama”. Ajo është një SEABOB, e cila kushton mbi 10 mijë euro.

Përdoruesit e internetit thonë se nuk dihet nëse kjo pajisje është e vetë kryeministrit apo ua ka marrë “sa për një xhiro” ndonjë prej miqve të tij që i rrinë afër kur kalon pushimet në Dhërmi.

Por Zoom.al mëson se bëhet fjalë për një deep-fake, ose një video të krijuar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale.

Disa ekspertë IT shpjeguan se bëhet fjalë për një video-montazh dhe kryeministri Rama nuk ka të bëjë aspak me të.

“Kanë marrë imazhin e Ramës dhe ia kanë vënë një personi tjetër, në këtë rast një miliarderi që ka postuar videon origjinale”- tha një ekspert IT.

Zoom.al vendosi ta publikojë videon deep fake dhe videon origjinale për të treguar rrezikun që përbën sot keqpërdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe përhapja e fake news nëpërmjet saj, veçanërisht kur bëhet fjalë për versione ngjarjesh që ngjasojnë shumë me të vërtetën. /Zoom.al

 

View this post on Instagram

 

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

Më poshtë videoja reale:

@puccirealofficial

Pucci Bond😎

♬ James Bond (Main Theme) – The New Movie Orchestra

Gjikuria reagon pas humbjes në Himarë, nuk kursen akuzat: U transformua lista e zgjedhësve

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria reagoi pas humbjes së thellë në përballjen që pati me kandidatin socialist, Vangjel Tavo.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, Gjikuria akuzon palën socialiste se e siguroi fitoren duke tjetërsuar listën e zgjedhësve.

Sipas tij, qëllimi i Partisë Socialiste ishte që në fund në krye të Bashkisë së Himarës të vendoset dikush që do të zbatojë urdhrat e pushtetit.

“Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë.

Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin. Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon”, u shpreh Petro Gjikuria.

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet në Himarë me një diferencë prej 1477 votash nga Petro Gjikuria, që siguroi vetëm 3545 vota.

FOTO/ Ky është i moshuari që dhunoi për vdekje gruan në Vlorë. I theu nofullat

Personi që shikoni në foton më poshtë është Ëngjëllush Deliaj, 70-vjeçari që dhunoi për vdekje bashkëshorten e tij, Hati Deliaj.

Kjo e fundit ndërroi jetë në spitalin e Traumës pas dhunës barbare të 70-vjeçarit.

Nga stafi mjekësor i Traumës u konfirmua se 64-vjeçarja kishte thyerje të nofullave dhe shenja të tjera të dhunës në trup.

Kjo nuk ishte hera e parë që Hati Deliaj u dhunua nga bashkëshorti i saj.

Gjatë pandemisë, ajo qëndroi për një muaj në një qendër rehabilitimi për gratë e dhunuara në periferi të Torinos.

Më pas, ajo i dha një mundësi të dytë Ëngjëllush Deliajt.

Ajo u kthye në Shqipëri vitin e shkuar për shkak të problemeve me mushkërinë. 64-vjeçarja u shtrua në spitalin e Fierit për t’u kuruar dhe pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, ajo nisi sërish bashkëjetesën me 70-vjeçarin, i cili e mbante të izoluar dhe e pengonte të takonte familjarët.