zoom

Day ArchiveVettingu ‘masakron’ drejtësinë, ikin gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve

Ka përfunduar Vettingu për 783 përfaqësues të drejtësisë shqiptare. Sipas raportit deri në 31 korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ngecur në rrjetën e Vettingut gjysmën e prokurorëve dhe të gjyqtarëve.

Sipas raportit 358 prej tyre kanë qëndruar në detyrë.

Më konkretisht 165 gjyqtarë, 163 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD, 2 inspektor në KLGJ dhe 26 ndihmës/këshilltarë ligjorë kanë kaluar filtrin e pasurisë, profesionalizmit dhe besueshmërisë pa probleme.

Ndërsa 261 të tjerë janë larguar nga strukturat e drejtësisë për shkak të problemeve kryesisht me pasurinë.
Sa i takon këtyre të fundit, sipas raportit 145 gjyqtarë janë shkarkuar ashtu si dhe një 1 ish-gjyqtare në Gjykatën e lartë.

Largimi është vulosur edhe për 110 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë.

Në 103 raste vettingu është ndërprerë dhe në 8 të tjera është pushuar procesi.

Izraeli sulmon shkollën e Hamasit, 10 viktima

Agjencia e mbrojtjes civile në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, raportoi një sulm izraelit brenda në një kompleks shkolle në qytet.

Bilanci ishte 10 persona të vrarë.

“Ka 10 dëshmorë dhe disa të plagosur si rezultat i bombardimeve izraelite të shkollës Hamama”, tha zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Bassal.

Ushtria izraelite konfirmoi sulmin, duke thënë se goditi një qendër komandimi dhe kontrolli të Hamasit, të vendosur brenda kompleksit.

Kompleksi njihej si shkolla Hamama, në veri të Rripit të Gazës, por dyshohet se përdorej si strehë nga Hamasi për sulme të ndryshme që ishin planifikuar dhe kryer nga atje kundër Izraelit.

Shqipëria në luftë me flakët, ja zonat në rrezik

Shqipëria vijon të përballet me rrezikun e zjarreve, pasi në disa zona vijon të ketë probleme të mëdha ku rrezikohen edhe banesat. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht në të gjithë vendin janë aktive 12 vatra zjarri, ndërsa 14 të tjera janë shuar gjatë ditës së sotme.

Vatra zjarri ende aktive janë në Lezhë, Kurbin, Shkodër, Librazhd, Vlorë etj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë aktivizuar 450 forca dhe 33 mjete. Në mbështetje të këtyre forcave janë të angazhuar 130 trupa nga Forcat e Armatosura.

 

NJOFTIMI I PLOTË:

Situata e zjarreve në vend

 

Forcat Operacionale, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po punojnë për shuarjen e zjarreve në 12 vatra, të cilat vijojnë të jenë aktive, ndërsa 14 të tjera të raportuara gjatë ditës së sotme janë shuar.

 

Po monitorohet nga strukturat e bashkisë Kurbin, vatra e zjarrit në fshatin Skuraj, ku pati riaktivizim, por aktualisht intensiteti është i dobët dhe nuk paraqet asnjë rrezik për zonat e banuara.

 

Vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Malin e Kakarriqit, bashkia Lezhë. Vatra e zjarrit është vënë nën kontroll, por hera herës shpërthen për shkak të erës. Për shuarjen e plotë të saj janë të angazhuara 90 forca operacionale nga FA dhe strukturat vendore.

 

Është vënë nën kontroll dhe po punohet për izolimin e plotë të vatrës në Malin e Lopçit, Shkodër.

 

Puna po vijon në një tjetër vatër, atë në zonën pyjore Bode, mbi fshatin Lozhan, bashkia Maliq. Në zonë po operojnë 26 efektivë nga FA dhe 50 forca nga strukturat vendore të bashkisë Maliq, të cilat e kanë vënë nën kontroll situatën dhe zjarri nuk paraqet rrezik për përhapje.

 

Nën kontroll është vënë edhe zjarri në fshatin Qarrishtë, bashkia Librazhd, në një sipërfaqe pyjore në zonën e Parkut Kombëtar Shebenik.

