zoom

Day Archive45-vjeçari gjuan me gurë drejt Kryeministrisë, kapet nga policia

Një 45-vjeçar qëlloi me gurë në drejtim të godinës së Kryeministrisë mbrëmjen e kësaj të marte.

Sipas policisë, autori ishte në gjendje të dehur dhe dyshohet se vuan edhe nga probleme të shëndetit mendor.

Pas ngjarjes, ai u shoqërua në komisariat nga policia dhe më pas u dërgua në spital, ku u shtrua për trajtim mjekësor.

Si do të jetë moti nesër? Njihuni me parashikimin e meteorologëve

Ditën e mërkurë vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të qendrueshme.

Moti parashikohet të jetë me kthjellime dhe vranësira, të cilat në orët e mesditës dhe kryesisht pasdite do të vijnë në shtim, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Era parashikohet të jetë nga kuadrati i jugut me shojetësi mesatare deri në 8/sek, e cila hera-herës në bregdet dhe lugina fiton shpejtësi deri në 10m/sek. Valëzimi në dete i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:
në zonat malore 14 deri 31°C
në zonat e ulëta 16 deri 36°C
në zonat bregdetare 18 deri 34°C

Basha mbyll takimin me strukturat, njofton rekurs për vendimin e Apelit për vulën

Pas vendimit të Apelit për t’ia dhënë vulën Sali Berishës, Lulzim Basha mblodhi strukturat për të diskutuar se çfarë veprimesh do të ndërmarrin tani.

Pas disa orësh mbledhje me dyer të mbyllura, Basha tha për mediat se po diskutohet për të bërë rekurs ndaj vendimit të Apelit.

Lulzim Basha akuzoi Berishën dhe Edi Ramën se “janë bashkë”, duke shtuar se ai është kundërshtari më serioz i kryeministrit”.

“Duket qartë se është përvijuar koalicion antivlerash në horizont dhe ka alibi për të mbajtur Ramën në pushtet. Nuk ka dhe nuk ka pasur një bashkëpunim me Ramën, ai e ka kuptuar që kundërshtar të parë serioz ka pasur Lulzim Bashën. Një gjë po u them, partneriteti ynë është me qytetarët. Është standard, jo retorikë. Në takime tona, ka një ndjesi të përligjur të padrejtësisë së tyre.

Nuk i trembem asgjëje fiktive, logo vula dhe as karrigia nuk të bëjnë demokrat më të mirë. Të bën përballja me korrupsionin, me keqqeverisjes.

Po konsiderojmë rekursin, ka një vendim juridik që vendimi është i padrejtë dhe i pabazuar. Angazhimi ynë është për një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri që meriton më shumë. Strukturat janë në një mendje, për Shqipërinë më të mirë dhe jo për orekse personale”, tha Lulzim Basha.

Shkrumbohet shtëpia në Vlorë, digjet brenda i moshuari (EMRI)

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Vlorë mbrëmjen e kësaj të marte, ku një i moshuar humbi jetën.

7]-vjeçari Shpëtim Aliaj u dogj brenda shtëpisë së tij, që u përfshi nga flakët.

Banesa u shkrumbua plotësisht, ndërsa i moshuari nuk doli dot i gjallë prej andej.

Ai ishte i divorcuar dhe jetonte në një godinë të braktisur në lagjen “Osman Haxhiu”.

Shkaku i rënies së zjarrit nuk është zbardhur ende nga autoritetet.

Aksident i rëndë në Itali/ Shqiptarja përplas për vdekje italianin

Një 32-vjeçare shqiptare përplasi për vdekje një shtetas italian në Italinë fqinje.

47-vjeçari Massimo Tabacco humbi jetën në vend për shkak të përplasjes nga furgoni, që drejtohej nga shqiptarja.

32-vjeçarja shqiptare u dërgua në spital për shkak të plagëve të marra.

