zoom

Day ArchiveÇfarë ndodh në organizëm nëse hani hudhër në mbrëmje

Që në lashtësi, hudhra ka qenë aleate e njerëzimit kundër shumë sëmundjeve. Ajo ndihmon në mirëmbajtjen e funksionit dhe shëndetit të zemrës.

Hudhra pakëson gjasat e shfaqjes së tumoreve dhe lufton infeksionet.

Vlerat më të mira, hudhra i ofron nëse konsumohet e gjallë, sepse gatimi tjetërson të gjithë përbërësit mirëbërës të kësaj barishteje.

Koha më e mirë për të ngrënë hudhrën

Ekspertët thonë se koha më e mirë për të ngrënë hudhrën është përpara se të flini ose herët në mëngjes kur bakteret në stomak janë në gjendje të brishtë.

Çfarë ndodh në organizëm nëse hani hudhër në mbrëmje

Përfitimet e konsumit të hudhrës në mbrëmje janë të listuara më poshtë.

Detoks për mëlçinë

Hudhrën mund ta shtypni dhe më pas ta konsumoni në mbrëmje.

Kështy ajo do të çlirojë enzimat që luftojnë qelizat kancerogjene, toksinat dhe bakteret.

Sulfuri tek hudhra do të punojë për pastrimin e mëlçisë nga toksinat dhe metalet e rënda.

Antibiotiku i Natës

Nëse konsumoni një ose dy thelbinj hudhër të grirë në mbrëmje do të forconi sistemin imunitar dhe ai do të jetë në gjendje të luftojë të ftohurën dhe gripin.

Për më tepër, hudhra gjatë natës do të pastrojë mushkëritë nga sekrecionet.

Hudhra për lëkurën

Duke ngrënë një thelb hudhër përpara gjumit, do të stimuloni rigjenerimin e qelizave.

Ekspertët tthonë se hudhra do të luftojë bakteret që shkaktojnë akne dhe do ta mbajë lëkurën të pastër.

Kolesteroli i ulët

Hudhra e mban zemrën të shëndetshme. Ajo ul kolesterolin duke mbajtur larg sëmundjet.

Ngrënia e një ose dy thelbinjve hudhër në mbrëmje mban kolesterolin në nivele të mira dhe përmirëson pastrimin e enëve të gjakut.

I bën mirë kyçeve

Konsumi i hudhrës në mbrëmje i bën mirë kyçeve të prekura nga artriti sepse ajo lufton inflamacionin dhe zbut dhimbjet. Hudhra nuk duhet konsumuar në mbrëmje nëse vuani nga ulçera apo tensioni i ulët i gjakut. AgroWeb.org

Skandali në shëndetësi! Nuk është thjesht faji i sistemit, por vullnet i qartë për abuzim

Aty ku ka ofertë të kufizuar dhe kërkesë të lartë, teoria ekonomike thotë se tregu zhvillon spekulimin. Por në tregje të pazhvilluara dhe me institucione rregulluese të dobëta, probabiliteti që të krijohen mekanizma abuzues në dëm të konsumatorëve dhe të bizneseve është shumë i lartë.

Shqipëria ka shumë raste të tilla, që nga monopolet e favorizuara nga qeveria, që konkurrojnë bizneset e tjera dhe mundësojnë mbajtjen e çmimeve apo shërbimeve të larta për konsumatorët, te koncesionet që shpesh nuk e ofrojnë fare produktin për të cilin paguhen me taksat e konsumatorëve.

E keqja më e madhe është kur kjo ofertë është e kufizuar nga institucionet shtetërore që shpenzojnë paratë e taksapaguesve për të ofruar një nga shërbimet më themelore të jetës së qytetarit, atë të kujdesit për shëndetin.

Hetimi i fundit i Prokurorisë së Tiranës në Spitalin Onkologjik zbuloi vetëm majën e ajsbergut të një sistemi që ka mundësuar ofrimin e një shërbimi të cunguar, si në sasi, ashtu dhe në cilësi, duke u krijuar mundësi abuzuesve të kanalizojnë shërbimet shtetërore në përfitime private.

Problemi fillon që te nënfinancimi i sektorit shëndetësor në vite. Buxheti i shtetit shpenzon rreth 2.9% të asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto) për shëndetin, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Ky nivel është sa gjysma e mesatares botërore prej 6.5% e PBB-së dhe shumë më e ulët se e vendeve të zhvilluara të Europës, që arrin deri në 10%.

Për krahasim në rajon, Bosnja, Mali i Zi e Serbia shpenzojnë nga buxheti për shëndetin e qytetarëve të tyre mbi 6% të PBB-së dhe Maqedonia e Veriut, gati 5%. Edhe numri i mjekëve (18 për 10 mijë banorë) është sërish më i ulëti në Europë.

Financimi i ulët i qeverisë, i kombinuar me mungesën e personelit, shoqërohet me shërbime të dobëta, që i detyrojnë qytetarët të harxhojnë paratë e tyre për një shërbim që ata teorikisht duhet ta merrnin falas, pasi i paguajnë një herë taksat.

