Day ArchiveArbër Teqja, djali i zv.drejtoreshës së QSUT, fiton tender 200 mln nga spitali i Fierit
Arbër Teqja është “çuni i mamit” Arjana Strakosha, me detyrë prej vitesh në funksionin publik si zëvendës drejtoreshë e QSUT. Ajo shërben për pacientët në shërbimet e hemodializës dhe nefrologjisë.
Por përtej kësaj duket se shërben edhe si një “mashë” që i biri i saj të fitojë tendera kudo nëpër spitalet e vendit. Ndonëse Arbër Teqja është arrestuar në vitin 2015 si pjesëmarrës në një skemë mashtrimi nëpërmjet recetave fiktive në bashkëpunim me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kjo duket se nuk e ka ndaluar aspak atë që të vazhdojë të marrë përsëri tendera.
Më i fundit është ky që do të shikoni sot, i dhënë nga SPITALI RAJONAL “MEMORIAL” FIER. Bëhet fjalë për një procedurë që mban numrin e referencës REF-95967-02-21-2024 dhe ka si objekt “Shërbimi i trajtimit dhe asgjësimit të mbetjeve spitalore”, me fond limit 17,458,400 lekë të reja pa TVSH ose rreth 210 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Natyrisht ashtu siç pritej, edhe ky tender ka në brendësi elementë tepër të dyshimtë. Nga një studim i dokumentacionit të tij vihet re se firma e Arbër Teqaj, “ECO RICIKLIM”, ka dhënë ofertën më të lartë në tender.
Megjithatë ajo është kualifikuar si fituese. Bëhet fjalë për një ofertë në vlerën 17,236,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 200 milionë lekë të vjetra me TVSH. Dyshimet përforcohen më shumë kur zbulohet se shifra e ofruar nga Arbër Teqja është sa 99% e fondit limit të tenderit./JOQ
Merret vendimi! Fredi Beleri do lërë qelinë, i jepet leje për t’u betuar si eurodeputet!
Fredi Beleri do të lërë përkohësisht qelinë. Drejtoria e Burgjeve ka marrë vendimin për ta lejur që të betohet si eurodeputet.
Ai do të lërë qelinë ditën e nesërme për të udhëtuar drejt Strasburgut ku do të betohet si deputet i Parlmentit Europian.
Leja Fredi Belerit iu është dhënë për 5 ditë, duke filluar nga e diela. Kujtojmë që ai u zgjodh eurodeputet në logon e partisë Demokracia e Re, e Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Beleri i bëri kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e PE, që do të mbahet më 15 korrik.
Por, Fredi Beleri, i cili u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe fitoi zgjedhjet në garën për kreun e Bashkisë Himarë, nuk u lejua të betohej si kryebashkiak.
Ai bëri ankimime në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, por të gjithë kërkesat e tij u rrëzua. KQZ pak ditë më parë shpalli të pavlefshëm mandatin e tij si kryebashkiak i Himarës, në një seancë ku Beleri ishte i pranishëm, pasi Apeli i GJKKO e dënoi me dy vite burg për blerje votash.
Gjithsesi, arrestimi nuk e pengoi Belerin që të betohej si eurodeputet, por detyrën e kryebashkiakut nuk arriti ta ushtronte, pasi nuk u lejua nga shkallët e gjyqësorit shqiptar që të betohej para Këshillit Bashkiak, sikundër përcaktohet në ligj.
Planet për atentat ndaj Gjukanoviç, Vijesti: U informua nga një zyrtar i lartë ushtarak nga Kosova
Media malazeze, Vijesti shkruan se ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, është informuar nga një zyrtar i lartë ushtarak nga Kosova për planin e atentatit ndaj tij nga një grup kriminal.
Sipas një burimi për Vijesti, “një zyrtar i lartë ushtarak nga Kosova e informoi atë se një grup i organizuar kriminal nga një vend fqinj dyshohet se po planifikonte një atentat në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj”.
Gjukanoviç ka njoftuar autoritetet kompetente malazeze se ka marrë informacion se ndaj tij po përgatitet një atentat.
Ndërkohë policia ka deklaruar se nuk kanë të dhëna që do të tregojnë për aktivitete të planifikuara që kanë për qëllim rrezikimin e sigurisë së ish-presidentit.
“Ish-presidenti i ka marrë informacionet e lartpërmendura nga disa zyrtarë ndërkombëtarë nga komuniteti i inteligjencës dhe me ato informacione ka njoftuar autoritetet shtetërore”, është përgjigjur nga zyra e Gjukanoviçit, teksa u pyet nëse dikush nga sektori i sigurisë e kishte informuar se siguria e tij ishte në rrezik, pra që po i përgatitet një atentat.