Makina dhe telefoni i janë sekuestruar, ndërsa e reja do t’iu nënshtrohet analizave toksikologjike.

Prokuroria kontraktoi një ekspert të dënuar për vlerësimin e rrugës Kardhiq-Delvinë

Pesë vjet më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kontraktoi një ekspert të dënuar me vendim të formës së prerë për “ekspertim të rremë” dhe pa të drejtë ushtrimi profesioni për të vlerësuar tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, që po hetohej për favorizimin e një kompanie private në procedurat prokuruese.

Pesë vjet më vonë, ky fakt u zbulua në procesin gjyqësor kundër ish-drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato dhe zyrtarëve të tjerë në Gjykatën e Posaçme, duke sjellë shtyrjen e procesit deri në kryerjen e një akt-ekspertimi të ri.

Gjykata e Posaçme deklaroi paligjshmërinë dhe papërdorshmërinë e aktit të ekspertimit të kryer në vitin 2019 në seancën paraardhëse, pasi të pandehurit ngritën pretendime se ekspertët e caktuar në atë kohë nga prokuroria kanë qenë të palicensuar dhe njëri prej tyre, i dënuar.

Gjykata vendosi gjithashtu që të kryhet një ekspertim i ri. Të pandehurit dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë e kontestuan këtë vendim, duke e cilësuar të padrejtë kryerjen e një ekpsertimi të ri pas pesë vitesh.

Të martën, ekspertët e pranishëm në seancë kërkuan dy muaj kohë për kryerjen e ekspertimit të ri. Për rrjedhojë, gjykata e shtyu seancën afër afatit maksimal të mundshëm, për më datë 9 korrik, në orën 13:00.

Sonila Qato dhe vartësit e saj akuzohen nga SPAK se favorizuan një shoqëri në hije për tenderin e tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë në 2019-ën – që solli dhe dorëheqjen e Qatos në shtator të atij viti. ARRSH ngriti grup pune në vitin 2019 për të verifikuar punimet e kryera nga kompania “Gjoka…” në tunelet e rrugës së Arbrit, që i ishin dhënë me koncesion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kontrolli erdhi pasi kjo shoqëri garoi për tenderin 19 milionë euro në rrugën Kardhiq – Delvinë, duke pretenduar se ishte skualifikuar me të padrejtë.

Sipas SPAK, ARRSH ka iniciuar një hetim administrativ për zbatimin e kontratës koncesionare të rrugës së Arbrit, duke prodhuar të dhëna të rreme për të argumentuar skualifikim e kompanisë “Gjoka” nga tenderi”. Prokuroria i akuzon anëtarët e grupit të punës për “Falsifikim të dokumenteve”, me argumentin se kanë përgatitur në të njëjtën ditë dy raporte që ndryshojnë nga përmbajtja.

Gjithashtu, pretendohet se përmbajtja e këtyre raporteve ka rezultuar në kundërshtim edhe me dokumentacionin e dorëzuar nga ana e bashkimit të operatorëve “Gjoka Konstruksion”, si dhe janë vlerësuar prej prokurorisë tërësisht të ndryshme nga të dhënat e përftuara nga procesverbali i këqyrjes së realizuar nga Policia Gjyqësore apo dhe aktit të ekspertimit të kryer nga ana e ekspertëve të caktuar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda – akt ekspertimi që u vlerësua i pavlefshëm në seancën parardhëse./ Reporter.al

Dëshmia tronditëse e dajës që vrau 11-vjeçaren në Greqi: E çova në fushë dhe…

37-vjeçari, që tentoi të përdhunonte dhe më pas vrau mbesën e tij 11-vjeçare, ka pranuar krimin makabër që tronditi Greqinë.

Pasi u arrestua, ai ka deklaruar para grupit hetimor: “E çova në fushë dhe e vrava”.

Autoritetet ranë në gjurmët e tij sepse u pa nga kamerat e sigurisë kur lëvizte me makinën e tij dhe më pas aty brenda merr edhe mbesën 11-vjeçare.