Shqipëria është shteti që ka pagesat më të mëdha nga xhepi për shëndetësinë në Europë, me rreth 60% të totalit, nga 17% që është mesatarja globale e këtij treguesi, po sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Në rang global Shqipëria renditet e 15-a, me vende si Afganistani, Guatemala, Bangladeshi etj. Rritja e peshës që qytetarët shpenzojnë vetë me gati 20 pikë përqindje në dy dekada është një tregues i qartë i përkeqësimit të cilësisë së shërbimit shëndetësor

Edhe ato financime që janë shtuar vitet e fundit kanë shkuar për mbulimin e pagesave për 4 koncesione të sistemit shëndetësor, që pak ose aspak kanë ndikuar në cilësinë e shërbimit, teksa disa prej tyre janë tashmë nën hetim nga SPAK.

Nga viti 2017-2023, sipas të dhënave nga Ministria e Financave janë shpenzuar gati 26 miliardë lekë për sterilizimin, dializën, check-up, laboratorë, të mjaftueshme për ndërtimin e 3-4 spitaleve të reja moderne.

Kalimi i fondeve drejt koncesioneve, që po rezultojnë problematike, me kosto të lartë për atë që realisht ofrojnë, është bërë në kurriz të rimbursimit të barnave.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, ndërsa në 2024, kjo shifër vlerësohet në vetëm 20.6%.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vërejti vitin e kaluar se nevojat për ilaçe në QSUT ishin 3-4 herë më të larta sesa buxheti që miratohet për këtë qëllim. Në rastin e barnave, mungesa e financimit sipas nevojës përkthehet në më pak jetë ose në shpenzime të larta nga xhepi i pacientëve për t’u kuruar jashtë sistemit publik.

Në të kundërt, vit pas viti, pjesa e shpenzimeve për koncesionet në shëndetësi erdhi në rritje, duke arritur në 23.7% e fondeve që u grumbulluan nga kontributet e sigurimeve për shëndetin nga të punësuarit.

Është e qartë se faji nuk është vetëm i individit, por shumë më i gjerë, i një mekanizmi të tërë shtetëror që ka dështuar t’u ofrojë qytetarëve atë që u ka premtuar dhe për të cilat u merr taksat, duke detyruar qytetarët me të ardhura më të ulëta të Europës të kërkojnë rrugë alternative për të “blerë” jetën.

Pra më e drejtë është të themi që sistemi është ngritur gabim dhe në format abuziv. Por a kemi thënë të plotë konkluzionin? Jo. Përveç sistemit, tashmë është e qartë që vullneti i qeverisë ka qenë i tillë që e ka mbështetur dhe e mban në këmbë me këmbëngulje këtë fenomen.

Arsyeja është e qartë. Atë e gjen në çështjet që janë në hetim nga organet e drejtësisë dhe Kuvendi, apo dhe në çështjet e tjera që nuk guxohet të hetohen, por tashmë janë sekret publik./Monitor

Juventus apo Milan? Broja për ofertat: U mërzita që Sylvinho më la në stol, do e përdor si benzinë

Klube të shumta janë ofruar për të blerë sulmuesin e Kombëtares, Armando Broja. Por vetë futbollisti ka zgjedhur të japë pak detaje, duke mos zbuluar shumë detaje për të ardhmen e tij.

“Ke ofertë nga Seria A, nga Premier League, nga Bundesliga, vetëm kaq më thuaj, nuk po të kërkoj emrin konkret. Vetëm më thuaj kaq, po ta lë të përgjithshme”, u shpreh në studion e “Kampionëve”.

Po, kam disa klube prej të trijave”, u përgjigj ai, duke shtuar se mund të qëndrojë edhe tek Chelsea: “Aty kam edhe kontratën, 4-5 vjet aty. Nëse unë vendos të rri aty, mundem.”

Gjithashtu sulmuesi tregoi se u mërzit që Sylvinho e la në stol, ndërsa zbuloi lojtaret e Kombëtares që kuptohet më mirë.

Armando Broja: Në fushë më mirë kuptohem me Mario Mitaj, jemi shumë mirë. Nuk flasim me gojë, por me sy. Me Gjimshitin po ashtu. Me Muçin, me Asllanin gjithashtu.

Te rasti i parë ndaj Spanjës, nuk e dija ku ndodhej portieri. Në Angli, tregon shoku i skuadrër, nëse kam kohë për ta kontrolluar, por aty nuk dëgjova asgjë dhe gjuajtja direkt. Kur më pasoi Asllani, mendova se kishte dalë portieri, por kur gjuajtja dhe e pashë që ishte aty, s’kisha çfarë të bëja.

Te rasti i dytë nuk kisha shumë kohë, ishte instinkt, vetëm për t’i rënë topit. Raja e njoh nga Arsenali dhe u çudita si e priti atë rastin e parë. E kapi si kangur.