Puna vijon dhe nuk paraqet rrezik për përhapje edhe zjarri në vendin e quajtur “Mali i Qukësit”, bashkia Prrenjas.

 

Forcat janë angazhuar dhe kanë nën kontroll situatën në vatrën e zjarrit në Malin Lugë, fshati Kus, Bashkia Tiranë.

 

Forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Mallakastër, ku zjarri vazhdon me intensitet të ulët. Po punohet me 1 mjet zjarrfikës, 4 mjete të rënda tip Skrep dhe 2 mjete transporti vetëshkarkuese të tonazhit të rëndë. Vazhdon puna për kapsulimin e mbetjeve.

 

Në fshatin Mazhar, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të dendur në një terren të thepisur. Vatra e zjarrit nuk rrezikon të përhapet, pasi pritet nga një përrua.

 

Në fshatin Bolenë, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me barishte dhe kullotë në një lartësi të madhe. Për shkak të terrenit, operimi është i vështirë, por vatra nuk paraqet rrezik.

 

Me vëmendje po shihet situata e krijuar nga zjarri në fshatin Ninat, bashkia Konispol, në sipërfaqe me kullotë. Era e fortë po favorizon flakët, por janë larg zonës së banuar.

 

Një tjetër vatër në vendin e quajtur “Ura e Zharrës”, fshati Turan, bashkia Tepelenë është vënë në kontroll.

 

Gjatë ditës së sotme është evidentuar një vatër zjarri në fshatin Karoq, njësia administrative Livadhja, bashkia Finiq, në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët. Në vendngjarje po punon një grup shërbimi nga MZSH Finiq. Momentalisht nuk paraqet rrezik.

 

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë aktivizuar 450 forca dhe 33 mjete. Në mbështetje të këtyre forcave janë të angazhuar 130 trupa nga Forcat e Armatosura.

Ju lutemi qytetarëve të sinjalizojnë në kohë vatrat e zjarrit, për të ndihmuar edhe autoritetet të operojnë në kohë për shuarjen e tyre!

Zgjedhjet në Himarë, policia harton planin

Policia e Vlorës ka hartuar planin e masave të ndërmarra në kuadër të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor që pritet të zhvillohet ditën e nesërme në Himarë.

 

Sipas policisë do të jenë 52 efektivë që do të angazhohen për zgjedhjet e pjesshme, zgjedhje që do të vendosin se kush do të drejtojë bashkinë e Himarës pas 15 muajsh që mbeti e bllokuar pas arrestimit të Fredi Belerit.

 

Efektivët do të jenë të angazhuar të sigurojnë materialet zgjedhore në 36 qendrat e votimit.

NJOFTIMI I PLOTË:

Himarë/Policia masa për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të datës 04 Gusht 2024, në bashkinë Himarë.

Në Komisariatin e Policisë Himarë, Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Shefi i Sektorit të Rendit në Departamentin e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, së bashku me Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Vlorë dhe Shefin e Komisaratit të Policisë Himarë, zhvilluan instruktazhin me punonjësit e Policisë të angazhuar me detyra në procesin zgjedhor. Punonjësve të Policisë iu komunikuan detyrat që ka secili prej tyre për ruajtjen e qendrave dhe materialeve të votimit, si dhe masat e ndërmarra me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e procesit gjatë procesit zgjedhor të datës 04 Gusht 2024.

 

I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe që kryen Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor.

 

Është miratuar nga KQZ-ja lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor.

 

Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 52 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 36 qendrat e votimit.

 

Në këtë kuadër, apelojmë për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.

 

Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt.

 

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Himarë janë tejet të vendosura dhe të angazhuara për të mbajtur në kontroll të plotë gjithë territorin, me qëllimin e vetëm të sundimit të ligjit.

Qëlluan në mes të Shkodrës, kapet Viktor Marku 

Në lidhje me ngjarjen e rëndë ku u qëllua me armë zjarri në lagjen Prek Cali në Shkodër, policia ka reaguar duke thënë se ka arrestuar 3 persona.