37-vjeçari ka rrëfyer se më pas e ka dërguar të miturën në një fushë, në një zonë të braktisur, ku ka tentuar të abuzojë seksualisht me të.

Por pasi ajo ka rezistuar, ai e ka goditur vazhdimisht me kaçavidë në qafë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Gjykata i hoqi vulën e PD – Basha, demokratëve: Mos u mërzisni, betejën s’e kemi për karrige

Lulzim Basha bëri reagimin e parë pasi gjyqtarët e Apelit i hoqën logon dhe vulën e Partisë Demokratike për t’ia dhënë Sali Berishës.

Para se të futej në mbledhje me anëtarët e Kryesisë, Basha tha se nuk komenton vendimet e gjykatës, por shtoi se beteja e demokratëve nuk është për logo e për vulë.

Sipas Bashës, ai dhe mbështetësit e tij luftojnë për idealet e dhjetorit, duke shtuar se prioritet i tij nuk është karrigia.

“Për më shumë se dy orë, në selinë që deri tani njihej si selia e PD-së zyrtare Basha mblodhi anëtarët e Kryesisë.

Nuk komentoj vendimet e gjykatave ky është dhe një standard i imi që kemi deklaruar se do t’i përmbahemi dhe në rastin e vendimit të Apelit.

Ajo që dua t’u them dhe atyre që janë mërzitur, u them që të mos mërziten, sepse këtë betejë nuk e kemi nisur për vulë apo karrige por për idealet.

Jemi bërë bashkë për diçka shumë më të madhe. Kjo është një betejë shpritrash të bashkuar për idealet e dhjetorit, me të cilat ka lindur Partia Demokratike e Shqipërisë. Për idealet e atyre të cilët u flijuan në rezistencën antikomuniste.

Për të përndjekurit politik, për pronarët, për shtresën e mesme shqiptare, për familjet shqiptare dhe sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton ndryshe, meriton më mirë, meriton më shumë. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe nuk kemi pak në dorë, që mos ta shpërdorojmë këtë besim shpirtrash, qindra e mijëra njerëz që besojnë në një të ardhme më të mirë për vendin, por të vazhdojmë betejën tonë, të vazhdojmë përpjekjet tona për një Shqipëri të mirë.

Nuk e komentoj vendimin e gjykatës, kemi vendosur një standard të tillë. Vendimet për hapat do t’i diskutojmë tani me kolegët, prandaj jemi mbledhur. Të gjitha vendimet që do të marrim do të jenë në përputhje me atë angazhim që kemi marrë me qindra, mijëra demokratëve, synimi kryesor i të cilëve është largimi i një ore më parë i kësaj qeverie dhe hapja e perspektivës të një Shqipërie që meriton shumë më shumë se sa ç’ka sot.

Nuk e kam ndjerë asnjëherë veten ndryshe për shkak të titujve dhe ofiqeve. Kam qenë Lulzim Basha para se të hyja në politikë, jam Lulzim Basha sot dhe do të jem në çfarëdo pozite tjetër. Ajo që më lidh me njerëzit, nuk është tituli, ofiqi, karrigia apo logo, por është përkushtimi ndaj një Shqipërie më të mirë që meriton më shumë dhe do të ketë më shumë”, tha Basha.

U përdhunua dhe u vra nga daja i saj – Rrëqeth nëna e 11-vjeçares: Si do e varros?

Nëna e vajzës 11-vjeçare, që u abuzua seksualisht dhe më pas u godit për vdekje nga daja i saj, reagoi për herë të parë pasi u konfirmua lajmi për vrasjen e saj.

E tronditur nga ngjarja dhe mes dhimbjes, ajo tregoi se vajza kur ishte më e vogël vuante nga kanceri.

Ajo shtoi se deri në moment të fundit shpresoi që vajza të ishte gjallë.