Si çdo lojtar u mërzita, por respektoj vendimet e trajnerit. Këtë mërzitje duhet ta përdor si benzinë për të bërë mirë. T’i tregoj trajnerit që mund të luaj edhe unë. Bëmë një ndeshje shumë të mirë si ekip. Pas ndeshjes, pamë në telefon që kishim mundësi të fitonim ndeshjen. Patëm shumë raste, e mund të shënonim më shumë gola.

Europiani i solli Kombëtares të paktën 10 milionë euro të ardhura

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit mbylli Kampionatin e dytë Europian në historinë e saj. Pavarësisht se nuk arriti të kualifikohej më tej pas fazës së grupeve.

Kombëtarja u shfaq dinjitoze në një prej grupeve më të vështira të Kampionatit, me një barazim ndaj Kroacisë dhe dy humbje minimale ndaj Spanjës dhe Italisë.

Përveçse një rezultat i rëndësishëm nga pikëpamja sportive, pjesëmarrja në një garë futbollistike madhore, siç është Kampionati Europian, vlerësohet se u shoqërua me përfitime të rëndësishme të natyrës ekonomike.

Sipas informacionit nga Federata Europiane e Futbollit (UEFA), pagesa fikse e pjesëmarrjes për secilën nga federatat pjesëmarrëse në Euro 2024 ishte 9.25 milionë euro.

Këtyre u shtohet edhe shpërblimi për rezultatin, konkretisht barazimi i marrë ndaj Kroacisë, në shumën e 500 mijë eurove, për një të ardhur totale prej 9.75 milionë eurosh.

Por, pjesëmarrja në Europian solli të ardhura shtesë edhe nga burime të tjera, kryesisht nga sponsorizimet. Kualifikimi në Europian ishte natyrshëm një mundësi për disa kompani të rëndësishme në vend për të shfrytëzuar imazhin e ekipit kombëtar dhe një shtim të numrit të sponsorëve.

Megjithatë, Federata Shqiptare e Futbollit ndjek një politikë të mospublikimit të treguesve financiarë, duke përfshirë natyrisht edhe të ardhurat nga sponsorizimet. Për këtë arsye, është e vështirë të bëhet një bilanc i plotë i të ardhurave të FSHF-së nga ky aktivitet.

Në një intervistë për “Monitor” përpara Kampionatit Europian, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se objektivi ishte që të ardhurat e FSHF të dyfishoheshin pas pjesëmarrjes në Europian.

Megjithatë, ai theksoi se në një kompeticion të madh, siç është Euro 2024, edhe shpenzimet janë të konsiderueshme.

Sipas tij, një pjesë e mirë e shpërblimeve të përfituara nga kualifikimi për në finalet e Kampionatit Europian u përdorën pikërisht për të mbuluar shpenzimet e pjesëmarrjes në këtë turne madhor./Monitor

E ardhmja e Erik ten Hag ishte në dyshim, bisedime pozitive me United për zgjatje të kontratës

Bisedimet pozitive midis Manchester United dhe Erik ten Hag për një zgjatje të kontratës kanë vazhduar të përparojnë këtë javë.

Prioriteti për klubin ishte arritja e një marrëveshjeje me holandezin për kushte të reja përpara çdo ndryshimi në stafin stërvitor.

Çdo ndryshim në stafin stërvitor të Ten Hag është ende duke u diskutuar, me lëvizjet për Ruud van Nistelrooy – ish-sulmuesi i United – dhe trajneri aktual i Go Ahead Eagles, Rene Hake thuhet se kanë arritur një fazë të avancuar.

E ardhmja e Ten Hag si trajner i United kishte qenë në dyshim, por klubi vendosi ta mbante 54-vjeçarin dhe tani është i përgatitur ta mbështesë atë në Old Trafford.

Mauricio Pochettino, Thomas Tuchel, Thomas Frank, Kieran McKenna dhe Gareth Southgate ishin emrat e përfolur për marrjen e drejtimit të United përpara se klubi të vendoste të mbante Ten Hag.

Ten Hag e udhëhoqi United drejt një përfundimi zhgënjyes në vendin e tetë në sezonin 2023/24, më i keqi i tyre në epokën e Premier League, por mundi rivalët Manchester City për të ngritur Kupën FA – trofeun e tij të dytë në po aq vite.

Ish-trajneri i Ajax-it duhej të përballej me një skuadër të dëmtuar nga dëmtimet gjatë gjithë sezonit, por arriti të shpëtojë kualifikimin në Europa League me fitoren ndaj Cityt në Wembley.

Një rishikim pas sezonit arriti në përfundimin se Ten Hag meriton një shans për të treguar se çfarë më shumë është në gjendje të bëjë brenda strukturës së re sportive.

Raporti: Liria dhe pluralizmi i medias në Shqipëri është në rrezik të lartë

Raporti i përvitshëm mbi pluralizmin në media nga Qendra për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias, CMPF,  në Institutin Evropian Universitar në Firence për vitin 2023 e vendos Shqipërinë në listën e vendeve me një media në ‘rrezik të lartë’.

