zoom

Day ArchiveGjashtë mënyra si të flini më mirë natën

Gjumi është shumë i rëndësishëm për mirëqenien dhe organizmin.

Në mungesë të tij, njeriu stresohet më lehtë, acarohet, por përballet edhe me rreziqe më të larta sëmundshmërie.

Për të evituar të gjitha këto gjendje shqetësues, mjafton të dini si të flini më mirë.

Bëni Aktivitet Fizik

Aktiviteti fizik gjatë ditës ju lodh por stimulon zemrën, trurin dhe muskujt.

Atë duhet ta kryeni gjatë ditës që t’ju zëjë gjumi dhe të flini sa dhe si duhet.

Aktivitetin fizik mund ta kryeni në mëngjes ose ta keni përfunduar atë deri në 3 orë para gjumit.

Krijoni Një Rutinë Gjumi

Rutina është faktor kyç për një gjumë cilësor.

Mbani nën kontroll orën e brendshme të trupit dhe krijoni një rutinë gjumi me orare të përcaktuara të fjetjes dhe zgjimit.

Mbi të gjitha, ju duhet t’i përmbaheni kësaj rutine.

Kujdes me Ushqimet

Darka duhet të jetë shumë e lehtë dhe në organizmin tuaj nuk duhet të ketë gjurmë kafeine, thonë ekspertët.

Nëse ushqeheni rëndë dhe pini shumë kafe gjatë ditës, me siguri do të keni vështirësi t’ju zërë gjumi.

Kafeja kërkon minimalisht 6 orë për të dalë nga organizmi.

Lundrimi Në Internet

Përdorimi i telefonit celular përpara gjumit do të shpërqendrojë orën e brendshme të trupit dhe pengon ardhjen e gjumit.

Fikeni telefonin celularin dhe mos lundroni në internet të paktën gjysëm ore përpara se të shtriheni për të fjetur.

Temperatura e Dhomës së Gjumit

Temperatura e dhomës së gjumit është e rëndësishme për një gjumë cilësor.

Temperatura duhet të jetë nga 16 deri në 20 gradë.

Në këto gradë, trupi do ta ketë më të lehtë që të ulë temperaturën e brendshme në mënyrë që të flini.

Organizohuni

Rrëmuja është stresuese. Sigurohuni që dhoma juaj të jetë e rregullt, e pastërt dhe mbi të gjitha e ajrosur.

Do të vëreni se sapo të futeni në dhomë do të jeni më të qetë dhe më pa stres./AgroWeb.org

J.D. Vance, ylli republikan në ngjitje, në qendër të vëmendjes

Kandidati republikan për nënpresident, J.D. Vance, i drejtohet të mërkurën Kuvendit Kombëtar Republikan në një fjalim që mund të nxjerrë në pah se si idetë populiste të zotit Trump, mund të dominojnë partinë në vitet në vazhdim.

Në karrierën e tij të shkurtër politike, 39 vjeçari Vance, është përpjekur t’i përdorë instinktet populiste të zotit Trump, për të krijuar një axhendë politike koherente, sipas së cilës Shtetet e Bashkuara do të luanin një rol më pak të theksuar në çështjet globale.

Fjalimi i senatorit nga Ohajo, i zgjedhur në vitin 2022, ka të ngjarë të jetë momenti më i ndjekur i Kuvendit Republikan, përpara fjalimit të zotit Trump, të enjten në mbrëmje, pesë ditë pas plagosjes në një atentat ndaj tij në Pensilvani.

“Një atentat do të ndryshonte jetën e kujtdo”, u tha gazetarëve të mërkurën Jason Miller, këshilltari i lartë i fushatës së zotit Trump.

Presidenti Trump ndihet shumë mirë. Ai është inkurajuar nga mbështetja masive që ka marrë. Shihni se si e kanë pritur atë gjatë kuvendit, por jo vetëm atje. Janë miliona njerëz në mbarë vendin“, shtoi ai.

Shqetësimet për një administratë të dytë Trump, shkaktuan rënie të aksioneve të mërkurën. Ata që u goditën më rëndë ishin prodhuesit e mikroprocesorëve pasi ish-presidenti Trump tha gjatë një interviste për ‘Bloomberg Businessweek” se Tajvani duhet të paguajë për mbrojtjen e tij.