“Vajza ime e vogël kishte një problem me mëlçinë kur lindi. Ajo kishte kancer. Më mirë Zoti të ma kishte marrë nga sëmundja, sesa nga kjo gjë. Nuk e besoj që fëmija im ka vdekur, si do e varros? Nuk kam fjalë të them asnjë gjë. Doja ndihmë nga e gjithë bota për ta gjetur atë të gjallë”, ishte deklarata rrëqethëse e nënës.

Sali Berisha kërkon interpelancë urgjente me Ramën nga “arresti i shtëpisë”

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka dërguar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla kërkesën për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama.

Në pikën e parë të argumentimit për interpelancë Berisha thekson faktin e përfshirjes së vajzës së bashkëshortes së Ramës, e cila sipas ish kryeministrit ka perfituar 33 pagesa per kontrata publike ne vleren 1.9 miliard lekë.

Në argumentimin e dytë Kryetari i PD Berisha risjell denoncimin ku ne menyre te persëritur faktin se baxhanaku i kryeministrit Edi Rama, ka perfituar 51 tendera publike me vlere totale 21.7 milione euro, nga tè cilat 31 transaksione me vlere 3.8 miliarde leke ose 3.1 milione euro jane perfituar nepèrmjet kontratave sekrete.

Në argumentimin e tretë Berisha rithekson kontratat sekrete, të zhvilluara kryesisht nga Agencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes ku janë realizuar 17 tendera me vlerë mbi 35 milione euro ku rezulton të jenë pemërfituar nga tre klientë preferencialë të qeverisë Rama.

KËRKESA E PLOTË PËR INTERPELANCË URGJENTE NGA KRYETARI I PD SALI BERISHA

Znj. Kryetare e Kuvendit,

Së pari, Partia Demokratike e Shqipërisë, nëpërmjet kryetarit të saj Sali Berisha, ka denoncuar në mënyrë të përsëritur faktin se shtetasja Rea Xhillari, e bija e zonjës Linda Rama, bashkëshortes së kryeministri Edi Rama, ka marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, pa figuruar pronare e drejtpërdrejtë, por e lidhur me subjekte tregtare dhe si bashkëpunëtore e tyre, ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare prej tyre.

Konkretisht, shtetasja Xhillari ka përfituar nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E, e cila rezulton të jetë një studio projektimi dhe konsulence me qendër në Bruksel dhe Tiranë, ku nga verifikimi në faqen zyrtare të këtij subjekti rezulton se Rea Xhillari ka qenë pjesë e stafit dhe bashkëpunëtore për shume vite.

Nga ana tjetër, shtetasja Xhillari ka përfituar nga tenderat publike edhe nëpërmjet subjektit tregtar ‘I RI’ sh.p.k., i cili është bashkëthemeluar nga shtetasi Gent Agolli dhe subjekti 51N4E. Ky i fundit ka qenë bashkëpronar me 50% i shoqërisë ‘I RI’ sh.p.k., deri ne Prill 2023, ku është larguar pas një sërë denoncimesh të bëra nga Partia Demokratike dhe kryetari i saj zoti Sali Berisha.

Me interes është fakti se po nga faqja zyrtare e subjektit SIN4E rezulton se shtetasi Gent Agolli bën pjesë në listën e bashkëpunëtorëve. Pra, cila ishte arsyeja që subjekti 51N4E do të krijonte në Shqipëri një shoqëri me një bashkëpunëtorin e saj, ndërkohë që kishte një degë të shoqërisë së huaj, dhe aq më tepër të krijonte një shoqëri me objekt të njëjtë aktiviteti ekonomik, praktikisht një shoqëri konkurrente?!