Raporti i përpiluar nga ekspertë kombëtar, që merr në konsideratë një sërë treguesish në katër fusha të ndryshme, vë në dukje se në pjesën më të madhe ato mbetën të pandryshuar nga viti i kaluar, por treguesi i pluralizmit të medias u përkeqësua ndjeshëm.

“Tre nga katër fushat e treguesve mbi lirinë e medias dhe pluralizmit, përfshirë Mbrojtja Themelore (55%), Gjithëpërfshirja Shoqërore (69%) dhe Pavarësia  Politike (70%) regjistruan ndryshime të pakta ose nuk ndryshuan fare në krahasim me vlerësimin e mëparshëm. Ndërkohë, rreziku u rrit në fushën e Pluralizmit të Medias (92%)”, shkruhet në raport.

Raporti përpilohet për 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 5 vendet kandidate, përfshi Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai është një raport i përvitshëm i financuar nga Bashkimi Evropian dhe është në vitin e 10 të publikimit. Në Shqipëri raporti u përpilua nga Kristina Voko, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri dhe Besar Likmeta, kryeredaktor i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri.

Bazuar në të dhënat e bëra publike nga CMPF, Shqipëria është një nga vendet me situatën më të rënduar në rajon dhe në një pjesë të treguesve si ai i pluralizmit të hapësirës mediatike, zë vendin e fundit në Evropë me një shkallë të rrezikut prej 92 për qind. Vendi nuk rezulton mirë as sa i përket pavarësisë së medias nga politika, duke lënë pas në këtë tregues vetëm tre vende: Turqinë, Hungarinë dhe Serbinë.

Raporti vë në dukje një sërë problemesh të medias në vend, përfshirë mungesën e sigurisë për gazetarët dhe ndikimin e pronarëve të kompanive mediatike që cenojnë lirinë editoriale.

“Siguria fizike e gazetarëve nuk është gjithmonë e garantuar, kushtet e punës mbeten të këqija ndërsa autoriteti i medias nuk është i pavarur nga ndikimi politik. Tendencat e punësimit dhe të të ardhurave nëpër sektorë të ndryshëm të medias në përgjithësi janë negative apo stacionare, ndërsa ndikimi politik dhe ekonomik nga pronarët e medias minon mundësinë për raportim të ekuilibruar dhe të pavarur”, thuhet në raport.

Raporti i CMPF vë në dukje se situata për median në vendet e BE dhe pesë vendet kandidate është e komplikuar dhe vetëm pak prej shteteve të monitoruara kanë rrezik të ulët.

Drejtori i CMPF, profesor Pier Luigi Parcu në mesazhin e tij pas prezantimit të raportit tha se ishte vërejtur ngritja e një sërë pengesave të reja paralelisht me transformimin digjital të medias dhe se nevoja për të mbështetur median e lirë ishte gjithmonë e më e madhe.

“Sot më shumë se kurrë, ka një nevojë emergjente për të mbështetur gazetarinë dhe pluralizmin e medias”, tha ai. Drejtori i CMPF-së tha se shteteve të BE-së dhe atyre pjesë e këtij monitorimi do u kërkohej marrja e masave për të forcuar lirinë e medias.

Sa i përket Shqipërisë raportuesit kanë renditur një listë të gjatë rekomandimesh në të cilat kërkohen ndryshime që do të ndikonin në përmirësimin e situatës. Rekomandimet përfshijnë kërkesa për një barazim më të madhe gjinore në menaxhimin e medias, më shumë hapësirë për pakicat dhe ngritjen e mekanizmave vetërregullues për të “luftuar gjuhën e urrejtjes me bazë gjinore në sferën digjitale, veçanërisht në fushatat që shenjtërojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut”.

Raporti po ashtu rekomandon ndalimin e praktikës së përdorimit nga media të materialeve të prodhuara nga partitë politike apo autoritetet shtetërore në lajme dhe në programet informative dhe masa më të forta rregullatore, “për ta bërë mbajtjen e posteve qeveritare të papajtueshme me pronësinë   medias”.

Raportuesit po ashtu rekomandojnë një sërë masash mbi transparencën e pronësisë së mediave dhe masa për mbrojtjen e gazetarëve apo redaktorëve nga shkarkimet e padrejta dhe një ndarje të qartë mes rolit të tyre me atë të reklamuesit. Raportuesit sugjerojnë po ashtu një rregullim të qartë ligjorë për të mbrojtur gazetarët nga “Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP)” dhe dekriminalizimin e plotë të shpifjes./BIRN

Pasuria e Morgan Freeman, sa para ka fituar aktori gjatë karrierës së tij?

Morgan Freeman, ikona e Hollivudit, ka pasuri me një vlerë neto prej 250 milionë dollarësh.