Në pranga kanë rënë Viktor Marku, vëllai i tij Ndok Marku si dhe i afërmi i tyre Lekë Marku.

Në njoftimin e saj policia thotë se të tre kanë qëlluar me armë zjarri në ajër pasi ishin në gjëndje të dehur.

Viktor Marku është një emër i njohur për policinë, pasi rezulton i proceduar më herët për krime të rënda.

Emri i tij u lakua në vitin 2020 me vrasjen e bushjme të Hekuran Billës, por pasi u arrestua, ai u lirua pasi nuk u gjetën prova.

Gjykata e Tiranës në vitin 2022 pushoi çështjen ndaj Viktor Markut dhe Sebastian Malit për vrasjen e Hekuran Billës. Nga hetimet për më shumë se 1 vit e gjysmë Gjykata doli në përfundimin nuk janë gjetur prova për të çuar pas hekurave Markun dhe Malin që dyshoheshin si organizatorë të vrasjes mafioze ndodhur në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Zjarr në Drenovë të Korçës, digjen stallat

Një tjetër zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në fshatin Drenovë të Korçës.

Flakët kanë përfshirë disa stalla të fermereve.

Sipas të dhënave, mësohet se fillimisht zjarri është shkaktuar në një pjesë kullote në dalje të pallateve dhe banesave private të këtij fshati, zjarr që ka përparuar në stallat e blegtorisë dhe jo vetëm, duke rrezikuar dhe banesat aty pranë.

Forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur izolimin e flakëve të zjarrit ndërkohë që disa prej stallave kanë pësuar dëme të mëdha.

Zjarri mendohet të ketë nisur në mënyrë aksidentale.

Pjesa më e madhe e ambienteve që u përfshinë nga flakët ishin ambiente që banorët mbanin veglat e tyre bujqësore si dhe lëndët drusore për ngrohje.

Reagon Irani: Ja si u vra lideri i Hamasit

Garda Revolucionare e Iranit ka reaguar zyrtarisht duke thënë se Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit, u vra nga një raketë me rreze të shkurtër veprimi.

Ajo akuzoi Shtetet e Bashkuara se e mbështetën sulmin, për të cilin fajësoi Izraelin.

Në reagimin e saj, Garda Revolucionare përsëriti thirrjen për hakmarrje, duke thënë se u përdor “një raketë e mbushur me materiale me peshë rreth shtatë kilogramë” për ta vrarë liderin e Hamasit në banesën ku po qëndronte ai në Teheran.

Haniyeh ndodhej në Iran për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian.

Sulmi u planifikua dhe u krye nga regjimi sionist dhe u mbështet nga SHBA-ja”, tha Garda në komunikatën e publikuar në televizionin shtetëror.

Nga ana tjetër Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Haniyehut, por as nuk e ka mohuar atë. Megjithatë, Izraeli ka kërcënuar për vrasjen e liderëve të tjerë të Hamasit, për shkak të sulmit që ky grup e kreu në jug të Izraelit më 7 tetor.

Vrasja e Ismail Haniyeh ka nxitur frikën për rrezikun e një konflikti të gjerë rajonal dhe të një lufte të drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Iranit.

Ambasadori shqiptar kritikon ‘The Sun’: Titull mashtrues

Aspak mirë nuk e ka pritur ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, shkrimin e prestigjiozes britanike ‘The Sun’, një editorial që i referohet operacionit të fundit të SPAK për goditjen e një grupi kriminal që merrej me trafikun e armëve nga vendi ynë drejt Anglisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Ferizi e ka quajtur një titull mashtrues shkrimin e medias prestigjioze duke thënë se falë punës së organeve të Shqipërisë u godit ky grup i rrezikshëm.

Një titull mashtrues nga The Sun. Lavdërime policisë shqiptare për këtë në udhëheqjen dhe menaxhimin e këtij operacioni me ndihmën e SPAK dhe NCA ( Agjencisë Kombëtare Britanike kundra Krimit). Ja ku e keni një titull më të mirë. Policët trima shqiptarë sekuestrojnë armë të tmerrshme të destinuara për gangsterët djallëzor në Londër”- shkruan në rrjetin X ambasadori Ferizi.

