zoom

Day ArchiveZbulohet data kur do të publikohet sezoni i dytë i “Squid Game”

“Squid Game”, seriali më i dashur koreano-jugor që theu rekorde shikueshmërie me sezonin e parë do të rikthehet në ekranin e Netflix pas tre vitesh pritje.

Platforma televizive ka njoftuar se menjëherë pas Krishtlindjes, më 26 dhjetor, të gjithë do të duhet të mblidhen pas ekranit për të ndjekur sezonin e dytë të “Squid Game”, ndërsa sezoni i tretë dhe i fundit do të publikohet në vitin 2025.

“Tre vjet pas fitores në Squid Game, Lojtari 456 mbetet i vendosur të gjejë personat pas lojës dhe t’i japë fund këtij sporti të egër. Duke përdorur pasurinë e tij për të financuar kërkimin e tij, Gi-hun fillon me vendin më të dukshëm: të kërkojë njeriun me kostum të mprehtë që luan ddakji në metro. Por kur përpjekjet e tij më në fund japin rezultate, rruga drejt shkatërrimit të organizatës del të jetë më vdekjeprurëse se sa ai e kishte imagjinuar: për të përfunduar lojën, ai duhet të ri-hyjë në të”, thuhet në përshkrimin për serialin në Netflix.

“Squid Game” renditet aktualisht si seriali më i shikuar në historinë e Netflix, pasi 9 episodet e para fiksuan miliona njerëz pas ekranit në debutim.

Seriali i krijuar nga regjisori Hëang Dong-hyuk dhe që ndërtohet mbi një grup konkurrentësh të mbushur me borxhe që luftojnë deri në vdekje për një shumë parash që ndryshon jetën u bë drama e parë në gjuhë jo-angleze që u nominua në disa kategori të mëdha në “Emmy Aëards”.

Aktori kryesor i serialit, Lee Jung-jae, u bë po ashtu koreani i parë që fitoi çmimin për “Aktorin më të Mirë”.

Hezbollahu nis sulm raketash ndaj Izraelit

Militantët e Hezbollahut raportohet se kanë nisur një sulm me raketa ndaj Izraelit.

Sulmi vjen vetëm 48 orë pas vrasjes së liderit politik të Hamasit në Teheran, si dhe komandantit ushtarak të Hamasit në një sulm në Beirut.

Sipas medieve vendase, raketat kanë targetuar veriun e Izraelit dhe disa prej tyre janë interceptuar tashmë nga “Kupola e Hekurt”, sistemi izraelit i mbrojtjes nga sulmet ajrore.

Të paktën 30 deri në 50 raketa dyshohet se janë lëshuar nga territori i Libanit në drejtim të Kiryat Shmona në Izrael.

Incidenti me Osmanin në Shkup, reagon qeveria e RMV: Sigurimi i saj shtyu punonjësin e aeroportit

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni (MPB) ka dalë me versionin e saj për skandalin në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit duke thënë se sigurimi i Presidentes Osmani ka qenë iniciator i konfliktit mes sigurimit të aeroportit, policisë dhe sigurimit të presidencës së Kosovës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Sot (01.08.2024) rreth orës 10 në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit përderisa presidentja e Kosovës ka kaluar kontrollin kufitar, në momentin kur i është kërkuar që të lëshojë telefonin për të kaluar nëpër skaner, një person nga sigurimi i saj ka shtyrë personin e punësuar nga TAV, për të shmangur kalimin e telefonit nëpër skaner që ishte në çantën e dorës. Më vonë, çanta ka kaluar nëpër skaner. Pas gjys ore, në vendin e ngjarjes ka mbërritur sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Gashi (zyrtar policor) me dy persona tjerë zyrtar të cilët kanë kërcënuar dhe kanë kërkuar llogari nga personat e punësuar në TAV se kush e ka shqetësuar presidenten. Menjëherë është njoftuar Kontrolli i Brendshëm në MPB, hetuesit e kriminalistikës për standarde profesionale në MPB, Prokuroria publike dhe po merren masat e duhura për të zbardhur rastin” thonë nga MPB.

Përndryshe, më herët këshilltari për media në presidencën e Kosovës, Bekim Kupina ka folur për këtë rast për Telegrafin duke thënë “Ekipi i presidentes i shpjegoi rregullat zyrtarit të aeroportit, por ai tentoi fizikisht ta shtyjë presidenten, çka detyroi Policinë e Kosovës të ndërhyjë për ta hapur rrugën. Kjo sjellje është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave krerët e shtetit mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike,” tha Kupina.

Sipas tij, përkundër rregullave, pala maqedonase mori çantën personale të presidentes, ndonëse ekipi i saj lejoj për të kaluar në sallën VIP, e cila ishte rezervuar nga Ambasada e Kosovës.

“Nuk është lejuar në asnjë mënyrë dorëzimi i telefonit personal. Sjellja e zyrtarit të aeroportit është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur kurrë në udhëtimet e presidentes,” tha ai.