I lindur më 1 qershor 1937, në Memphis, Tenesi, ngritja e Freeman nga një djalë i një qyteti të vogël në një superstar botëror është një legjendë.

Karriera e tij, që përfshin mbi pesë dekada, është një dëshmi e talentit të tij të pashembullt. Më i vogli nga pesë fëmijët, ai u rrit nga gjyshja e tij në Misisipi pasi prindërit e tij u transferuan në Çikago. Vdekja e gjyshes së tij kur ai ishte gjashtë vjeç çoi në një ribashkim me të ëmën në Çikago, e cila deri atëherë ishte ndarë nga babai i tij.

Pavarësisht këtyre sfidave, pasioni i Freeman-it për aktrimin u ndez në moshën nëntë vjeçare, duke e vendosur atë në një rrugë që përfundimisht do të çonte në yll.

Pas mbarimit të shkollës së mesme Broad Street në 1955, Freeman shërbeu në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara përpara se të transferohej në Los Anxhelos për të ndjekur ëndrrat e tij të aktrimit.

Ai zhvilloi klasa aktrimi në Pasadena Playhouse me një punë si nëpunës transkripti dhe mori role në Nju Jork dhe San Francisko si kërcimtar dhe anëtar i grupit teatror. Kjo këmbëngulje hodhi themelet për suksesin e tij të ardhshëm.

Ai mori famë në fund të viteve 1980 me rolin e tij në ” Street Smart “, duke i dhënë atij një nominim për Oscar dhe duke e shtyrë atë në qendër të vëmendjes së Hollivudit. Filmografia e tij është një thesar i gurëve të çmuar kinematografik, duke përfshirë ” Driving Miss Daisy”, “The Shawshank Redemption”, “Se7en”, dhe “Million Dollar Baby”, për të cilat ai fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë dytësor.

Zëri i tij i veçantë e bëri atë gjithashtu një tregimtar të kërkuar, duke i dhënë gravita dokumentarëve si “Marshi i Penguinëve”.

Pavarësisht suksesit të tij, Freeman u përball me sfida të rëndësishme personale, veçanërisht një zgjidhje të kushtueshme divorci në vitin 2010. Ish-gruaja e tij, Myrna Colley-Lee, mori 100-200 milionë dollarë, një pjesë e konsiderueshme e pasurisë së Freeman në atë kohë.

Megjithatë, edhe pas një goditjeje të tillë financiare, vlera neto e Freeman mbetet mbresëlënëse.

Vitet e fundit të Freeman kanë qenë jo më pak të shquara. Ai vazhdon të magjeps audiencën me role në filma si ” The Bucket List”, “Olympus Has Fallen” dhe “Coming 2 America “. Performanca e tij në ceremoninë e hapjes së Kupës së Botës FIFA 2022 në Katar tregoi tërheqjen e tij të qëndrueshme globale. Trashëgimia e Freeman nuk është vetëm në pasurinë që ka grumbulluar, por edhe në gjurmën e pashlyeshme që ka lënë në botën e argëtimit.

Joe Biden s’heq dorë nga kandidatura, do të marrë pjesë në debatin e dytë përballë Trump në shtator

Presidenti Joe Biden, i cili  nuk do të heqë dorë nga gara presidenciale 2024, do të marrë pjesë në debatin e dytë në shtator, tha një këshilltar Biden për CNN të premten.

David Muir dhe Linsey Davis nga ABC News do të moderatojnë debatin e 10 shtatorit. Më shumë detaje të ngjarjes, duke përfshirë rregullat, vendndodhjen, skenën dhe formatin, nuk janë vendosur ende, sipas ABC News.

Presioni po rritet mbi Biden për të dhënë dorëheqjen pasi shumë demokratë dhe anëtarë të medias shfaqën histeri pas një debati katastrofik të së enjtes përballë Donald Trump.

Biden foli me zë të ngjirur, ngatërroi fjalët dhe dukej se kishte humbur gjurmët e mendimeve të tij disa herë. Edhe gjatë deklaratës së tij përmbyllëse të përgatitur, Biden bëri gabime. Zonja e parë Jill Biden më vonë e zbriti nga shkallët e studios pas debatit.

Gjashtëdhjetë e shtatë për qind thanë se Trump fitoi debatin, një sondazh i CNN me vëzhgues të debatit.

Kevin Costner tregon vështirësitë pas divorcit me Christine Baumgartner

Kevin Costner ka pranuar se divorci i tij nga ish-gruaja Christine Baumgartner ishte jashtëzakonisht i vështirë për të.

Aktori tregoi se u lëndua pas ndarjes nga gruaja e tij pas 18 vitesh së bashku.

“Ky është një moment dërrmues”, pranoi Costner në CBS Mornings. “Është e fuqishme dhe dhemb”.

Megjithatë, ai theksoi se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ecë përpara për hir të fëmijëve.

“Pra, nuk mund të venitem si një margaritë”, shtoi ai. “Duhet të eci përpara, duhet të vazhdoj të jem ky që jam”.