Mungesa e logjikës tregtare në kryerjen e këtij veprimi mund të shpjegohet veçse një përpjekje e pasuksesshme e shtetases Rea Xhillari për të fshehur përfitimet e drejtpërdrejta që i vinin nga pjesëmarrja ne kontrata publike të subjektit 51N4E. Dhe me konkretisht, rezulton se subjekti tregtar ka përfituar në periudhën 2014-2023 kontrata publike në vlerën totale i miliardë lekë, ndërsa subjekti tregtar ‘I RI’ në përiudhën 2017 – 2023 ka përfituar 33 pagesa për kontrata publike në vlerën 1.9 miliard leke. Pra, në total të dy këto subjekte tregtare të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me shtetasen Rea Xhillari kanë përfituar kontrata publike në vlerën 2.9 miliardë lekëve.

Shtuar këtyre kontratave publike, subjektet e lidhura me shtetasen Xhillari rezultojnë edhe fituese të konkurseve për ndërtimin e kullave në qendër të Tiranës, për të cilat thjeshtri i saj Edi Rama ka firmosur lejet e zhvillimit/ndërtimit.

Në shtesë sa më sipër, për të kuptuar fiktivitetin e shogërisë ‘I RI’ sh.p.k., dhe se si ajo është krijuar vetëm si një përpjekje për të kamufluar përfshirjen dhe përfitimet e shtetases Rea Xhillari, në ndihme na vjen edhe kontrata për shitblerjen e kuotave e datës 28 prill 2023, nëpërmjet të cilës subjekti 51N4E i ka shitur shtetasit Gent Agolli 50% te kuotave te saj, për vlerën e vetëm 2.95 milionë lekëve. Si shpjegohet që gjysma e pronësisë së një kompanie, e cila ka përfituar tendera publike në vlerën 1.9 miliarde leke, në 6 vitet e para të aktivitetit të saj, shitet për një vlere qesharake 2.95 milionë lekë qe përfaqëson vetëm 1.5% te ardhurave që kjo shoqëri ka gjeneruar nga kontratat publike?!
Serish mungesa e logjikës tregtare shpjegohet dhe lidhet vetëm me emrin e Rea Xhillarit, thjeshtrës së kryeministrit Edi Rama.

Së dyti, Partia Demokratike e Shqipërisë, nëpërmjet kryetarit të saj Sali Berisha, ka denoncuar në mënyrë të përsëritur faktin se shtetasi Armand Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama, nëpërmjet subjektit tregtar ‘Advance Business Solutions’ ka përfituar 51 tendera publikë me vlere totale 21.7 milionë euro, nga të cilat 31 transaksione me vlerë 3.8 miliardë lekë ose 3.1 milionë euro janë përfituar nëpërmjet kontratave sekrete. Lidhja e shtetasit Frangu me këtë subjekt tregtar dhe pronarin e saj shtetasi Gerond Meçe, është lehtësisht e provueshme nëpërmjet verifikimit të ekstraktit tregtar të subjektit B360, ku provohet se shtetasi Frangu dhe shtetasi Mece jo vetëm e njohin njeri-tjetrin, por janë edhe bashkëpunëtorë të ngushte në biznes.

Sipas të dhënave që gjenden në faqen izraelite ‘The Manufactures Association of Israel’, rezulton se shtetasi Frangu është bashkëmenaxher i shoqerisë ‘Advanced Business Solutions’. Edhe në këtë rast, ashtu si në rastin e shtetases Rea Xhillari, duket se shoqëria ‘ABS’ sh.p.k., nuk është tjetër veçse maska që përdor shtetasi Armand Frangu për të fshehur përfitimet që i vijnë nga kontratat publike falë marrëdhënies së privilegjuar familjare me kryeministrin Edi Rama.