Kupina gjithashtu tregoi se kishte një tendencë për ta provokuar delegacionin e Kosovës dhe se presidentja e kishte njoftuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, mbi këtë skandal diplomatik.

 

Këngëtarja shqiptare: Tradhëtinë e bashkëshortit e mësova nga portalet

Këngëtarja Alma Bektashi, e ftuar në “Sol”, ka treguar se si e ka zbuluar tradhtinë e ish-bashkëshortit të saj, duke thënë se ka pasur dyshime, por lajmin e ka marrë vesh nga portalet.

“Nuk e toleroj mosrespektin, gjërat që nuk janë të shëndetshme në një lidhje. Duke qenë kategorike, 0 tolerancë për tradhtinë kam marrë vendimin. E kam marrë vesh përmes portaleve. Kisha dyshime, kisha dëgjuar, por nuk u besoj pa i parë gjërat vetë asnjëherë”.

“Është e vështirë kur je profesoreshë, në koncerte, spektakle, edhe në kështu rastesh pres mirëkuptim në mënyrë absolute. Por duke e parë që luhatet në familje besimi, nuk besoj që duhet të fal…Mund të kem edhe kritika nga publiku, por pa e kaluar në lëkurën time, nuk e kupton”, u shpreh ajo.

Këngëtarja dhe ish-bashkëshorti, Sokol Stafa, u ndanë në vitin 2021, pas 25 vitesh martesë. Asokohe, media të ndryshme raportuan se shkak ishte bërë një lidhje jashtëmartesore e Stafës me një psikologe divorcesh, 20 vite më të re se ai.

Alma ka folur edhe më parë në një intervistë për “Ora e pasdites” në Klan Kosova, ku ka treguar se ai nuk ka qenë i pranishëm në jetët e fëmijëve të saj.

“Sa i përket divorcit tim, nuk do të flisja për dikë që ka kohë që është inekzistent në jetën time dhe të fëmijëve të mi. Jam një nënë që gjatë gjithë kohës i përkushtohem fëmijëve të mi. Kemi një marrëdhënie fantastike. Jemi si tre shokë që jetojmë në një banesë, por secili në dhomën e vet,” u shpreh ajo asokohe.

Incident në Shkup/Zyrtari maqedonas tenton t’i marrë telefonin Vjosa Osmanit. Bllokohet në aeroport

Mediat maqedonase kanë raportuar për një incident në aeroportin e Shkupit, ku është përfshirë presidentja Vjosa Osmani, që po e shfrytëzonte Maqedoninë si transit.

Sipas mediave, një zyrtar i aeroportit, zyrtari tentoi të shtyjë presidenten Vjosa Osmani se nuk pranoi t’i dorëzonte celularin

Reagimi i presidencës:

Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes.

Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave që ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën.

Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike.

Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes.

Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit.

Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal.

Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse.

Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident.

Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar.

Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim.

Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar.

Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës.

Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në menyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë.

Aksident me vdekje në Levan-Tepelenë

Një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Levan – Tepelenë pranë vendit të quajtur Kafaraj.

Sipas burimeve paraprake drejtuesi i mjetit tip “ Mercedes Benz” ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë ambulanca dhe policia ndërkohë që grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit vdekjeprurës.

Në vendngjarje ka shkuar dhe një mjet zjarrfikës .

Një vrasës në Lojërat Olimpike?

Performanca e pazakontë e qitësit të Turqisë, Yusuf Dikec në garën mikse me pistoletë ajrore 10 metra në Olimpiadën e Parisit ka mahnitur fansat dhe jo vetëm.

Të gjithë kanë mbetur të habitur dhe kanë reaguar me postime në rrjetet sociale pasi 51-vjeçari dhe partnerja e tij Sevval Ilayda Tarhan fituan medaljen e argjendtë.

Ishte qasja jokonvencionale e Dikec ndaj kompeticionit që e bëri atë viral në rrjet. Ai konkurron tepër i relaksuar, pa përdorur pajisjet tipike të qitjes dhe njërën dorë e mban në xhep.

Shumica e qitësve në Lojërat Olimpike përdorin kufje për të mbrojtur veshët nga zhurma kur gjuajnë dhe vendosin syze të specializuara që errësojnë vizionin në njërin sy, në mënyrë që konkurrentët të mos kenë nevojë ta mbajnë të mbyllur dhe nganjëherë kanë lente të lyer për të ndihmuar me shkëlqimin.

Por në mungesë të gjithë këtyre elementëve në performancën e 51-vjeçarit turk, në rrjet nisi të ngrihej pyetja: “A dërgoi Turqia një vrasës me pagesë në Olimpiadë?”.