Costner dhe Baumgartner, 50 vjeç, kanë tre fëmijë, Cayden Wyatt, 17, Hayes Logan, 15 dhe Grace Avery, 14. Ata luftuan në gjykatë për muaj të tërë për pagesat e mbështetjes së fëmijëve.

Baumgartner argumentoi se adoleshentët e tyre ishin mësuar me një mënyrë jetese luksoze, duke përfshirë avionë privatë dhe pushime luksoze, kështu që Costner duhet të paguante më shumë.

Në fund, një gjykatës vendosi që Costner do të paguante 63.209 dollarë në muaj si mbështetje për fëmijët, më pak se gjysma e asaj që kishte kërkuar Baumgartner.

Ata kundërshtuan gjithashtu mbështetjen bashkëshortore dhe marrëveshjen e tyre paramartesore, duke zgjidhur përfundimisht divorcin në shtator 2023, me zyrtarizimin që ndodhi në shkurt. Detajet e marrëveshjes nuk u zbuluan, por Baumgartner duhej t’i paguante Costner-it mbi 1 milion dollarë tarifat e avokatit.

Si Fibank mbuloi pastrimin e parave të Kristian Boçit, në skenë oligarku Rrok Gjoka

Prokuroria e Tiranës ka sekustruar rreth 50 milionë euro pasuri në pronësi të ‘bamirësit’ Kristian Boçi allias Agustin Boçi all8as Kristian Botsis, gruas së tij Drilona Boçi, trafikantit të kokainës Elman Abule si dhe 4 njerëzve të lidhur me ta, që të gjithë subjekte të ligjit anti-mafia.

Prapaskena ka raportuar prej dy vitesh aktivitetin e dyshimtë të Kristian Boçit, një skemë pastrim parash kamufluar me kredi bankare, bamirësi dhe investim të miliona euro në pasuri të paluajtshme, me burim të paqartë.

Përpos të tjerave, Prokuroria ka sekustruar si aset kriminal edhe kompaninë e ndërtimit Mak-08, me nipt K81313013K, themeluar në vitin 2008 me kapital 3 milionë lekë.

Administrator dhe pronar i Mak-08 është Kristan Boçi

Kompania Mak-08 ka 50 % të aksioneve në kompaninë GLORIS CONSTRUCTION, themeluar në vitin 2007, me nipt K81629013H, me kapital 100 lekë.

Gjysmën tjetër të aksioneve i ka Ender Boçi, i afërm i Kristian Boçit me tre emra.

Kompania GLORIS CONSTRUCTION është pronare e kompanisë së dy hidrocentraleve, Hec Xall Xhuxhë, me kapital 10 mijë lekë.

Kompania e dy hidrocentraleve në Basenin e Matit është themeluar në 13 shtatot 2013 nga oligarku Rrok Gjoka, përmes kompanisë Gjoka Konstruksion sh.a me 10% të kapitalit të shoqërisë, si dhe nga Kristian Boçi, përmes kompanisë GLORIS CONSTRUCTION.

Rrok Gjoka duket se ka hyrë vetëm sa për të marrë lejet për ndërtimin e HEC-eve meqenëse kishte lidhje klienteliste me PD-në në atë kohë.

Me 9 shtator 2013, disa ditë para se Sali Berisha të dorëzonte pushtetin, ministri tij i Ekonomisë Florjon Mima i jep Kristian Boçit dhe Rrok Gjokës leje për ndërtimin e dy hidrocentraleve. Këtu duhet të hetojë SPAK se si pasuritë publike kanë kaluar në duart e oligarkëve dhe bosëve të pastrimit të parave të drogës.

Në vitin 2019 Rrok Gjoka del nga loja duke ia shitur aksionet Kristian Boçit për një shumë qesharake prej 1 mijë lekësh.

Po ku do t’i gjente paratë Kristian Boçi për të ndërtuar dy hidrocentrale?

Prokuroria ka zbërthyer skemë e pastrimit të parave të pista nga Kristian Boçi. Pjesë e skemë është sipas dosjes edhe “marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditësisht del edhe garant i shumave të dhëna“.

Prapaskena mëson se banka e nivelit të dytë, e cila ka mbuluar pastrimin e parave nga Kristian Boçi dhe grupi i tij është Banka e Parë e Investimeve Albania, e njohur si Fibank, tentakulë e mafies bullgare në Tiranë dhe lavatriçe pastrimi parash.

Pa kolateral, Fibank i ka dhënë 3.8 milionë euro kredi Kristian Boçit për të mbuluar pastrimin e parave të tjera. Themi pa kolateral, pasi si garanci Boçi ka lënë vetëm kompaninë, e cila nuk ka kapital, rezulton vetëm në letra, nuk ka asete, pra nuk ka asnjë vlerë.

Kontratat e kredive janë firmosur në shkurt 2020 dhe dhjetor 2021.