I zgjedhur në senat rreth më pak se dy vite më parë, zoti Vance ka kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka mbrojtur përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Me një moshë sa gjysma e asaj të zotit Trump, zoti Vance mund të ushtrojë ndikim për dekada me radhë në Partinë Republikane.

Ai ka argumentuar se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar klasën punëtore duke kufizuar importet, rritur pagën minimale dhe goditur fitimet e korporatave. Këto qëndrime bien ndesh me qëndrimin tradicional pro-biznesit të Partisë Republikane, por janë në një linjë me axhendën e zotit Trump.

Nikki Haley dhe guvernatori i Floridës Ron DeSantis, ish-rivalët e zotit Trump gjatë zgjedhjeve paraprake për emërimin e kandidatit republikan për president, ofruan mbështetjen e plotë për zotin Trump në kuvendin e partisë.

S’është e thënë se dikush duhet të pajtohet me Trumpin 100%, për ta votuar atë“, tha zonja Haley, e cila ka shërbyer si ish-ambasadore e OKB-së dhe guvernatore e Karolinës së Jugut. Gjatë fushatës së saj presidenciale, ajo ishte shprehur se zoti Trump është i papërshtatshëm për detyrën e presidentit.

Shfaqja e harmonisë brenda partisë republikane është në kontrast me atë që po ndodh në kampin e demokratëve, të cilët kanë kaluar javë të tëra duke debatuar nëse zoti Biden, 81 vjeç, duhet të heqë dorë nga gara, pas një paraqitjeje të dobët në debatin e 27 qershorit përballë zoti Trump.

RETORIKA E ZEMËRUAR KUNDËR ZOTIT BIDEN

Shumë nga fjalimet e mbrëmjes së të martës në kuvendin që po mbahet në Miluoki, të përqendruara tek temat e lidhura me ligjin dhe rendit – ishin të mbushura me retorikën e zotit Trump kundër emigrantëve. Shumë prej atyre që morën fjalën denonconin me zemërim politikat e zotit Biden për kufirin jugor.

Ndërsa numri i kalimeve kufitare ka arritur shifra rekord gjatë mandatit të presidentit Biden, arrestimet ranë ndjeshëm në qershor pasi ai zbatoi një ndalim të gjerë të azilit.

Zoti Trump është zotuar të nisë përpjekjen më të madhe në histori të dëbimit të emigrantëve pa dokumente që ndodhen në SHBA.

Disa nga sulmet e nxehta ishin në kundërshtim me mesazhin për unitet kombëtar që zoti Trump kishte premtuar të jepte pas atentatit ndaj tij.

Pas sulmit me armë, frika e votuesve për një polarizim të ndjeshëm përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, duket se vetëm është thelluar.

Një sondazh i agjencisë ‘Reuters’ dhe organizatës ‘Ipsos’ i kryer të hënën dhe të martën gjeti se 80% e votuesve – republikanë dhe demokratë në mënyrë të barabartë – ranë dakord se “vendi po del jashtë kontrollit”.

Autoritetet nuk kanë identifikuar ende motivet e atentatit kundër ish-presidentit.

Në fjalimin e tij të parë të fushatës që nga sulmi ndaj zoti Trump, zoti Biden u tha të martën votuesve afrikano-amerikanë në Las Vegas se ai do ta vazhdonte garën për t’u rizgjedhur, duke hedhur poshtë sërish thirrjet e disa demokratëve për t’u larguar.

Kuvendi katër-ditor i republikanëve do të kulmojë me fjalimin e ish-presidentit Trump mbrëmjen e së enjtes, kur ai zyrtarisht do të pranojë emërimin nga partia për t’u përballur me zotin Biden, në një përballje të dytë, sikurse në të vitin 2020.

“Legen, këllirë”- Dhuli e Bido shpërthejnë në ofendime: Punon për Vorio Epirin, ik

Studiuesi Ardit Bido dhe përfaqësuesi i Fredi Belerit, Skerdjan Dhuli, kanë shpërthyer në ofendime ndaj njëri-tjetrit.

Teksa diskutohej për zgjedhjet në Himarë, Bido akuzoi Dhulin në emisionin Top Story se punon për Vorio Eprin, ndërsa ky i fundit iu kthye duke i thënë se duhet të lajë gojën para se të thotë diçka të tillë për të.

Ndërsa më pas, Dhuli iu drejtua Bidos me fjalët “këllirë”.