E vërteta është se për Dikec kjo ishte pjesëmarrja e tij e pestë në një Olimpiadë. Ai bëri debutimin e tij në vitin 2008, kur megaeventi sportiv u mbajt në Pekin, por fitorja e argjendit të Paris është medalja e tij e parë olimpike.

Gjatë karrierës së tij të gjatë prej më shumë se dy dekadash, Dikec ka fituar medalje të shumta ari në Kampionatin Botëror të ISSF, Kupën Botërore të ISSF, Kampionatin Evropian dhe Lojërat Evropiane.

Ai studioi në Shkollën e Trajnimit Fizik dhe Edukimit të Universitetit Gazi në Ankara dhe më vonë kreu një master në Universitetin Selcuk në Konya.

Sherr masiv në Kosovë, Noizy rrihet me personazhin e famshëm të TikTok

Një rrahje brutale ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në njërin prej klubeve të natës në qytetin e Pejës.

Të përfshirë në sherr kanë qenë reperi Rigel Rajku i njohur si Noizy si dhe tiktokeri Muhamet Iseni i njohur si Medi.

Dyshja edhe më parë kishin pasur përplasje. Por mbrëmë rreth orës 03:00 të mëngjesit në klubin e natës “Sancy” në Pejë situata ka degraduar duke u përfshirë në rrahje masive.

Detaje për ngjarjen ka dhënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi teksa tha se dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Pejës.

“Rreth orës 3:37 stacioni policor në Pejë është njoftuar nga spitali rajonal i Pejës se kanë pranuar dy persona të lënduar të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ka kontaktuar me viktimat dhe të njëjtit kanë deklaruar se deri sa kanë qenë në një diskotekë, janë sulmuar nga persona të panjohur të cilët u kanë shkaktuar lëndime trupore dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, konfirmoi Gashi për Insajderin.

Ai tha se dyshimet janë për 7-8 persona të përfshirë në rrahjen masive.

“Rasti është në fazën e hetimeve dhe nuk mund të japim emra, kanë qenë 7-8 persona që janë përfshirë në rrahje dhe janë të dyshuar por ende është herët për të dhënë konstatime, policia po punon për me i identifiku të dyshuarit. Deri më tash nuk kemi asnjë të arrestuar”, shtoi Gashi.

Nga sherri masiv disa persona kanë marrë lëndime trupore dhe janë duke u trajtuar në spitalin e Pejës.

“I prishën imazhin RTSH-së”, 5 gazetarë thirren në polici dhe iu kontrollohen telefonat

Të paktën pesë ish-punonjës të RTSH-së thonë janë thirrur në Policinë e Tiranës në dy ditët e fundit, ku janë marrë në pyetje dhe u janë kontrolluar dhe telefonat celularë.

E gjitha kjo për shkak të një kallëzimi për “prishje imazhi” që iu ka bërë drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza.

Gazetarët kanë shprehur shqetësimet e tyre tek Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili ka reaguar tepër i alarmuar për veprimet e Pezës dhe të Policisë së Shtetit duke e bërë denoncimin publik, por pa publikuar emrat e ish-punonjësve, pasi ata kanë vendosur të qëndrojnë anonimë për momentin.

“Pyetja e punonjësve dhe kontrolli i aparateve celularë është një akt i rëndë që synon frikësimin, intimidimin dhe heshtjen e tyre nën sfondin kur këta të fundit, kanë folur hapur për shkarkimet masive dhe të padrejta të Alfred Pezës.”– shkruan AGSH, që mes të tjerash në reagimin zyrtar të cilin mund ta gjeni duke këtu, i kërkon në mënyrë urgjente Policisë së Shtetit që të ndërpresë këtë praktikë që e konsideron abuzive.

Po ashtu AGSH i bën thirrje Pezës të tërhiqet në mënyrë të menjëhershme nga këto praktika që synojnë frikësimin e ish-punonjësve të shkarkuar, duke paralajmëruar se do të njoftohen edhe organizatat partnere ndërkombëtare. Momentalisht ende nuk ka një reagim nga drejtori Peza lidhur me këtë çështje.

Duket se kontrollimi dhe sekuestrimi i celularëve të gazetarëve është bërë rrugë tashmë nga forcat e zbatimit të ligjit, duke nisur nga Elton Qyno, të cilit pas një raportimi i zbarkuan në shtëpi, automjet dhe vendin e punës te “Ora News” duke i marrë ç’të mundeshin: Letra, kompjutera, telefona, disqe, usb, lojrat e fëmijëve, antena interneti, çelës makine, etj.

DETAJE/ Si i pastronin paratë e krimit vëllezërit Çopja në Shqipëri

Veç një sërë vrasjeve dhe grabitjes së bujshme të Rinasit, vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja akuzohen edhe për pastrim parash.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se banda kriminale e drejtuar nga dy vëllezërit nga Elbasani ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

“Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.

Rezulton se, organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal”, njoftoi SPAK.

Po ashtu, dy vëllezërit në mënyrë të përsëritur kanë realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.