Se treti, Partia Demokratike e Shqipërisë, nëpërmjet kryetarit të saj Sali Berisha, ka denoncuar në mënyrë të përsëritur kontratat sekrete, të zhvilluara kryesisht nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes.
Konkretisht, vetëm në periudhën 2014-2019, rezulton të jenë kryer 277 pagesa për kontrata të klasifikuara, me vlerë 16.6 miliardë lekë ose 13.6 milionë lekë. Nga këto, vetëm AKSHI rezulton të ketë 175 pagesa thesari për kontrata të klasifikuara, me vlerë 12.7 miliardë lekë ose 10.4 milionë lekë. 58 transaksione, me vlerë 4.7 miliardë lekë ose 3.8 milion euro, pra 30% e vlerës, rezulton të jenë përfituar nga tre klientë preferenciale të qeverise Rama, perkatësisht subjekti ‘ABS’ sh.p.k., i lidhur me baxhankun Arman Frangu, subjekti ‘Intech+’, i lidhur me Ilir Beqajn, dhe subjekti Atelier 4, në pronësi të Alban dhe Olsi Efthimi.

Tenderat sekretë u shndërruan në një praktikë pune edhe nga Ministria e Shëndetësisë gjatë periudhës së pandemisë, ku nën justifikimin e nevojave urgjente për pajisje dhe mjete mjekësore, ministrja e kohës nënshkroi kontrata me kompani kliente të qeverisë Rama, në mungesë të plotë transparence sa i përket vlerës, objektit të detajuar, kushteve, cilësisë së mallrave, kritereve të blerjes dhe dorëzimit, kushtet dhe afatet e pagesës. Me këtë procedure janë realizuar 17 tendera, vlera e të cilëve përllogaritet të jetë mbi 35 milionë euro, por për shkak të mungesës së transparencës vlera totale e këtyre kontratave mund të jete edhe shumë më e lartë. Një tjetër tender i zhvilluar gjatë kohës së pandemisë nën dyshimin e fortë për korrupsion dhe paligjshmëri është ai i zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes për blerjen e rezervave ushqimore me vlerë 1.5 milion euro, përfituesi i të cilit subjekti Eurovia do të rezultonte se nuk kishte asnjë lloj eksperience në industrinë ushqimore dhe vetëm 6 ditë para publikimit të tenderit kishte ndryshuar objektin e veprimtarisë. Me herët ky subjekt ishte angazhuar në aktivitete ekonomike të lidhura me IT.

Rasti me flagrant i tenderave sekret dhe abuzimit me to, mbetet vendimi nr. 321, datë 18 prill 2020 i Këshillit të Ministrave që mban firmën e kryeministrit Edi Rama, i cili klasifikoi si kontratë sekrete tenderin për furnizimin me letër higjienike për pacientet me COVID-19 dhe personelin mjekësor ne QSUT. Se çfarë mund të kishte sekrete në këtë procedure përveç se babëzise se Edi Ramës dhe ministrave të tij për të vjedhur paratë e taksapaguesve shqiptare edhe ne kohë pandemie. Pas kallëzimeve penale të dorëzuara nga PD në Prill 2020 ndaj Ministres së Shëndetësisë dhe Ministres së Mbrojtjes, SPAK njoftoi se kishte filluar hetimet dhe kishte kërkuar sekuestrimin e dokumentacionit, por se cili ka qenë fati i atyre hetimeve vazhdon të mbetet enigmë.

Në kushtet kur ekzistojnë fakte dhe prova të pakontestueshme për përfitimin e miliona eurove, para publike, nëpërmjet subjekteve tregtare të lidhura drejtpërdrejt me shtetasit Rea Xhillari dhe Armand Frangu, përkatësisht thjeshtra dhe baxhanaku i kryeministrit Edi Rama, si dhe të dhënat shqetësuese lidhur me tenderat sekrete, përfitues të të cilëve rezultojnë subjekte dhe individë të lidhur me qeverinë Rama, me qëllim dhënien e informacione dhe shpjegimeve lidhur me sa më lart, në cilësinë e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të nenit 80, pika 1, të Kushtetutës dhe nenit 97, pika 1, të Rregullores se Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama.

Në mbështetje te nenit 96, pika 5, të Rregullores se Kuvendit, interpelanca do të paraqitet nga deputeti Sali Berisha.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.