Pjesë nga debati:

Dhuli: Në emisionin e parafundit kam thënë, në këtë studio, kam thënë që unë do ta preferoja kandidatin lab. Këtë e kam propozuar dhe në rrethet tona të diskutimit. Pse e kam propozuar të tillë? Edhe me riskun se mund ta humbisnim atë garë. Çfarë rrezikonte kjo? Rrezikonte që atë garën elektorale ta kthente në një betejë shqiprtaro-greke.

Bido: Dhe tani zgjodhët një vorio-epiriotist.

Dhuli: Jo, kjo s’ka lidhje.

Bido: Që mos të kthehet në shqiptaro-greke, të mbështesim vorio epirin. Ju të djathtët, konservatorët.

Dhuli: Po mirë mo burrë i dheut, ki durim, duro. Do ta mundim prapë Edi Ramën ne atje, duro.

Bido: Munde me shqiptarë, munde me njerëz që janë patriotë të asaj zone, që kanë treguar se i fitojnë votat. Pse po tenton sot me vorio-epir, pse ju sot po mbështesni vorio-epirin? Kjo është pyetja.

Dhuli: Kush po e mbështet vorio-epirin?

Bido: Ju!

Dhuli: Thirri mendjes se ke ikur fare nga mend e kokës. Ke ikur fare. Thirri mendjes. Zbrit në tokë.

Bido: Ti je krenar që ke nënën Greqi pas? Se për gjithë himariotët po flet ai robi.

Dhuli: Po unë s’jam grek. Ai flet për ata himariotë që ndihen grekë.

Bido: Ai është që deklaroi se 70% e himariotëve janë grekë. Ai që mbështesje ti dhe që mbështet ti.

Dhuli: Ai flet për ata që deklarohen grekë, jo për mua. Po ti s’je i vëmendshëm, se e ke mendjen te Edi Rama kur flas unë. Beleri që flet tani është Beleri i grekëve, nuk është më Beleri im.

Bido: Pra ai ka 30 vite që punon për vorio-epirin, sot gënjen publikun dhe bën fushatë.

Dhuli: Vorio-epiri është një idiotësi e paimagjinueshme, që çuditërisht vjen në studiot tona dhe me këtë marrin klikime lloj-lloj fantazmash.

Bido: Sot, ju të djathtët, që jeni shumica e opozitës. Jeni më shumë se dyfishi i votave greke në Bashkinë Himarë. Ju sot, opozita, zgjodhët të mbështesnit një person që punon për vorio-epirin. Nuk zgjodhët një himariot, shqiptar apo grek të Himarës që nuk punon për shtet të huaj dhe nuk është anti-shqiptar.

Dhuli: Ti s’e kupton këtë, se s’ke lidhje me atë zonë fare. Flet në ajër kot.

Bido: S’kam unë lidhje me atë zonë?

Dhuli: Belerin kryetar bashkie e bënë shqiptarët, s’e bënë grekët. Kam thënë që oligarkëve që iu shërben ti, do t’iu shembet trau i Kakomesë. Është premtimi i parë që duhet të shembet.

Bido: Unë s’mbështes asnjë parti. Unë jam kundër vorio-epiriotistëve si ty.

Dhuli: Kujt i thua vorio-epiriotist ti? S’mund të më thotë vorio-epiriotist e të dalë kaq kollaj.

Bido: PD mbështet një irredentist

Dhuli: Për ty të mundësh Ramën është tradhti

Bido: Ore kujdes gjakun e paraardhësve të ty se po punon për vorio-epirin

Dhuli: Unë punoj për vorio epirin? Më ke flet mo?

Bido: Me ty që mbështet kandidatë të vorio epirin

Dhuli: Ti dëgjo këtu, ti këllirë laj gojën kur të më thuash mua për vorio epirin

Bido: Si the mo? Me kë po flet? Tani ti do çohesh do ikësh nga emisioni se nuk më flet mua në këtë mënyrë

Dhuli: Legen, qepe gojën se nuk jam shoku jot

Ilaçi i zakonshëm për hollimin e gjakut përdoret ai antidot ndaj helmimit të kobrës

Një ilaç që zakonisht merret për hollimin e gjakut mund të ripërdoret si një antidot i lirë ndaj helmit të kobrës, ka zbuluar një ekip shkencëtarësh me bazë në Australi, Kanada, Kosta Rika dhe MB.