Ish-presidenti i Malit të Zi, Gjukanoviç: Po përgatitet një atentat ndaj meje
Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka njoftuar organet kompetente se ka marrë informacione se ndaj tij po përgatitet një atentat.
Por, policia tha për “Vijesti” se nuk kishin të dhëna që të tregonin kërcënim për sigurinë e ish-presidentit.
Zyra e Gjukanoviç deklaroi se informacionet që ndaj tij po përgatitej një atentat i kishin marrë nga zyrtarë të caktuar ndërkombëtarë nga komuniteti i inteligjencës dhe kishte autoritetet shtetërore.
Nuk dihet se kur e ka marrë këtë informacion, ish-presidenti i Malit të Zi. Një burim pranë Gjukanoviç tha se një “zyrtar i lartë ushtarak nga Kosova e informoi atë se një grup i organizuar kriminal nga një vend fqinj dyshohet se po planifikonte një atentat në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj”.
Administrata policore njoftoi se sipas nenit 18 të Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, me përfundimin e detyrës, presidenti ka të drejtën e sigurisë personale të përhershme në përputhje me vlerësimin e sigurisë të përcaktuar nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare në përputhje me ligjin.
Duke iu përgjigjur pyetjes se a është rritur siguria e Gjukanoviçit, zyra e tij ka bërë të ditur se është reduktuar me anulimin e sigurisë së turnit të ditës në vendbanimin e ish-presidentit.
Ata deklaruan se shërbimet e sigurisë nuk e thirrën Gjukanoviçin apo koordinatorin e tij të sigurisë për t’i marrë në pyetje lidhur me rrezikun e mundshëm.
Sharon Stone rikrijon skenën e saj ikonike nga Basic Instinct… me të brendshme të kuqe
Sharon Stone ka rikthyer skenën e saj të paharrueshme nga “Basic Instinct”.
Aktorja 66-vjeçare pozoi e veshur me të brendshme dantelle të kuqe, duke rikthyer skenë nga roli i saj si Catherine Tramell nga filmi i vitit 1992.
Në “Basic Instinct”, personazhi i Stone, Catherine, shpërqendroi policinë gjatë një marrjeje në pyetje duke u zhveshur dhe ulur këmbëkryq, teksa zbuloi se nuk kishte veshur të brendshme.
Kjo skenë e diskutueshme u bë një nga më të paharrueshmet në historinë e kinematografisë.
Të shtëna me armë e përleshje mes tifozëve në Greqi, tre të plagosur dhe mbi 70 të arrestuar
Një incident i përgjakshëm mes tifozëve ka ndodhur pasditen e së shtunës jashtë stadiumit në Alexandras Avenue, pak para ndeshjes miqësore mes Panathinaikos dhe AEK Larnaka.
Sipas protothema.gr, tifozët janë përleshur me njërin prej tyre duke nxjerrë armën dhe duke qëlluar. Një burrë ka mbetur i plagosur në këmbë nga të shtënat.
Gjithashtu janë plagosur edhe dy persona të tjerë, njëri në bark (me gërvishtje), ndërsa një tjetër në krah pasi u dhunua fizikisht. Të tre të plagosurit janë dërguar në Spitali.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka vendosur në pranga 70 persona.
Shuma e madhe e parave që Shakira do të marrë për të kënduar në finalen e Kupës së Amerikës
Shakira do të jetë ylli i pjesës së parë të finales së Kupës së Amerikës 2024.
Këngëtarja kolumbiane do të performojë në pjesën e parë të ndeshjes mes Argjentinës dhe Kolumbisë në stadiumin Hard Rock në Miami.
Është hera e parë që ndeshja për titullin e Kupës së Amerikës do të ketë një performancë muzikore në pjesën e parë.
Sipas gazetarit argjentinas Juan Etchegoyen, Conmebol i ka paguar artistes kolumbiane një shumë të madhe parash për ta pasur atë në pjesën e parë të finales.
Etchegoyen specifikoi se Shakira do të fitojë 2 milionë dollarë për një shfaqje prej pak më shumë se 5 minutash ku do të këndojë një miks të hiteve të saj më të mira.
Ndërron jetë terapistja e famshme e s*ksit
Terapistja e njohur e seksit, Dr Ruth Westheimer, e cila foli hapur për marrëdhëniet seksuale dhe temat intime, ka ndërruar jetë të premten në moshën 96-vjeçare.
Publicisti i saj konfirmoi vdekjen e saj për CBS News. Dr Ruth u bë e njohur për shkak se fliste hapur për seksin, duke u bërë një ikonë e kulturës pop, si dhe një nga autoret më të shitura me udhëzues si “Sex for Dummies”.