Dhe si garant për kredinë e parë, atë të vitit 2020 me vlerë 1 milionë euro, ka dalë pikërisht Elman Abule.

Në vitin 2022, Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ndryshon kontratën me kompaninë e dy HEC-eve, duke vendosur një afat prej 12 muajsh për ndërtimin.

Fibank, pastrim parash

Fibank në Tiranë është degë e First Investment Bank në Sofie të Bullgarisë, e cila është skeduar si një nga grupet financiare më famëkeqe të vjedhjes së parave publike, pastrimit të parave të korrupsionit, mashtrimit dhe kanalizimit të parave drejt Qipros dhe parajsave të tjera fiskale, ku fshihen kryesisht paratë e korrupsionit dhe krimit.

Kokat dhe përfituesit e mëdhenj të Fibank në Bullgari janë identifikuar, Tseko Minev dhe Ivaylo Mutafchiev, të cilët kanë zbatuar një të sofistikuar mashtrimi, loje me huadhëniet dhe pastrimit të parave të krimit të organizuar.

Në Shqipëri, Fibank është monitoruar nën dyshimet për pastrim parash, kredi abuzive, si dhe lëvizjen e parave të pushtetarëve të korruptuar dhe bosëve të drogës nga Shqipëria drejt osffshore-ve dhe anasjelltas.

Fibank në Shqipëri përfaqësohet nga drejtori i përgjithshëm Bozhidar Todorov, i besuar i bosëve bullgarë.

Më pas vjen Elma Lloja, si administratore dhe e besuar e Bozhidar Todorov. Pjesë e kupolës së Fibank janë gjithashtu Chavdar Zlatev, Nikolai Dragomiretzki, Petya Todorova Stoyanova, Stanimir Mutafchiev dhe Inako Karakolev.

Më pas vjen një grup i dytë që kryen punët administrative, i përbërë nga Ina Paskaleva, Gledis Hysenaj, Edvin Liko, Erion Doko, Elvira Jaze, Elona Labinoti, Alban Kovaçi, Ardit Çikuli, Anilda Mirdita etj.

Fibank është përfshirë edhe në lojërat politike të Ilir Metës dhe Sali Berishës, duke nxjerrë të dhënat e klientëve të saj.

Aktiviteti i Fibank në Bullgari 

Dokumente të dala nga ‘Pandora Papers’ zbulojnë skandalin se pronarët e shumicës së aksionerëve të Bankës e Parë të Investimeve të Bullgarisë (First Investement Bank) Tseko Minev dhe Ivaylo Mutafchiev janë përfituesit përfundimtarë të kompanive ‘offshore’, të cilët kanë marrë mbi 1 miliardë leva bullgarë hua nga Banka (Rreth 511 milionë euro).

Në përpjekje për ta bërë bankën sa më pak të ekspozuar në këtë skandal, drejtuesit e saj i detyrojnë sipërmarrësit që t’i tërheqin fondet që më pas bëhen të parikuperueshme nga ana e bankës. Pastaj, çështja i kalon Zyrës së Specializuar të Prokurorit të vendit dhe prona e sipërmarrësve blihet për një shumë mjaft të vogël nga Aleksandër Angelov, avokati i ish deputetit të famshëm dhe magnatit të medias, Delian Peevski dhe bashkëpunëtori i afërt i Angelovit, Georgi Samuilov.

“Mollë e keqe”

Shteti bullgar i ka ardhur në ndihmë tri herë bankës FIB, duke injektuar para nga shteti dhe duke i rritur kapitalin nga ana e Bankës Bullgare të Zhvillimit (Bulgarian Development Bank BDB) gjatë qeverisjes së Koalicionit Tri Partiak (2005-2009) pas falimentimit të Corporate Commercial Bank (CCB) dhe kohët e fundit u ndihmua serish, pasi ajo nuk e kaloi dot testin e stresit, të kryer nga Banka Qendrore Evropiane.

Një raport i Bankës Kombëtare Bullgare i vitit 2012 liston arsyet e kësaj paqëndrueshmërie: përgjatë viteve, Banka u ka dhënë hua të mëdha një numri të vogël subjektesh. Huat e dhëna te kompanitë “offshore”, të cilat kanë lidhje me aksionarët e saj më të mëdhenj përbëjnë edhe pjesën më të madhe të huave problematike të FIB-it, por këtu përfshihen edhe hua të dhëna ndaj kompanive që lidhen me oligarkët e njohur si Hristo Kovachki, i lidhur ngushtë me Ivaylo Mutafchiev dhe Grisha Ganchev.

Inspektorë të Bankës Kombëtare Bullgare zbuluan se një përqindje e madhe e këtyre huave ishin hua të këqija.

Kjo praktikë e përdorimit të fondeve të klientëve për t’i dhënë hua bizneseve të vetë bankierëve është përmendur po ashtu nga ish ambasadori amerikan në Bulgari, Xhon Beirle gjatë një mesazhi të klasifikuar diplomatik në vitin 2005 dhe i cili është bërë publik nga Wikileaks. Mesazhi thotë se disa nga bankat bullgare, përfshi këtu edhe FBI, janë të përfshira në pastrim parash.