Kafshimet e gjarpërinjve vrasin rreth 138,000 njerëz në vit, kryesisht në zonat rurale më të varfra në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në Afrikë, Azinë Jugore dhe Juglindore.

Më shumë se 400,000 të tjerë zhvillojnë nekrozë, kur indi rreth pickimit vdes dhe bëhet i zi.

Kobrat përbëjnë shumicën e kafshimeve në pjesë të Afrikës dhe Indisë. Dhe heparina mund të neutralizojë toksinat që shkaktojnë nekrozë në helmin e kobrave.

Ilaçi nuk është efektiv kundër të gjithë helmit të gjarpërinjve – por shkencëtarët thonë se mund të jetë më i lirë dhe më fleksibël se antihelmet ekzistues, shumë prej të cilëve veprojnë kundër vetëm një specie të vetme gjarpërinjsh dhe nuk mund të parandalojnë nekrozën.

Duke e testuar tashmë ilaçin në minj, hapi tjetër do të jenë provat njerëzore.

HRW: Hamasi dhe grupet e tjera kryen krime lufte më 7 tetor

Hamasi dhe të paktën katër grupe të tjera të armatosura palestineze kryen krime të shumta lufte dhe kundër njerëzimit kundër civilëve gjatë sulmit të 7 tetorit në Izraelin jugor, thotë grupi i fushatës Human Rights Watch.

Një raport i ri akuzon qindra persona të armatosur që thyen gardhin kufitar të Gazës për shkelje, duke përfshirë sulme të qëllimshme dhe pa dallim ndaj civilëve, vrasje të qëllimshme të personave në paraburgim, dhunë seksuale dhe me bazë gjinore, marrje pengjesh, gjymtim trupash dhe grabitje.

Gjithashtu në raport thuhet se vrasja e civilëve dhe marrja e pengjeve ishin sulm i planifikuar.

Hamasi me zemërim i hodhi poshtë duke i quajtur “gënjeshtra” të HRW.

Rreth 1,200 izraelitë dhe të huaj – kryesisht civilë – u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng kur më shumë se komunitete dhe qytete izraelite, si dhe një numër bazash ushtarake, dy festivale muzikore dhe një festë në plazh u sulmuan nëntë muaj më parë.

Izraeli u përgjigj duke nisur një fushatë ushtarake në Gaza me qëllim shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve.

Më shumë se 38,790 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të Hamasit, shifrat e së cilës nuk bëjnë dallime midis civilëve dhe luftëtarëve.

Raporti i HRW nuk mbulon shkeljet e supozuara të ligjeve të luftës nga forcat izraelite dhe grupet palestineze në konfliktin që u shkaktua nga sulmi i 7 tetorit.

Ministria e Financave mbyll koncesionin e markimit të karburanteve, shërbimi kalon te Doganat

Ministria e Financave ka mbyllur përfundimisht koncesionin e markimit të karburanteve.

Vendimi u mor pas përfundimit të kontratës së koncesionit /PPP “Për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve”, që parashikonte shërbimit e markimit dhe të monitorimit të karburanteve për qëllim të shmangies së evazionit fiskal dhe ishte miratuar në maj 2013.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në ligjin për akcizat, sipas të cilit, Administrata doganore është përgjegjëse për administrimin e procesit të shënjimit/ngjyrimit.

Doganat do të fillojnë ta kryejnë këtë shërbim nga data 9 gusht, një ditë pas përfundimit të kontratës së koncesionit.

Operacionet e markimit të karburanteve filluan të zbatoheshin në terren nga kompania koncesionare GFI Albania në në muajin Shtator 2013, kurse operacionet e monitorimit të tregut të karburanteve të rafinuara filluan më datë 23 Qershor 2014.

Në gusht të vitit të kaluar Qeveria e shtyu edhe me një vit kontratën e markimit të karburanteve.

Sipas vendimit të një viti më parë, kontrata e koncesionit u bë 11 vjet, duke filluar nga data efektive.

Më parë, kontrata kishte afat 10-vjeçar. Vendimi nuk dha arsyet e shtyrjes, por sqaroi vetëm që kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit.

Argumenti që ka dhënë koncesionari për shtyrje me disa vjet lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut.