Ndërkohë më heret media prestigjioze ‘The Sun’ i kushtoi një artikull në lidhje me grupin kriminal të përbërë prej të paktën 6 personash të cilët kishin arritur që të trafikonin armë zjarri nga Tropoja në Angli.

Operacioni i SPAK çoi në ekzekutimin e masës së arrestit në burg për 3 persona, të cilët u kapën në Tiranë. Ndërsa 3 të tjerë janë në kërkim dhe dyshohet se ndodhen në Britani. Shtetasit e arrestuar janë Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj, të tre banues në Tiranë. Hetimet për këtë grup të strukturuar kriminal kishin nisur që në vitin 2023.

Inceneratori i Tiranës/ PD akuza SPAK-ut: Heto Veliajn

Një ditë pasi Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e bujshme të dyshuar korruptive për inceneratorin e Tiranës, ka reaguar edhe Partia Demokratike.

Bellind Këlliçi nga selia blu ka akuzuar drejtpërdrejt SPAK se po mbon kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, pasi sipas tij, ky i fundit është koka e incenetarorit fantazëm të kryeqytetit.

Ndër të tjera Këlliçi shtoi se për inceneratorin që nuk ekziston janë vjedhur 132 milionë euro, ku përgjegjësia nuk duhet të bjerë vetëm në 12 zyrtarët të akuzuar deri më tani, por SPAK të thellojë hetimet deri te pronari i saj i vërtetë që sipas tij është Erion Veliaj.

 

Deklarata e plotë e Këlliçit:

”Të nderuar qytetarë,

Kushdo që ka patur edhe më të voglin dyshim, se kolegët e pronarit faktik të Inceneratorit Tiranë dhe kreut të Grupit të Strukturuar Kriminal Erion Veliaj, do të bënin drejtësi për aferën e shekullit, atë të vjedhjes së 132 milionë eurove përmes një inceneratori që nuk ekziston, dje ka marë një goditje dhe mesazh të qartë nga SPAK.

Në një vendim të turpshëm, skandaloz, të denjë për republikat e bananeve, ditën e djeshme, organizata partnere që mbulon drejtësinë në PS, e cila sipas vetë fjalëve të kolegut të tyre Erion Veliaj, paguhet me buxhetin e Partisë Socialiste dhe godinën e ka marë dhuratë nga Bashkia Tiranë, na tha se përgjegjës për vjedhjen e 132 milionë eurove, janë 12 punonjës të thjeshtë të Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Mjedisit, të cilët do të gjykohen për veprën e “shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim.

Këta 12 punonjës, sipas SPAK janë përgjegjës për dhënien e bonusit 8% të pikëve kompanisë që nuk ekzistonte Integrated Energy BV sh.p.k., ku ndërkohë nuk ka sot shqiptar që nuk e di që personi i cili ka firmosur këtë bonus, edhe pasi është njoftuar dy herë nga dy Ministrat e atëhershëm Manjani dhe Felaj se kjo kompani nuk ekzistonte, është vetë Edi Rama.

Janë Engjëll Agaçi dhe Edi Rama personat drejtpërdrejtë përgjegjës për këtë shkelje flagrante, e ndërkohë sot SPAK me urdhër të tyre, po çon në burg Anëtarët e Komisionit të Dhënies së Konçensionit, të cilët pa lejen e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, nuk mund as të shkonin në tualet.

Sipas SPAK, këta 12 punonjës janë përgjegjës edhe për procedurën e dhënies së konçensionit për ndërtimin e inceneratorit, edhe pse nuk ka sot shqiptar që nuk e di se është Erion Veliaj ai, i cili fillimisht propozoi këtë projekt dhe pas refuzimit kategorik të 2 ish ministrave të Financave të kohës, Cani dhe Ahmetaj, vetë Erion Veliaj firmosi më 27 mars 2017 miratimin e këtij konçensioni, në shkelje të plotë të Ligjit për “Vetqeverisjen vendore”, pa pyetur aspak Këshillin Bashkiak për këtë angazhim dhe gropë financiare në të cilin i futi qytetarët e Tiranës për 30 vite.