Dr Ruth, e cila fliste me një theks gjerman, është një e mbijetuar e Holokaustit, e lindur në Frankfurt, Gjermani.
Në vitet 1980, ajo kishte programin e saj të radios të quajtur “Sexually Speaking”, që e vendosi në rrugën drejt famës kombëtare.
Ajo shkroi librin e saj të parë, Dr Ruth’s Guide to Good Sex, në vitin 1983, në të cilin synonte të çmitizonte seksin. Ishte i pari nga më shumë se 40 librat e saj. Gjithashtu nisi një program televiziv të quajtur Dr. Ruth Show.
Facebook dhe Instagram heq kufizimet ndaj të Donald Trump
Meta ka hequr të gjitha kufizimet në llogaritë e Donald Trump në Facebook dhe Instagram në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor.
Llogaritë e ish-presidentit amerikan u pezulluan në vitin 2021 pasi përgëzoi personat që sulmuan Kapitol më 6 janar.
Llogaritë e Trump, ku ka mbi 60 milionë ndjekës, u rikthyen në vitin 2023, por iu nënshtruan një monitorimi shtesë, i cili tani është hequr, tha gjigandi i mediave sociale në një postim në blog.
Meta tha se kishte një përgjegjësi për të lejuar shprehjen politike dhe se amerikanët duhet të jenë në gjendje të dëgjojnë të dy kandidatët presidencialë në mënyrë të barabartë.
Ai shtoi se kandidatët presidencialë të SHBA “mbeten subjekt i të njëjtave standarde të komunitetit si të gjithë përdoruesit e Facebook dhe Instagram, duke përfshirë ato politika të krijuara për të parandaluar gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen e dhunës”.
Që nga kthimi në platformat e Meta, llogaritë e Trump kanë postuar kryesisht detaje dhe meme të fushatës, përfshirë sulmet ndaj rivalit të tij presidencial Joe Biden.
Përpara ndalimit të tij në vitin 2021, postimet e Trump në Facebook ishin shpesh disa nga më të njohurat në SHBA, sipas të dhënave në atë kohë nga CrowdTangle.
VOA: Veriu i Shqipërisë, zona ku është më i përhapur fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike
Dhjetëra forca policie, të mbështetura me helikoterë dhe dronë, i drejtohen thuajse çdo ditë zonës malore në veri të Shqipërisë, ku fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike është më i përhapur.
Operacionet e koduara policore “Alpe të pastra” dhe “Territor i pastër” zhvillohen prej disa muajsh në këtë zonë ku, që nga fillimi i vitit, janë zbuluar dhe asgjësuar më shumë se 160 mijë fidanë dhe bimë narkotike, të dyshuara si cannabis sativa.
Por kjo sasi mendohet se është vetëm një pjesë e asaj çfarë gjendet e kultivuar në terren. Për nga numri i bimëve të asgjësuara, Qarku i Shkodrës me 5 bashkitë e tij qëndron në krye të hartës së kultivmit të bimëve narkotike në Shqipëri.
Vetëm në dy javët e fundit policia asgjësoi me djegje rreth 50 mijë bimë narkotike, të shpërndara në parcela të vogla, në zona të thella malore dhe të pabanuara, ku edhe forcat e policisë vendore e kanë thuajse të pamundur të kontrollojnë territorin.
Parcelat më të shumta me bimë narkotike janë zbuluar në zonën e Dukagjinit, të Bashkisë së Shkodrës, në njësitë administrative malore të Shalës, Shoshit, Pultit dhe Temalit.
Prej thuajse 30 vitesh kjo është edhe zona ku vazhdimisht janë përqendruar operacionet policore anticannabis, por pa mundur të ndalojnë fenomenin e kultivimit të bimëve narkotike. Në këtë zonë jeton një popullsi e pakët, për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe shpërnguljes së një numri të madh të familjeve drejt zonave urbane. Kjo ka favorizuar grupet kriminale që të shfrytëzojnë territorin për kultivimin e cannabisit.
Operacionet e policisë “Alpe të pastra” dhe “Territor i pastër” i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme grupeve kriminale që ushtrojnë kultivimin e bimëve narkotike, çka ka sjellë edhe reagimin e tyre. Të paktën 7 raste te vendosjes së lëndëve shpërthyese pranë banesave të punonjësve të policisë së Shkodrës si dhe vendosja e lëndës shpërthyese në banesën e një gjyqtari, dyshohet se janë pjesë e reagimit të individëve dhe grupeve kriminale ndaj asgjësimit të parcelave të drogës./VOA