Kush është në të vërtetë Georgios Georgiou

Në 2014, media bullgare Bivol publikoi një hetim mbi portofolin e kredive të Bankës së Parë të Investimeve të Bullgarisë (First Investement Bank), dhe zbuloi se një qytetari qipriot i quajtur Georgios Georgiou i ishin dhënë kredi nga Banka FIBank  në vlerë mbi 1.2 miliardë BGN ose 600 milionë euro.

Georgius ishte pronari i Yulen AD, Vitosha Ski, kompania e taksive OK Supertrans, kompanitë prapa fabrikës së çelikut Kremikovtzi, kompania Bulmarket, treni i së cilës shkaktoi një shpërthim me vdekje në fshatin verilindor të Hitrinos, dhe një numër biznesesh të tjera. Shtetasi misterioz qipriot doli të ishte investitori më i madh i huaj në Bullgari.

Disa nga kompanitë “offshore” të Tseko Minev dhe Ivalyo Mutafchiev dhe kreditë e grumbulluara në to nga FIB

Tani, ‘Pandora Papers’ tregojnë pa asnjë diskutim se kush qëndron prapa Georgios Georgiou.

Informacioni gjendet në korrespondencën midis regjistruesit të kompanive ‘offshore’ Trident Trust dhe zyrës ligjore qipriote G. Papadopoulos & Co.

Në të, Trident Trust dëshiron të marrë informacion të detajuar në lidhje me pronarët e vërtetë të të gjitha kompanive në Ishujt e Virgjër Britanikë (BVI ) që janë regjistruar si klientë të palës së tyre qipriote. Kjo u bë e nevojshme për shkak të një ndryshimi në legjislacionin e Virgin Island, i cili mandaton kompanitë të mbajnë një regjistër të pronarëve përfitues.

Dokumentet tregojnë qartë se Georgiou dhe përfaqësuesit e tjerë u regjistruan nga Papadopoulos & Co si mbajtës zyrtarë të aksioneve në ‘offshore’, por përfituesit aktualë janë aksionarët shumicë në FIBank – Tseko Minev dhe Ivaylo Mutafchiev.

Karta e identitetit e Georgios Georgiou

Karta e identitetit e Georgios Georgiou

Kopjet e vërtetuara të pasaportave të Minev dhe Mutafchiev, përfituesit e vërtetë

Karta e identitetit e Georgios Georgiou është ndër dokumentet që vërtetojnë se ai ishte një ‘sekser’ për Tseko Minev dhe Ivaylo Mutafchiev.

Me fjalë të tjera, tani ka prova të padiskutueshme që të dy bankierët i kanë dhënë vetes në formën e huave jo vetëm të gjithë kapitalin e Bankës, por edhe 500 milionë BGN (Rreth 250 milionë euro) të tjerë në paratë e klientëve të bankës.

Dyshja “FIB – Peevski”

Të dhënat nga Pandora Papers ilustrojnë me më shumë detaje marrëdhëniet e biznesmenit të FIBank dhe oligarkut Delyan Peevski, pasi deri më tani janë bërë të njohura vetëm informacione inderekte.

Për shembull, kompania “Offshore”“Galliano Worldwide Limited”, në pronësi të Tseko Minev dhe Ivaylo Mutafchiev, përfaqësohet nga Ivan Sharlandzhiev, ish-drejtor ekzekutiv i fabrikës së paketimit të cigareve në Plovdiv “Yuri Gagarin”.

Që nga viti 2006, aksionet e “Yuri Gagarin” ishin mbajtur nga Baranko EOOD, e cila menaxhohet nga Westwood Invest Limited. Pandora Papers, zbulojnë se kjo kompani është gjithashtu në pronësi të Minev dhe Mutafchiev. Substancialisht, Delyan Peevski u bë pjesë e kompanisë së paketimit të cigareve përmes Comso Tobacco.

Pandora Papers gjithashtu përmbajnë një letër reference nga FIBank për Delyan Peevski të datës 13 nëntor 2016. Aty thuhet se ai është një “klient i saktë, i besueshëm dhe i respektuar i bankës”. Letra u nënshkrua nga dy drejtorë të Bankës së Parë të Investimeve të Bullgarisë (First Investement Bank) nga Departamenti i Kreditimit.

Letër reference nga FIB për Delyan Peevski

Aktualisht, FIBank nuk duhet të mbajë asnjë llogari bankare të oligarku pasi ai është i sanksionuar sipas ‘Aktit Magnitsky’. BNB ka siguruar që të gjitha bankat bullgare t’i ndërpresin marrëdhëniet me të dhe me kompanitë të cilat janë të renditura në listën e sanksioneve. Sidoqoftë, situata me kreditë nga Banka për kompanitë e lidhura me Peevski mbetet e panjohur./Prapaskena