Sipas SPAK, këta 12 punonjës janë përgjegjës edhe për të dhënat fiktive në studimin e fizibilitetit i cili u përdor për të rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve në 29 euro/ton, studim të cilin e kemi publikuar të plotë nga kjo foltore dhe me të cilin kemi parë pronarin faktik të inceneratorit Erion Veliajn, të rrihte gjoksin, studio më studio, duke thënë se po i kursente para qytetarëve të Tiranës përmes miratimit të këtij konçensioni hajdutërie dhe babëzie, i cili sot e ka çuar tarifën reale të pastrimit dhe depozitimit të mbetjeve të Tiranës në 101 euro/ton, nga 35 euro/ton që ishte propozimi fillestar i IFC dhe Bankës Botërore.

Të nderuar qytetarë,

Dy fjalë dua ti them personalisht edhe si qytetar dhe djalë i këtij qyteti. E di që shumë prej jush janë lodhur apo mësuar tashmë me skandalet dhe vjedhjet e kësaj mazhorance. E di që për ju nuk është më ndonjë habi apo lajm nëse Erion Veliaj vjedh me skemën 5D të 5 Drejtorëve apo me skemën 7S të 7 Specialistëve.

Ne e dimë tashmë se në krye të Bashkisë Tiranë qëndron Erion Veliaj si simboli i hajdutërisë më banale që ka parë historia e këtij qyteti dhe në krye të qeverisë vijon të qëndrojë themeluesi i Narkoshtetit të parë në Evropë, Edi Rama.

Por ky moment kërkon edhe më shumë forcë, besim, kurajo e qëndrueshmëri nga të gjithë ne, nga unë i pari, nga çdo opozitar dhe nga çdo shqiptar që ka vendosur të punojë e jetojë në këtë vend.

Edhe pse SPAK ka rrëzuar tashmë çdo alibi apo ka hequr maskën se u ngrit si institucion për goditjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, edhe pse SPAK tashmë është rreshtuar totalisht në shërbim të verbër të pushtetit dhe është kthyer në vegël politike të qeverisë, ne nuk do të dorëzohemi.

Garantojmë çdo qytetar shqiptar se Partia Demokratike do vijojë këtë betejë pa asnjë kompromis. Ne nuk do të tërhiqemi pa çuar para drejtësisë pronarin faktik të inceneratorit Tiranë Erion Veliaj dhe pa diskutim themeluesi i Narkoshtetit të parë në Evropë, Edi Rama do të ketë fundin më të zymtë politik e do të damkoset njëherë e përgjithmonë si kreu i një karteli droge dhe jo si kreu i një shteti të lirë e demokratik.

 

Në ditët në vijim, ne do të vazhdojmë publikimin e dokumentave të reja për aferën e inceneratorit Tiranë, si vjedhjen më flagrante e të dokumentuar që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri.

Garantojmë qytetarët shqiptarë se çdo zyrtar, prokuror apo gjyqtar, që bëhet palë dhe rreshtohet krahë hajdutëve në qeveri dhe Grupit të Strukturuar Kriminal në Bashkinë Tiranë, do të mbajë përgjegjësi një ditë para ligjit dhe shqiptarëve të thjeshtë.

Ju faleminderit”

Makina përplaset dhe shpërthen në flakë, humb jetën shqiptari

Një aksident i rëndë është shënuar në Itali ku për pasojë ka humbur jetën një 21-vjeçar shqiptar.

Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Ani Gjergji. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën Chions in via Cesena në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune.

Sipas policisë, dyshohet se të riun e ka zënë gjumi në makinë dhe për shkak të shpejtësisë së madhe ai ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një urë të vogël.

Si pasojë e përplasjes së fortë, mjeti ka shpërthyer në flakë duke shkrumbuar plotësisht atë.

Viktima fatkeqësisht mbeti i bllokuar brenda makinës dhë për pasojë është djegur.

21-vjeçari po kthehej në shtëpi pas një feste me miqtë e tij. Mediat italiane shkruajnë se Ani Gjergji bashkë me familjen e tij jetonte prej shumë vitesh në Pordenone.