Tarifa e koncesionit është paguar nga konsumatori, pasi ka rritur çdo vit çmimin e naftës 1 lekë për litër.

Deri në 2021, për 9 vite (periudha 2013-2021), të ardhurat e kompanisë GFI Albania, që bëri zbatimin e kësaj kontrate sipas bilanceve në QKB janë rreth 3,4 mld lekë, apo 32 mln euro.

Pak muaj më parë financat vendosën të mos rinovohet më as kontrata e pullave fiskale me “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”,. Nga data 1 janar 2025 prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të kryhet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave.

Njëkohësisht financat nuk i dhanë dritë jeshile as një koncesioni të propozuar “Për ofrimin e shërbimit të infrastrukturës të çelësave publikë PKI”, i cili parashikonte që rreth 120 mijë certifikata elektronike do të prodhoheshin çdo vit për fiskalizimin e bizneseve.

Edhe ky koncesion ishte kundërshtuar nga grupet e interesit për shkak të sigurisë së prodhimit./Monitor

Princesha e Dubait mesazh publik Sheikut: Po të divorcoj! Kujdesu për veten

Pak më shumë se një vit pas dasmës së saj, Sheikha Mahra bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, vajza e Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, njoftoi divorcin në një postim në rrjetet sociale.

Sheikha tregoj se do të dahej nga i shoqi, Sheikh Mana Bin Mohammed Bin Rashid Bin Mana Al Maktoum.

“I dashur bashkëshort, meqë je i zënë me shokë të tjerë, unë deklaroj divorcin tonë. Unë po divorcohem, unë po divorcohem dhe unë po divorcohem nga ty. Kujdesu. Ish-gruaja jote“, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.

Postimi i Sheikha Mahra ngjalli reagime në rrjetet sociale, veçanërisht për shkak se nuk u në detajet dhe arsyet e divocit.

Çifti kanë fshirë të gjitha fotot e përbashkëta, përfshirë fotot e dasmës së tyre, nga profilet e tyre të mediave sociale, sipas mediave lokale, Khaleej Times.

Çifti u martua zyrtarisht në prill 2023 dhe mirëpriti vajzën në maj 2024. Vetëm gjashtë javë më parë, Mahra publikoi një foto prekëse me vajzën e saj me mbishkrimin: Jemi vetëm ne dyja.

Donte ta ndante nga Sara, Bardhi ndan përfundimisht rrugët me menaxherin e tij

Këngëtari i njohur Bardhi ka ndarë përfundimisht rrugët me menaxherin e tij, krisja e marrëdhënies së të cilëve filloi për shkak se Jetmir Agaj s‘miratonte lidhjen e artistit me Sara Gjordenin.

Bardhi dha lajmin në një postim në Instagram ku shprehet se nuk është më nën menaxhimin e Jetmir Agajt.

Por, theksoi se rrugëtimi i tij si artistit vazhdon me të njëjtin pasion.

Postimi i plotë:

PERSHENDETJE MIQ, MBESHTETES E DASHAMIRES !

PREJ SOT DESHTA TJU LAJMEROJ SE UNE NUK JAM ΜΕ ΝΕΝ ΜΕNAXHIMIN E SBS DHE JETMIR AGAJ

SI ARTIST, DUA TI FALENDEROJ PER KONTRIBUTIN E TYRE NE KARRIEREN

TIME PREJ DITES PARE.

RRUGETIMI IM VAZHDON SI ARTIST I PAVARUR ME TE NJEJTIN PASION DHE VULLNET PER MUZIKEN

SHIHEMI SE SHPEJTI ME PROJEKTET E REJA

Borrell kërkon angazhim në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Shefi i diplomacisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka diskutuar në Bruksel me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe avancimit të rrugës së Beogradit drejt bllokut evropian.

Sa i përket dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Borrell ka kërkuar angazhim në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese mes palëve për normalizimin e raporteve.

“Përfaqësuesi i lartë Borrell ka ritheksuar se BE pret si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, me mirëbesim dhe në frymën e kompromisit, dhe të arrijnë pa vonesa marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëveshjeve në përputhje me bazën ligjore të BE-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Prioriteti më i lartë është të lëvizjet përpara me zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve. Përfaqësuesi i lartë Borrell ka rikujtuar se rrugët respektive evropiane të Kosovës dhe Serbisë kalojnë përmes dialogut”, tha BE-ja përmes një njoftimi për media.

Palët, që dialogojnë nga viti 2011, vitin e kaluar arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Por, BE-ja ka thënë se kjo marrëveshja – e cila nuk është nënshkruar për shkak të refuzimit të Serbisë, por vlerësohet obliguese për palët – nuk ka nisur të zbatohet.

Gjatë takimit në Bruksel më 17 korrik me Gjuriqin, Borrell ka biseduar edhe për avancimin e rrugës drejt BE-së dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

“Përfaqësuesi i lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së Serbisë me qëndrimet dhe vendimet e BE-së në politikën e jashtme dhe sigurisë, përfshirë edhe në kontekstin e luftës së agresionit të vazhdueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës. Përfaqësuesi i lartë ka shprehur pritjet e fuqishme të BE-së që Serbia të rrisë përpjekjet e saja drejt përshtatjes së plotë të qëndrimeve, përfshirë edhe masat restriktive”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Serbia është shteti i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, të cilat kanë të bëjnë me sanksionet kundër Rusisë për shkak të luftës ndaj Ukrainës.

Megjithatë, BE-ja ka falënderuar Serbinë për ndihmën ofruar Ukrainës, pa specifikuar se për çfarë ndihme bëhet fjalë.

“Përfaqësuesi i lartë është në dijeni për ndihmën që Serbia po i ofron Ukrainës dhe popullit të saj”, tha blloku evropian.

Serbia, aleate e Rusisë, pavarësisht se nuk i ka vendosur sanksione Moskës, ka mbështetur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.

Tritoli në banesë, Alda Nikolli: E vendosi Nuredin Dumani, kisha lidhje me të! Më vuri gjobë 400 mijë euro

Alda Nikolla, motra e Giovanna Nikollës, të cilave iu vendos një sasi tritoli në banesën ku jetonin me qira në Elbasan, ka deklaruar se atentatin ia bëri vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani.

Ajo ka treguar se Nuredin Dumanin e ka njohur përmes kunatit të saj Amarildo Xhanej dhe kishte nisur një lidhje me të, por theksoi se nuk e dinte që ai ishte në një lidhje me Mirjetën.

Alda Nikolla tha se Nuredin Dumani e kërcënoi pasi i faktoi të dashurës së tij Mirjetës që ishte e lidhur me të.

“Nuredin Dumanin e kam njohur nëpërmjet kunatit tim Amarildo Xhanejt, që ndodhet në burgun 313.  Mendova që donte të njiheshim, por paska pasur qëllim të na përdorë si mua dhe motrën time Xhovanën.  Unë nuk e dija që Nuredini kishte të dashur jashtë.  Mirjetën. E cila më kërcënoi, më tha më fakto që flet me Nuredinin.

Kur ja faktova me një voice, 5 minuta më vonë Nuredini më mori në telefon dhe më kërcënoi. Më pas bllokoi adresat, më la të qetë dy ditë e pastaj veproi”, tha  ajo.

Gjithashtu tregoi se Nuredin Dumani pasi dështoi nga tentativa për të dëmtuar statusin e të penduarit të drejtësisë të Amarildo (xhanej) Nikollit nga të dhënat që merrte nga kunata e tij pasi kjo e fundit iu drejtua SPAK duke treguar komunikimet me të, ai veproi hapur në burg.

“Më ka kërcënuar me Amarildon, e ka rrahur dy herë në burg brenda 1 jave e gjysmë”, tregoi Alda Nikolla.

Sipas saj, Nuredin Dumanin nuk e pengojnë muret e qelisë për të vijuar aktivitetin kriminal.

“Jo më larg se para ca ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro, e ka detyruar të pranojë gjëra që si ka bërë me presion. Do t’i vinte gjobë dhe Dakut, Leonard Luzit. Ai kështu jeton duke u vënë gjoba njerëzve sepse nuk ka lekë”, shprehet ajo.

Për të gjitha këto ajo i është drejtuar policisë dhe SPAK, por shprehet se është lënë e braktisur.

“Kam shkuar në SPAK dhe në Policinë e Elbasanit, nuk ka shans të bëj një denoncim ndaj Nuredin Dumanit.  Në SPAK më thanë ka dashur të të trembë jo të të vrasë, se di mbase këtë radhë edhe e arrin”, tha ajo për TCH.